Sivjet në panairin e librit në Franfurt Shtëpia Botuese “Rugova Art”

Sivjet në panairin e librit në Franfurt Shtëpia Botuese “Rugova Art” prezentohet me këta autorë:

1.Dashnim Hebibi
2.Flori Bruqi 

3.Musa Jupolli
4.Naim Kelmendi








Në panirin e sivjetëm të librit në Franfurt të Gjermanisë,në kuadër të botuesve nga Kosova,edhe Shtëpia Botuese do të prezentohet me disa autorë dhe botimet më të reja. Nga autorët që do prezentohen janë poeti dhe gazetari Dashnim Hebibi me librin e tij “Intervista në tranzicion”, pastaj shkrimtari dhe publicisti Flori Bruqi, me librin e tij “Nëse kam ditur të guxoj”, poashtu edhe Musa Jupolli me librin e tij “Poemë n’udhëtim”, poeti dhe shkrimtari Naim Kelmendi me librin “Është vetëm kujtesë” si dhe librin më të ri”Antologjia e dhembjes poetike”.



-------------------


 Dashnim Hebibi “Intervista në tranzicion 2”, shtëpia 

botuese “Rugova Art”, Prishtinë, 2012


Libri i Dashnim Hebibit “Intervista në tranzicion -2” përmban në vete një sërë intervistash, të cilat gazetari ynë i mirënjohur i ka realizuar kohë më parë me një sërë personalitetesh të politikës, artit, muzikës, sportit, e të veprimtarive kombëtare etj e shumë e shumë të tjerë personalitete të shquara nga të gjitha sferat e jetës, por që këtu përbëjnë si të thuash edhe atë gjeografinë etnike shqiptare, ngase Hebibi ka intervistuar njëlloj nga të gjitha trevat e gjeografisë sonë kombëtare, personalitete nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia, nga Presheva, por edhe nga diaspora shqiptare në Evropë e Amerikën e largët, pra veprimtarë e personalitete të shquara e të dalluara. Kjo është më një fjalë ajo përbërja e librit të Dashnim Hebibit “Intervista në tranzicion-2”.
Ajo që e shquan këtë libër intervistash është vizioni i gazetarit Hebibi për të përmbledhur kështu në libër gjithë këtë gamë intervistash, por duke i përafruar në dy tre libra, 

Ashtu siç shprehet recensenti i librit, z. Llukman Halili: ”Dashnim Hebibi si askush deri tash me penën e tij brilante dëshmoi për historinë që askush tjetër s’guxonte ta rrëfejë. Duke e ndjekur parimin e teorisë së gazetarisë moderne se:”E vërteta është dhunë, realiteti luftë dhe lajmet janë konflikti”. Dashnim Hebibi kultivon me mjeshtri të madhe në të gjitha mediat, si në TV, në gazetë dhe në “online” gazetari, disciplinën më të vështirë të gazetarisë-intervistën, duke punuar gjatë tërë karrierës së tij, në përsosjen e saj dhe duke arritur deri tek ajo, që mund ta definojmë si mjeshtër i madh i Intervistës, i cili kurrë dhe asnjëherë nuk ia akceptoi me të drejtë përgjigjen “JO’, të intervistuarit. 

Dashnim Hebibi ka zhvilluar një teknikë intervistimi, që do ia kishin zili edhe shkollat më të njohura të gazetarisë duke kultivuar në këtë drejtim, posaqërisht të ashtuquajturën “Intervistën Prominente”, por edhe “Intervistën investigative“ –(hulumtuese).I njohur si njëri ndër njohësit, dhe të themi kushtimisht ekspert i gazetarisë së diasporës shqiptare, karrierën e nisi që gjatë studimeve të gazetarisë në Tiranë (ku diplomoi Fakultetin e Gazetarisë), duke bashkëpunuar në kohërat e vështira me gazetat e ndryshme të Shqipërisë, por edhe me Rilindjen që dilte në Tiranë. 

Do theksuar se të gjitha intervistat e këtij libri, më parë janë realizuar për gazetat dhe agjensitë në të cilat ka shkruar Hebibi, dhe në këtë libër si tërësi, mbase zgjojnë interes të veçantë për secilin lexues shqiptar, jo vetëm si lloj shkrimi, por ngase secila nga intervistat shpërfaq mjaft tematika që shtrohen për çështjen shqiptare, çështje të sukseseve të arritura të akëcilit personalitet fushash të ndryshme, por dhe mjaft çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me çështjen shqiptare si në Kosovë, të shqiptarëve etnikë në Maqedoni, pastaj në Kosovën Lindore, atë në diasporën shqiptare etj. Kjo, zaten edhe është ajo rëndësia e këtyre intervistave kur lexohen e shijohen brenda kopertinave të një libri. 

