Sofije Zguri, ecje tërë bukuri…..me gjymtyrët e artit!


“Liria shpesh është e frikshme! Ngaqë e shfaq njeriun në gjendje të shpenguar: ai thotë atë që ndjen dhe bën atë që do”. Ky mendim brilant i shkrimtarit Faruk Myrtaj, më erdhi vetëtimthi në mendje teksa bisedoja me poeteshën e talentuar e qëndistaren duarartë korçare Sofije Zguri. Po të lexosh vëllimet me poezi të poeteshës Zguri do të mahnitesh e mrekullohesh prej gjuhës së veçantë poetike, prej “çelësit sekret” si qëndistare duarartë në kufijtë e koncepteve artistike e filozofike,tradicionales e trashëgimisë kulturore, strukturës poetike individuale e papërsëritshme që çliron fjalët,dashuri, dhimbje, mall, brengë, trishtim e gëzim, ato fitojnë ngjyrimet, zërat e tingujt shkrihen mes artit të përditshëm njerëzor dhe të shkruarit që është liri e jashtëzakonshme dhe s’mund të mos prodhohen vëllime të tilla poetike; “Ku më vanë Hirushet e mija” apo “Edhe loti qesh”. Poetesha korcare Sofije Zguri vjen nga komuniteti i njerëzve me aftësi të kufizuara. Talenti i saj si poete e dhimbjes së bukur- dashurisë dhe stilistes duarartë- e kanë bërë atë, të ecë tërë bukuri ..me gjymtyrët e artit! 



Bisedoi: Raimonda MOISIU

Kam lexuar në shtypin shqiptar disa reçenca tepër speciale dhe profesionale nga njerëz të letrave shqipe për dy librat tuaj “Edhe loti qesh” dhe “Ku më vanë Hirushet e mia”. Përpos urimeve për këto vëllime dëshirojmë të dimë si jeni ndjerë për këto vlerësime rreth penës tuaj poetike?

Është kënaqësi të flasësh për jetën e lidhur me artin. Që kur isha shumë e vogël, tek çdo libër që lexoja shihja me ëndje emrin e autorit dhe më dukej sikur ata ishin njerëz të pa arritshëm, më dukej i pamundur afrimi apo takimi me ta. Dhe erdhi dita që edhe unë e pashë emrin tim mbi librin me poezi dhe sigurisht kënaqësia ish e veçantë, se ato vargje që i mbaja diku në sirtar i kalova tek lexuesi. Një ëndërr e imja u bë realitet. Vlerësimet që merrja më bënin të ndihesha mjaft mirë dhe më inkurajonin të vazhdoja. Dalja e vëllimit të dytë, më bëri të ndihem akoma më mirë, sepse diçka më cilësore kisha sjellë para lexuesit dhe kjo thuhej dashamirësisht nga miq të penës dhe lexues të ndryshëm.

Ç’farë ju shtyu t’i titulloni me këto tituj?

Njeriu asnjëherë nuk e di si mund t’i vijë jeta. Unë mora atë goditje dhe u përballa me atë ndryshim të madh. Me shumë dhimbje, por gjeta forcë ta sfidoj fatin tim. Dhe pse në atë gjendje lumë-lotësh që derdhja, po niste ndryshimi. Ata lot duke shkarkuar dhimbjen, shndërroheshin në lot-force që buzëqeshte. Dhe prandaj e titullova librin e parë “Edhe loti qesh”. Vërtet është dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë. Kur isha plot ëndrra për jetën, në kohën më të bukur të kalimit nga adoleshenca në moshën e pjekurisë, m’u përmbys gjithçka. Dhe në një nga mbrëmjet e bukura medituese, kaloja nëpër mënd përpjekjet e mëdha për korrigjimin e gabimit mjekësor, që solli gjendjen në të cilën ndodhesha…I përfytyrova këmbët e mia si “dy Hirushe” që kishin humbur lëvizjet e tyre dhe kërkoja t’i gjeja, por ato nuk u kthyen më kurrë…Dhe ato çaste meditimi sollën poezinë “Ku më vanë Hirushet e mia” që ka për titull vëllimi i dytë.

Cilat kanë qenë përfytyrimet më të hershme se një ditë do të bëheshe një poete. Kush ka qenë dashuria juaj e parë për ç’ka theksova më lart?

Çdo fëmijë në lodrat e tij vërtitet rreth diçkaje që i pëlqen më tepër dhe rreth asaj preference zhvillon edhe lodrat e tij. Edhe unë kur isha e vogël parapëlqeja të lexoja apo recitoja gjithë ditën nëpër shtëpi. Bëhesha mësuese dhe fëmijëve te tjerë që luanim bashkë, u mësoja ato që kisha lexuar vetë. Në atë kohë as që e mendoja se çdo bëhesha kur të rritesha.

Kush ka ndikuar në mënyrë të veçantë që ju ka frymëzuar apo inkurajuar për të shkruar vargje poetike?

Në shkollën 8-vjeçare, ka qenë mësuesi i letërsisë Niko Mustaka që më përgëzonte për hartimet dhe poezitë që shkruaja. Duke pasur dhe shkrimin e mirë, fletoret e mia i paraqiste para nxënësve duke i lexuar ato. Atëherë në këndin letrar të klasës, vendoseshin krijimet e mia. Pikërisht mësuesi i letërsisë ka qenë nxitësi kryesor që unë të shkruaj. Në një konkurs që u zhvillua atëherë ndërmjet shkollave 8-vjeçare të rrethit, unë u vlerësova për poezinë me të cilën merrja pjesë. Edhe nëpër revista fëmijësh të asaj kohe u botuan disa nga poezitë mia, por më pas nuk m’i pranonin për botim, sepse dihet, ai sistem t’i mbyllte të gjitha dyert nëse kishe biografinë politike të cenuar, e jo më pastaj unë, që kisha gjyshin (nga nëna) të arratisur.

Ju përveç poezisë jeni edhe stiliste qëndistare duar artë, traditë kjo e njohur për vashat korçare. Ju keni filluar të qëndisni, apo të bëni punime me shtiza e grep që në moshë relativisht të re, por me kalimin e viteve ju jeni pjekur artistikisht që në start. Përveç talentit që është meritë e juaja kujt ia dedikoni këtë talent?

Korça shquhet si qytet me tradita, për vashat nikoqire dhe duar arta. Nënat tona megjithëse në ato kushte të vështira, mundoheshin të nxirrnin nga duart e tyre punime të mrekullueshme. Edhe unë që kur isha fare vogël, kisha dëshirë të mësoja prej nënës time, që ka qenë shumë e zonja dhe e shkathët në punët e dorës. Më pas në shkollën 8-vjeçare, mësuesja e ekonomisë-shtëpiake Eleni Lubonja, duke parë sa lehtësisht mësoja çdo gjë që na shpjegonte, më kushtonte edhe kohë të veçantë për të më mësuar edhe punime jashtë programit mësimor. Atë kohë në ekspozitën e qytetit ish vendosur edhe një mbulesë tavoline punuar nga unë dhe me emrin tim mbi të.

Sa ju ndihmon angazhimi juaj krijues në kultivimin e pasionit tuaj për poezinë dhe qëndistarinë? Raportet tuaja njerëzore me to.

Sa më shumë të punosh si me poezinë dhe me çdo pasion tjetër, aq më cilësor bëhesh dhe rezultatet e mira janë të sigurta. Pasioni për poezinë dhe qëndistarinë tek unë, janë lidhur ngushtë me njëra tjetrën dhe të dyja bëjnë pjesë tek arti. Nuk mund t’i ndaj nga njëra-tjetra brenda meje, pavarësisht se pasionin e qëndistarisë tani për tani e kam vendosur pak në qetësi dhe përsëri mund të shpërthejë me energji të reja. S’ka më bukur kur dikush vesh apo shtron diçka nga duart e tua dhe kënaqet. Sigurisht edhe ti merr kënaqësi të madhe nga përgëzimet apo falenderimet e tyre. Po kështu edhe me poezinë. Kur dikush emocionohet me leximin e poezisë tënde edhe ti merr kënaqësi të dyfishtë, se ke arritur të hysh në shpirtin e tij.

Ju rridhni nga një familje vllehe. Cili është “çelësi sekret” i lidhjes tuaj me rrënjët e origjinës dhe a ka ndikuar kjo në formimin tuaj si stiliste duar artë e poete?

Po! Rrjedh nga familje vllehësh si nga nëna dhe nga babai. Familjet tona kanë trashëguar traditat dhe i kanë sjellë dhe në ditët tona duke i përshtatur me kohën. Kemi ruajtur me fanatizëm gjuhën vllahe, që e flasim nëpër familje dhe në çdo ambient të komunitetit tonë. Edhe fëmijëve këtë gjuhë u mësojmë të parën. Ruajmë me fanatizëm edhe lidhjen midis nesh. Pavarësisht traditës për punët e dorës, nuk është e thënë se e ushtrojnë të gjitha këtë profesion, e jo më pastaj pasioni i poezisë që duhet të jetë i lindur brenda shpirtit. Unë kam shkruar poezi edhe në gjuhën vllahe dhe disa prej tyre janë botuar në një antologji të komunitetit vllah në Shkup të Maqedonisë, nga autorja Vanga Sterjova.

Zhanrin e poezisë e bëtë ju të vinte te ju, apo është preferencë e juaj? Cilat janë elementët kryesore të tij? Dhe a ka lidhje qëndistaria me poezinë?

Siç e thashë më lart, poezia tek unë erdhi bashkë me mua, por edhe puna apo përkushtimi për të, më bëri që krijimet të jenë sa më cilësore dhe të pëlqehen. Poezia dhe stilimi janë art. Tek poezia luhet me fjalën për ta sjellë sa më të gjallë dhe bukur, kurse tek stilimi luhet me kombinimin e ngjyrave në përshtatje me copat e ndryshme, apo në veshjet e shumëllojshme. Poezia dhe stilimi janë brenda meje. Shkarkimi emocional qoftë në poezi, apo në stilim, më krijojnë raporte shumë të mira me njerëzit.
Kush ka qenë frymëzimi për ju si stiliste? Mund të na thoni rreth Ju ndjek vazhdimisht në krijimet tuaja, duke qenë kështu një lexuese e rregullt, mendoj se poezia juaj nuk është fantazi, por në to është bota e brendshme njerëzore. Cila është poezia juaj e parë?

Poezia është pasioni që mbretëron brenda meje tani. Dhe është poezia ajo që më jep mundësinë e shkarkimit emocional të botës së brendshme, por kjo nuk do të thotë se është gjithmonë përjetim vetjak, por edhe fantazi, apo imagjinatë. Poezia ime e parë nuk më kujtohet se ishin krijime fëminore që liheshin aty këtu, por poezia që më ka ngelur në mëndje ia kam kushtuar nënës dhe titullohej “Duar arta ime”.

Kush apo çfarë ka qenë ndikimi juaj më i madh si qëndistare apo poete? Cilat janë për ju në lëvizjen e njerëzve me aftësi të kufizuar si poete dhe stiliste?

Ndikimi më i madh për t’u bërë poete apo qëndistare kanë qenë kushtet me të cilat u përballa, të aftësisë fizike të kufizuar. Jetën duhet ta pranosh si të vjen dhe të marrësh prej saj sipas mundësive që të ofron qoftë dhe grimca lumturie, duke prekur fundin nga ku je rrëzuar dhe të ngrihesh lart. Por meqë mundësitë e tjera mungonin, u kapa pas letrave dhe stilimit. Kam lexuar shumë, sidomos nga autorë të huaj. Librin e kam pasur mikun më të mirë për të mposhtur fatkeqësinë time. Libri asnjëherë nuk të le vetëm, por të bën të fantazosh në shoqërinë e personazheve të tij. Shoqëria e librave dhe e poezisë do më ndjekë gjithë jetën dhe ndihem aq komode mes tyre. Dhe është poezia ajo që më integroi dhe më njohu me shumë njerëz të penës, që e kisha ëndërr. Sa magji kanë ato ”Netët korçare të poezisë” ku unë marr pjesë çdo vit në Qershor. Mbresa dhe emocione të pa shlyera, kujtime të pa harruara për mua, janë takimet me poetë e shkrimtarë nga Shqipëria, diaspora, Greqia, Maqedonia, Bullgaria, Turqia, Rumania dhe jehona e këtyre takimeve nuk zgjat vetëm ato ditë që jemi atje, por ne flasim mes nesh nëpërmjet librave që dhurojmë reciprokisht dhe nëpërmjet komunikimit elektronik.
Keni qenë e suksesshme vitet e fundit me promovimin e librave me poezi, jeni vlerësuar dhe me çmime respektivë e të admirueshëm, duke gëzuar kështu edhe admirimin e audiencës. A jini habitur kur ju kanë vlerësuar? Si ju bën të ndiheni kjo gjë si intelektuale?

Unë shkruaja për pasion. Më pëlqente të hidhja në letër një emocion, një dukuri dhe ndihesha mjaft mirë me këtë shkarkim të brendshëm. Asnjëherë nuk e mendoja se do bëhesha poete. Pak nga pak poezia ime nguli këmbët në tokë, u rrit në cilësi. Sigurisht u befasova kur mora vlerësimin e parë, se nuk e dija që kisha mbërritur deri në këtë stad, për rrjedhojë fillova të ndiej më tepër përgjegjësi për ngritjen cilësore të krijimeve të mia.

Kur ktheni kokën pas ndër vite, si e shikoni krijimtarinë tuaj gjatë viteve? Cilat janë drejtimet dhe objektivat interesante për të ardhmen?

Rrugën e poezisë e nisa thjesht për kënaqësi duke e ndarë me shoqet e mia. Nuk mund ta mendoja se një ditë do përballesha me elitën e lexuesit të poezisë, do prekja botën e artit. Kur kthej kokën pas, shoh poezinë time të brishtë e të dhimbshme, por pak nga pak ajo u rrit në cilësi, vuri këmbët në tokë, u bë më e fortë, më dimensionale. Tani poezia ime më duket si një vashë me fustan të bardhë. Plane për të ardhmen nuk mund të bëj, por flas për tani, po merrem me poezitë që do kalojnë për botimin e vëllimit tjetër. Unë jam me poezinë dhe ajo me mua deri në fund.

Ç’farë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve që janë duke lexuar këtë intervistë?

Ritmi i jetës është shumë intensiv. Njerëzit ankohen për mungesën e kohës. Vrapojnë drejt impenjimeve të përditshme, por dhe nuk mungojnë kurrë nëpër mitingje politike. Nëse bëhet fjalë për ndonjë libër rrallë hapet kopertina e tij. Tani ka lloj-lloj mënyrash për marrjen e informacionit, por libri është magji më vete, i pazëvendësueshëm, sepse të ve në punë imagjinatën dhe të rrit fantazinë. Është ndryshe ta shohësh një personazh nëpërmjet ekranit dhe krejt ndryshe ndjesia që të sjell libri. Atje personazhet lindin, rriten dhe jetojnë sipas atij imazhi që krijon ti. Prandaj duhet të tregohet sa më shumë interes për librin dhe sa më shumë dashuri për poezinë.