Eshtrat e ish- liderit palestinez Jaser Arafat do të zhvarrosen të martën si pjesë e një hetimi në lidhje me vdekjen e tij.
Arafat vdiq në nëntor të vitit 2004 në një spital ushtarak francez, një muaj pasi u sëmur papritur.
Zyrtarët palestinezë pretendojnë se ai është helmuar nga Izraeli, por nuk kanë paraqitur prova. Izraeli i ka hedhur poshtë këto akuza.
Në fillim të këtij viti, gjurmët e një lënde vdekjeprurëse radioaktive në rrobat e tij sollën nisjen e një hetimi të ri. Testet nuk ishin decizivë dhe ekspertët thanë se kanë nevojë që të ekzaminojnë eshtrat e tij për të mësuar më shumë.
Të martën ekspertë rusë, francezë dhe zviceranë do të marrin mostra nga eshtrat e tij. Ekzaminimet do i kryejnë në vendet e tyre.
Arafati do të rivarroset të njëjtën ditë me nderime ushtarake, por ceremonia do jetë e mbyllur për publikun.
Nuk dihet se kur do bëhen publike rezultatet, por diçka e tillë mund të kërkojë muaj.
Zhvarrimi i Arafatit pati ngjallur debat pasi autoritetet palestineze kishin ngurrime për shkak të kulturës së tyre fetare.
Hetimet nisën kur në verë, një laborator zviceran zbuloi tek rrobat e Arafat gjurmë të polonium-210, një izotop vdekjeprurës radioaktiv. Rrobat i kishte dhënë vejusha e Arafat, Suha, ndërkohë që në laborator u dorëzuan nga televizioni arab Al Xhazira.
Zonja Arafat nga ana e saj i kërkoi qeverisë franceze të hetojë, kurse autoritetet e Palestinës thirrën ekspertët rusë.
Vdekja e Arafat është rrethuar me mister, edhe pse shkaku zyrtar i vdekjes ka qenë ishemia.
Disa teori konspirative dyshojnë se ai kishte AIDS.
Kurse shumë të tjerë mendojnë se ai u vra nga Izraeli.






