Barack Obama, Mister (gjoja) Cool


Përgatiti: Blerta Hyska

Barack Obama është nga ata që flenë vonë.Ndryshe nga paraardhësi i tij që dremiste pas orës 21.30, Presidenti i 44-t i ShBA-së qëndron shpesh zgjuar pas mesnate. Ai zë vend në ballkonin në formë gjysmë rrethi, të ndërtuar nga Harry Truman, në katin e dytë të fasadës jugore të Shtëpisë së Bardhë, në një kohë kur presidentët i lejonin vetes punime në “shtëpinë e popullit”. Qëndrimi në ballkon më krijon ndjesinë e lirisë, thotë ai.
Vajzat po flenë, Michelle gjithashtu zë shtratin para orës 22.00. Kurse Barack rri zgjuar deri në orën 1 të mëngjesit. Nuk ka lidhje me Bill Clinton që i binte botës rreth e përqark në biseda me miqtë e tij të orëve të vona. Obama shijon vetminë e tij. Ai lexon, ndoshta shkruan ditarin e tij, shikon kanalin sportiv ESPN, shëtit nëpër iPad që i kanë lejuar shërbimet sekrete. Ndoshta edhe ëndërron. Ky është i vetmi moment i ditës së tij ku ai ka lirinë të shëtisë në botën e tij të brendshme. Që prej ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, kjo është një nga gjërat që i mungon më shumë: shëtitjet pa drejtim të caktuar, e papritura. «Humbja e anonimatit dhe të papriturës nuk është një gjendje natyrore, është rrëfyer ai. Përshtatemi, por nuk mësohemi.»

Presidenti amerikan zgjohet në orën 7. Bën çdo ditë një orë gjimnastikë. “Se ndryshe shpërthejmë”, iu shpreh ai gazetarit dhe shkrimtarit Micheal Lewis, që e ndoqi për muaj me radhë për Vanity Fair. Kardio një ditë, ngritje peshash ditën tjetër. Për të mos e ngarkuar trurin me zgjedhje pa rëndësi, ai kufizon opsionet. Zgjedhja e kostumit të ditës do të thotë: gri ose blu. “Duhet të ruash rutinën”, këshillon Obama. Sipas tij, e kanë treguar edhe studimet: thjesht fakti i marrjes së vendimeve e kufizon aftësinë për të marrë vendime të tjera. Më mirë të mos e lësh veten të hutohesh nga detajet kur duhet të vendosësh ndërmjet Jerusalemit dhe Teheranit.
Të qenit më i miri… fiksimi i tij
Gjatë këtyre katër viteve, Barack Obama është pjekur shumë. Ata që ishin entuziazmuar nga tipi “cool” havajian, u befasuan nga personaliteti i tij “perfeksionist dhe super-kompetitiv”, thotë gazetarja e New York Times, Jodi Kantor, autore e një bestselleri për çiftin presidencial. Obama lexon gjithçka. Ai përsërit me stafin shqiptimin e emrave të drejtuesve të huaj para samiteve. Shpesh asistentët që përgatisin përmbledhjet e punës shqetësohen se ai u hedh vetëm një sy të shpejtë. “45 minuta më vonë ai i paraqet të gjithë elementet në rendin e saktë, thotë një drejtues i lartë. Ai ka një memorie fotografike të jashtëzakonshme.
Ai e ka tmerr t’i humbin kohë. “Zoti President, siç e dini, Rezerva federale, nuk mund të ndërhyjë…” fillon një asistent. “E di, e ndërpret thatë Presidenti,e lexova memon”. Një këshilltar tregon: “Nëpër mbledhje, më mirë të mos dukesh sikur di më shumë se ai ose sikur je më inteligjent”. New York Times ka mbledhur disa video ku B. Obama duket patjetër si më i miri, duke filluar nga loja në bilardo (“Unë jam çuditërisht lojtar i mirë”) te leximi për fëmijë, si ai i së hënës të Pashkëve, të organizuar tradicionalisht në Shtëpinë e Bardhë për 3000 fëmijë. “Do të bëj leximin më të mirë që është bërë ndonjë herë të Green Eggs and Ham”, shpalli ai duke hapur librin e Dr.Seuss.
