“Klani i të divorcuarave” do të ketë premierën nesër, në orën 18:00 në Teatrin e Komedisë, ndërsa sot provën gjenerale, e hapur për publikun. Një komedi e shkruar nga aktori me origjinë shqiptare Alil Vardari, përkthyer nga shkrimtari Ylljet Aliçka, që ka në fokus problemet, pasionet, rrëfimet e tri femrave të divorcuara
Një komedi shqiptare e ka grishur Inis Gjonin për të qenë sërish në teatër. “Klani i të divorcuarave” do të ketë premierën nesër, në orën 18:00 në Teatrin e Komedisë, ndërsa sot provën gjenerale, e hapur për publikun. Një komedi e shkruar nga aktori me origjinë shqiptare Alil Vardari, përkthyer nga shkrimtari Ylljet Aliçka, që ka në fokus problemet, pasionet, rrëfimet e tri femrave të divorcuara. Jonida Vokshi, Adriana Tolka dhe Romir Zalla në rolin e një femre, janë aktorët e përzgjedhur. Në pozicionin e regjisores, Inis Gjoni thekson se kjo është një komedi ku publiku do të shohë realitetin shqiptar, ato që zakonisht te ne thuhen me zë të ulët apo në një rreth të ngushtë, realizuar me mbështetjen e “DigitAlb”.
Pas një viti shkëputjeje vini në teatër me një komedi shqiptare. Përse bëtë një zgjedhje të tillë?
Kjo është një vepër që e kam pasur në dorë prej një viti e gjysmë. Mendova se ky ishte momenti i duhur për ta ngjitur në skenë, pasi isha ngopur me informacion. Është një komedi me situata brilante batutash, por, nga ana tjetër, problematika që trajtohet është aktuale me Shqipërinë, por edhe me gjithë botën. Mendoj se kjo vepër qëndron shumë mirë në këtë 100-vjetor, pasi autori është Alil Vardar, aktor, dramaturg dhe sipërmarrës shqiptar me një sukses të jashtëzakonshëm në skenat e Parisit dhe vepra është përkthyer nga ambasadori ynë në Francë zoti Ylljet Aliçka. Vendosa ta sjell në skenë këtë vepër, sepse më ka pëlqyer tragjedia që i flet realitetit në të cilin ne jetojmë. Mendoj që është edhe një staf i mirë me të cilin punoj, që nga aktorët që vijnë në skenë: Jonida Vokshi, Romir Zalla, i cili luan personazhin e një gruaje dhe Adriana Tolka, skenografi Beqo Nanaj, producente ekzekutive Julia Sinani e shumë artistë të tjerë që na mbështesin.
Cila është dinamika, historitë dhe konfliktet që ziejnë te “Klani i të divorcuarave”?
Janë tri femra që nuk njihen me njëra-tjetrën, por që fati i ka bashkuar në një shtëpi pas ndarjeve të tyre martesore. Ngjarja zhvillohet në apartamentin me qira të Stefanisë, e cila duke qenë se nuk është në gjendje të mirë ekonomike, vendos ta ndajë apartamentin e saj edhe me dy vajza të tjera, po të divorcuara, Brixhilda (Romir Zalla) dhe Meri (Jonida Vokshi). Stefani është divorcuar me koshiencë nga bashkëshorti i saj, sepse pas 5 vjetësh martesë ajo kupton se ai nuk është i nivelit të saj shoqëror, e po ashtu ka bërë edhe Meri, më e bukura dhe e përkëdhelura mes tyre. Por kemi edhe Brixhildën, e cila është e divorcuar prej 9 vjetësh, një femër jo e pashme me tipare mashkullore, e cila është e braktisur. Ajo ka ngritur një barrikadë brenda vetes, sepse e kupton që meshkujt nuk janë të tërhequr prej saj. Duke parë që jeta e tyre nuk po shkon ashtu siç kishin shpresuar, ato vendosin të lexojnë lajmërimet në gazetë. Kjo nis si diçka e parëndësishme, por më pas merr rëndësinë e vet dhe ato mbeten në pritje të takimeve me meshkujt që do t’i telefonojnë. Më e pashpresa është Brixhilda, por në fund del më e fituara.
Pas “Salla e banjës” kjo është një tjetër komedi që të çon te bota femërore. Ju tërheq për problematikat apo për karakteret?
Kjo lloj vepre u përket komedive intime, reale, jetësore, ku publiku me anë të gjuhës gjen atë me të cilën ballafaqohet çdo ditë. Në këtë komedi ato shprehin hapur të gjitha kontradiktat dhe dëshirat që kanë dhe ne shohim femrën e ditëve të sotme, origjinale dhe jo të shtirur. Pasionet e nxehta femërore, çmenduritë, ndjesitë e thella të tyre, kanë qenë pjesë e trajtuar pafund përgjatë historisë sonë të njerëzimit. Mendoj se autorët e ditëve të sotme i dallon gjuha me të cilën shprehin sensualitetin e një femre, pasionet e nxehta pa u shtirur apo duke kamufluar personazhe të moralshme apo të pamoralshme. Stefania, Brixhilda dhe Meri vijnë pa doreza, me dialogun e tyre, me dëshirat, pasionet. Në të vërtetë ato kanë qenë aty, vetëm se sot pranohen nga të gjithë ne. Kjo është një vepër që i përshtatet në plan të parë botës perëndimore, e cila flet shumë më tepër lirshëm për sa u përket pasioneve familjare, divorceve, problematikave. Në Shqipëri ndodhin të gjitha këto gjëra, por njerëzit janë më të ndrydhur, ndaj them që publiku do të gjejë atë me të cilën ballafaqohet çdo ditë në rrethet e tyre të ngushta.
Disa vite më parë, kujtoj bashkëpunimin me aktorët Roland Trebicka dhe Agim Qirjaqi, ishit më shumë e prirur drejt veprave të angazhuara. Erdhi natyrshëm qasja drejt komedisë?
Në të vërtetë nuk më ka tërhequr asnjëherë komedia dhe nuk e kam menduar që do të kisha dëshirën për të ngjitur në skenë një vepër komike. Më përpara kam punuar me vepra ekzistencialiste apo absurde dhe vazhdoj të kem dëshirën për të vënë në skenë të tilla vepra. Te “Salla e banjës” dhe “Klani i të divorcuarave” kam kërkuar dhe kam seleksionuar vepra që kanë qenë vërtet të bukura. Në fakt unë komedinë e kam trajtuar si të ishte dramë. Merrem me hallin e personazheve e pastaj vjen humori.
Ju keni pasur periudhat e shkëputjes, po aq sa edhe eksperienca televizive. Si është marrëdhënia juaj me teatrin?
Duke parë realitetin në Shqipëri dhe duke pasur parasysh kushtet ekonomike, një shkëputje prej një viti është shumë pak. Madje do të thosha se kjo vepër ka ardhur shpejt. Brenda vitit të shkuar më qëlloi të ngjisja në skenë “Vdekja e mbretëreshës” dhe “Salla e banjës”. Në teatër ndihem vetvetja. Ka lodhje, sepse është një proces pune i gjatë, analizash dhe kërkimesh pa fund në raport me veprën, pasi kur vendos në skenë një pjesë, të duhet të hysh shumë thellë në raporte të pafundme, sepse ti si regjisore nuk duhet të ngelesh pa përgjigje. Puna ime në raport me këtë vepër ka nisur më herët se para një viti, pavarësisht se angazhimi me vajzën ka qenë primar.
Sa ndikon vajza juaj dhe situata emocionale në të cilën ndodheni?
Vajza ime ndikon shumë pozitivisht, në mënyrë aq sa unë nuk e kisha menduar. Është një mënyrë tjetër e të menduarit, tjetër këndvështrim. Kënaqësia e vajzës transmetohet edhe në raport me punën.
O. Lila
Gazeta S H Q I P