Ajo që e dallon Dashnim Hebibin është intenca e tij si gazetar për të shtjelluar tematika të ndryshme përmes pyetjeve me të intervistuarin, duke mos e dështuar qëllimin deri në fund për të nxjerrë esencialen e asaj që do Dashnimi,për t’ua transmetuar këtë më pastaj lexuesit të tij, dhe këtë ia arrin në secilën intervistë e me akëcilin të intervistuar. Dhe, kështu për lexuesin shqiptar intervistat në këtë libër shpalojnë një gamë të tërë çështjesh qoftë të natyrës kombëtare, kulturore, sportive, të secilit prej të intervistuarve, pra shumë aspekte edhe të atyre më të cilat lexuesi as që i ka njohur më parë. 

Do ta përmbyllja këtë shkrim sërish me konstatimin e recensentit të librit Llukman Halilit: Autori, përmes intervistës, zhytet thellë në qenien e të intervistuarve, ai bëhet fati i tyre. Autori, i vetëdijshëm që lexuesi edhe në këtë kohë të revolucionit dixhital, informatën dhe rrëfimin e kërkon dhe e lexon nga ata të cilëve më së shumti u beson d.m.th. gazetarëve, misionin e vet e ngritë në piedestalin më të lartë të besueshmërisë. Zhvillimi teknologjik, ndoshta, mundëson që shumëkush të provohet në "Mission of a Journalist", çka profesionin prej gazetari e bën shumë më transparent, por kjo është vetëm provë dhe më pastaj bindje që gazetari posaçërisht i specializuar në intervistë është i vetmi që mund t`ia dalë në misionin e tij, dhe Dashnim Hebibi edhe me këtë libër ia del, duke dëshmuar profesionalizëm të lartë dhe duke i dhënë një kontribut të madh gazetarisë dhe publicistikës shqiptare në diasporë dhe hapësirat shqiptare në përgjithësi. 




---------------------------------------------

FLORI BRUQI : NËSE KAM DITUR TË GUXOJ…


Flori Bruqi lindi më 29 qershor 1952 në Isniq të Deçanit ,Republika e Kosovës. Studioi Mjekësinë dhe Diplomoi në Fakultetin e Defektologjisë . Studimet pasuniversitare I kreu në Universitetin e Prishtinës ku fitoi gradën shkencore magjistër i  shkencave  fiziologjike /2005/.Së shpejti pritet të doktoroi në lëmin e  fiziologjike kineziologjike.
 Bashkëpunoi më shtypin e përditshëm e periodik të vendit dhe të jashtëm që nga viti 1974 e deri me tash (“Bota e re” – Prishtinë, ”Rilindja” – Prishtinë, “Danas” – Zagreb, ”Dello” – Lubjanë, ”Dnevnik” – Lubjanë, “Vecer” – Maribor, ”Le Mond”, ”Corriera della Sera” etj).
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2000).
Ka shkruar mbi 31 libra,prej tyre shkencore janë dhjetë si dhe një numër të madh  punimesh shkencore nga lëmia e mjekësisë dhe defektologjisë  /21 punime në revista të ndryshme shkencore /në përiudhën 1974-2011., si dhe mija punime në shumë web faqe interneti (2003-2011).
Është  drejtor  ekzekutiv i kompanisë “Flomed “nga Prishtina prej vitit 1987 e deri me tash.  
Kompania “Flomed” që nga themelimi  ka bërë  plasimin në treg të barërave  dhe mjeteve sanitare.Është distribues gjeneral i dy kompanive 
ndërkombëtare për Kosovë dhe Shqipëri/Borer chemie AG nga Zvicra dhe Schülke-Mayr GmbH nga Gjermania/.


