Luela Myftari
Jo të gjithë librat të frymëzojnë të shkruash për ta. Këta libra janë ata që nuk të frymëzojnë as t’i lexosh
![]() |
Virgjil Muçi |
-Shumëkush e njeh Virgjilin si kritikun që prej një kohe të gjatë përcolli vlerësimin e tij prej profesionisti mbi letrat shqipe apo mbi botimet që vinin në literaturën shqipe. Ai ka luajtur një rol të madh në lëvrimin e disa shijeve letrare, por prej disa kohësh nuk e shohim të dalë e të shfryjë nerv mbi botimet që sot ndoshta kanë filluar të krijojnë një lëmsh të vërtetë vlerash artistike. Kritika e tij mori jetë e u bë më e njohur në vitin 1998. Pa shkëputje dhe pa stepje procesi kritikues vazhdoi rrjedhën e tij për pesë vjet. Virgjili do të rishfaqej pas dy vitesh për t’u larguar përsëri.
Virgjil, prej disa kohësh nuk ju shohim më të kritikoni sistemin e botimeve dhe kjo sigurisht jo sepse ky sistem është përmirësuar aq sa për të mos u kritikuar por sepse...
Në fakt ka dy arsye për largimin tim nga rubrika e kritikave letrare, njëra prej të cilave është kur kupton se ka ardhur momenti të ndalesh. Ka gjithmonë një moment kur njeriu duhet të thotë: Mjaft! Unë kuptova se ishte koha për të ndaluar, ndoshta përkohësisht dhe kjo për një arsye tjetër. Kjo ndodhi sepse ndjeva një lloj lodhjeje dhe dëshire për të rifreskuar leximin. Kritiku është i detyruar të lexojë edhe tituj që nuk dëshiron t’i lexojë. Librat që nuk të shtyjnë t’i shijosh janë ata libra për të cilët një kritik nuk mund të shkruajë. Gjatë kësaj kohe m’u grumbulluan dy pirgje librash: librat që unë i quaja të dëshirueshëm, që do të doja shumë t’i lexoja e rilexoja dhe librat që do të duhet t’i lexosh nëse do të shkruash për ta. Pirgu i parë, i librave që do të doja t’i lexoja u shtua aq shumë saqë mund të them se kjo arsye më nxiti t’i largohesha kritikës.
Virgjil Muçi qëndron mes shkrimtarit, kritikut dhe përkthyesit. Çfarë ju ka ndihmuar më së shumti të forconi portretin tuaj letrar?
Përkthimi më ka ndihmuar shumë që të njihem me pasurinë e madhe që ka gjuha shqipe apo për të punuar më shumë me frazat, ndërsa kritika më ka ndihmuar që “t’i bëj gjyqin” veprave të mia përpara se t’ia ofroj ato lexuesit. Të tria janë degë të një trungu të vetëm.
Si ka qenë marrëdhënia juaj me titujt e ndaluar? Flasim këtu për letërsinë e ofruar përpara viteve ’90.
Ishte njëlloj si të kishe një të dashur të fshehtë, një të dashur me të cilën takohesh rrugicave, fshihesh nga sytë e njerëzve. Vetë fshehtësia të ofron një dëshirë të madhe për ta bërë këtë dashuri sa më të prekshme. Pra ishte një lloj lidhjeje sa e këndshme aq edhe e rrezikshme. Ishte e vështirë të gjeje libra, si për shembull Orwellin, në vitin 1984 ma dhanë ta lexoja. Libri ishte i mbështjellë dhe unë kisha vetëm katër orë kohë për ta përpirë. Ndërsa për literaturën në gjuhë të huaj mbaj mend se si thurja situata për t’i hyrë në zemër librares. Megjithatë pasi fillova të njihem, të kultivoj emrin, të kaloj në Lidhjen e Shkrimtarëve, fitova edhe më shumë akses për të siguruar librat që doja të lexoja dhe për të cilat kisha dëgjuar.
A krijoi diktatura shkrimtarë “mit”, shkrimtarë që vazhdojnë të shesin edhe sot?
Jo, nuk mendoj ashtu. Sot, jo të gjithë emrat që ofronte ajo periudhë kanë mbërritur. Koha i fshin gjërat pa vlerë, ajo është një seleksionuese e mirë. Madje më duhet të shtoj se atë kohë përtej veshjes ideologjike që merrnin veprat, sistemi letrar ishte një sistem vlerash. Sot mund të botohet gjithçka, mungon vetëpërmbajtja dhe masa. Pra në njëfarë mënyre sot kemi një mishmash vlerash. Mbaj mend se për të botuar librin tim të parë kam punuar shumë. Libri më është kthyer me sugjerime dhe vërejtje. Pas kësaj duhej një punë e gjatë me redaktorin në mënyrë bëhej e botueshme dhe më besoni se ka më shumë shije vepra kur mezi del në dritë sesa kur t’i e dërgon tek një botues, i cili as nuk e merr mundimin ta lexojë. Sot nuk gjen një mendim kritik të mirëfilltë në asnjë nga promovimet e librave të rinj.
Sa ndihmoi letërsia gojore, përrallat dhe legjendat në atë që përcillni ju sot?
Ajo ka ndikuar mjaftueshëm. Në mënyrë të drejtpërdrejtë në realizimin e katër vëllimeve të “Përrallës shqiptare” e të “Satirikonit dhe Erotikonit” dhe në mënyrë të tërthortë në prozën e shkurtër. Tradita ka qenë dhe mbetet për mua shumë e rëndësishme sepse në vetvete përmban një pasuri që ka ushqyer letërsinë time.
Kritik, shkrimtar apo përkthyes? Është e vështirë të zgjedhim një term, por kjo nuk do të thotë se atë mund ta quajmë Don Zhuanin e letrave. Virgjil Muçi është autori i përmbledhjeve të përrallave “Erotikoni dhe Satiriokoni”, “Përralla shqiptare 100 + 1 natë” dhe e fiksioneve “Dashuria nuk troket dy herë” apo “Vejusha e dashuruar”. Si përkthyes emri i tij lakohet në botimin e “Pipi çorapegjatës” apo “Përrallë krishtlindjesh” të të madhit Charles Dickens, pa harruar “Fotografinë” e Susan Sontag. E megjithatë, popullaritetin e fitoi si kritiku që vlerëson profesionalisht botimet letrare shqiptare.
Emri: Virgjil Muçi
Datëlindja: 18 gusht 1956
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi : Tiranë
Statusi : I martuar, me dy fëmijë dhe një mik besnik, qenin Maks
Arsimi: Gjuhë-Letërsi