Bota pas zgjedhjeve amerikane


Havier Solana

Më 6 nëntor Barack Obama ose Mitt Romney do të dalë fitimtar, pas një gare të lodhshme zgjedhore, duke vënë gjërat në lëvizje për katër vitet e ardhshme. Në anën tjetër të oqeanit, më 8 nëntor, më shumë se 2 000 anëtarë të Partisë Komuniste Kineze do të mblidhen në Pekin. Afërsisht një javë më vonë, anëtarët e Komitetit të Politbyrosë do të paraqiten publikisht për ta marrë drejtimin e shtetit me 1.3 miliard banorë.
Liderët e dy ekonomive më të mëdha në botë po ndryshojnë. Ashtu siç po ndryshon edhe vetë bota. Lindja e Mesme, në veçanti, është duke përjetuar një moment shndërrimi të madh. Ndërkohë që rindërtimi, si figurativ dhe si fizik, ka filluar në disa pjesë të rajonit, shtete si Siria ndodhen në luftë. Të tjera, si Irani për shembull, me revolucionin e tij në rrëgjim e sipër, ende nuk janë qetësuar. Pavarësisht ekonomisë në rënie, ky shtet vazhdon të mbetet luftënxitës duke shfrytëzuar mashën e tij  në Liban, Hezbollahun, për të ndërmarrë sulme në Izrael.
Si rezultat i kësaj, marrëdhëniet midis aktorëve kryesorë rajonalë mbeten të tensionuara. Pas fjalimit të tij në OKB, duke bërë thirrje për një ‘linjë të kuqe’ rreth programit bërthamor iranian në pranverë apo verë të vitit 2013, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, kërkoi zgjedhje të parakohshme, të cilat mund t’i japin një mandat të fortë për të vepruar kundër Iranit. Egjipti, ndërkohë, po mundohet ta gjejë ekuilibrin e vet si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe atë të politikës së jashtme. Pastaj është Turqia, e cila ndodhet midis Europës dhe Lindjes së Mesme. Turqia, ekonomi në rritje, me pretendime që të bëhet fuqi rajonale, ka pasur përplasje të armatosur me fqinji e vet jugorë, Sirinë, dhe u ka bërë thirrje aleatëve në NATO që të shtojnë masat e sigurisë.
Kjo është pjesë e panoramës që po ndryshon, të cilën liderët e ri botërorë do të trashëgojnë në Lindjen e Mesme – rajon në të cilin ShBA ka qenë e gjithëpërfshirë . Pas gati dhjetë vjetësh angazhimi ushtarak, misioni amerikan në Irak mori fund më 2010, ndërsa misioni në Afganistan pritet që të përfundojë më 2014.
Presidenti i ardhshëm amerikan po ashtu do të trashëgojë një shtet me perspektivë të ndryshuar gjeopolitike. Avancimet teknologjike dhe novacionet kanë filluar që ta kthejnë në realitet ëndrrën për pavarësi në fushën e energjetikës. Ndonëse nxjerrja e rezervave të bollshme amerikane të gazit natyror më herët mendohej të ishte e pamundshme, teknologjitë e reja kanë bërë revolucion.
Në të vërtetë, ShBA-ja është shumë afër arritjes së vetëmjaftueshmërisë në fushën e energjetikës. Gjatë vitit të kaluar, për herë të parë pas 15 vitesh, më pak se gjysma e lëndëve djegëse të përdorura në ShBA u importuan.
Ndikimi i këtij revolucioni nuk do të jetë vetëm i natyrës ekonomike. Politikisht, ulja e varësisë mbi naftën e huaj do t’i mundësojë ShBA-së përqendrimin e vëmendjes së vet në Azi.
Por, nuk është vetëm lideri i ri i ShBA-së ai që do ta trashëgojë një botë të ndryshuar. Në Paqësor, ditët e rritjes rekorde ekonomike në Azi – elementi kryesor i stabilitetit social dhe politik – mund të marrin fund.
