Aventura e çuditshme e Fevziut me bosin e Fondacionit “Populli”, Bashkim Driza


Kastriot Myftaraj


      Një nga episodet e jetës së tij, të cilin Fevziu kërkon që të mbetet i mbyllur në sarkofagun e së shkuarës, dhe të mos e evokojë kush, është bashkëpunimi i tij me bosin e skemës mashtruese financiare “Populli”, Bashkim Driza, i cili ishte me origjinë nga fshati Drizë i Fierit, dhe që Fevziu e pati njohur që në Lushnjë, si mik të familjes. Në skemën financiare piramidale të krijuar nga Bashkim Driza në 1995, humbën paratë mbi 300 mijë shqiptarë, në një shumë totale prej 90 milion dollarë. Bashkim Driza ishte dhe kryetari i një partie me emrin  Partia Popullore, e cila para zgjedhjeve parlamentare të majit 1996 krijoi një aleancë zgjedhore, brenda koalicionit të majtë, me Partinë Aleanca Demokratike dhe Partinë Socialdemokrate. Poli i Qendrës nxorri dhe një gazetë, të quajtur “Poli i Qendrës”, kryeredaktor i së cilës u bë Blendi Fevziu. Gazeta financohej pa kursim nga Bashkim Driza. Në gazetën “Poli Qendrës”të datës 18 qershor 1996 botohet një “Rezolutë e Partisë Popullore të Shqipërisë”, e cila mban autorësinë:
      Për Partinë Popullore të Shqipërisë
      Kryetari Bashkim Driza[i]
      Blendi Fevziu në atë kohë i rrinte rrotull Bashkim Drizës, të cilën e quante “shef”, “bos”. Skema piramidale e Bashkim Drizës, në verën e vitit 1996, nxiti dinamikën e rritjes katastrofale të përqindjes së interesit me të cilin merrnin hua para nga publiku i gjerë kompanitë rentiere në Shqipëri. Bashkim Driza doli me një ofertë të re, e cila i drejtohej publikut me moton “Në 20 muaj paratë tuaja dhjetëfishohen!”. Kjo i detyroi dhe kompanitë e tjera që praktikonin huamarrjen nga publiku i gjerë që të hynin në një garë të rritjes së përqindjeve të interesave, çka çoi brenda disa muajsh në paaftësinë e tyre për të bërë pagesat dhe në krizën e e krejt kompanive dhe skemave rentiere.
      Nga 90 milion dollarët që shqiptarët humbën në skemën mashtruese të Bashkim Drizës, një sasi të papërcaktuar, por gjithsesi të madhe e shpërdoroi Blendi Fevziu. Bashkim Driza pagoi rrogën e madhe të Blendi Fevziut si kryeredaktor gjatë gjithë kohës që ekzistoi gazeta “Poli i Qendrës”. Gjithashtu, Bashkim Driza financoi dhe shumë udhëtime të Blendi Fevziut jashtë vendit, pa përmendur blerjet e shtrenjta të Fevziut në kohën kur qenë bashkë në SHBA. Bashkim Driza ka lënë gjurmë në kronologjinë pasurore që Blendi Fevziu bën për vetveten kur shkruan në një ese të tij:
      25 vjeç hipa për herë të parë në makinën time private; 27 vjeç kisha veshur tashmë kostumin e një firme të njohur mode; 30 vjeç mbaja në dorë ëndrrën time të atyre viteve, një “Rolex”, ndërsa 33 vjeç pasi kisha ndërruar disa lloje makinash, kisha filluar të ngisja një “Mercedes” të mrekullueshëm.[ii]
      Blerja e kostumit të parë firmato nga ana e Fevziut, në moshën 27 vjeç, domethënë në 1996, koincidon me lulëzimin e Fondacionit “Popullit”, por kjo nuk është thjesht një koincidencë. Kostumin e parë firmato Blendi Fevziut ia bleu Bashkim Driza. Gjërat e tjera, orën “Rolex” dhe “Mercedesin”, Fevziu i bleu duke bërë para sipas eksperiencës që kishte fituar nga puna me Bashkim Drizën. Blendi Fevziu mund të konsiderohet një punjonës i Fondacionit “Populli” se ai ishte kuratori i fushatës publicitare që bëri Bashkim Driza me moton “Në 20 muaj paratë tuaja dhjetëfishohen!” Në vjeshtën e vitit 1996, Blendi Fevziu e kuptoi se loja e Bashkim Drizës po shkonte drejt fundit. Fevziu u tremb se mos e pësonte dhe ai bashkë me Bashkim Drizën. Kështu që Fevziu vendosi të ikë në SHBA dhe të ndjekë prej andej zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri. Madje siç thotë Fevziu ai vendosi që të qëndronte përgjithmonë në Amerikë. Fevziu e ka përshkruar kështu këtë histori në një ese të tij:
