Gati seksioni i pestë i autostradës Morinë- Prishtinë (VIDEO)



Autostrada Morinë- Prishtinë, e njohur ndryshe si rruga “Ibrahim Rugova”, nis nga Morina në pikën e kalimit kufitar me Shqipërinë dhe përfundon në veri të Prishtinës me një gjatësi prej 102 km.
Autostrada është e ndarë në 9 seksione. Puna nisi në maj të vitit 2010 dhe pas 18 muajsh përfunduan punimet me seksionet 1.2.3 dhe 4B, 34 km, të cilat nisin nga Morina dhe përfundonin në dalje të Suharekës duke shmangur trafikun nga qendrat e qyteteve Prizren dhe Suharekë 13 muaj para afatit të parashikuar në kontratë.
Në korrik 2012 Bechtel- Enka hapi seksionin 4B, 4.5 km duke shmangur trafikun e sezonit veror nga zona malore e Duhles.
Seksioni 5 hapet me 27 nëntor, ka gjatësinë 18.5 km dhe lidh kufirin me Pejën dhe Prishtinën.
Autostrada është me 4 korsi, me sistem të mbyllur dhe me ndriçim në nyjet lidhëse, të cilat lidhin seksionet sipas rajoneve. Autostrada parashikohet të lidhet me rrugën 6 drejt Shkupit në afërsi të Prishtinës. Autostrada është dizenjuar nga kroatët e IGH dhe francezët Egis dhe është e financuar nga qeveria e Kosovës.
Një reporter i Gazetës Tema u lejua të kalojë përmes seksionit të pestë, ku po bëhen punimet e fundit para përurimit. Rruga është e standardeve më të mira perëndimore, me një sërë elementësh sigurie, që nga rrethimi deri tek hyrje daljet e sigurta në autostradë si dhe ambienti i sistemuar anash autostradës. Makina jonë u shoqërua nga një makinë e Bechtel- Enka, që udhëtonte me 40 km në orë, por sërish distanca e shkurtuar nga Prishtina në Duhël është e pabesueshme. Duke përfshirë dhe segmentin Morinë- Thumanë, nga Tirana në Prishtinë tani mund të udhëtohet në pak se tri orë, nëse nuk ka trafik në dalje të Tiranës dhe Prishtinës.