Eshtrat e Zogut më 16 nëntor në Tiranë, ceremoni edhe në Paris


Jonida Tashi

 Partia Lëvizja e Legalitetit ka angazhuar të gjitha strukturat e saj, në mënyrë që kthimi në atdhe i eshtrave të Ahmet Zogut të ketë pjesëmarrjeve masive, por edhe organizim dinjitoz. Axhenda zyrtare e ceremonisë që organizohet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë parashikon mbërritjen e eshtrave nga Parisi në Tiranë më 16 nëntor, ndërsa më 17 Nëntor, ditën e Çlirimit të Tiranës janë programuar homazhe tek Pallati i Brigadave dhe më pas do të zhvillohet ceremonia shtetërore e rivarrimit të eshtrave të Ahmet Zogut në Mauzoleumin e rindërtuar mbretëror, tek Kodrat e Liqenit. Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) bën të ditur se ceremonitë për kthimin në atdhe të eshtrave të mbretit Zog I do të fillojnë në Paris, ku do të marrin pjesë përfaqësues të shtetit francez, atij shqiptar, anëtarë të familjes mbretërore dhe shqiptarë të diasporës. “Arkivoli me eshtrat e mbretit Zog do të mbërrijnë në Tiranë më 16 nëntor. Homazhet do të organizohen ditën e shtunë në datën 17 nëntor, nga ora 10:00-12:00, në Pallatin Mbretëror (Pallati i Brigadave). Ndërsa në orën 12:00 do të zhvillohet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të mbretit Zogu I në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore”, – sqarojnë drejtues të PLL-së. Në një konferencë për mediat, kreu i Legalitetit, Ekrem Spahia ka vlerësuar vendimin e marrë nga qeveria për kthimin e eshtrave të Ahmet Zogut në Shqipëri, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. “Partia Lëvizja e Legalitetit dhe gjithë mbretërorët shqiptarë kanë kërkuar në vazhdimësi që eshtrat e mbretit Zog të kthehen në atdhe dhe të rivarrosen në vendin e tij me një ceremoni dinjitoze që i ka hije shtetit, për të respektuar mbretin e parë të shqiptarëve dhe themeluesin e shtetit modern. Qeveria shqiptare ka marrë vendimet e duhura për kthimin në atdhe të eshtrave të mbretit Zog I për rindërtimin e Mauzoleumit të Familjes Mbretërore, për vendosjen në Tiranë të monumentit të Mbretit Zog I dhe për organizimin e ceremonive përkatëse. Partia Lëvizja e Legalitetit gjen rastin për të shprehur mirënjohjen e saj për nismën e kryeministrit Berisha dhe mbështetjen e institucioneve të tjera”, – u shpreh Spahia. Sipas tij, me këtë akt, qeveria shqiptare po mundëson zhbërjen e një padrejtësie historike ndaj mbretit Zog dhe familjes mbretërore. Spahia e vlerësoi mbretërimin e Ahmet Zogut si periudhën që lidhet me krijimin e shtetit modern shqiptar, me unitetin territorial dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë. Kreu i legalistëve dënoi si reminishenca të regjimit komunist qëndrimin e çdokujt, që ka kundërshtuar kthimin në atdhe të eshtrave të Ahmet Zogut dhe nderimin e tij me ceremoni shtetërore. “Partia Lëvizja e Legalitetit ka dëshiruar që aktivitetet për 100-vjetorin e Pavarësisë të mos politizohen. Në lidhje me zërat kundër kthimit në atdhe të eshtrave të mbretit Zog I dhe organizimit të ceremonisë zyrtare shtetërore, mund të themi se më 17 nëntor 1944, komunistët shqiptarë kur hynë në Tiranë, si akt të parë kryen shkatërrimit barbar me dinamit të varrit dhe Mauzoleumit të Nënës Mbretëreshë që sot po rindërtohet, e ku do të prehen edhe eshtrat e mbretit Zog I dhe pjesëtarëve të tjerë të Familjes Mbretërore. Një akt i ngjashëm u përsërit gjatë natës së 24-25 gusht 1977, kur të njëjtët autorë tentuan të grabisin eshtrat e mbretit Zog I nga varreza e Thiais në Paris. Pasardhësit ideologjikë dhe biologjikë të këtyre akteve nuk mund të veprojnë shumë ndryshe nga sa kanë vepruar etërit e tyre”, – thuhet në deklaratën e PLL-së. Këto ditë Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka dhe një ngjarje tjetër të shënuar. Pas nderimit që i bëri Kuvendi i Shqipërisë, më 18 nëntor 2012 do të zhvillohet në Krujë ceremonia festive e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për Abaz Kupin. Gjithashtu, sheshi kryesor i qytetit të Krujës do të mbajë emrin e tij dhe do të ketë bustin e tij.