      Në 1996 do të gjendesha edhe një herë në një kryqëzim të ri, në një moment të pavendosur, ku më duhej sidoqoftë të merrja një vendim. Kishin mbaruar zgjedhjet e trukuara të 26 majit, Shqipëria ishte pushtuar nga firmat piramidale, dukej se padrejtësia kishte triumfuar tashmë dhe mbi të gjitha, familja ime gjendej prej më shumë se dy dy vjetësh në SHBA. Në nëntor të atij viti u vendosa në Nju Jork, duke besuar se do të ishte një ikje e gjatë dhe pa dyshim një provë e fundit në vendimin final. Kisha prerë një biletë njëvjeçare dhe nuk isha i sigurt nëse do ta përdorja kthimin e saj.
      Fatmirësisht, edhe kësaj here ishte një libër që më bëri të mos ndihem mirë, të filloj të mendoj ndryshe dhe të më marrë malli për atë që kisha lënë këtu. Në ditët e hirta të qytetit, që mijëra herë e kisha kundruar në hartën e viteve të studimeve fillova të lexoj “Zorbën” e Niko Kazanxaqisit. Një libër i mrekullueshëm, në të cilin Greqia, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, i gjithë Ballkani, shkrihen në një. Një roman magjepsës, në faqet e të cilit fillova të ndiej mall për të gjitha ato gjëra, që nuk kisha për t’ i gjetur kurrë në Nju-Jork. Për jetën e lirë, atë mentalitet dërrmues, vendimet e rëndësishme të të cilit dominohen gjithnjë nga pasionet dhe jo nga logjika, për dashurinë për njerëzit dhe mbi të gjitha për dashurinë me të cilën qe mbushur dhe duket se do të vazhdojë të qëndrojë e mbushur jeta e ballkanasit. Kur e mbarova, isha i bindur se i takoja kësaj pjese të rruzullit. Se jeta zhurmuese e metropolit më tërhiqte, por se brenda vetes, më dukej se kisha nevojë për detin e ngushtë të Durrësit dhe shtëpitë e pjerrëta të Dhërmiut.
      Të kenë pasur të njëjtën ndjesi edhe të parët e mi, pyeta veten? Të ketë qenë ky shkaku që nuk i ka lënë të ikin dhe të ngulen më shumë në atë tokë sa kontradiktore aq edhe tunduese?[iii]
      Në të vërtetë, arsyeja për të cilën u kthye Blendi Fevziu në Shqipëri, në janar 1997, pikërisht në prag të falimentimit të skemave piramidale, siç do ta citoj atë vetë më tutje, ishte se Bashkim Driza e kërcënoi se nëse nuk kthehej që ta mbështeste atë në këto momente të vështira, atëherë do t’ u kërkonte miqve të tij mafiozë amerikanolatinë që ta ekzekutonin atje ku ishte. Kjo e kthjelloi Fevziun më shumë se “Zorba” dhe ai u kthye në Shqipëri “Para shiut” të plumbave të pranverës së vitit 1997, pikërisht atëherë kur nuk do të kishte dashur kurrë. Fevziu u kthye në Shqipëri, në janar 1997, çka kuptohet, kur ai shkruan më tutje, në të njëjtën ese, për kthimin e tij në Shqipëri:
      Nuk e di me ç’ ankth fillova të vështroja nga avioni në ulje detin gri, kodrat e acarta të Prezës në janar.[iv]
      Përderisa Fevziu thotë, siç e kam cituar më lart, se ai nuk qëndroi as dy muaj në SHBA, atëherë del se është larguar nga Shqipëria në fund të nëntorit 1996, pra pasiqë falimentoi skema e parë e madhe piramidale, e njohur si “Sudja”. Fevziu e kuptoi se Bashkim Drizës do t’ i vinte shpejt radha dhe deshi të imitonte sjelljen e minjve në anijen që po mbytet. Jo më kot Fevziu kishte shkruar një tregim aq të ndjerë për minjtë. Bashkim Drizën e arrestuan vetëm pak ditë pas kthimit të Fevziut.
      Sa për librin dhe filmat që përmend Fevziu, në fragmentin e mësipërm, ato mund të shërbejnë vetëm për tëbërë asosime ironike me marrëdhëniet e tij me Bashkim Drizën. Romani i Nikos Kazantzakis “Jeta dhe aventurat e Aleksis Zorbas”, që është titulli në origjinal, është në fakt historia e një intelektuali nga Athina, në periudhën mes dy luftrave botërore, i cili është vetë rrëfimtari në libër. Libri është në traditën e Romanticizimit europian ku tregohet për personazhe që braktisin befasisht jetën e tyre mes librave në qytete, për t’ u hyrë ndërmarrjeve aventuroze. Në libër, rrëfimtari i hyn një ndërmarrjeje utopike, atë të rihapjes së një miniere qymyrguri në ishullin e Kretës, vendlindja e vetë Kazantzakis. Rrëfimtari me këtë rast njeh Zorbën, një personazh i ngjashëm me ata të Hemingëay, një burrë në të gjashtëdhjetat, i cili ka përjetuar shumë në jetë, prototipi i kretanit, paksa filozof, paksa vagabond, njeriu që di të bëjë gjithçka, që pretendon se di të bëjë edhe punën e kryepunëtorit në minierë, dhe që mbi të gjitha di dhe do që të vallëzojë. Në fund, rrëfimtari falimenton duke i shpenzuar tërë paratë në ndërmarrjen e pashpresë për vënien në punë të minierës dhe largohet përsëri në Athinë. Kazantzakis e ka shkruar këtë libër nga nostalgjia për vendlindjen e tij Kretën. Vetë personazhi i Zorbës është frymëzuar nga një person real të cilin ai e kishte njohur në Kretë. Ky libër ku një shkrimtar grek shfaq mallin e tij për vendlindjen, Kretën, është arsyeja kryesore që supozohet ta ketë bërë Fevziun të mos qëndrojë përgjithmonë në SHBA, në 1996, por të kthehet në Shqipëri! Ky do të kishte qenë një motiv i mirë për një greko-amerikan që të kthehej në atdhe, jo për një shqiptar. Në fakt Fevziu nuk po kthehej në Shqipëri, po në Ballkan. Për Fevziun Kreta është më e afërt se vendlindja e tij, se trevat e tij të origjinës, Pogradeci dhe Lushnja. Sa të vërteta ka këtu? Më e besueshme duket që Blendi Fevziu me këtë rrëfim kërkon të bëhet i pëlqyeshëm për ato perëndimorët të cilët i pëlqejnë intelektualët e rinjë ballkanas kozmopolitë, të cilët e duan Ballkanin më shumë se atdheun e tyre, dhe vendet fqinje ballkanase më shumë se vendlindjen e tyre.
      Për Fevziun “Zorba” ishte Bashkim Driza. Ndryshe nga personazhi kryesor i romanit, që është vetë Kazantzakis, Fevziu dhe “Zorba” i tij patën sukses në  “minierën e arit” që kërkuan, dhe që ishte Fondacioni “Populli”. Por Fevziu e kuptonte se nuk ngjante bindëse që vetëm libri “Zorba” e bëri atë që ta braktiste ëndrrën amerikane, dhe të rikthehej në Shqipëri, domethënë në Ballkan. Duhej edhe diçka tjetër. Dhe shikoni se cila është gjëja e dytë që e bëri Fevziun të kthehet:       
      Nuk e di se sa do të kishte ndikuar “Zorba”, sikur dy-tre detaje të tjera të mos e vulosnin përfundimisht vendimin tim. Duke u vërtitur në raftet e “Bllakbasterit”, videotekës më të madhe të botës, në gjuetinë e ndonjë filmi interesant për të shtyrë mbasditet e gjata, pata rastin të gjej filmin “Mesdheu” të Gabriele Salvatores dhe “Pas Shiut të Milko Mançevskit”.
      I pari, është një histori romantike me një skuadër ushtarësh italianë që mbeten të izoluar në një ishull të largët dhe të harruar të Greqisë në ditët e Luftës së Dytë Botërore. Fillojnë të jetojnë aty si vendas, jashtë asaj që po ndodhte dhe një ditë, duke zbuluar se kombësia dhe ideologjia nuk kishin ndonjë rëndësi. Se popujt e Mesdheut janë shumë të ngjashëm dhe se një ditë, kur më në fund u desh të largoheshin, vendosën vetë që të kthehen përsëri aty. Dhe kështu ndodhi vërtet. Dy vjet më parë, kur e kisha ndjekur filmin në Tiranë, pata përftuar vetëm një ndjenjë kënaqësie prej tij, diçka zbavitëse që duket se e gjen gjithnjë tek filmat italianë. Tani ishte krejt ndryshe dhe më dukej se nga distance dhe nga vendosja në një vend tjetër, kaq ndryshe nga ambienti i ngrohtë mesdhetar, filmi kishte marrë një rol të ri, të papërcaktuar, që ishte sa filozofi ndryshimi, aq edhe mall për vendin tim.[v]
      Pra, gjëja e dytë që i la mbresë Fevziut në ditët e tij amerikane, dhe që e bëri të kthehet është një film ku tregohet sesi ushtarët italianë shndërrohen në… fshatarë grekë! Kombësia dhe ideologjia nuk kanë ndonjë rëndësi, siç thotë Fevziu, por me kusht që kombësia të jetë ajo greke! Fevziu supozohet që të jetë kthyer në Shqipëri nga Amerika, ashtu si ushtarët italianë që u rikthyen në ishullin grek, shumë vite pas luftës. (Në të vërtetë vetëm dy prej tyre u kthyen në ishull, pas 40 vitesh.) Por këta ish-ushtarë italianë kishin mall për vendet ku kishin pasur përjetime. Pra, Blendi duhet të kishte mall për fshatrat e Lushnjës ku kishte lindur dhe ishte rritur. Gjithë kjo dashuri e madhe e Fevziut për Greqinë, kishte të bënte edhe me një interes personal, në atë kohë Fevziu shpresonte që të merrte disa toka në Greqi, të cilat patën qenë pronë e familjes “Ypi”, nga e cila është gjyshi i tij nga nëna të cilin ai nuk e përmend kurrë. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, nga filmi nuk del se kombësia dhe ideologjia nuk kanë ndonjë rëndësi. Ajo që del nga filmi është se njerëzit me kombësi të ndryshme ia kalojnë mirë bashkë kur ndodhen në situata në të cilat interesat e tyre pajtohen. Sa për ideologjinë, ajo as që hyn fare. Pushtimi italian i Greqisë nuk ishte një pushtim ideologjik fashist, se italianët nuk bënë asnjë përpjekje për të fashistizuar shoqërinë greke, por vetëm një pushtim ushtarak. Gjithsesi, filmi reflekton armiqësitë historike. Është një kontrabandist turk i cili vjen në ishull, shtiret si mik, dhe pasiqë i ve në gjumë ushtarët italianë, u vjedh rrobet dhe armët. Me këtë rast prifti grek u thotë italianëve duke nënqeshur me ironi se nuk u duhet besuar kurrë turqve. Në të vërtetë, Fevziu, kur po e rishihte këtë film në SHBA, duket se ishte i tunduar që të shkonte dhe të fshihej në ndonjë ishull të vogël grek, si ai ku zhvilloheshin ngjarjet në film. Por frika e tij nga Bashkim Driza ishte aq e madhe, saqë ai në vend që të bënte këtë u rikthye në Shqipëri.
