SI DO SULMOHEJ IRANI?


Spekulimet për një sulm të mundshëm amerikan apo izraelit kundër pajisjeve bërthamore të Iranit po bëhen gjithnjë e më të zëshme. Në studimin e Qendrës (amerikane) për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, të përgatitur nga dr. Anthony H. Cordesman dhe dr. Abdullah Toukan, analizohet se në ç’mënyrë do të realizonin amerikanët një sulm preventiv ndaj Iranit, nëse të gjitha opsionet paqësore për bindjen e Tehranit që të heqë dorë nga politika e tij bërthamore rezultojnë të pasuksesshme.



Çështja kryesore që shtrohet është se, cilat duhet të jenë caqet e sulmit ushtarak? Stopimi i programit bërthamor iranian? Pezullimi i tij për një, apo për pesë vjet? Këto kritere duhen përcaktuar, sepse janë qenësore për definimin e alokimit të forcave të nevojshme, në mënyrë që misioni kundër pajisjeve bërthamore iraniane të jetë i suksesshëm.
Studimi tregon se sulmi i parë do të duhej kryhej kundër pajisjeve iraniane që merren me pasurim dhe me hulumtim, e pastaj të vazhdohet me sulme kundër bazave raketore, pajisjeve të shumta mobile balistike për lansim (të cilat janë të shpërndara në gjithë vendin), dhe të pajisjeve kryesore që merren me prodhimin e raketave balistike. Njëkohësisht, studimi tregon edhe atë se, sulmi inicial amerikan kërkon një pozicionim të gjerë të forcave, të cilat do të përbëheshin nga forcat mbrojtëse kundërajrore dhe operacionet sulmuese kundërajrore.
Efektshmërisë më të madhe të sulmit do t’i kontribuonte edhe fakti që SHBA është vendi i vetëm në Gjirin Persik që posedon forcat ajrore, mbështetjen, dhe një kombinim të forcave ajrore dhe detare, gjë kjo që garanton vazhdimin e një fushate të qëndrueshme për një kohë të caktuar – me mundësi të vazhdimit të sulmit, po qe se do të kishte nevojë.
Në studim theksohen edhe disa faktorë tjerë të rëndësishëm, të cilët gjithsesi duhet të merren përsyshë. Në fakt, forcat e vjetruara ajrore iraniane definitivisht nuk mund të jenë konkurrencë për ato amerikane, e as për forcat e tjera ajrore në Gji. Veç kësaj, zyrtarët amerikanë bashkëpunojnë me aleatët e tyre në Gji për të zhvilluar aftësinë e mposhtjes së kërcënimit që Irani paraqet për gjithë territorin e Gjirit.
Studimi nënvizon se, përveç një lufte asimetrike në Gji dhe shfrytëzimit të Hezbollahut, forca e vetme e efektshme e Iranit janë projektilet balistike të tij.
Sa i përket Izraelit, studimi pohon se ai nuk ka fuqi për t’u përballur me një sulm preventiv, dhe se vështirë se do të mund të bënte diçka më tepër se të shtynte përpjekjet iraniane për një ose dy vite. Edhe pse, as fakti që SHBA kanë aftësi për përmbyllje të sulmit, nuk do të thotë që paraprakisht nuk do të duhej të insistohej në negociata. Fundja, raportet tregojnë se sa e rrezikshme do të ishte lufta në Gji për ekonominë botërore – megjithëse Irani është më i brishtë se cilido vende tjetër fqinj në Gji.
Gjithashtu, SHBA kanë nevojë për aleatët në Gjirin Persik, si partnerë strategjikë, edhe pse duhet konsideruar edhe “ligji për pasojat e padëshirueshme”. Sepse, një sulm ushtarak preventiv do të mund ta fuste në luftë gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, dhe do të kishte pasoja të paparashikueshme politike, ushtarake dhe ekonomike.
Sa i përket një sulmi izraelit kundër Iranit, në studim thuhet se, po qe se SHBA nuk e bëjnë këtë, atëherë ka mundësi që Izraeli t’i sulmojë pajisjet bërthamore të Iranit, me qëllim të shkatërrimit të programit, ose të shtyrjes së tij për disa vite. Suksesi i sulmit do të varej nga ajo se sa përqind të programit bërthamor iranian do të shkatërroheshin, respektivisht për sa vjet do të shtyhej furnizimi i Iranit me uranium apo plutonium.
Cordesman dhe Toukan përfundojnë se, një sulm izraelit ndaj pajisjeve iraniane është i mundur, dhe se ruta optimale për të do të ishte përgjatë kufirit turko-sirian, dhe përmes Irakut. Edhe kthimi do të bëhej përgjatë të njëjtës rrugë. Natyrisht, nuk do të ishte e mundur të përdoreshin forca të mjaftueshme ajrore, prandaj ky operacion do të ishte me rrezik të lartë dhe pa garanci që misioni do të arrinte ndonjë sukses të madh.
Sipas autorëve, SBA do të detyroheshin t’i bashkëngjiteshin sulmit izraelit, përmes pjesëmarrjes direkte apo indirekte.
Kjo gjë do t’i minonte përpjekjet amerikane për rritjen e sigurisë në rajon dhe për një zgjidhje paqësore afatgjatë të konfliktit ndërmjet arabëve dhe izraelitëve. Po ashtu, ky skenar do t’i prishte edhe raportet e mira shumëvjeçare mes SHBA dhe aleatëve të tyre në rajonin e Lindjes së Mesme.
Skenari i dytë është përdorimi i armëve bërthamore, me të cilat do të sulmoheshin pajisjet e nëndheshme bërthamore të Iranit. Ka të atillë që besojnë se ky armatim është i vetmi që mund t’i shkatërrojë caqet e vendosura thelë nën tokë, ose nëpër tunele. Mirëpo, studimi nënvizon se SHBA nuk do t’i lejonin asnjë vendi – përfshirë aleatin e tyre, Izraelin – që të shfrytëzonte një armatim të tillë, përveç nëse ndonjë shtet nuk e shfrytëzon i pari këtë lloj armatimi kundër SHBA’ve dhe aleatëve të saj.
Sigurisht, një sulm izraelit kundër Iranit vetëm sa do të thellonte më tepër jostabilitetin dhe konfliktet në rajon, përfshirë këtu rritjen e nivelit të terrorizmit, kështu që pasojat për sigurinë rajonale do të ishin katastrofale, përfundojnë Cordesman dhe Toukan në studimin e përbashkët.