Kundërshtarët politikë në Bosnjë marrin një vendim që afron ndarjen etnike


 “Southeast European Times”



Udhëheqësit e gjashtë partive politike me më shumë influencë në Bosnjë e Hercegovinë (BiH) vulosën një marrëveshje në Mostar të martën (20 nëntor), duke i dhënë fund bllokimit politik që ka mbërthyer vendin që nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010. Në një deklaratë të përbashkët, të gjashtë premtuan të sigurojnë barazi të plotë institucionale mes tre grupeve kryesore etnike e pakicave, duke plotësuar kështu kërkesat e vendimit të vitit 2009 nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen Sejdiç-Finçi. "U arrit një marrëveshje mbi çështjet më të rëndësishme për t’u trajtuar gjatë dy viteve të ardhshme, por më e rëndësishme për të respektuar parimin - duke zbatuar vendimin e gjykatës - se anëtarët e një populli nuk mund të votojnë për përfaqësuesit e një tjetri", tha Dragan Koviç, presidenti i HDZ-BiH-së. Gjashtë udhëheqësit rikonfirmuan detyrimet e përbashkëta të pranuara më parë, duke përfshirë marrëveshjen kryesore ndërmjet udhëheqësit të Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) Millorad Dodik dhe udhëheqësit të Partisë Social Demokratike (SDP) Zllatko Lagumxhija dy javë më parë, që hapi rrugën për në Mostar. Ata premtuan gjithashtu se të punojnë për të rindërtuar menjëherë degën ekzekutive në Federatën e BiH-së për të siguruar efektshmëri më të madhe, duke mbajtur parasysh shumicën parlamentare që partitë e tyre përbëjnë atje. Marrëveshja u bë e mundshme kryesisht sepse Partia Boshnjake e Veprimit Demokratik (SDA) u përjashtua nga aleanca në pushtet në nivelin shtetëror. SDA tha se marrëveshja efektivisht do të shkrijë vendin e do të krijojë një bashkim të njësive. "Për të ruajtur postin e tij, Lagumxhija ndihmoi Dodikun që të realizojë ideologjinë politike të tij, të dobësojë institucionet shtetërore e të fuqizojë njësitë", tha Amir Zukiç, sekretari i përgjithshëm i SDA-së. Shumë e kritikuan marrëveshjen se forcon nacionalizmin etnik në procesin zgjedhor duke siguruar se individët e një grupi etnik nuk mund të votojnë për kandidatin. Nasa Stranka (Partia Jonë) e opozitës tha se marrëveshja përfaqëson një forcim të ndarjes territoriale etnike nëpërmjet dobësimit të institucioneve shtetërore. "Këmbëngulja në parimin etnik gjatë zgjedhjeve dhe kufizimi i shtetasve që të votojnë vetëm për grupin e tyre etnik është kundër të gjitha parimeve demokratike. Udhëheqësit e gjashtë partive qartësisht mendojnë se shtetasit nuk mund të votojnë si individë me mendje të lirë, por vetëm si anëtarë të grupeve etnike", tha Denis Gratz, president i Nasa Stranka. Kritikët thanë gjithashtu se marrëveshja do të anulojë juridiksionin e Këshillit të Lartë Gjyqësor e të Prokurorisë të BiH-së e do të anashkalojë Komisionin Qendror Zgjedhor duke pakësuar juridiksionin e tij. Marrëveshja përcaktoi se parlamentet e njësive do të emërojnë prokurorë në të gjitha nivelet e pushtetit dhe qeveritë do të propozojnë kandidatë nga një listë e përcaktuar nga këshilli. "Askund në rajon kryeprokurori nuk zgjedh zëvendësit e tij dhe prokurorë të tjerë. ... Jemi duke luftuar për një gjyqësor të pavarur, por nuk mund të arrihet nëse prokurorët zgjidhen në takimeve të partive", tha Nermin Pekanaç, president i Bashkimit Social Demokratik të opozitës. Marrëveshja gjithashtu kërkon dhënien fund të listave zgjedhore dhe anulimin e Qendrës për Numërimin e Votave, e cila drejtohet nga Komisioni Qendror Zgjedhor i BiH-së; juridiksioni i këtij të fundit do t’u transferohet njësive. "Marrëveshja e partive do të vulosë fatin e Komisionit Qendror Zgjedhor e do të bëjë që ai të bjerë", tha Vedran Haxhoviç, përfaqësues i komisionit. Kjo do të thotë se nuk do të ketë më kandidatë zgjedhorë, vetëm votim për partitë, që do të bëjë të mundur që partitë, në vend të zyrtarëve individualë të zgjedhur, të zotërojnë mandatet, tha ai. "Nuk pati kurrë ndonjë kundërshtim ndaj punës së Qendrës për Numërimin e Votave. Nga ana tjetër, qendra së fundmi zbuloi disa raste të tentativave për falsifikimin e rezultateve zgjedhore", shtoi Haxhoviçi. Udhëheqësit e partive gjithashtu ranë dakord mbi reforma ekonomike për të mbrojtur prodhuesit vendas e për të përmirësuar mjedisin e investimit të BiH-së. Dy njësitë e BiH-së kanë rregullore të ndryshme që qeverisin ekonominë, duke e bërë të vështirë tregtinë ndërmjet njësive, por Lagumxhija e Dodiku thanë se marrëveshja e tyre synon t’i sinkronizojë ato.