Fiksimi i tij është të jetë më i miri. Kur luan me letra në Air Force One, duhet që të fitojë patjetër. Dhe nëse ndodh kështu, “do t’ua kujtojë gjithë kohën”, thotë një i familjarizuar i West Wing. “Kam takuar shumë njerëz kompetitivë, por njoh vetëm një më kompetitiv se ai, gruan e tij”, pohon gazetari Richard Wolffe, që e takon shpesh Presidentin. Sipas tij, edhe Michelle ka ndryshuar nga sprova në Shtëpinë e Bardhë: “Ajo është gjithnjë e më e disiplinuar dhe gjithnjë e më e vëmendshme”.
Një herë në javë Barack luan basketboll me një grup lojtarësh profesionistë që janë njëzet vjet më të rinj se ai. Edhe këtu Presidenti nuk bën shaka. Ai vesh atletet e tij të larta ku dallohet qartë shifra “44”. «Hej, Dok, e keni mbrojtësen time të nofullës?», pyeti një ditë mjekun që e shoqëron në të gjitha udhëtimet e tij. «Jemi 100 ditë larg» justifikohet Presidenti. 100 ditë? Nga zgjedhjet, pra. Barack nuk do të pësojë ndonjë ecchymose në momentin kur duhet të xhirojë të gjitha spotet e reklamave. Presidenti nuk do që ta lemë të shënojë, por ama Rey Tercera, që e plagosi në buzë gjatë lojës në nëntor 2010, nuk u ftua më për të luajtur, qeshin të tjerët. Të shtunën në mëngjes, në Chevy Chase, periferi e Washingtonint, presidenti i ShBA-së stërvit “Nepërkat e Bethesda”, skuadra e vajzës së tij Sasha. Që, sigurisht, fitoi të gjitha ndeshjet sezonin e kaluar.
Vërtetësi dhe sajim
Obama u jep leksione ish-kolegëve të tij të Kongresit, a thua është ende profesor drejtësie në një sallë leksioni në Chicago: këshilla për të shkruarin, rekomandime për mënyrën optimale të shtrëngimit të dorës së zgjedhësit (duhet parë gjithmonë në sy). Të njëjtin ton ka edhe me kolegët e tij kryetarë shteti. Kur ndonjëri prej tyre i reziston, Obama i flet si “baballarët kur i zhgënjejnë fëmijët”, sipas shprehjes së Robert Gibbs, ish-zëdhënës i tij.
Nicolas Sarkozy e provoi këtë në shtator 2011, gjatë një takimi në Hotel Waldorf Astoria, në New York. Presidenti francez po i irritonte partnerët e tij me një propozim për pajtim ndaj Mahmoud Abbas, drejtuesi palestinez, në podiumin e asamblesë së përgjithshme të OKB. “Nicolas, jam i lumtur që të takoj, ia filloi Obama. Por jam i detyruar të të them, me sinqeritetin më të madh: ne u habitëm nga fjalimi yt. Ne të dy nuk kemi këtë lloj marrëdhënie. Dhe nuk kemi për ta pasur ndonjëherë…
Ky ishte gabimi i dytë i francezit. Në vitin 2010 kishte premtuar të kontribuonte me forca shtesë në Afganistan. 500 ushtarë që nuk shkuan kurrë. Sqarimi u bë gjatë një telekonference, tregon një diplomat. «Nicolas, ti më premtove se nuk do të më gënjeje. Deri më sot nuk më kishe gënjyer kurrë…”
Obama e mban veten për të talentuar. “Tek ai ka një sens vërtetësie dhe një pjesë sajimi”, thotë gazetari Richard Wolffe. Ai e di se mund të ketë sukses në skenë. Një ditë prilli 2008 – ishte vetëm kandidat – humoristi Jon Stewart e testoi për spektaklin e tij “Daily Show”: Të thoshte fjali të çfarëdoshme me tonin e tij “hope and change”, me zërin që kishte në fjalimet e tij. Obama e provoi: “Po ju telefonoj për të ditur nëse jeni të kënaqur nga shërbimi i telefonit”. E besuan vërtet. Spektatorët u ngazëllyen.
Ishte ky besim që e çoi në Shtëpinë e Bardhë. Ai e ndihmoi për të marrë vendimin (i vetëm kundër të gjithëve, vetëm me mbështetjen e Michelle-s) për reformën e sigurimeve shëndetësore, një arritje historike. Por ky vetëbesim i prish edhe punë. Për konfliktin izraelo-palestinez Obama nuk dëgjoi realistët. Ai mbivlerësoi aftësinë e tij për të vënë në lëvizje gjërat. Pasi dërgoi 30 000 ushtarë përforcime, iu kthye luftës me tanke. «Në fillim ekipi i tij ishte shumë arrogant, thotë një analist që kaloi dy vjet në administratë. Ata besonin se e kuptonin më mirë Lindjen e Afërt ngaqë ishin brezi Twitter».
Ish-profesori i së drejtës kushtetuese acaron figurat e njohura. Ai pothuaj i injoron “elefantët” e diplomacisë amerikane. Ekipi i tij, i përbërë nga të rinj që kishte në stafin e Senatit, shqetësohet pak për baronët e epokës parainternet. Ashtu si edhe në administratat e mëparshme, departamenti i Shtetit dhe Këshilli i sigurisë kombëtare e urrejnë njëri-tjetrin, dhe West Wing përshkohet nga konfliktet.
Presidenti nuk ndërhyn, por gjatë mbledhjeve merr mendimin e të gjithëve. Të ushtarakëve, të CIA-s, dhe sidomos “të atyre që heshtin”, tregon Vali Nasr, ish-punonjës në departamentin e Shtetit. Ai nuk e zbulon aspak mendimin e tij, pastaj tërhiqet për t’u menduar. Për ndërhyrjen në Libi ai kërkoi edhe mendimin e këshilltarëve junior, ata që ulen pas anëtarëve të kabinetit e që zakonisht mjaftohen me marrjen e shënimeve. Punë e madhe nëse kjo nuk u pëlqen disave. Presidenti kandidat nuk ka kohë të merret me ndjeshmëritë e disave apo të tjerëve.
Nga kryetarët e shteteve të pranishëm këtë vit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ai nuk priti asnjërin: do të kishte ngjallur shumë xhelozi, plus që ishte i zënë me fushatën. Ai fyeu shumë donatorë, të prekur që nuk morën asnjë ftesë për darkë në Shtëpinë e Bardhë. “Ai është aq shumë i sigurt në vetvete, sa që nuk i shkon ndërmend se të tjerët kanë nevojë ta dëgjojnë: “Punë e paqme”, thotë njëri nga ish-bashkëpunëtorët e tij.
GJITHMONË NJË “OUTSIDER”
Nga anëtarët e ekipit që kishte në fillim, vetëm pak kanë qëndruar. Disa u larguan pasi nuk i pëlqyen, si avokati Greg Craig, të cilit i kishte shkrepur në kokë të mbante premtimin e mbylljes së Guantanamos. Disa të tjerë ikën vetë, por Obama nuk mori mundimin t’i mbante. «Askush nuk është i pazëvendësueshëm, me përjashtim të familjes dhe miqve të vërtetë të Chicagos», konstaton gazetari Richard Wolffe. Këta të fundit janë të pakët.
Sigurisht establishmenti i Washingtonit nuk e aprovon klanin e Chicagos. Si ka mundësi që Presidenti i kalon të gjitha mbrëmjet me familjen, në vend që të vendosë lidhje të reja nëpër kokteje? Ose të shkojë të luajë golf me Marvin Nicholson, dhe jo me presidentët e komisioneve senatoriale? Ata mendojnë se bëhet fjalë për një gabim politik. Ja prova: ndoshta do t’ia kishte dalë të mbyllte një marrëveshje për heqjen e nivelit tavan të borxhit vitin e kaluar me John Boehner, shef i opozitës, nëse do të kishte ditur të krijonte rrjete. Me një fjalë, ai nuk arriti të ndryshojë Washingtonin sepse nuk u integrua.
Më kot u përpoq Obama të ftonte të zgjedhurit lokalë të shihnin SuperBowl në Shtëpinë e Bardhë. Republikanët nuk janë naivë: ai nuk e pëlqen këtë. “Ai nuk sheh as demokratët, thotë gazetari John Heilemann. Është e thjeshtë: presidenti Obama nuk flet me shumë njerëz”.
Në krahasim me paraardhësit e tij, Presidenti amerikan tregohet distant, cerebral. Ai nuk ka reshtur kurrë së qeni shkrimtari që donte të ishte. “Nëse ndonjë revistë letrare do të kishte pranuar novelat e tij të rinisë, ai nuk do të ishte bërë president”, thotë Micheal Lewis. “Ai shikon veten e tij duke bërë politikë dhe sodit anën surrealiste të të marrit pjesë”, shton gazetari David Maraniss, që ka ndërmarrë një kundër-anketë të detajuar pas autobiografisë së publikuar nga Obama.
Disa mendojnë se këtë mangësi për të ndërtuar marrëdhënie e ka për faktin se është rritur pa baba (madje edhe në mungesë të nënës gjatë adoleshencës) dhe që ka qenë gjithmonë një outsider. David Maraniss takoi Genevieve Cook, ish-të dashurën e bardhë të Obamës, kur ai ishte student në Universitetin e Kolumbias. Duke lexuar ditarin e kësaj vajze, diplomati australian nxjerr disa gjykime që të habisin për nga saktësia mbi personalitetin e të riut Barack, herë i ngrohtë e i afërt, herë distant dhe egocentrik.
I love you”, i tha ajo një ditë. Përgjigjja ishte e shkurtër: “Thank you”.
Për të korrigjuar përshtypjen e ftohtësisë që krijon, Obama shkon nëpër emisionet popullore të mbasdites ku bëhen pyetje më intime se në talk – showt politikë. Gabimi më i madh në perceptimin e personit të tij? “Që unë jam i shkëputur, ose shumë analitik, përgjigjej ai në dhjetor 2011. Ata që më njohin e dinë që jam shumë i dhembshur. Dhe që i kam lotët gati. Ajo që është e vështirë është që njerëzit presin që të jem shumë demonstrativ. Dhe nëse kjo nuk bëhet në mënyrë teatrale, nuk është e mirë për televizionin”.
Por ai e ka shumë bezdi të tregojë ndjeshmërinë e tij. Kur mbërriti trupi i ambasadorit Stivens të vrarë në Libi, ai qëndroi si i ngurtë gjatë ceremonisë. Shkoi të ngushëllonte nënën e diplomatit që po qante. “Duhet një zotërim i madh i vetes për të bërë një gjest si ai, një minutë pas fjalimit zyrtar, tha një funksionar i lartë i pranishëm. Presidenti nuk mund të dalë në televizion i mbytur nga lotët”.
Këshilltarët kanë punuar për të kompensuar hendekun kulturor që ndan Obamën, intelektual, pirës çaji, nga mjediset popullore. Presidenti tani del vetëm me një birrë në dorë. Ai shëtit nëpër Ohio, toka e jakave blu, me një këmishë si ato të Walmart. Sigurisht, ka disa argumente të forta. Papunësia u ul në 7% në këtë shtet, dhe kjo falë një vendimi strategjik të presidencës së tij: shpëtimi i industrisë së automobilave. Por është e gjitha çështje perceptimi.
Asgjë nuk i lihet rastësisë
Në vitin 2010, kur demokratët u përgatitën për humbjen e shumicës në të dyja Dhomat, perspektivat e rizgjedhjes dukeshin larg. Tea Party ishte triumfuese. Presidenti bëri një kompromis të fundit me republikanët, duke pranuar të ruante lehtësimin e taksave, edhe për të pasurit, që ishte vendosur gjatë presidencës Bush. Ndarjet po thelloheshin brenda ekipit të tij. Nga njëra anë ishin ata që Richard Wolffe i quan «mbijetuesit», ata që e kishin këshilluar të hiqte dorë nga reforma shëndetësore dhe të përshtatej me mënyrat e Washingtonit. Nga ana tjetër ishin «rijetuesit» që donin të mbanin gjallë flakën e shpresës së vitit 2008. Presidenti më në fund e mori një vendim. Rahm Emanuel, udhëheqësi i «mbijetuesve» u shty drejt bashkisë së Chicagos, ndërsa David Plouffe, roja i tempullit, u mor në West Wing. Gjashtë muaj më vonë, në mars 2010, u votua reforma për sigurimet shëndetësore.