      Filmi i dytë që i bëri aq mbresë Fevziut, është një film titullin e të cilit ai e shkruan gabim. Filmi i Milco Mançevski, për të cilin flet Fevziu është filmi “Pred dozdot” (1994), që në shqip do të thotë “Para shiut”. Që Fevziu gënjen kur thotë se ky film i ka bërë aq mbresë, sa që e ka parë dhe riparë gjatë një jave të tërë, kjo kuptohet nga fakti se nuk e mban mend titullin e filmit, duke thënë se ai është “Pas shiut”, siç e citova më lart! Fevziu e përshkruan kështu filmin e Mançevskit dhe përshtypjen që i bëri ai:
      I dyti, është një dramë më shumë tragjike, në të cilën, me një vërtetësi ngjethëse trajtohen marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve pas shpërbërjes s ëish-Jugosllavisë. Një film i ashpër që mund ta kuptojmë vetëm ne e që për më shumë se një javë më mbajti peng me skenat dhe filozofinë e tij.[vi]
      Filmi për të cilin flet Fevziu është një film ku ka vetëm dy personazhe shqiptare, dy femra, rolet e të cilave luhen të dyja nga dy nga aktore sllavo-maqedonase. Shqiptari si njeri është i përjashtuar nga ky film. Fevziu nuk e thotë se cila është filozofia e këtij filmi që e paska mbajtur të mbërthyer për më shumë se një javë. E sigurt është se ajo është filozofia e segregacionit sllavo-maqedonas ndaj shqiptarëve. Filmi fillon me një vajzë shqiptare që ndiqet nga një turmë maqedonasish, të cilët e akuzojnë për një vrasje. Një murg i ri maqedon e fsheh vajzën dhe bie në dashuri me të, por kjo histori nuk ka fund të lumtur. Fevziu në atë kohë do të kishte qenë gati të fshihej në ndonjë manastir të veçuar në Maqedoni, vetëm të mos shkonte përsëri në Shqipëri, të ndante fatin me Bashkim Drizën. Libri grek, dy filmat, si dhe kënga “Jon” e Ardit Gjebresë, të cilën Fevziu e shton në fund, me sa duket i vetëdijësuar se e ka tepruar, e bëjnë atë që të rikthehet në Shqipëri. Një këngë e njohur e Rilindjes Shqiptare thotë:
           Por mbi të gjitha më parë,
           dua më shumë Shqipërinë.
      Fevziu mbi të gjitha, më parë, do më shumë Ballkanin, pastaj edhe Shqipërinë. Në Shqipëri Fevziun e solli lufta e vitit 1997. Ai shkruan:
      Biletën njëvjeçare e harrova dhe pa mbushur ende dy muaj, rezervova kthimin e saj. Në Shqipëri kishin filluar rrëmujat e rënies së skemave piramidale dhe si një magnet i stërmadh, më tërhiqte rrëmuja që do të fillonte shpejt.[vii]
      Sa ironike! Derisa ushtarët italianë në filmin “Mesdheu” u kthyen në ishullin grek pas luftës, Fevziu po kthehej në Shqipëri për të përjetuar luftën e pritshme. Ajo çka Fevziu nuk e thotë është se ai po kthehej në Shqipëri se mendonte që atje do të bënte karrierë, duke u shpërblyer për pjesëmarrjen e tij në trazirat që priteshin të fillonin së shpejti. Blendi Fevziu, njeriu që u kthye në Shqipëri i nxitur nga libri grek dhe dy filmat e mësipërm, mund të quhet si intelektuali-simbol i trazirave të vitit 1997, ku opozita bëri të vetin simbolin nacional-religjioz sllav të tre gishtave të ngritur lart. Natyrisht se opozita, e bashkë me të edhe Fevziu si pjesë e saj, kishte të drejtë në shumë nga ato që thoshte kundër Presidentit Berisha dhe qeverisë së PD, sa u përket zgjedhjeve të majit 1996 dhe mënyrës se si e menaxhoi qeveria krizën e firmave piramidale, por simboli i tre gishtave e kompromentonte kauzën e drejtë.
      Nikos Kazantzakis, autor i librit “Zorba”, në një libër autobiografik të tij me titull “Raport Grekos”, i botuar në shqip me titullin “Letër El Grekos”, shkruan për Aleksis Zorbën, personin e vërtetë, të cilin ai e bëri personazh të romanit të tij:
      Ai u drejtua nga veriu, për të mbërritur në Serbi, mbi një mal pranë Shkupit, ku kishte zbuluar një damar të pasur qymyri. Bleu pajisjet, mori punëtorët dhe filloi të hapë galeri. Theu shkëmbinjtë me dinamit, hapi rrugë, çoi ujë, ndërtoi një shtëpi, u martua me një vejushë të re, Ljuba dhe prej saj pati një fëmijë.[viii]
      Pra, Zorba real shkoi në Serbi dhe u martua me një serbe. “Zorba” shqiptar, Blendi Fevziu, çuditërisht gjeti edhe ai një “Ljuba”, se mikun e tij të afërt, dhe të ftuarin e përhershëm të emisionit të tij televiziv, Fatos Lubonjën, miqtë e tij, duke përfshirë edhe Fevziun, e quajnë me përkëdheli edhe “Ljuba”, në një shkurtim të mbiemrit të tij. Ljuba edhe fizikisht i nxjerr Fevziut mallin e Bashkim Drizës, ashtu siç ishte kur Fevziu e takoi në mars 1997, pasiqë Driza ishte arratisur nga burgu. Atëherë Bashkim Driza qe me mjekër dhe ngjiste shumë me Fatos Lubonjën. Kur Fevziu nisi emisionin e tij televiziv në gusht 1997, në Televizionin Publik, një nga emisionet e para që bëri ai, që në shtator 1997, ishte një debat për skemat piramidale financiare. Kur Bashkim Driza mësoi me anë të njerëzve të tij se do të bëhej ky emision, ai i dërgoi fjalë Fevziut që t’ i jepte mundësi të merrte pjesë në emision me anë të një telefonate. Fevziu që kishte dhe ka ende shumë frikë nga Bashkim Driza pranoi pa ngurim. Fevziu shkruan mbi këtë ngjarje:
      Surprizat filluan që ditën që deklarova se do të diskutonim për fajdet. Dy ditë më vonë, një avokat i Bashkim Drizës, më njoftoi se Driza qe i gatshëm të ndërhynte gjatë emisionit me kusht që unë t’ i jepja numrin tonë. Driza ndërhyri vërtet, siç tha nga Nju Jorku, po ka mundësi që ndodhej diku në Ohër apo në Strugë. Një moment, për ta kuptuar këtë, e pyeta nëse e ndiqte transmetimin tonë dhe m’ u përgjigj se e shihte shumë mirë! Ishte një moment jashtë satelitit dhe në raste si këto, si njali nuk e kalon Dibrën, Ohrin apo Strugën.[ix]
      Ajo që nuk e thotë Fevziu është se dy ditë para emisionit ai ishte me Bashkim Drizën në Maqedoni. Bashkim Driza kishte qenë sponsorues financiar i Fevziut në kohën që ishte kryeredaktor i gazetave opozitare “Aleanca” dhe “Poli i Qendrës”, para vitit 1997. Blendi Fevziu e pati njohur Bashkim Drizën qëkurse ai ishte në Fondacionin “Demokracia Popullore” të Rrapush Xhaferit. Me këtë të fundit, Blendi Fevziu kishte njohje familjare qëkurse familja e tij banonte në Lushnjë. Rrapush Xhaferi, i cili në vitet gjashtëdhjetë kishte punuar në rrethin e Lushnjës, në administratën bujqësore. Më pas, Blendi Fevziu do të hynte dhe dilte në zyrat e Rrapush Xhaferit si në shtëpinë e tij.
      Pyetja që i bëri Fevziu Drizës nëse e ndiqte emisionin, nuk ishte një mënyrë për të zbuluar vendndodhjen e këtij të fundit, se nëse do të kishte qenë kështu, atëherë Fevziu do të kishte vazhduar me pyetje, duke i thënë se si ishte e mundur që e shikonte emisionin në Amerikë. Natyrisht se nëse Fevziu do të thoshte këtë, Driza do t’ i kujtonte paratë që i kishte dhënë dhe këtu emisioni do të shndërrohej në komedi. Fevziu, duke e ditur se Driza po e ndiqte emisionin, në një moment, kur donte ta fuste Drizën në debat për t’ iu përgjigjur asaj që kishte thënë njëri nga të ftuarit në studio, e pyeti insntinktivisht nëse ishte duke e shikuar emisionin ende, në sensin që a e kishte ndjekur atë që po thuhej në studio. Kështu që nuk ishte vetëm Driza që tradhtoi veten, por edhe Fevziu.
    Bashkim Driza u bë shkak që Fevziu të rikthehej në Shqipëri në janar 1997, pak ditë para arrestimit të Drizës. Me të ardhur në Shqipëri Fevziu shkoi drejt e në zyrën e Bashkim Drizës, i cili ato ditë kur po i rrëshqiste toka nën këmbë e kishte humbur vetëkontrollin. Fevziu shkoi si gjithmonë drejt tij me një buzëqeshje hipokrite dhe i zgjati dorën, por Bashkim Driza i përplasi në fytyrë ca tufa me para duke thënë:
      Ç’ ke që fshihesh, nuk të pëlqejnë më paratë e mia? Se paratë po na rrjedhin  ende. Njerëzit vijnë e zenë radhë për të dorëzuar para edhe tani që sportelet tona janë mbyllur. Kjo do të thotë se ti ke bërë një punë të mirë me gazetën. Tani nëse do para për gazetën merr këto që shikon, se nuk e di nëse do të jem në gjendje të të jap më të tjera. Quaje si testamentin tim.
      Fevziu nuk pati turp dhe u ul dhe i mblodhi paratë e shpërndara në tokë, duke buzëqeshur. Nëse Fevziu do të kërkonte sinqerisht një person me të cilin kishte bashkëpunuar në Shqipëri, dhe i cili ngjante më shumë me atë personazhin e romanit “Komedianët” të Graham Greene, Majorin Jones (Xhons), mashtruesin e madh, ky është padyshim Bashkim Driza. Megjithatë Fevziu nuk ka folur kurrë për  eksperiencën e tij personale me njërin nga bosët më të famshëm të skemave piramidale. Ndoshta kjo edhe për faktin se Fevziu e ndjente veten si Majori Xhons. Derisa Driza doli nga skena, Fevziu hyri në skenë. Çka do të kishte bërë Fevziu në Amerikë nëse do të kishte qëndruar atje? Ku do të punonte ai me diplomën e gjuhë-letërsisë të Universitetit të Tiranës? Apo ndoshta do të studionte për mjekësi, siç kishin dashur prindërit e tij dikur? Kjo kërkonte shumë vite, dhe Fevziu 27 vjeçar donte të bënte një karrierë të shpejtë dhe pa shumë mundime. Ai e ndjente me instinktin e pagabueshëm të sharlatanit intelektual se Shqipëria ishte i vetmi vend ku ai mund të arrinte diçka, ashtu si majori Xhons thoshte se Haiti ishte vendi i vetëm në botë për të.
      Në gusht 1997, shtatë muaj pas falimentimit të skemës piramidale të Bashkim Drizës, Fevziu krijoi versionin e tij të skemave piramidale, me emisionin e tij televiziv, në të cilin ai vepronte sipas së njëjtës logjikë të skemave piramidale. Fevziu u merr teleshikuesve kohën dhe në këmbim u jep gënjeshtra. Këtë skemë ai e përdor për të siguruar nga qeveritë e kohës përfitime abuzive të cilat shtojnë pasurinë e tij. Të pyesësh se përse megjithatë ka shumë njerëz që shohin emisionin televiziv të Fevziut, është njëlloj si të pyesësh se përse kishte aq shumë njerëz të cilët depozitonin paratë e tyre tek Bashkim Driza.
      Qëkurse Blendi Fevziu drejton emisionin televiziv, ai ka ndryshuar. Nuk është më ai kryeredaktori i gazetës që gjendej në takimet me Bashkim Drizën në skena dhe situata që dukeshin sikur kishin dalë nga filmat për mafien. Kur Bashkim Driza donte t’ i shprehte respektin më të madh një njeriu, e ftonte të shikonin bashkë filmin “The Untouchables” ku Robert De Niro luan rolin e Al Kapones. Bashkim Driza edhe fizikisht ngjante me Al Kaponen dhe çuditërisht kënaqej kur ia thoshin këtë gjë. Duket se filmi “Untouchable”i pëlqente se fjala, që ka kuptimin “Të paprekshmit” i krijonte një rezonancë të këndshme në mendjen e tij gjithëherë të trazuar dhe alarmuar. Fevziu e pa mëse njëherë këtë film me Bashkim Drizën, natyrisht edhe në shoqërinë e të ftuarve të tjerë, të rrethuar nga rojet e tij me vështrime a priori dyshuese. Driza sillej me Fevziun si Al Kapone me gazetarët e blerë prej tij, ai kërkonte të dukej i butë, por pa u munduar shumë që ta fshehë përbuzjen për njeriun që po ble, posa e kupton se shqetësimi i vetëm i tjetrit është që të rrisë çmimin me të cilin po e shtet veten. Kur Driza, në momentet që dehej, mburrej se i ngjante fizikisht Al Kapones, Fevziu gjente rastin dhe i thoshte se ai i ngjante edhe Berlusconit, dhe se mund të bëhej “Berlusconi” shqiptar. Këtu Fevziu i paraqiste Drizës projekte të mëdha për një televizion privat, ku ai vetë do të bënte një emision politik. Kështu zuri fill projekti për emisionin televiziv të Fevziut, pikërisht në zyrën e Bashkim Drizës, para fytyrës së Al Kapones në ekranin e televizorit. Bashkim Driza kishte një fjalë që i ishte ngulitur apo ia kishte ngulitur dikush në mendje, që ishte fjala “opinion”. Duke menduar se kështu dukej intelektual, ai e përdorte shpesh fjalën “opinion”, duke thënë gjëra të tilla si:
      Unë që ia di hallet popullit tim të vuajtur, si biri i tij që jam, marr opinionin e popullit, zbuloj se përsa kohë do populli që të pasurohet dhe mbi këtë opinion ndërtoj skemën time të punës, për pagesën e parave. Populli ynë është i vuajtur, ai ka këtë opinion: “Na iku jeta në varfëri, dua të jap një lek dhe të marr dhjetë, sa më shpejt që të jetë e mundur”. Prandaj unë nuk i flas me vite popullit, i flas me muaj, i them unë e mora opinionin tënd dhe tani dëgjo ti popull i dashur opinionin tim: Ti më jep një lek unë të jap dhjetë. Për sa kohë do të thuash ti? Po ja, një lek e shumëzuam me dhjetë, tani këtë këtë dhjetëshen le ta shumëzojmë me dy, se paratë duan kohë të bëhen, edhe pula do kohë që t’ i ngrohë vezët në furrik. Kështu, dhjetë shumëzim për dy bëjnë njëzet, por çfarë do të thoni ju, vite? Jo, popull i dashur, ndonëse në të gjitha bankat e botës duhen njëzet vjet që të dhjetëfishohen paratë. Unë flas me muaj, njëzet muaj. Ky është opinioni im. Të pëlqen opinioni im, popull i dashur, mirë sill paratë dhe prit njëzet muaj të marrësh dhjetëfishin. Opinion nga Bashkim Driza, biri i këtij populli të vuajtur.
      Blendi Fevziut iu ngulit aq fort në tru fjala “opinion” nga monologjet e Bashkim Drizësa, saqë më pas ia vuri si titull emisionit të tij televiziv. Kështu doli “Opinion” nga Blendi Fevziu. Kështu u përjetësua filozofia e Bashkim Drizës. Në emisionin televiziv të Fevziut teleshikuesit japin kohën e tyre dhe gjatë saj marrin dhjetëfish gënjeshtra, se çfarë do të merrnin nëse do të bënin ndonjë gjë tjetër në atë kohë, si bie fjala do ta kalonin kohën duke biseduar me miqtë e tyre.


[i] Gazeta “Poli i Qendrës”, 18 qershor 1996, f. 7
[ii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 259
[iii] po atje: f. 12-13
[iv] po atje: f. 15
[v] po atje: f. 13-14
[vi] po atje: f. 14
[vii] po atje: f. 15
[viii] Nikos Kazanzaqis, “Letër El Grekos”, Shtëpia botuese “Uegen”, Tiranë 2001, f. 432
[ix] Blendi Fevziu, “Paradhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 14