Daçiç kërkon të hiqet lapidari për të rënët e UÇPMB. Të rinjtë e KDNJ: Ky reagim, pas vizitës së Ramës e Majkos


Kryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç iu ka bërë thirrje shqiptarëve që të heqin nga qendra e Preshevës një përmendore që iu kushtohet të rënëve të UÇPMB-së.
“Tabela duhet të hiqet dhe më mire është që ta heqin vetë. Nuk kemi dilemë se Presheva dhe Bujanovci janë pjesë e Serbisë. Le ta thotë edhe bashkësia ndërkombëtare këtë dhe jo nesër të thotë ‘është përdorur dhunë e tepruar’”, ka thënë Daçiç.
UÇPMB, ka qenë formacion ushtarak i përbërë nga shqiptarët, që në fillim të viteve të 2000-ta ka hyrë në konflikt me forcat serbe të sigurisë, në përpjekje për të siguruar më shumë të drejta për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Pas deklaratës së Kryeministrit Ivica Daçiçit se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet ta largojnë vetë lapidarin që ditë më parë ishte vendosur në afërsi të godinës së Kuvendit Komunal të Preshevës në përkujtim të dëshmorëve të UÇPMB-së, kanë reaguar edhe të rinjtë e Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Ata kërkuan unifikimin e faktorit politik vendas.
“Ivica Daçiç është krejtësisht në kundërshtim me politikën zyrtare që ka ndjekur Republika e Serbisë me shqiptarët e Luginës së Preshevës, e sidomos me UÇPMB-në, e cila është legjitimuar dhe zyrtarizuar nga vetë zyrtarët shtetëror serbë, si palë negociuese gjatë bisedimeve më vitin 2001. Për më tepër, pjesëtarët e UÇPMB-së janë amnistuar nga Kuvendi i atëhershëm federativ, duke e amnistuar veprimtarinë e tyre si strukturë ushtarake. Deklarata kërcënuese e Kryeministrit i cili tani po negocion në Bruksel me ish-drejtorin politik të UÇK-së, dëshmojnë se procesi politik i filluar më vitin 2001 nuk ka realizuar synimet e tij dhe reflektojnë nevojën urgjente të fillimit të një dialogu të mirëfilltë midis qeverisë dhe përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve vendor për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe për ta shqyrtuar gjendjen e tanishme politike dhe shoqërore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, tha Belgzim Kamberi.
“UÇPMB-ja është realitet i pashmangshëm historik i rajonit, që është pranuar si i tillë edhe nga vetë Serbia zyrtare dhe në këtë drejtim, çdo përpjekje për ta zhdukur historinë rrezikon të marrë premisa fashiste, të cilat nuk janë në shërbim të jetësimit të synimeve dhe të angazhimeve të ndërmarra nga Serbia zyrtare për zgjidhjen e problemeve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të garantuara ndërkombëtarisht”.
“Reagimi i kryeministrit Ivica Daçiç erdhi pas vizitës së fundit të Kryetarit të Partisë Socialistë të Shqipërisë z.Edi Rama dhe ish-Kryeministrit Pandeli Majko, të cilët në shenjë përkujtimi për dëshmorët ë Luginës vendosën lule mbi lapidarin kushtuar dëshmorëve të kombit të UÇPMB-së,” mbyllet deklarata e tyre.