Grekët i vënë sërish flakën (FOTO)


Përpara parlamentit në Athinë, të mërkurën në mbrëmje mijëra grekë protestuan kundër paketës së kursimeve prej 13.5 miliard euro. Në protestën më të madhe prej shumë muajsh në Greqi morën pjesë së paku 70 mijë persona, bën me dije policia.
Protesta ishte thirrur nga sindikatat dhe partitë e majta.
Rreth 200 persona nga turma nisën të sulmojnë policinë në afërsi të parlamentit me koktejle molotov. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.
Jeta publike thuajse u ndalua në Greqi për shkak të kësaj greve.
Metrotë, trenat, madje edhe në portin e Pireut nuk lëvizi ndonjë traget. Mjekët, mësuesit, taksistët, të gjithë ishin në grevë. Plehrat nuk u mblodhën dhe pushtuan rrugët.
Parlamenti pritet të miratojë shkurtimin e pensioneve me 15 përqind dhe rritjen e moshës së daljes në pension nga 65 në 67 vjeç. Pagat e nëpunësve publikë do të ulen me 20 përqind.
Në rast se nuk do miratohet një paketë e tillë, praktikisht Greqia falimenton. Në rast se paketa miratohet, plotësohet një kërkesë e huadhënësve ndërkombëtare për të paguar ndihmën për Greqinë, e cila është jetike në këtë muaj.
Lëvizja opozitare Syriza vari përpara parlamentit një baner ku lexohej: Ju po e shkatërroni vendin, është koha të ikni. Më pas ata shkuan tek demonstruesit dhe i përshëndetën.