Ditëve të fundit rrugëve kryesore të qytetit të Tetovës janë vërejtur bilbordet e vendosura në shenjë mbështetjeje për lirimin e ish kryeministrit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.
Ramush Haradinaj gëzon përkrahje të madhe mes shqiptarëve të Maqedonisë, e veçanërisht tetovarëve të cilët e çmojnë lartë kontributin e tij për çështjen e Kosovës por edhe të shqiptarëve të Maqedonisë. Për këtë rast anketuam disa qytetarë të Tetovës për të pyetur lidhur me qëndrimet e tyre për këtë rast.
Bujar Alili u shpreh shumë i gëzuar për lirimin e Haradainajt nga burgu i Hagës, ai më tej thotë: Jam gëzuar pa masë, gjithmonë kam pas mendime pozitive për figurën e Ramush Haradinajt dhe për tërë familjen Haradinaj, sidomos pas zhvillimeve të fundit ende më shumë duhet të lartësojmë figurën e tij. Është ndër liderët e vetëm që është mirënjohës dhe është kujdesur për shqiptarët e Maqedonisë dhe mendoj që Kosova ia ka borxh pozitën e kryeministrit, sepse ai me vet-dëshirë e ndërpreu atë. Është burrë i ndërshëm, rallë ka politikanë që posedojnë këtë veti. Puna e bilbordeve më duket super, ai e meriton këtë.
Edhe Albin Etemi shprehet shumë i entuziazmuar për lirimin e Haradinajt, për këtë thotë: Viteve të kaluara mbaj mend që disa herë e kam parë Ramushin në Tetovë, nuk e di a bëhet fjalë për miqësi në Tetovë apo çka, sidoqoftë e respektoj për shkak se ai interesohet edhe për kauzën e shqiptarëve të Maqedonisë në përgjithësi, një gjë që asnjë politikan tjetër kosovar realisht nuk e ka bërë deri më tani, por vetëm verbalisht.
Muharem Shabani nga Tetova: Lideri i AAK-së i është bërë favorit që para disa ditëve, ai thot: I vlerësoj shumë politikanët që luftojnë deri në maksimum për shqiptarët, por ende më shumë vlerësoj kur ata nuk i harrojnë të bëmat e tjerëve. Psh Kam pas mendim shumë të lartë të gjithë, për Hashim Thaçin, për Ramush Haradinajn, Albin Kurtin, por pas fjalimit të Hashim Thacit në tubimin e 28 nëntorit në Shkup e kam fshirë nga lista, ai s’egziston më për mua, i kishte harruar krejt të bëmat e tetovarëve, por edhe të tjerëve, po unë e mbaj mend që ai këtu është vesh për herë të parë me kat-petka, si i thoni atyne teshave zyrtare me kravatë, gjatë luftës së Kosovës Hashimi mbështetjen ma të madhe e ka pas prej këtij vendi, ama atëherë ai s’ishte askush e sot është bë dikush. M’duket se nuk i mendon mirë fjalët që i folën.
Ekipi i Shqipmedias u interesua për çështjen e vendosjes së bilbordeve në Tetovë, kërkuam qëndrim nga komuna e Tetovës por edhe nga PDSH-ja. Edhe pse përgjigje nuk morëm, jozyrtarisht mësojmë që pas kësaj qëndron Partia Demokratike Shqiptare.
Shqipmedia