Oliverta Lila
Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka kërkuar pagesën që prej muajit mars-prill 2012. Me propozim të MTKRS-së, duket se do të paguhet vetëm 50% e qirasë së hapësirës ekspozuese, ndërkohë që botuesit çdo vit janë përjashtuar nga këto përfitime
Stendat paguhen 70 euro m2. Asnjë transparencë për shpenzimet
Botuesja
Flutura Açka: Ku shkojnë fondet e Panairit?
Ndonëse thekson se çmimet e paguara për stendë janë shumë të larta, Flutura Açka shprehet se e kanë detyrim ndaj lexuesve që të marrin pjesë. Botuese e “Skanderbeg Books”, e njohur për botimet e disa prej autorëve “Nobel”, Açka thekson mungesën e plotë të transparencës së fondeve për realizimin e Panairit të Librit. Nga ana tjetër, vë në dukje “pazaret” që bëhen për vendin e stendave. “Unë asnjëherë nuk kam mundur të zgjedh, kam marrë atë që kanë lënë të tjerët”, shprehet Açka. Sipas saj, nëse vazhdohet me këto ritme çmimesh, shumë nga shtëpitë botuese do të jenë të detyruara të tërhiqen.Çmimi për stendat këtë vit ka mbetur 70 euro për metër katrorë. A është i përballueshëm për botuesit?
Ky është një çmim krejtësisht i papërballueshëm për botuesit, sidomos për ata të vegjlit, dhe këtu flas për veten time që kam botime të limituara dhe që nuk financohen gjatë vitit. Mes botuesve ka edhe nga ata që janë financuar nga shteti gjatë vitit dhe sigurisht që ata e kanë më të lehtë të marrin pjesë në panair. Ne kemi obligim me lexuesin dhe prandaj marrim përsipër rreziqe shumë të mëdha për të qenë të pranishëm. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, nuk e di se ç’do të ndodhë. Është një çmim shumë i lartë për t’u përballuar.
Nga Ministria e Kulturës ka një propozim drejtuar qeverisë që nga organizatorët të paguhet vetëm 50% e sipërfaqes ekspozuese. A prisni të rimbursoheni në këtë rast?
Unë nuk e di nëse ndihma të tilla kanë ndodhur edhe në të shkuarën, por rimbursim deri më tani nuk kam parë. Edhe po të ketë pasur ndonjë sponsorizim, nuk ka ndodhur ndonjë investim më shumë. Po të ishin gjërat më transparente, ndoshta mund të përfitonim edhe ne. Do të ishte një gjë e mrekullueshme që edhe ne të mund ta ndienim këtë 100-vjetor.
A jeni në dijeni të shpenzimeve që kryhen për këtë panair?
Një gjë është shumë e saktë: Asnjëherë nuk është bërë transparente se ku shkojnë fondet e Panairit të Librit. Botuesit paguajnë për financimin e këtij panairi dhe ne nuk e dimë nëse këto fonde shkojnë me të vërtetë për të gjithë atë që kanë harxhuar botuesit, apo shkon diku tjetër. Nuk di nëse paratë e mia, 70 euro për metër katrorë për çfarë ka shkuar, për qira, për organizatorët, për reklamë apo çfarë? Unë dua të di se çfarë paguhet me 1400 euro që unë shpenzoj në këtë rast. E besoj që organizimi i një panairi nuk është i lehtë, por duhet të ketë transparencë.
Cili është vendi ku ju do të ekspozoni?
Edhe në këtë rast ka mungesë të qartë transparence. Nëse ke mik apo njeh organizatorët, zë vendin më të mirë. Më vjen çudi si nuk ka asnjëherë një gjë të ndershme. Thuajse si çdo vit, shtëpia ime botuese ka një vend andej nga fundi i hollit. Mund të më kishin çuar edhe në bodrum, por u vjen turp t’i lënë atje autorët e mi dhe i vënë andej afër shkallëve. Asnjëherë nuk më ka ndodhur që të zgjedh një vend në panair, por të marr atë që mbetet.
Ankesa
Botuesit nga Kosova: Panairi, shumë i shtrenjtë
Botuesit nga Kosova po maten mirë nëse duan të bëhen pjesë e Panairit të 15 të Librit. Sipas tyre, shuma prej 70 euro metër katror që paguhet për stendën është shumë e shtrenjtë. Gazeta “Koha Ditore” shkruan se ata që duan të udhëtojnë drejt Tiranës, por po i mendohen mirë çmimit. Ministria e Kulturës e Kosovës ka paguar vetëm gjysmën e shpenzimeve për stendën e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, e cila me krejt shpenzimet arrin shumën prej 3 mijë eurosh. I pyetur nga gazeta “Koha Ditore”, Besian Zeneli, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë se “ende nuk kemi marrë shumë konfirmime, por deri tashmë 4-5 botues e kanë konfirmuar pjesëmarrjen”, teksa është ankuar për përkrahjen nga Ministria e Kulturës. Zenjullah Rrahmani i shtëpisë botuese “Faik Konica”, ka thënë se do të jetë i pranishëm në Tiranë duke theksuar se çmimi i qirasë për një stendë në Panairin e Tiranës është i lartë. “Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të duhej të kishte më shumë konsideratë”, ka thënë Rrahmani, teksa ka garantuar se ka çfarë të ekspozojë në Panairin e Tiranës. Botuesit nga Kosova, përveç shpenzimeve të stendës, duhet të paguajnë edhe transportin e të tjera shpenzime, të cilat duket se do ta rrudhin mjaft numrin e pjesëmarrësve.Pagesat
Holli kryesor i Pallatit të Kongreseve:
Zona A: 70 euro/m2
Zona B: 65 euro/m2
Kati I: 60 euro/m2
Kati II: 50 euro/m2