VEPËR VËSHTRIMESH KRITIKE DHE  SHUMËSHTRESIMESH LETRARE

Libri më i ri publicistik i shkrimtarit, tashmë të mirënjohur, Flori Bruqit, na vjen si një sihariç i mirë letrar. Libri me titull shumë sinjifikativ “Nëse kam ditur të guxoj”, përmbanë një lëndë të pasur në shumë aspekte letrare. Meqë kapitulli i parë përmbanë  një cikël poezish të autorit, kapitulli i dytë hap një faqe interesante me shkrimet kritike nga autorë të ndryshëhm e të mirënjohur shqiptarë, pra vlerësime kritike e vështrime për disa nga veprat letrare të Bruqit, por të publikuara më parë në shtypin shqiptar të kohës. Autori Bruqi i ka sistemuar këto shkrime, që përbëjnë një sërë vlerësimesh të çmueshme letrare për krijimtarinë e tij letrare,poetike e publicistike por edhe për ato botime të fushës profesionale të Flori Bruqit, nga emra tashmë të ndjerë, por mjaft të shquar, si Mehmet Kajtazi, Rifat Kukaj, Zejnullah Halili, Iljaz Prokshi e ndonjë tjetër. Por, edhe nga emra po aq të mirënjour të letërsisë sonë, të gjallë, janë përmbledhur këtu mjaft vështrime që cilësojnë e vlerësojnë veprën e Flori Bruqit, sikur janë: Fatmir Terziu, Bedri Halimi, Lumturie Haxhiaj, Shyqri Galica, Namik Shehu, Izet Çuli, Zeg Pergega, Kristaq Shabani, Naim Kelmendi, Rajmonda Maleçka, Eshref Ymeri, Rushit Ramabaja, Abdullah Konushevci, Rrustem Geci, Nehat S.Hoxha, Ajshe Qorraj, Arlinda Meksi, Shpend Ruci, Arian Blushi, Nikollë Frangaj, Faik Xhani e ndonjë tjetër. Do theksuar se në të gjitha kritikat dhe vështrimet kritike mbi veprat letrare të Bruqit, qofshin ato vështrime të mëdha apo të vogla, ndonjëherë si njoftime mbi librat e publikuar nëpër kohë të Bruqit, qoftë si vështrime më të gjata, cilësohet e vlerësohet krijimtari letrare e Flori Bruqit, dhënë lëtërsisë sonë më të re, duke bërë kështu emër në letërsinë moderne.

Ja si do të shprehej atëbotë shkrimtari i mirënjohur yni, Mehmet Kajtazi, në një vështrim të tijin për poezinë e Floriut: “Temat që ngërthehen në këto vargje nuk burojnë nga inspirimet që i marrin disa poetë nga librat që i lexojnë, por Flori Bruqi inspirimet i merr nga jeta. Ato nuk mbesin vetëm inspirime, por dalin nga kornizat e një gjirme të thellë dhe si valëzat e detit të shqetësuara afrohen drejt brigjeve, por edhe kthehen në suprinën e largët të detit me emrin nënë, me emrin martizim, me emrin LIRI”.Apo në një rast tjetër njëri nga shkrimtarët tanë të shquar Zejnullah Hallili: “Flori Bruqi po hyn nëpër një shteg të ndritshëm në poezinë shqipe. Figura e tij në fillim të kësaj poeme na sjell shqetësime të shumta që lidhen me Tokën, me Nënën, me Gjakun, me Vallen e Shkrepave, me Baladën e Yjve, me Lotin që ka Ogur, me Zërin me Frushullimën e Krahëve, me Akuarelin e Diellit, me Lumin e Bardhë. Secili varg vendoset në patosin e Kësaj Luleje. Secila poezi ka gjethin  e Vet, Dritën, shqetësimin dhe besimin, andejza, matanë errësirës pra ai këto frymëzime i zë nga jeta, sepse e nxit Bardhësia e katër vargjeve, figura e saj, shpirti shqetësues, Fjala”.
Në kapitullin e tretë mbarështrohet një lëndë po aq e pasur dhe e thekur letrare e autorit mbi veprat dhe mbi jetën e shumë autorëve botërorë e shqiptarë,sipas këndvështrimit dhe shijes dhe dioptrisë krijuese të studiuesit Bruqi. Flori Bruqi këtu spikat me vështrimet e tij të thukta dhe përmbajtësore, me një metodologji klasike të vështrimit: ai shkruan mbi veprën e autorit, jep mjaft shënime biografike dhe shtjellon motivet e veprës së tyre, por edhe klasifikon ndonjë nga poezitë apo prozën apo shkrimin e akëcilit që merr në theks të vështrimit.
Në të gjitha këto vështrime kritike vërehët përkushtimi dhe niveli studimor i autorit me një bagazh të mirë studimor mbi veprat dhe autorët. Poashtu autori, në secilin vështrim jep edhe të dhëna të shumta mbi veprat e autorëve, që përmbëjnë opusin krijues të tyre, si informacion të plotë për lexuesin. Janë një sërë artikujsh kritik e publicistik edhe për figurat e jetës sonë letrae por edhe politike e publicistike sikur artikulli për Dr.Ibrahim Rugovën, ku Bruqi qëmton me këndvështrimet e tija, duke na sjellë përshkrime dhe vlerësime për figurën madhore e komplekse të presidentit historik Ibrahim Rugova, por edhe për veprën e tij letrare dhe kritike që është mjaft e bujshme. Gjithashtu me interes janë edhe mjaft shkrime të kësaj natyre, siç janë p.sh shkrimet për Nënë Terezën-nderin e kombit shqiptar, pastaj vështrimet kritike për figurat letrare si për Eqrem Çabejn, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Azem Shkrelin, Ismail Kadarenë, Prend Buzhala, Naim Kelmendi, Bardh Frangu,dhe poetë të gjeneratës më të re të postmodernes, sikur Irena Gjoni, Lediana Kapaj, Alma Papamihali,Thani Naqo, Jorgo Sofokli Telo, Valdete Berisha e ndonjë tjetër.
Ato që përbëjnë gamën e gjerë të vështrimeve dhe temave sintetizuese, por edhe tematike, janë disa nga shkrimet që zënë vend në këtë vepër, si “Shkrimtari idealist shqiptar gjatë shekullit XX”, “Kritita tani ngjanë në një digë të shpartalluar, që i varen lllamarinat nga erërat e fitimit”,”Spastrimi etnik në Kosovë”,”Shqiptarët në shtypin arab”, ”Historik i shkurtër i gjuhës shqipe” etj.Me një fjalë, vepra letrare e Flori Bruqit: “Nëse kam ditur të guxoj” përmbën një aureolë pikëvështrimesh të qëmtuara lëtrare mbi veprat e shumë autorëve të shquar vendas e ndërkombëtar, por edhe ato mbi veprën autoriale të këtij shkrimtari tashmë të njohur në letrat tona.me kontributin e shumë veprave cilësore letrare, poetike e publicistike që zënë vend të merituar në “Panteonin” e letërsisë shqiptare.


------------------------------------------------

“Poemë n’udhëtim”




Shkrimtari dhe poeti Musa Jupolli, i cili jeton dhe vepron në Francë, këto ditë botoi librin e tij më të ri poetik “Poemë n’udhëtim”. Këtë libër, i cili ndahet në katër cikle:”Për ty atdhe”,”Poemë n’udhëtim”,”Për fatin tonë” dhe ”Estetika e atdheut tim”, e shquajnë mjaft motive krijuese e poezi tematike, që përbëjnë tërësinë e kësaj vepre më të re të autorit Jupolli. Poeti këtu ndërton një botë të tijën të veçantë poetike me ligjërimin e tij sa të formësuar poetikisht sa të nivelizuar ligjërimisht, por edhe të pasur semantikisht. Janë nga më të ndryshmet tematikat e kësaj poezie, si ato të mërgimit, të atdhedashurisë, tematika historike, e që e shquajnë kështu këtë gamë poezish të librit “Poemë n’udhëtim” si për nga thellësia e mendimit dhe botës ndjenjore të saj, si për nga gjerësia e preokupimeve krijuese të poetit Jupolli etj. Poeti Musa Jupolli ka shkruar e botuar edhe vepra tjera pararendëse, sikur janë: “Le gardien de chevauz”, “Sytë e tu kanë ngjyrën e të gjithave luleve”, pastaj librin publicistik “Ditar”, romanin “99”, “Kosovë p(r)ozë e gjatë”.
Librin e autorit Musa Jupolli “Poemë n’udhëtim” e botoi Shtëpia Botuese “Rugova Art” në Prishtinë,2012.


--------------------------


Naim Kelmendi: “Antologjia e dhembjes poetike”, 101 
përkushtime  poetike Ali Podrimjes, botoi ‘Rugova art” – 
Prishtinë, 2012

 


1. REQUIEM POETIK
          Kumti për humbjen e një figure të dëshmuar në letrat shqipe erdhi si bombë në ditën për diell dhe shembi për tokë dëshirat e adhuruesve dhe miqëve të panumërt që poeti të rroj sa malet, siç kemi bërë traditë të urojmë njerëzit kur shënojnë përvjetorët e lindjes. Nuk kishte edhe shumë kohë kur do të vërshonte lumi i urimeve për ditëlindjen e shtatëdhjetë të poetit, por sikur ai u ngut të ikën para kësaj vale të lumit të urimeve për ta takuar Lumin e tij të mallit të pashuar për tri dekada. E çuditshme, por e vërtetë, kjo që e them këtu, kur kujtoj se pak ditë para ikjes së tij përgjithmonë, sikur një parandjenjë ia trasonte rrugëtimin e gjatë e të pakthyeshëm. Ai për ditë të tëra ishte sa në Durrës, sa në Tiranë, në Sarandë apo në Kukës, kthente në Prishtinë dhe menjëherë në një rrugëtim të ri. Rrugëtim malli, thotë fjala  e urtë për raste të këtilla, dhe vërtetë ashtu edhe doli. Ai sikur po shpërndante mesazhin e tij gjithandej trojeve shqiptare për të vazhduar pastaj në Europë, ku la mesazhin e madh se fjala dhe vepra e tij nuk mund të mbyllet veç në atdheun e tij, ajo ka fuqinë  e shtrirjes gjithandej nëpër botë për të dëshmuar katërcipërisht se dikund në një vend të Ballkanit frymon fuqishëm një popull i lashtë dhe liridashës.
        Këtë mesazh poeti e shpërndau që nga fillet e shkrimeve të para të poezisë duke i kënduar atdheut, njerëzve dhe lirisë, që aq shumë  i deshi.  Në frymën e kësaj ecejakeje kaq të vrullshme kohëve të fundit, deri në frymën e fundit kur shembi gjithçka për të lënë veç kujtimet dhe vargun e tij shpirtëror që mbetet vulë  e pashlyer e kohës, me mesazhin e fuqishëm ndër breza u krijua një numër kaq i madh poezish në përkujtim të emrit dhe veprës së tij që firmosën këtë requiem poetik plot mall e dashuri për poetin.
       Gjithë këto shkrime përkushtuese në vargje vijnë për lexuesin në përkujdesjen e shkrimtarit dhe publicistit Naim Kelmendi me titull shumë simbolik “Antologjia e dhembjes poetike”, që mbetet vulë e dëshmive të një kujtimi të pashlyer në shpritin dhe mendjet e krijuesve dhe adhuruesve të Ali Podrimjes.
2. FUQIA NJËQINDENJË E VARGUT TË DHIMBJES

        Kjo Antologji vjen si forcë shtytëse nga një çast i papritur dhe i dhimbshëm, me pretendimin e një paraqitje sa më gjithëpërfshirëse të ndjenjës së prekjes së madhe të të gjithë njerëzve anekënd botës shqiptare, që mbetën për një moment të shtangur nga kjo rrufe që kaloj anë e tej tek çdo adhurues e njohës i  mirë i fjalës poetike. Një det i pafund krijuesish e adhuruesish të poetit nuk ngurruan të shprehin dhembjen dhe dashurinë e tyre për të. Këto shkrime mbetën dëshmi kohe se vërtetë poezia paska kryer misionin e saj, për aq sa ka arritur të përvetësoj lexuesin e vet deri në mbetjen në kujtesë përgjithmonë. Arsyeja pse u hartua kjo antologji është fare e thjeshtë kur kemi parasysh gjithë këtë vrull krijimesh e përkujtimesh për këtë emër të përveçëm të letrave shqipe. Rëndësia e kësaj fuqizohet në simbolikën e koduar me shifrën njëqindenjë, që shpreh shtrirjen e pakufishme të prekjes së temës së dhimbshme, por edhe  krenare dhe mesazhin e pakontestueshëm të kultivuar prej fillimeve të daljes në opinion të shkrimeve të tij.
        Takojmë këtu vargun e latuar me fuqinë e dhimbjes dhe dashurisë nga autorë të njohur gjithandej kah frymohet shqip, që nga poezia e parë me autore Alma Papamihalin, që vjen nga bota mërgimtare, deri në të fundit, që poashtu vjen nga Shqipëria, që konsiderohet një rrumbullaksim global shqiptar si shprehje figurative e përfshirjes së autorëve të ndryshëm, kush më pak e kush më i njohur, por që në këtë rast seicili syresh ngre kalanë e tij të qëndrueshme për të fortifikuar përgjithmonë dashurinë dhe respektin ndaj poetit. Kjo baraspeshë e shprehur në fuqinë individuale sjell një monument poetik, që synon ngritjen e vlerave në kuotën e nderit për Ali Podrimjen, vepra e të cilit për dekada ishte udhërrëfyese e dritës dhe lirisë dhe ashtu synon të mbetet edhe më tutje, duke iu bashkuar emra e figura të shumta të artit e kulturës, që ndërtuan lapidarin poetik që po shqyrtojmë këtu.
       

