Shkruar nga Violeta Murati
Ministria e Kulturës, me një axhendë qesharake, me zëra buxhetorë të fshehur, feston 100-vjetorin e Pavarësisë. Kush e drejton Ministrinë e Kulturës?! Artikulimi i ministrit mbi seriozitetin dhe dinjitetin e një feste janë foshnjarake; festën e bëjnë kalendarët e institucioneve, aktivitete hibride që injorojnë institucionet kompetente të historisë; ekspozita qesharake në copa letrash larg dokumentacioneve historike dhe me vlerë origjinale. Shefi i kabinetit përgjigjet se ende nuk kanë saktësuar buxhetin për të gjitha këto veprimtari, zë për zë
Dilën, recepsionisten vigjilente të ministrisë, e kalojmë ndryshe nga herë të tjera - pa e përshëndetur - pasi sporteli ku ajo qëndron, ishte plot njerëz që prisnin si duket të hynin brenda, jepte përshtypjen se je në ndonjë bankë! Në pak minuta vëzhgimi sheh që punonjësit e ministrisë dalin një e nga një, ku dikush i pret ose pas porte, ose i ftojnë të hyjnë brenda bashkë.
Në katin e parë, djathtas e kanë rrugën të gjithë! Aty janë zyrat “qendrore” nga udhëhiqet ministria; paratë, buxheti, zyra e shtypit, drejtoritë e artit e kulturës… Në katin e tretë na thonë qëndron Frrok Çupi, ai që është caktuar për të drejtuar sipas ligjit të ri të artit skenik Qendrën Kombëtare të Artit. Ky ende nuk është ndier i gjallë qysh nga krijimi dhe se është jashtë nga projektet që ministria ka për festimet! Në Drejtorinë e Artit, për Frrokun na thonë se është në fazë të gatitjes të plotë të buxhetit për gjithë vitin… Fjala për hartimin e buxhetit, pasi kjo gjymtyrë e pangjitur mirë në ministri duket se nuk është aq e pavarur sa na u tha për “decentralizimin” sipas ligjit. Tani për tani aty s’mund të pyetet as për borde, as për para, as për paraqitje projektesh. Aq më tepër kur është jashtë festimeve të pavarësisë dhe projektet nga subjekte private apo institucionale nuk dihet se nga kanë kaluar. Asgjë s’del e qartë nga ministria: kritere, komisione, kush ka vendosur për projektet etj., etj., për këto është si të pyesësh shitësin e çamçakëzëve e shkrepësve në cep të ministrisë!
Ja për këto ishim në ministri dje, si dhe për të kuptuar pak atmosferën e pritjes së festës së madhe të lançuar prej një viti, në mënyrë sporadike e shpesh ngjeshur pas klishesë “për 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë”.
Për të kuptuar se aty ministër është Aldo Bumçi është gati e vështirë, sepse ka aq shumë humnera deri tek ministri sa e kemi të vështirë të marrim vesh se ai mund ta dinte pse gratë për shembull i kanë trokitur në derë për një ekspozitë; pse Festivalin e Filmit e “zapton” ministria; pse disa ekspozita si qoka të 100-vjetorit e mbushin krejt pa motiv axhendën dhe dikasterin e lartë të kulturës etj. Varfëria që ka ndërtuar Bumçi në totalin e kulturës, si dhe në axhendën e tij për 100-vjetor ka dy arsye: ose stafi është krejt i paaftë për të ditur realisht se çfarë i takojnë ministrisë si strategji simbolike për të shestuar përmes kulturës pavarësinë, ose Bumçi nuk është ministër e për rrjedhojë nuk e kupton çfarë ministrie drejton!
Çfarë bie erë, madje e rëndë, e qelbët, lidhet me projekte të vogla, krejt ordinere pa organizime institucionale, bashkërenduese, qoftë ato kërkimore e shkencore, ashtu dhe kulturore të dorës së parë, kur flitet për dokumentacione apo nderime politike! Në asnjë rast nuk marrin seriozitet projektet që na prezanton Bumçi, përjashto disa projekte skulpturash që duken të interesit politik. Në këtë seriozitet hyjnë dhe njerëzit që rrethojnë a mbushin qoshet e ministrisë, si burokratë që shtyjnë vitet me mandate politike dhe nuk ngopen së ngrëni me garuzhde gjellën e prishur të kulturës sonë alla komuniste.
Dje, pyetëm në ministri për axhendën e veprimtarive për 100-vjetor, për të cilën na u desh të takonim drejtoren e Artit, zëdhënësen e shtypit, ca specialistë etj., etj., që më shumë tremben kur shohin gazetarë në derë, sesa janë të gatshëm të prezantojnë atmosferën e punës! Për një pyetje të thjeshtë, nëse mund të kemi në dispozicion një shifër, pra buxhetin zë për zë të veprimtarive, që Bumçi paraqiti ditë më parë, përgjigjja vjen vonë, si në lojën e telefonit të prishur: “Shefi i kabinetit tha se ende nuk ka gati një faturë konkrete financiare, por në një fazë të dytë, do të ketë një njoftim”, - na thanë në zyrën e shtypit të ministrisë.
Sa para janë shpenzuar deri tani i ka belbëzuar Bumçi pak ditë më parë, se kanë shkuar afro 300 milionë lekë. Po, dje asnjë nga punonjësit që takuam nuk e kishin të qartë këtë, nëse ishte shifër e shpenzuar apo duhej të shpenzonin! Në “pafajësi” të gjithë hapin direkt web-in e ministrisë dhe të tregojnë se ku ndodhet axhenda, por jo në pritshmërinë se realisht kemi të bëjmë me një raport dinjitoz të festimeve. “Ja një aktivitet është sonte, rituali i muzave, kushtuar grave artiste, hajde po të ftoj!”, - na thotë Mimoza Sofroni, drejtore e Artit në ministri, më jetëgjata, që më mirë se kushdo ajo e di se si menaxhohen punët aty.
Rituali i muzikës, në fakt, është një rast flagrant, në konflikt interesi, se si zëvendësministrja Suzana Turku shkel me dy këmbët ligjin, pasi është vetë organizuese e drejtuese, dirigjente e korit. Nga ana tjetër, në të njëjtën orë marrim vesh që rrëzohet financimi i festivalit ndërkombëtar klasik “Marie Kraja”, ideuar nga Zana Çela, dhe bashkë me të prej vitesh jashtë axhendës së ministrisë, pra çuar në dështim, janë lënë festivali ndërkombëtar i danc teatër, nga Gjergj Prevazi, dhe Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Butrint, nga Alfred Bualoti!
Por, Sofroni të tregon derën e zyrës së shtypit, pak e emocionuar kur vjen fjala për shifra të buxhetit, ndonëse detyrohemi t’i kërkojmë me saktësi se cilat janë detyrat e saj?! Me sa duket, jo vetëm ajo, por të gjithë në ministri merren me projekte, me hartime buxhetesh, gjithkush mund të flasë për to, po askush nuk jep shifra! Shefi i Kabinetit, Edlir Vokopola - quhet, i tha dje zëdhënëses se do të jetë në fazë e dytë për të thënë sa kushton festa e 100-vjetorit, gjithë-gjithë, zë për zë! “Ne edhe monitorojmë si shpenzohet buxheti”, - thotë Sofroni, këtu i kujtojmë se do ta takojmë përsëri pas feste, për të kuptuar sa janë “dehur” në para njerëzit që kanë aplikuar në ministri, qoftë kjo dhe përgjegjësi e institucioneve publike!
Dje, në rrumpallën e kryeqytetit festivali i filmit është një zymtësi e madhe, panairi i librit që pritet ka zhytur në ankthe biznesi botuesit dhe posteri për festivalin e dramës shqipe lajmëron në krye folklorizmin që do shohim me “Ëndrrën e Ismail Qemalit” - përpjekje “kombëtare” të gjitha këto që na zbulojnë sa të pangopur jemi në kulturë me servilizmin politik. Dje, me të drejtë kineastët italianë të vendosur në Tiranë këto ditë janë shprehur: Nuk ka ndryshuar asgjë në filmin tuaj në këto 20 vjet!





