Fundi i lojës për Obamën
Punë pa fund dhe matematikë e ftohtë në zyrat qendrore të demokratëve
JIM RUTENBERG, NYTKjo është ajo çfarë shfaqet te zyrat qendrore elektorale të Presidentit Obama: një numër i stërmadh të rinjsh duke shtypur vazhdimisht në tastierat e kompjuterëve për të krijuar gigabite me informacion mbi votuesit e pavendosur, si dhe duke mësuar se si mund të kontaktohet me ta dhe kur duhet të flitet me ta; strategët janë duke përdorur tabelat e bardha duke shkruar, fshirë dhe rishkruar numrat e votave të hedhura para ditës së zgjedhjeve, si dhe duke llogaritur probabilitetet.
Vala e pasionit dhe energjive që qenë shfaqur në zyrat qendrore të Obamës këtu në vitin 2008 është zëvendësuar nga puna metodike strikte, e cila synon të krijojë koalicionin fitues, kësaj here jo me të njëjtin natyralitet që i dha fitoren Presidentit radhën e kaluar.
Ndërsa Uashingtoni dhe programet e pafundme televizive debatojnë ethshëm mbi faktin nëse debati i fundit i dha Mitt Romney-t avantazh, teknicienët e Obamës janë duke e vendosur fatin për sukses në makinën multimilionë dollarëshe që kanë ndërtuar pikërisht për të fituar një betejë të ngushtë siç pritet të jetë ajo e 6 nëntorit.
“Ne jemi pikërisht aty ku unë mendoj se duhet të jemi, në zgjedhje shumë të ngushta 12 ditë para datës, me dy gjëra për të bërë dhe dy gjëra të vetme: të bindim votuesit e pavendosur dhe të bindim mbështetësit tanë të shkojnë të votojnë”, thotë Jim Messina, 43 vjeç, menaxheri teknokrat i fushatës së Presidentit, i cili duket më i zbehtë dhe më i lodhur nga sa ishte kur fushata filloi. Duke bërë me shenjë te rreshtat e gjatë me personel në sallat e mëdha të zyrave qendrore, ai shton: “Të gjithë ata atje janë përqendruar pikërisht në këto dy gjëra.”
Katër vjet më parë, skuadra politike e Obamës këtu po përgatitej për një nga veprimet më spektakolare të bëra ndonjëherë: një program gjysmë orësh i shfaqur në kohën më të mirë në katër televizione kombëtare ku paraqitej programi i Obamës.
Këtë herë nuk do të ketë diçka të tillë. Të gjitha paratë e mbetura në këtë fazë finale të zgjedhjeve po përdoret në Nevada dhe Florida për reklamat në gjuhën spanjolle, si dhe në Ioua dhe Ohajo për të pasur më shumë staf në terren, si dhe në “Google” e “Facebook” për më shumë mesazhe të targetuara me kujdes. Synimi është të shënjestrohen votuesit e mërzitur apo edhe mbështetësit e demoralizuar.
Obama e theksoi rëndësinë e detyrave të tyre gjatë një ndalese te qendrat e komunikimit telefonik në Çikago pak ditë më parë, ku u tha vullnetarëve: “Nëse ne dorëzohemi dhe votuesit tanë nuk dalin të votojmë, ne humbasim”. Dhe shtoi me shpejtësi, “Lajmi i mirë është, nëse votuesit tanë dalin në zgjedhje, ne përfundimisht e kemi fituar këtë garë.”
Për stafin e fushatës së Obamës në Çikago, detyra tashmë është të krijojnë një elektorat më të favorshëm për demokratët nga sa vlerësojnë shumica e vrojtuesve. Mbështetja nga njerëzit me ngjyrë, latinët dhe të rinjtë duhet të sigurohet në nivele pothuajse aq të larta sa në 2008-n për të kompensuar humbjet e pësuara në segmente të tjera të popullatës si njerëzit e pavarur.
Një sondazh i fundit i organizuar nga ABC NEWS dhe “Washington Post”, zbuloi se mbështetja e votuesve ka kaluar tashmë 50 me 47 për qind për Romney-n, ndërkohë që gazeta “Washington Post” ka deklaruar mbështetjen e saj publike për Obamën. Por teknokratët e Obamës po punojnë për të projektuar një ambient vetëbesimi. Ata thonë se sistemi i tyre, të cilin e ndërtuan shumë muaj përpara, po funksionon më mirë nga sa pritej. Ditët e mbetura deri në zgjedhje do të tregojnë nëse kanë me të vërtetë besim apo po bëjnë blofin.
Pasi përdorën databazën e tyre të stërmadhe për të rritur regjistrimet për votime mes grupeve mbështetëse në shtete kyçe, ata tani po punojnë për të arritur votuesit që kanë tërhequr një fletë votimi në mungesë dhe që kanë nevojë për një nxitje të fundit që ta nisin votën e tyre me postë.
“Ne bëmë një zgjedhje strategjike shumë herët mbi nevojën për të arritur mbështetësit tanë dhe, mbështetësit e duhur, për t’i nxitur ata të shkojnë në zgjedhje para ditës së zgjedhjeve”, thotë Mitch Stewat, drejtori për betejën në terren të fushatës së Obamës. Ai është përgjegjës për krijimin e grupeve të vullnetarëve mbështetës, të cilët kanë trokitur derë më derë.
Disa vrojtime tregojnë se Obama ka një avantazh dhe pëlqehet nga shumica e votuesve të regjistruar. Mbështetësit e Obamës thonë se hartuesit e sondazheve kanë supozuar gabimisht që votuesit e Presidentit janë më pak entuziastë se sa ato të konkurrentit republikan.
Obama ka mbledhur shumicën e votave të hedhura para kohe në disa shtete kyçe, por republikanët thonë se një rezultat i tillë nuk është bindës dhe domethënës. Obama u ka bërë thirrje votuesve të tij të hedhin votën paraprakisht dhe kjo gjë ka bërë që mbështetësit e tij më të mëdhenj të shkojnë të votojnë.
“Në çdo palë zgjedhje, kur dikush humbet, pretendon se po ndryshon rrënjësisht elektoratin”, komenton Rich Beeson, drejtori politik i Romney-t. Natyrisht në këtë fazë të zgjedhjeve, palët përpiqen të tregojnë trimëri, sepse kështu mund të tërheqin mbështetësit e tyre apo votuesit e pavendosur.