Në të vërtetë, ngjarjet në Kinë përgjatë muajve të fundit kanë shpalosur tensione të brendshme. Ndonëse ndjenjat nacionaliste të drejtuara kundër armiqve të jashtëm synojnë ta shpërqendrojnë vëmendjen nga trazirat e brendshme, problemet serioze të Kinës duhet që të zgjidhen. Ekonomia dhe politika e Kinës, të transformuara ideologjikisht me gjithsejt përveçse në emër, së shpejti do t’i duhet të përshtatet për të zgjidhur çështjen e pabarazisë sociale.
Me gjithë problemet globale ekonomike, liderët e Kinës do të mbeten të përqendruar në ruajtjen e rritjes, me qëllim që të nxjerrin sa më shumë kinezë nga varfëria dhe të shmangin trazirat sociale; ata me siguri do të vazhdojnë të monitorojnë Lindjen e Mesme, të pasur me naftë. Pas shumë vitesh, gjatë të cilëve ata janë mbështetur në praninë amerikane në rajon, liderët e ardhshëm të Kinës mund të luajnë një rol më aktiv. Dhe, për shkak të vetë reputacionit të Kinës në rajon, ata mund ta shfrytëzojnë përparësinë e të vepruarit.
Ndërkohë, Bashkimi Europian po përballet me demonët e vet. Me gjithë domosdoshmërinë që BE-ja të përqendrohet në tejkalimin e krizës së vet ekonomike, Unioni nuk duhet të braktisë fqinjët jugorë. Është tejet e rëndësishme që BE-ja të bashkëpunojë me rajonin e Mesdheut Jugor në aspektin politik, ekonomik dhe të energjetikës. Në këtë aspekt, mjetet më të vlefshme të BE-së janë metodat karakteristike të saj, modeli që fitoi Nobelin, ai i dialogut shumëpalësh dhe fuqisë së butë.
Rusia fqinje gjithashtu duhet të reagojë ndaj përgjegjësive të reja që dalin nga një botë e ndryshuar. Kremlini vazhdon të mbështesë regjimin e presidentit sirian Bashar al-Assad, duke kundërshtuar në mënyrë strikte ndërhyrjen ushtarake dhe duke u munduar që të mbrojë interesat strategjike, përfshi bazën detare në qytetin sirian Tartus. Një qëndrim i tillë është manifestuar përmes vetove të vazhdueshme mbi rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat synonin t’i jepnin fund konfliktit që tashmë ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima.
Mosveprimi ndërkombëtar në Siri paraqet lajm të keq jo vetëm për qytetarët e këtij shteti; ai është duke vënë në rrezik edhe legjitimitetin e njërit prej institucioneve më të rëndësishme shumëkombëshe të botës. Duke pasur parasysh se çështjet e Iranit dhe Sirisë janë të lidhura ngushtë, përçarjet e brendshme të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit (SHBA-së, Kinës, Britanisë, Francës dhe Rusisë) mund të dëmtojnë rëndë gjetjen e një zgjidhjeje për programin bërthamor iranian. Një gjë e tillë pasqyrohet përmes ngecjes së negociatave midis tyre (plus Gjermanisë) dhe Iranit.
Shumëçka është në rrezik dhe për këtë arsye të gjitha shtigjet e mundshme për gjetjen e një zgjidhjeje përmes negociatave duhet që të hulumtohen. Pa marrë parasysh se a dalin të vërteta apo jo thashethemet për bisedime direkte ShBA – Iran, iniciativat e tilla duhet të mirëpriten. Ndërkohë që fuqitë e mëdha mbeten të preokupuara me ndryshimet e brendshme, rajoni vazhdon që të jetë në flakë. Çështja kryesore tani është nëse liderët që dalin nga zgjedhjet e nëntorit do të jenë zjarrfikës apo zjarrndezës.
*Ish-ministër i Jashtëm i Spanjës, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe përfaqësues i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë. Aktualisht president i Qendrës ESADE për Ekonomi Globale dhe Gjeopolitikë.