Sot, Shtëpia e Bardhë e ka «narracionin» e saj, me vrasjen e Bin Ladenit dhe shpëtimin e industrisë automobile. Dhe Obama ka kaluar në shpejtësinë maksimale. Gjatë gjithë verës ai nuk bëri asnjë ditë pushim. Ekipi i tij bombardoi ekranet me publicitetet që e tregonin Mitt Romney si mishërim të kapitalizmit të verbër. Barack Obama do të duket si dikush që fiton me lehtësi, me natyrshmëri. “Nuk është se ai është më kompetitiv, thotë Jen Psaki, zëdhënës i fushatës, ai do të fitojë gjithçka si katër vjet më parë. Ai beson se nëse amerikanët punojnë bashkë, mund ta ndryshojnë këtë vend”. Në fakt, ka disa vite që nuk i lihet asgjë rastësisë. Obama “do që të jetë Reagan i së majtës”, thotë Richard Wolffe. Ai që rindërton një koalicion të madh duke ua rimarrë elektoratin e jakave blu republikanëve – në të njëjtën kohë që i merr Kinës prodhimin e eolieneve. Që prej ditës së parë, ai lufton për të drejtat e grave. Masa e tij e parë synonte favorizimin e barazisë së pagave. Një nga të fundit është rimbursimi i kontraceptivëve nga shoqëritë e sigurimit, gjë që shkaktoi një debat serioz me katolikët e ekipit të tij. Rezultati: në elektoratin femëror ai ka epërsi ndaj Mitt Romney me rreth 15 pikë.
Obama mori masa në favor të Latinos (heqja e ndjekjeve ligjore kundër të rinjve klandestinë që studionin), të homoseksualëve (miratimi i martesës gay). Ai korrigjoi disavantazhin tradicional të demokratëve në fushën e sigurisë kombëtare. U vu në punë edhe Michelle: ajo është e dërguara speciale e Shtëpisë së Bardhë pranë familjeve të ushtarakëve, për të promovuar përpjekjet për riintegrim të ushtarëve të rikthyer nga fronti. Tre vjet më pas, Virxhinia, tokë ku elektorati ushtarak është i rëndësishëm, anoi nga Obama.
I vënë shpesh në shënjestër nga Tea Party, Presidenti nuk ngurron të kujtojë herë pas here se ai është i krishterë dhe jo musliman, siç vazhdojnë ta mendojnë 18% e republikanëve, sipas një sondazhi të Gallup në qershor. Dhe mesa duket kështu e dinte edhe Madona – edhe pse e korrigjoi më vonë – kur gjatë një koncerti më 24 shtator në Washington shprehej e gëzuar që një “musliman i zi” ishte në Shtëpinë e Bardhë.
Në shkurt 2012, gjatë National Prayer Breakfast, ku mblidhen çdo vit rreth 3 000 njerëz (anëtarë të Kongresit, diplomatë, përfaqësues të huaj) Presidenti amerikan shpalosi disi një pjesë të jetës së tij shpirtërore – për të cilën i kishte folur pak gazetarit të Vanity Fair që përshkruante fillimin e ditës së tij: “Kur zgjohem në mëngjes, them një lutje të shkurtër. Kaloj një moment duke lexuar Shkrimet dhe devocionet”. Politika e tij, thotë ai, është frymëzuar drejtpërdrejt nga Ungjilli. Nëse mbron të varfrit dhe të dobëtit nga kompanitë e sigurimeve dhe institucionet financiare, kjo sepse ai “beson tek urdhëresa e Zotit: duaje të afërmin si veten tënde.” Ai shpjegon se bie shpesh në gjunjë. “I kam kërkuar Zotit të më tregojë drejtimin, jo vetëm në jetën time personale, por edhe për jetën e këtij vendi. E di që ai do të më drejtojë”.

Katër vjet më parë, thjesht të qenit kandidat i partisë ishte në vetvete një arritje historike. Për herë të parë një njeri me ngjyrë ishte në garën finale. “Humbja nuk do të ishte konsideruar dështim”, thotë një demokrat që mbështet Obamën që prej vitit 2006. Këtë herë, humbja do ta bënte të hyjë në histori si figurë e rëndësishme, por para së gjithash, simbolike. Kështu që ai ka nevojë të fitojë, shton një i afërm: “Ai nuk pranon të humbë një ndeshje basketbolli me miqtë e tij. Ai nuk do t’ia falë vetes të humbë kundër një kandidati si Mitt Romeny”.

*Sipas Le Monde Magazine.



Related Posts: