Zogu dhe gjykimi enverian për të


BESNIK DIZDARI


BESNIK DIZDARI
E kam pas babën kundërzogist (që ndër ne i thonë jo fort shqip “anti”-zogist). Mësues ndër të parët e gjuhës shqipe të shkollave laike të Shkodrës në fillim të shekullit XX, Gani Dizdari pra, ishte kundërzogist. Dhe sa erdhi Zogu në fuqi, më 1925-n, si diktator që ishte, e mori dhe nga drejtor shkolle në Shkodër e transferoi mësues të thjeshtë në Plotoren e Vlorës. Im atë këtë e quante internim. “Kam ba dy ditë me shkue në Vlorë, – thoshte, – diku me karrocë, diku me makinë”. Merret me mend se çfarë Shqipërie ishte! Asokohe, Shkodra, qyteti më i madh i Shqipërisë, kishte 23 785 banorë, ndërsa Vlora vetëm 5941! Dhe natyrisht, të braktisësh Piazza-n “vjeneze” të Shkodrës aq të hijshme, të lësh Kafen e Madhe që kur hyje të dukej se ishe në Milano, e të shkosh në Vlorën e vogël me vetëm 5941 banorë, p adyshim që ishte ashtu siç thoshte i sipërpërmenduri.

Ndodhi që mbas pak, edhe pse e kishte kundërshtar, Mbreti ta emëronte drejtor të Plotores së Vlorës, që ishte e vetmja shkollë e qytetit për fëmijët. Mandej, më 1928-n e ktheu prapë në Shkodër dhe gjithnjë ai qe vetëm drejtor, madje drejtor shumëvjeçar i shkollës së Parrucës, që ishte shkolla unike më moderne e Shqipërisë, deri dhe me sallë teatri me lozhë e skenë. Mëkat që regjimi komunist e shkatërroi krejt! Im atë mbeti, megjithatë, kundërzogist, natyrisht pa ndonjë veprimtari, përjashto një përpjekje për themelimin e një shoqërie jomonarkiste, ndoshta disi socialdemokrate, së bashku me Salo Halilin, Migjenin, Skënder Luarasin, Rustem Lopçin, Teufik Gjylin, Masar Bushatin, Ragip Gjylbegun (dokumenti është në Arkivin e Shtetit). Zogu e Musa Juka e dinin këtë, por bënin sikur nuk e dinin. Nga ana e tij, Gani Dizdari, baba i im (babai, siç i thuhet në toskërisht) nuk u bë kurrë komunist, madje edhe kur ia propozuan, por qe antifashist mirëfilli, i burgosur paksa edhe prej fashistëve dhe pas luftës qe mbështetës i madh i reformës arsimore të regjimit komunist, i cili e bëri deri dhe përgjegjës të Seksionit të Arsimit të Shkodrës. E bëra këtë hyrje, si në një histori krahasuese, sa për ta futur paksa lexuesin e ri në mjedisin e atij që komunistët shqiptarë e quajnë regjimi zogollian, si dhe për të treguar se autori i këtushëm nuk është një fanatik i Ahmet Zogut edhe për traditë familjare.

Nuk më pëlqen assesi që të merrem me mbrojtjen e Zogut. E dini që kryesisht jam një gazetar sportiv, por jam njëkohësisht edhe gazetar. Dhe ndiej kënaqësinë që detyrën time atdhetare të vërtetësisë historike apo të rishkruarjes së historisë për të hequr rrenat, pra për hir të së vërtetës, në fushën time e kam kryer më së miri. (Po të doni mos më quani modest). Përmes artikujve të pafund dhe librave të botuar, kam vënë në vend historinë sportive të Shqipërisë, themelimet e mëdha të sportit shqiptar, të gjitha të realizuara për herë të parë nga Mbretëria e Zogut I. Po aq sa dhe kam evidentuar realizimet e mëpastajme tejet me vlerë të regjimit komunist në fushën e sporteve. Çka vazhdoj ta bëj ende, sidomos në botimet e “Panorama”-s. Ajo që më shqetëson sot jo thjesht si gazetar, por dhe si qytetar i këtij vendi që quhet Shqipëri, është egërsia, urrejtja, shfrenimi, inati, njëanshmëria, pavërtetësia me të cilat një grup shkruesish, komentatorësh apo “historianësh” politikë, përdorin për ta futur periudhën e Zogut njëqind pash nën dhé. Por ajo që spikat më shumë si provë e njëanshmërisë të shfrenuar është se kush e prin këtë fushatë. Po jua them, dhe nëse jeni të zotë të ma hidhni poshtë, do të kërkoj të falur se qenkam hutuar deri në marramendje. Vëreni! Janë ose pasardhës të familjeve klasike komuniste, ose “historianë” politikë të lindur, të jetuar, formuar, “punuar” në komunizëm dhe vetëm kaq. Dhe është vërtet e çuditshme se gjithë këtë “neokundërzogizëm” datuar më 2012-n, ata e shfaqin përmes gjykimit enverian. Që thotë se Zogu iku, se Zogu mori arin, se Zogu tradhtoi Shqipërinë, se Zogu vrau atdhetarë (patriotët). Pa qenë të zotë të provojnë imtësisht, historikisht, dokumentisht, arkivisht, objektivisht, shkencërisht. Me një fjalë, e dënojnë duke përsëritur dënimin që i ka bërë Partia, me terminologjinë dhe përcaktimet aprioristike të librave të shkollës së periudhës 1945-1991. Pa sjellë asgjë të re, mbi të gjitha pa verifikuar asgjë. Pa mëshirë madje! Deri aty sa kur bie fjala për udhëheqësit komunistë të PPSH, thonë se “janë personazhe komplekse dhe duhet t’i shohim me të mirat e me të këqijat e tyre”, pra më e pakta, ata janë 50 për qind të këqij, 50 për qind të mirë”. Ndërsa Zogu 100 për qind i keq! Punë e komplikuar është historia. Sidomos kur me të merren “historianët” politikë, të cilëve më duket se iu përshtatet ajo që thotë Viktor Hygo: “Atë çka shpik përralla, shpeshherë historia e riprodhon”.

I shkruante njëherë Marksi Engelsit: “Historia i ngjan paleontologjisë. Për shkak të paragjykimeve, edhe shkencëtarët më të mirë nuk duan të shohin faktet që i kanë para hundës. Dhe mandej çuditen kur shohin kudo gjurmët e asaj çka nuk kishin dashur t’i shihnin”.

Punë e komplikuar është historia, sidomos në Shqipëri, të cilën e bëri si desh vetë regjimi. E që edhe sot nuk duan t’i lëvizin presjen “historianët” politikë të tij. Kështu, ngaqë për fat, një pjesë e tyre edukatën e formimin komunist, siç na e rrënjosi edhe ne shkolla, atyre ua rrënjosi edhe një shkollë tjetër, ajo e familjes klasike apo tradicionale komuniste. Ndërsa historiani i Partisë, dihet se gjithë këtë e ka edhe formim vetjak shumëvjeçar. Dhe është stoik i paparë. Nxiton e bën libër gjoja për Luftën Italo – Greke dhe krejt synimin e ka me nxjerrë detyrimisht tradhtarë Ernest Koliqin e Mustafa Krujën. Kështu, pra, edhe mbas 20 vjetëve i kërkojnë ndihmë gjykimit enverian për Ahmet Zogun. Dhe fjalori, gjykimi, përcaktimi që është po ai i regjimit… Kur kam qenë njëherë në Bullgari, kam parë në mes të Sofjes statujën e Aleksandrit II, Carit të Rusisë, që për çudi nuk e kishte prishur as regjimi i Teodor Zhivkovit. I thashë një kolegut bullgar: “Si ka mundësi Carin e Rusisë monument?”. Ai vuri buzën në gaz dhe më tha: “Ai ka bërë për Bullgarinë”. Këto ditë se si m’u kujtua Mbreti Boris III i Bullgarisë, i cili qe në krah të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe mendova se si ka mundësi që i biri, Mbreti Simeoni II, u bë Kryeministër i Bullgarisë demokratike nga 2001-shi deri më 2005-n! Çudi si e ka pranuar NATO-ja Bullgarinë qysh më 2004-n dhe Bashkimi Europian qysh më 2007-n!

Një historian i huaj, që me sa di, i përket së majtës, Bernd Fischer, duke qenë se Shqipëria po shteron përditë për historianë të saj, ka bërë një libër me shumë vlerë për periudhën e Zogut dhe i ka vënë titullin “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”. Dhe dihet se stabilitet për një shtet do të thotë qëndrueshmëri politike, zhvillim, edukim, rritje. Ka kohë që pres që “historianët” politikë ta kritikojnë Fischer-in të paktën për titullin e librit, i cili me siguri, sipas tyre, duhej të ishte “Mbreti Zog dhe përpjekja për jostabilitet në Shqipëri”.

A ka dorë vrasjesh Mbreti Zog? Ose më mirë me thënë: Sa vrasje politike ka në periudhën e Mbretërisë të Zogut? Meqë interesohem fort për historinë, përafërsisht unë e di shifrën, por kësaj radhe nuk do ta vë këtu. Pres, nëse e kanë hulumtuar, prej të papërmbajtshmëve historianë kundërzogistë të ma japin ata. Kësaj rradhe po iu jap një shifër tjetër. Vetëm në periudhën 1975 -1982 regjimi i Enver Hoxhës (nuk po them Enver Hoxha), pushkatoi pa asnjë faj tetë qeveritarë: Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Llambi Ziçishtin, Petrit Dumen, Hito Çakon, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun. Nuk po fus të nëntin, Kryeministrin Mehmet Shehu. Që do të thotë sa një e treta e qeverisë. Brenda shtatë vjetëve, një e treta e qeverisë në plumb! Nuk po hyjmë në plojën e joqeveritarëve të pushkatuar politikisht apo në atë të dekadave të tjera. Dhe ndodhte plot 30-35 vjet mbas Luftës së Dytë Botërore kur paqja e qetësia mbretëronte në kontinent. Pra, jo në vitet e paqëndrueshme ’20 kur vrasjet politike, për fat të keq, ishin, përveçse hakmarrjeve personale, edhe “raison d ‘état”.

Dënimet e skajshme më zhurmëmëdha dihet që Mbretëria e Zogut I i ka bërë për shtypjen e kryengritjeve të Fierit (1935) dhe të Delvinës (1937) që deshën të përmbysnin Mbretërinë. E cili regjim apo shtet do të mund të tregohej i butë kur ti don të më përmbysësh, madje me armë në dorë? Ndonëse mjaft interesante është kronika e pasgjyqit të atyre dënimeve kur gati përditë dilte falja për shumicën e të dënuarve. Një prej kryengritësve të Delvinës është dhe djali i tezes i nënës sime, kapiten Smajl Gjylbegu, qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës. Ai ra viktimë se Et’hem Toto i kërkoi besën, të cilën kapiteni ia dha pa e ditur se për çka po ia jepte. Dhe u bë me Toton e gjykata i mori jetën. Dhe Zogu lejoi që trupin e këtij armiku të betuar të Mbretërisë, fisnik të Gjirokastrës, ta përcjellin me nderim!

Ky qe regjimi gjakatar i Ahmet Zogut që duan të na krahasojnë me atë të Enver Hoxhës. Mendoni për një çast se a mund të ndodhte që trupat e qeveritarëve të pushkatuar të 1975-1982-shit të përcilleshin me nderime prej ndokujt për te familjet e tyre. Në të vërtetë, as për ceremoninë e zakonshme të varrimit. Nuk u dihen ku i kanë eshtrat as sot!

Dhe humbën kohë gati përditë me sofizma “historike”, me përsiatje “historianësh” politikë të regjimit që shkoi, me komente gjoja “objektive” këmbë mbi këmbë edhe në studio televizive, të periudhës së Mbretërisë dhe Zogut I, në vend që nëse e kanë vërtet me kaq gjakim (pasion) historinë, të ulen e të studiojnë, të zbulojnë, të përimtojnë, mbi të gjitha, të pastrojnë nga rrenat e mandej të gjykojnë, qoftë dhe pa pikë mëshire. Do të isha në një mendje që edhe Enver Hoxhës t’i ngrihej një monument. Ky monument duhej të ishte shtëpia ku ka jetuar. Dhe ndiej keqardhje që ajo është kthyer në kafe a bar. Duhej të shpallej shtëpi muze. Të kishte aty përherë një ciceron – historian që t’iu shpjegonte e t’iu tregonte sidomos të rinjve, se: “Kjo është dhoma ku ka ndenjur udhëheqësi, kjo është tryeza e punës së tij ku ka firmosur pushkatimet pa fund të shokëve (po i lëmë mënjanë ato të reaksionarëve), ky ka qenë telefoni kur bisedonte me prokurorin se sa e si do t’i dënonte, ky ka qenë ballkoni kur ai dilte në mbrëmje të freskohej me ajrin e pastër të pemëve të Bllokut mbasi kishte marrë vesh pushkatimin e gati gjysmës së qeverisë së tij, shokëve të tij të armëve”. E di. Rrufeshëm do të më sulen duke më thënë: “Po ti, shoku gazetar, madje kryeredaktor, çfarë bëje asokohe? A nuk shkruaje për Partinë dhe Enverin?”. Përgjigjja ime është vjetër: pa dyshim, jemi fajtorë edhe ne gazetarët, qoftë dhe ne gazetarët sportivë, natyrisht.

Ndonëse ruaj të drejtën t’iu kujtoj episodin e famshëm të Hrushovit kur po mbante fjalimin e dënimit të krimeve të Stalinit dhe një bolshevik i thirri nga salla: “Po ti, shoku Hrushov, ç’bëje aso kohe?”. “Kush foli?”, pyeti me rreptësi Hrushovi. Bolsheviku “i guximshëm” i sallës u struk pa bëza, pa pasur guximin për t’u shfaqur. Hrushovi heshti pak dhe me buzën në gaz tha: “Unë bëja atë që po bën ti sot, pra nuk guxoja”. Edhe ne gazetarët nuk guxuam vërtet, mirëpo sot kjo nuk do të thotë të harrojmë mësimin e madh që e gjejmë te sentenca e famshme latine që ashtu si dhe në ndonjë shkrim tjetër, më duhet ta përsëris prapë edhe këtu: “Errare humanum est, perseverare diabolicum”. (“Me gabue âsht njerëzore, mos me heqë dorë prej gabimit âsht djallëzore”). E pra, si nuk folën e shkruan njëherë gjerë e gjatë këta “historianë” politikë për këto krime, aq më tepër se si bashkëkohës i kanë përjetuar, disa madje edhe krejt për së afërmi? Si nuk bënë një libër përsëmbari për këto krime sepse disa prej tyre i kanë njohur fort mirë, në zyra e në familje, në kongrese e në plenume, në salla gjyqi e mbledhje të organizatës bazë, në labirinte të Sigurimit e dhoma torturash?

Iu vjen më për mbarë të merren vetëm me Ahmet Zogun 100 për qind i keq. Mënyrë e shkëlqyeshme për të harruar Enver Hoxhën, këtë “personazh kompleks, 50 për qind i keq dhe 50 për qind i mirë”.