Gratë e lira të Teheranit

Sara, Tina e të tjerat, visheshin me shumë ngjyra, nuk mbanin çorape dhe i kishin gishtat e lyera me manikyr. Sipas ajatollahut, janë shkelje të papranueshme. Kjo është protesta e tyre

Sepideh Talebi, e lindur më 27.10.1989, u arrestua se mbante një rupush shumë të shkurtër (rupush është shami koke që dikur ishte e gjatë deri në fund të këmbëve, e që me kalimin e viteve gjatësia e saj sa vinte e shkurtohej deri sa u reduktua fare). Mana Davodi, e lindur më 05.04.1980, u arrestua sepse mbante sandale pa çorape, duke lënë të zbuluar thonjtë e kuq të këmbës. Romana Reyahi, e lindur më 16.01.1986, u arrestua se e mbante rupush-in të palidhur. Të njëjtin fat kanë pasur edhe Sara Kermani (03.07.1981), Tina Azimi (06.11.1979), Tahereh Reyahi (25.03.1983): të gjitha u arrestuan për të njëjtat arsye, ose për atë që në Iran quhet “bad hejab” (pajtueshmëri e ulët me kodet e veshjeve të vendosura nga revolucioni islamik), dhe u mbajtën në një vend që ruhej nga policë. Vajzat u liruan vetëm pasi u betuan se do t’u bindeshin me përpikëri kodeve islamike, nuk do të lyheshin dhe do të vishnin rrobat që vetë autoritetet ua kishin dërguar në shtëpi. Disa prej vajzave u gjobitën, të tjerat u dënuan me dënime të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe dhunën fizike. Por pavarësisht presionit të bërë nga policia, ato nuk refuzuan kur fotografja Maryam Rahmanian u kërkoi t’i fotografonte për një ekspozitë. Në studio ajo u ndërroi shamitë e kokës, i grimoi, u krehu flokët dhe në fund u dha të gjithave në dorë nga një tabelë, mbi të cilën shkruhej emri dhe mbiemri i secilës, si tabelat treguese me të cilat policia kërkon kriminelët. Ky është një provokim që mund të jetë i rrezikshëm për pjesëmarrëset (edhe pse ekspozita do të shihet vetëm jashtë shtetit). Megjithatë qëllimi është një i vetëm: të tregohet se gratë iraniane nuk dorëzohen lehtë. Në vitin 1979 ishin të shumta gratë që kontribuuan në rrëzimin e ajatollohut Khomeini nga pushteti, pavarësisht se nuk e imagjinuan që fill më pas do të vendoseshin ligje që i caktonin në të njëjtin plan me burrat, por nuk kishin pushtet mbi familjen. Kështu mbulimi i flokëve u bë detyrim, e drejta e divorcit dhe e autoritetit prindëror mbi fëmijën ishte e kufizuar, mosha minimale e martesës u ul dhe u rivendos poligamia. Ndryshe nga shoqëritë e tjera islamike, si ajo saudite, u ruajtën të drejtat politike, veçanërisht ajo e votës. Islamizmi ndau gjinitë dhe sakrifikoi gratë në planin e të drejtave, por nuk i përjashtoi nga shoqëria. Iranianet gjithmonë kanë mundur të studiojnë, të shkojnë në universitet, të merren me aktivitete të ndryshme në punë: ky ka qenë edhe sekreti që ato kanë arritur të rezistojnë. Është e çuditshme, sepse vetë perçja tregon një histori të dhunimit të të drejtave. Për bijat e familjeve tradicionale, që dikur nuk lejoheshin të shkonin në shkollë, veli dhe ndarja e gjinive ishte një periudhë kalimtare, kushti që i bindi baballarët t’i nxirrnin nga shtëpia. Sot, 65% e studentëve në universitete janë vajza dhe ajatollahët e shohin me shqetësim këtë efekt të padëshirueshëm të emancipimit, aq sa në gusht të këtij viti, para rihapjes së shkollave, disa universitete vendosën një kusht: 77% e studentëve duhej të ishin meshkuj, sidomos në degët shkencore. Fituesi i çmimit “Nobel”, Shirin Ebadi, i shkroi sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për përpjekjen e shtetit që të nxjerrë jashtë loje gratë dhe të shtypë rezistencën e tyre.
Perçja u bë menjëherë simbol për Republikën Islamike (ashtu siç është sot programi bërthamor, edhe pse ky është më i rrezikshëm), sepse ishte objekt i veçantë dhe kritikohej vazhdimisht nga Perëndimi (që u ngrit kundër Iranit, duke lënë pas vende si Arabia Saudite, ku kodet e sjelljes dhe të veshjes janë akoma më të rrepta). “Është një armë kundër armikut”, thoshin ajatollahët: duke respektuar kodet e veshjes tregoni një gjest patriotik. Edhe kur Presidenti reformator Khatami erdhi në pushtet nga votimi masiv i grave, rregullat filluan të zbuteshin dhe shamitë e kokës u bënë më të shkurtra e më me ngjyra. Argumenti në fjalë mbeti tabu, pavarësisht se pjesa më e madhe e vetë ajatollahëve mendojnë se ato rregulla janë arbitrare dhe se në asnjë pjesë të Kuranit nuk shkruhet dhe përshkruhet sesi duhet të vishen gratë. Problemi është se edhe bota ka ndryshuar, nuk është më ajo e 13 shekujve më parë dhe suret e Kuranit interpretohen nën dritën e botës moderne.
Por gratë kanë rezistuar, madje kanë arritur të nxjerrin flokët jashtë shamive dhe të rrisin thonjtë: kjo është një provë rezistence. Nga të gjitha vështirësitë me të cilat janë përballur, kanë marrë më të mirën. Arritën të mbledhin një milion firma për një referendum mbi barazinë. Gjithnjë kanë qenë në rresht të parë në manifestimet dhe protestat e vitit 2009. Këto ditë po qarkullon në rrjetin social “Facebook” një fushatë sensibilizuese e titulluar, “Jo perçes me detyrim”, që po mbështetet nga shumë vajza, të cilat janë shfaqur me emër dhe fytyrë. Ato vetë thonë se e mbajnë perçen me dëshirë dhe për të respektuar traditat, por mbrojnë lirinë e vajzave të tyre, motrave dhe mikeshave që mendojnë ndryshe e nuk u pëlqen të mbajnë perçe. Gjithnjë e më shpesh artistët iranianë po i bëjnë këto tema motiv të filmave, videove, librave dhe ekspozitave të tyre. E tillë është edhe Maryam Rahmanian, që në ekspozitën e saj ka ekspozuar gjashtë portrete të këngëtareve të famshme iraniane, të cilave nuk u lejohet të këndojnë në Iran (normat fetare e ndalojnë zërin femëror të këndojë para një publiku ku ka meshkuj).



Detaje fotosh
SARA KERMANI - 31 vjeçe: u burgos se mbante rupush me ngjyra
SEPIDEH TALEB - 23 vjeçe: u arrestua, sepse sipas gjykimeve mbante fustane shumë të shkurtra
ROMANA REYAHI - 26 vjeçe: u fajësua se rupush-i i saj nuk mbulonte të gjithë trupin
TINA AZIMI - 33 vjeçe: u arrestua se e mbante të zgjidhur shaminë e kokës dhe lyhej më shumë sesa duhej
TAHEREH REYAHI - 29 vjeçe: u arrestua se mbante rripa në mes dhe shaje me ngjyra të forta
MANA DAVODI - 32 vjeçe: u arrestua se nuk vishte çorape dhe gishtat e këmbëve i kushte të lyera me manikyr