3. KOMUNIKIMI  I NDËRSJELLË PËRMES POEZISË  

        Ky ritual poetik bën që të vlerësohet pozitivisht veprimi i krijuesve të shumtë, që nuk ngurruan të jenë bashkëpjesëmarrës të dhembjes dhe shprehjes së ndjenjave të  tyre në forma të ndryshme, me fjalën poetike, me kujtimet, me dhimbjen dhe heshtjen si një element që flet mjaft për faktin se, kur pllakos dhimbja, për një çast humbin fjalët për t’u kthyer pastaj në kujtim të përjetshëm.Këtu takojmë vargje që shprehin vajin, por në asnjë mënyrë si zhgënjim, veç në frymën e shqetësimit dhe me konotacion dhimbjen krenare të ngulitur në kujtesë. Poeti vlonjat Myrteza Mara do të shprehej në poezinë e tij “Kur ikin poetët”, me pak fjalë, ku inkurajon lexuesin që dhimbjen e këtillë ta kthej në  krenari për figurën dhe veprimtarinë e poetit deri në përjetësi: “Mos qani/ për poetët,/  kur marrin udhën e Parajsës,/ mbi shtratin e ndezur/ të ëndrrave rrebele!/ Mjaftojnë/ lotët e tyre të dashurisë,/ mbi buzët e plagëve të botës…/ Lavdisë dhe këngës/ nuk i shkojnë lotët!”  E sollëm këtu këtë poezi për t’ia kujtuar lexuesit se poetët dhe fjala e tyre nuk vdesin e as nuk durojnë lot. Kujtoj se ky është mesazh i qëndrueshëm, pavarësisht humbjeve fizike të emrave të veçuar të letrave shqipe. Krenaria e poetit duhet të kthehet në përjetësi dhe të përcillet në breza si udhërrëfyes i ecjes me “drejtpeshim”, siç porosit edhe Ali Podrimja me vargun e tij.
         Ali Podrimja tërë jetën ia kushtoi poezisë. Ai jetoi për poezinë dhe në këtë mision edhe mbyli sytë për të mos frymuar më fizikisht, por fryma e tij poetike vazhdoi rrugëtimin nëpër botë, për t’i dhënë jehonë kësaj humbje të kulturës së nivelit ndërkombëtar me petkun e bukurisë shqiptare. Në shenjë komunikimi me poetin shpërthyen vargje e këngë nga shumë pena të njohura e më pak të njohura, pët t’iu përgjigjur poetit me poezi në komunikim të ndërsjell. Si duket poeti për të gjallë kishte komunikuar më së miri përmes poezisë dhe kjo situatë u krijua spontanisht edhe në çastet e dhimbshme dhe lamtumirëse. Poetët në çdo kohë dhe në çdo çast komunikojnë vetëm përmes poezisë dhe padyshim ata frymojnë vetëm poetikisht.
         Simbolika e këtij ndëkomunikimi përmes vargut poetik e bën të veçohet edhe kjo Antologji, ku gjithçka vjen përmes vargut dhe komunikon me receptuesin e vargjeve të fuqizuara me ndjenjën e besimit se vdekja nuk e ka rrugën andej kah frymojnë poetët. Atje fuqishëm sundon përjetësia. Këtë e shpreh bindshëm edhe vargu i Alma Papamihalit:
                                               “Poetët! Ah, me ata, kam gënjyer veten,
                                                sa herë ju jam afruar, më treguan vargjet,
                                               “Me to rilindim së dyti”, dhe në sy më panë”.
                                                                                                            (“Vdekja dhe poeti”).
         Përfundimisht mund të konkludohet se profilizimi poetik i figurës së Ali Podrimjes ka fituar një pamje të portretit meritor në letrat shqipe. Kjo Antologji vjen si një sprovë poetësh e krijuesish për ta skalitur edhe më këtë portret, me vija të mallit e dashurisë, me dhimbjen dhe krenarinë që përshkohet përgjatë gjithë planetit krijues të njëqindenjë pene, që simbolizojnë pafundësinë e dashurisë dhe kujtimit. Do të shkruhet e kujtohet edhe më për poetin, por fillimi është çështja. Nga këtu hetohet se cili është respekti ndaj tij dhe këtë herë është treguar shumë premtuese mbajtja në kujtesë për kohë të pakufishme e veprës së tij.
        Nuk ka asnjë arsye të citojmë emra e vargje të njëpasnjëshme të autorëve këtu, sepse ajo është pjesa më e këndshme që i takon çdo lexuesi, por ndonjë veçim vargu a poezie do ta bënte më informues edhe receptuesin e rëndomtë për materjen që do ta takoj gjatë kënaqësisë së leximit. Kështu, poetë e artistë bashkë, thurën një “merimangë kujtimi”, nëpër ngatërresat e të cilës mund të përbirohet vetëm me dashurinë dhe resektin për poetin dhe poezinë.

                                               “Ti nuk vdiqe
                                               Vetëm kalove
                                               Andej kah s’kthehesh
                                               Por sytë të mbetën hapur
                                               Sikur deshte t’thuash:
                                               Të paktën vargjet m’i lexoni
                                               Vargjet…”
                                                                                              (Çun Lajçi: “Pika e fundit”)
         Dhe fundi i leximit të kësaj Antologjie dëshmon pikënisjen e përhershme të kujtesës, ruajtjes dhe adhurimit të fjalës e mesazhit që sjell poezia. Kësaj i bashkohet edhe vlera dhe malli që preken nga këta emra krijuesish, ku në mënyrën e vet shpalosin dashurinë dhe respektin për mikun e krijuesin, me të cilin rrugëtuan gjenerata. “Të paktën vargjet m’i lexoni/ Vargjet…”, mund të jetë vërtetë dëshira e poetit, siç e shpreh edhe artisti Çun Lajçi.

4. EPILOGU I FJALËS  

         Fjala që buron nga thellësia e shpirtit, sidomos kur ka edhe dhimbjen, nuk ka epilog të mirëfilltë. Dhe pikërisht këtë qëllim ka edhe kjo Antologji e kaq emrave krijues, të cilët dëshmojnë se për aq sa ka mundësi komunikimi me poezitë e tij, aq do të vazhdoj jetëgjatësia e kujtesës për poetin.
         Ndërtimi i kësaj Antologjie me poezi përkushtimesh për poetin, për personalitetin dhe veprën e tij është nder dhe  respekt, si për hartuesin, ashtu edhe për autorët, që bën të mbetet në kujtesë për kohë të gjatë. Kjo rrugë  e kujtimit sikur obligon edhe emra e institucione tjera që ta kenë në përkujdesje veprimtarinë krijuese të Ali Podrimjes, duke ia botuar dhe distribuar veprën e tij tek lexuesi dhe adhuruesi i fjalës poetike në gjithë botën shqiptare, ashtu siç veproi për të gjallë vet poeti, ku fjala e tij poetike rrezatoi gjithandej nëpër botë..
         Në një fjalë rasti në përurimin e kësaj Antologjie shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur Prend Buzhala ndër të tjera tha: “Poezia është e hershme aq sa është edhe njerëzimi dhe ajo vazhdon të krijohet e të jetoj edhe me tutje. Dhe derisa poezia jeton edhe poeti do të jetoj padyshim”. Fjala ishte për Ali Podrimjen. Ishte fjala për poezinë dhe jetën që bashkëjetojnë ngushtë. Një përmbyllje e qëndrueshme dhe e saktë edhe në këtë shkrim, që nuk ka si të jetë i fundit, kur jeta e poetit ka të trasuar rrugën në pafundësi./Xheladin MJEKU/
Nga autori Naim Kelmendi e në botim të Shtëpisë Botuese “Rugova Art”, doli libri me poezi përkushtimi për poetin Ali Podrimja. Në këtë libër, të titulluar ”Antalogjia e dhembjes poetike” - (101 përkushtime Podrimjes), zënë vend 101 poetë me poezitë e tyre për poetin e madh kombëtar Ali Podrimja, i cili në muajin gusht ndërroi jetë në një qytet të Francës, në Lodve, gjatë pjesëmarjes së tij në një festival ndërkombëtar të poezisë.Vdekja e poetit ka prekur shumë krijues, që poetin e kanë dashur përgjatë jetës së tyre. Mjafton të lexohet kjo antologji dhe hetohet se, secili nga poetët, me përkushtimin e tyre poetik, shpreh jo vetëm dhembjen për humbjen e poetit tonë Podrimja, por edhe përkushtimin e tyre ndaj veprës dhe personalitetit të Podrimjes. Pra, ashtu siç do të shprehej edhe njëri nga redaktorët e kësaj vepre, Prend Buzhala, Poetët thonë për Ali Podrimjen: "ai nuk vdes! Poeti nuk vdes! Rekuiemi lirik, toni elegjiak kujtesa lirike, shndërrohen në Ideal Poetik. Shndërrohet në idealizim të kujtimit, në thellësi të konotacionit figurativ, në fusha referencash të pasura semantike, në hapësira të pëlleshme asociative, në ndërtime tekstesh mbi kodet e përzgjedhura, në transformime ndërtekstore e mbitekste poetike dhe, sidomos, në dinamikë të brendshme të strukturës kuptimore.Pas ofshamës podrimiane poetike që e lexonim ndër sa e sa dekada: "Oh, ç'mu këput litari te Guri i Prevezës", tani ja dhe ofshama elegjiake kombëtare për Njeriun që u nda prej nesh. Poetët edhe vdekjen e kanë Art Më Vete. Vargjet vijnë nga të katër anët e planetit dhe nga të gjitha copat e Atdheut" rrallë të ketë ndodhur që një poeti t'i kushtohen kaq e kaq vargje, nga qindra poetë, për një kohë të shkurtër. Vetë poeti ishte kudo me vargjet e tij, ishte me të gjithë në gëzimikn e shqiptimit solemn poetik të vargut nëpër orë letrare, nëpër libra, nëpër amfiteatrot e odeoneve poetike. Vijnë këtu, si DHIMBJE E PËRBASHKËT, si ANTOLOGJI POETIKE E DHIMBJES... Kjo Antologji prej 101 poezish dhe po prej kaq emra poetësh, lexohet si një ndërkomunikim i bukur poeptik. Nis me poezinë "Vdekja dhe Poeti" të Alma Papamihalit dhe përfundon me vargjet e poezisë "Modestisht për poetin e madh ALI PODRIMJA" të poetes Zhorzh Sand (Viktoria Xhako-s):Në glob janë shpërndarë nxënësit e mi, /Mbase takim s’do të ketë ndonjëherë,/Por emrin shqiptar me vete kanë marrë/,Dhe vargun tënd/, Me krenarinë e shqipes,/ Në zemër kanë mbjellë. E pra, dhembja e Lumit dikur, e lexuar si këndim yni nacional, tani shndërrorhet dhe në Këngë mbi Këngët për poetin. Shpalimi i botës artistike i poetëve përballë poetit, përmes aktit estetik të krijuesit letrar për krijuesin, do të na çonte tek ligjëratat e filozofit më të njohur çifut, Spinozës, i cili, në ag të kohëve moderne, i mbante ato në katedrat e Sinagogës së Amsterdamit: Deus sive Natura (Hyji ose Natyra); Hyji dhe Njeriu përbëjnë një njësi të përbashkët krijuese; natura naturans, natyrë botëkrijuese. Metaforikisht: edhe krijuesi letrar konsiderohej me natyrë botëkrijuese, ashtu sikundër ishin këta dy poetë; do të thotë, se ata ishin edhe natura naturata (përsëri  sipas Spinozës), pra natyrë e krijuar. Lasgushi ynë këtë “naturë krijonjëse” e përkufizon si “frymë”, “magji-dhëmbëse”, “transfigurim”, “tronditje shpirtërore”, “krijim i ri prej lëndës së vjetër”.
Librin “Antalogjia e dhembjes poetike”-(101 përkushtime Podrimjes), e botoi “Rugova Art”, Prishtinë, 2012./N.BUNJAKU/

-------------------------




Related Posts: