Aspekti më ironik i polemikës, në terma shumë të ashpra, midis Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes është fakti se që të dy këta persona janë shpallur me dekret shtetëror «Nderi i Kombit» në Republikën e Shqipërisë. Ismail Kadare është shpallur i tillë në kohën kur President i Republikës qe Sali Berisha, ndërsa Rexhep Qosja është shpallur kur President qe Rexhep Meidani. Tash këta dy burra janë duke e shpallur njëri tjetrin «Turpi i Kombit», duke e akuzuar Kadare Qosjen praktikisht si fundamentalist islamik dhe Qosja Kadarenë si racist.
Kjo histori është një nga ato dukuri të realitetit shqiptar të cilat Faik Konica i ka përjetësuar në satirën e vet të pavdekshme «Katër përralla nga Zullulandi», në të cilën bën alegori për Shqipërinë dhe shqiptarët e kohës së vet. Në tregimin e Konicës zullutë bëjnë një idhull prej dushku dhe një idhull prej borige për t’i adhuruar dhe atakojnë ashpër cilindo që e ve në dyshim vlerën e tyre. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me Ismail Kadarenë dhe Rexhep Qosjen. Ajo që mund të quhet si oligarkia intelektuale e hapësirës shqiptare, me qendër në Tiranë, i ka idolizuar deri më tash Kadarenë dhe Qosjen, duke i bërë njërin «idhullin prej dushku» dhe tjetrin «idhullin prej borige» dhe ka atakuar ashpër cilindo që e ve në dyshim «shenjtërinë» e tyre. Kadare dhe Qosja janë shpallur si autoritete jo vetëm në letërsi, ku ata mund të pretendojnë të jenë autoritete, por edhe në politikë, historiografi etj. Madje, në periudhën paskomuniste Kadare dhe Qosja më tepër kanë shkruar dhe folur për politikë sesa për letërsi. Fjalët e tyre janë shpallur nga oligarkia intelektuale e Tiranës si fjalë hyjnore, të cilat duhen marrë si të vërteta a priori dhe që kush i ve në dyshim bën herezi dhe përndiqet si ai personazhi i tregimit të Konicës që guxoi të profanonte dy idhujt e zulluve.
Konica la vetëm të parën prej të katër përrallave nga Zullulandi që premtoi të shkruante. Ndoshta këtë gjë e bëri sepse mendoi që të tjerat do t’i shkruajmë vetë ne shqiptarët në të ardhmen, në versione të ndryshme. Dhe një prej përrallave nga Zullulandi e shkruan në bashkautorësi Kadare dhe Qosja me polemikën e tyre të sotme, për pezmin e madh të kadareanëve dhe qosexhinjve të oligarkisë intelektuale të Tiranës. Këtë herë e keqja është më e madhe, jo për faktin se dikush guxoi të atakojë dy idhujt prej dushku dhe borige, por sepse dy idhujt filluan të grinden me njëri-tjetrin. Kadare e ka cilësuar Qosjen, praktikisht, fundamentalist islamik, ndërsa Qosja e ka cilësuar Kadarenë racist. Kështu, të dy idhujt «Nderi i Kombit» e kanë shpallur njëri tjetrin praktikisht «Turpi i Kombit», simptomë kjo e joseriozitetit dhe madje të tragjikomizmit me të cilin i bëjmë punët ne shqiptarët. Dhe bota qesh me ne shqiptarët, ashtu siç qeshte në tregimin e Konicës me bëmat e zulluve.
Sipas mënyrës sesi është konceptuar medalja «Nderi i Kombit» çdo shqiptar, në çdo skaj të botës, duhet të krenohet para të huajve me faktin që bartësit e saj janë shqiptarë, duke u supozuar që bartësit e kësaj medaljeje të jenë njerëz që ne shqiptarëve na e ka zili e gjithë bota, siç ndodh p.sh. me Leonardo Da Vinci, Giuseppe Verdi, Michelangelo, Dante Alighieri etj., që bota ia ka zili Italisë, ose me Shakespeare, që bota ia ka zili Anglisë, Goethe, Wagner, Bethoven, që bota ia ka zili Gjermanisë e kështu me radhë.
Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja janë shqiptarë dhe t’ia dinë për zili Shqipërisë që i ka të vetët këta burra dhe shumë të tjerë që e kanë marrë këtë medalje. Është e habitshme se vende të tjera që kanë njerëz me famë botërore nuk e kanë bërë këtë gjë, pra që të sajojnë medalje të llojit «Nderi i Kombit» dhe t’ua japin atyre, p.sh. Italia Leonardo Da Vinci-t, Giuseppe Verdi-t, Michelangelo-s, Dante Alighieri-t etj., Britania e Madhe Shakespeare-t, Gjermania Goethe-s, Wagner-it, Bethoven-it e kështu me radhë. Dhe kjo është e kuptueshme sepse njerëzit e mëdhenj të nivelit botëror, me të cilët mburret e nderohet një nacion (komb) para të tjerëve nuk kanë nevojë për dekrete shtetërore që i shpallin të tillë.
Rëndom dekretet për këtë gjë duhen atëhere kur këta njerëz nuk njihen jashtë vendit të tyre, ose njihen shumë pak dhe dekretet kanë si të vetmin efekt konsistent që bota ta kuptojë se ne shqiptarët ende nuk kemi arritur që të bëjmë një shtet serioz. Unë nuk besoj që të ketë ndonjë shqiptar aq të marrë, sa kur është jashtë vendit, të mburret duke përmendur emrin e ndonjërit prej atyre që kanë marrë me dekret shtetëror titullin «Nderi i Kombit» dhe të thotë: «E dini, filani është shqiptar!» Nëse do të kishte ndonjë shqiptar aq të marrë sa ta bënte këtë gjë, ai me siguri do të shkaktonte të qeshura tallëse tek bashkëbiseduesit. Edhe sikur Ismail Kadare, bie fjala, të merrte Çmimin Nobel nuk kishte nevojë që ai të bëhej «Nderi i Kombit» me dekret, pasi kurrkush nga vendet që kanë nobelistë nuk e ka bërë një gjë të ngjashme.
Me rastin e polemikës Qosja-Kadare, të cilët janë të dy «Nderi i Kombit», duke u nisur nga argumentat për të cilat ata debatojnë, ne i japim që të kuptojë botës, me anë të dy njerëzve që i kemi shpallur si ndër më të shquarit dhe me të cilët krenohemi, se jo vetëm që nuk jemi një komb serioz, por praktikisht nuk kemi arritur që të konsituojmë fare një komb. Për këtë bindet çdo i huaj që këqyr qoftë edhe përciptas argumentat për të cilat debatojnë Qosja dhe Kadare. Tezat që mbrojnë dhe kundërshtojnë Kadare dhe Qosja janë:
Ismail Kadare mbron tezat se Islami e pengon integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në përgjithësi, në Europë dhe se shqiptarët në dy anët e kufirit politik duhet të heqin dorë nga aspirata historike për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, duke krijuar sipas Kadaresë, dy shtete shqiptare, Republikën e Shqipërisë dhe Kosovën.
Në anën tjetër, Rexhep Qosja, mbron tezat se Islami është pjesë dhe vlerë e identitetit shqiptar dhe si e tillë duhet ruajtur dhe nuk duhet denigruar, se Europa duhet t’i pranojë shqiptarët për çka janë në shumësinë e tyre, pra muslimanë dhe se zgjidhja e çështjes shqiptare duhet të bëhet me bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm.
Këto janë pikëpamjet që mbajnë dhe në të cilat ndahen Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja. Analisti Mentor Nazarko, në një shkrim të botuar javën e kaluar thoshte se kjo është një polemikë gjigandësh dhe se në të nuk ka vend për të tjerët që nuk janë në lartësinë e tyre. Kjo është pak a shumë dhe përshtypja që duan të krijojnë Kadare dhe Qosja për veten në këtë polemikë. Por, problemi është se polemika Kadare-Qosja mund të quhet një duel gjigantësh kur ata polemizojnë për çështje letrare, pasi letërsia është sfera së cilës ata i përkasin. Kur ata vendosin që të dalin nga letërsia për të hyrë në sferat e tjera, atëhere argumentet që ata japin duhet të konsiderohen për atë çka vlejnë, pavarësisht nga etiketa «Kadare» ose «Qosja» që mbajnë.
Argumentet për të cilat polemizojnë Kadare dhe Qosja involvojnë rrafshe të ndryshme të mendimit, atë historike dhe kulturhistorik, atë politik madje gjeopolitik në marrëdhëniet ndërkombëtare etj., rrafshe këto në të cilat Kadare dhe Qosja kanë të drejtë që të japin konsideratat e veta, por sigurisht jo në cilësinë e ekspertëve. Argumenti i tyre, ashtu siç e ndërtojnë ata është nonsens dhe lehtësisht i atakueshëm. Sa i përket argumentit që ndërton Kadare, ai ka të drejtë kur e shikon Islamin si një handicap për integrimin e shqiptarëve në Europë, pjesë e së cilës kemi qenë gjeografikisht dhe kulturalisht para okupimit osman, ndërsa tash kemi mbetur veç gjeografikisht. Por, çështja është se Kadare nuk ofron një alternativë se si do të kapërcehet handicap-i islamik i shqiptarëve, në të dy anët e kufirit. Retorika proeuropiane dhe pro trashëgimisë kristiane shqiptare e elitave intelektuale në Tiranë dhe Prishtinë nuk është e mjaftueshme për Europën që të bindet se ne shqiptarët e kemi bërë katarsisin duke u pastruar nga aspekti islamik i jonë.
Për fat të keq, pavarësisht kësaj retorike, Europa vazhdon të na perceptojë ne shqiptarëve, në dy anët e kufirit, si një komb, në shumësinë absolute islamik, si një rudiment të Imperisë Osmane në Europë. Prandaj Europa, në vitet ‘90 të shekullit të kaluar e gjeti konvenuese që të pajtohej me aksionet serbe, greke dhe maqedone, për t’i pastruar etnikisht shqiptarët në dy anët e kufirit. Po të qe për Europën, Republika e Shqipërisë në 1997, Kosova në 1998-1999 dhe Maqedonia në 2001 do të qenë pastruar etnikisht nga shqiptarët muslimanë dhe katolikë (pasi lufta në Kroaci tregoi se serbët nuk i urrejnë katolikët më pak se muslimanët, çka vlen edhe për grekët ortodoksë). Europa do të kënaqej që çështja shqiptare, që për të është një çështje islamike, të zgjidhej duke u copëtuar Republika e Shqipërisë midis Greqisë dhe Serbisë, duke u vënë kufiri mes tyre në Mat ose në Drin. Fakti që kjo nuk ndodhi i detyrohet ndërhyrjes amerikane.
Plani famëkeq «Patkoi» u zbulua vetëm pjesërisht dhe ai nuk parashikonte vetëm pastrimin etnik të Kosovës. Plani «Patkoi» qe një plan serbo-grek që parashikonte dhe pastrimin etnik të Republikës së Shqipërisë, çka duhet të kishte ndodhur që në 1997, para luftës në Kosovë dhe të pjesës shqiptare të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Ndërsa Bashkimi Europian, me ndërhyrjen e Francës dhe të Gjermanisë do të sponsorizonte vendosjen e miliona shqiptarëve musliamën të dëbuar në Turqi, sipas precedentëve të dikurshëm, duke i paguar Turqisë disa miliardë dollarë për këtë qëllim. Krijimi i dy shteteve shqiptare, siç mendon Kadare,nuk e zgjidh dilemën e sigurisë për shqiptarët në dy anët e kufirit, por vetëm e komplikon atë, kur dihet se siguria e jashtme është preokupimi i parë i një shteti. Në një situatë ndërkombëtare konfliktuale, Plani «Patkoi» mund të rinxirret nga arkivat për t’u implementuar Operacioni serbo-grek «Patkoi», edhe me miratimin e heshtur të Europës dhe natyrisht të Rusisë. Këtë dilemë të sigurisë mund ta zgjidhë në një masë të kënaqshme vetëm një shtet i bashkuar shqiptar, i lidhur në një aleancë me SHBA-të.
Kadare të gjitha këto sigurisht i di pak a shumë, por megjithatë ai shkruan ato që shkruan, vetëm për konsum ndërkombëtar, që të bëhet i pëlqyeshëm për qarqet ndërkombëtare që mund të influencojnë që ai të marrë Çmimin Nobel. Pas rënies së komunizmit, Ismail Kadare, për t’u bërë i pëlqyeshëm në Perëndim dhe për të shlyer fajet e së shkuarës së vet prej stalinisti dhe antiperëndimori u paraqit si kampion i kauzës së largimit të shqiptarëve nga Islami, europianizimit të tyre, afrimit me Krishterimin. Në këtë fushë Kadare e ndjen veten të paprekshëm si Akili. Madje sado njerëz që ta atakojnë Kadarenë për këto pikëpamje dhe sado ashpër që ta bëjnë ata këtë gjë, aq më shumë kënaqet Kadare, pasi me këtë rrit rating-un e vet në Perëndim, si një lider shpirtëror i shqiptarëve, që kërkon t’i nxjerrë ata nga errësira dhe mjegulla dhe t’u prijë drejt dritës së Europës, për çka mësyhet nga forcat e errësirës. Kështu, Kadare shpreson se perëndimorët do të binden që t’i japin Çmimin Nobel aq shumë të ëndërruar prej Kadaresë.
Polemika me Kadarenë për antiislamizmin dhe prokrishterizmin që ky ka shprehur pas rënies së komunizmit, nivelin e vet më të lartë deri më tash e pati arritur me njerëz si Abdi Baleta apo Hysamedin Feraj, të cilët janë janë rreshtuar haptas në rrymën islamike të mendimit shqiptar. Por Kadare e ndjente se që investimi i vet në antiislamizëm të konsiderohej seriozisht duhej që ai të kundërshtohej nga një njeri me profil të lartë. Polemika që hapi me të Rexhep Qosja, i siguroi pikërisht këtë gjë Kadaresë. Argumenti i Qosjes është po aq nonsens dhe i atakueshëm sa i Kadaresë. Është interesante se, Qosja, derisa e kritikon Kadarenë se shprehet kundër Islamit, nuk e qorton se shprehet kundër aspiratës nacionale për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, kur Qosja është një kampion i kësaj aspirate historike shqiptare.
Një intelektual i kalibrit të Qosjes duhet ta ketë të qartë se këto dy gjëra, pra identiteti islamik dhe shteti i bashkuar nacional, nuk shkojnë bashkë. Implementimi i aspiratës për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm do të vështirësohet dhe komplikohet shumë nga potencimi i identitetit të trashëguar islamik i shumësisë së shqiptarëve në dy anët e kufirit dhe madje edhe nëse do të arrihet që të krijohet ky shtet, dimensioni islamik i tij do të jetë «thembra e Akilit» e këtij shteti dhe do të përdoret nga fqinjët serbë, grekë, por edhe maqedonë si një ekspedient strategjik për të realizuar Planin «Patkoi» në një situatë të përshtatshme ndërkombëtare. Edhe më i habitshëm është pretendimi i Qosjes se ai vetë nuk është besimtar musliman dhe nuk shkon në xhami, por megjithatë e mbron Islamin si një vlerë të shqiptarëve. Kjo nuk është serioze. Rexhep Qosja si një musliman nga tradita e kohës osmane dhe kristian nga tradita paraosmane, duhet që, ose të bëhet një besimtar musliman me të gjitha efektet, ose të heqë dorë nga mbrojtja e Islamit.
Aristoteli ka thënë: «Çdo punë e paguar e thith dhe e degradon mendjen e njeriut». Dhe Aristoteli këtu e ka fjalën për punënintelektuale. Kadare dhe Qosja, në tezat që mbrojnë në polemikën e tyre, janë ilustrimi i kësaj shprehjeje të Aristotelit. Që të dy ata e mbrojnë me forcë argumentin e tyre, edhe pse duket qartë se ai është nonsens, sepse në këtë rast mendja e tyre është thithur dhe degraduar ngaqë ka qarqe, jashtë hapësirës shqiptare, që paguajnë që ata t’i mbrojnë këto teza. Në rastin e Kadaresë, është Franca ajo që paguan që të potencojë në mendimin shqiptar idenë e mosbashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Ndërsa në rastin e Qosjes do të bindesha se idetë e tij të mësipërme sponsorohen nga vendet islamike, sikur ai mos të thoshte se nuk është besimtar musliman dhe nuk shkon në xhami. Të gjithë ata intelektualë shqiptarë në dy anët e kufirit, që mbrojnë fort Islamin, duke e distancuar veten prej tij në të njëjtën kohë, bëjnë lojën e Greqisë dhe të Serbisë, të cilat duan që të potencohet identiteti islamik i shqiptarëve, për ta përdorur këtë si një kartë kundër shqiptarëve në kancelaritë perëndimore.
Sikur Faik Konica ta dëgjonte polemikën Kadare-Qosja, ai do t’ua recitonte me siguri të dyve ato dy vargjet, që ua thoshte intelektualëve shqiptarë të kohës së vet, të cilët mbronin ide që qartas dukej se nuk i besonin dhe të cilat qenë paguar t’i shprehnin:
«Gojëmjaltë e buzëlule,
a do një tas fasule?»
Nevoja për të siguruar atë «tas fasule» të shkretë e thith dhe e degradon mendjen e njeriut, sado e madhe qoftë kjo, siç ka vënë re Aristoteli 24 shekuj më parë, kuptohet në rast se njeriu nuk ka parime shumë rigoroze morale.





