Berisha
Kryeministri veçoi faktin se në Shqipëri analfabetizmi pothuajse nuk ekziston, por ekziston ende problemi i fëmijëve që punojnë të cilët duhen mbështetur që jeta e tyre të përmirësohet. “Vendi ka njohur një progres të vërtetë në sistemin e arsimit, analfabetizmi pothuajse nuk ekziston. Më shumë se 92 për qind e atyre që mbarojnë shkollën 8-vjeçare ndjekin shkollën e mesme dhe 71 për qind e atyre që mbarojnë shkollën e mesme ndjekin universitetin. Nga ana tjetër, me gjithë këtë progres evident, probleme të mëdha mbeten për t’u zgjidhur. Ekziston gjithashtu ende, shfrytëzimi i punës së fëmijëve, ekzistojnë gjithashtu fëmijë të margjinalizuar nga shoqëria, romë, ciganë, por edhe familje që jetojnë në vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale. Vendi ka një axhendë për ta adresuar më mirë problemin. E përshëndes Avokatin e Popullit, për angazhimin e tij shumë serioz në këtë fushë. Ai, gjithashtu, duhet të jetë me të vërtetë një zë i fortë në anën e tyre, një agjenci që monitoron zbatimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve”, deklaroi Berisha.
Situata
Më tej kryeministri theksoi se kjo është situata e kujdesit ndaj fëmijëve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre në Shqipërinë shtet 100 vjeçar, ndërsa solli në vëmendje të të pranishmëve se sa i vështirë ka qenë ky shekull për shqiptarët, natyrshëm vështirësi me pasoja direkte në mënyrën se si rriten e jetojnë fëmijët. “Dhe ndoshta, siç mund ta dini, historia ka qenë një njerkë për shqiptaret dhe jo dhe aq e bukur, ka qenë me të vërtetë shumë e vështirë dhe imagjinojeni si mund të ketë qenë për fëmijët e kombit tim. Ata kanë qenë gjithmonë, viktima e parë e të gjitha vështirësive që kanë hasur në rrugën e tyre. Gjatë këtij njëqindvjeçari, vendi im ka njohur ditë shumë, shumë të vështira. Por më të keqen e kanë përjetuar fëmijët e kombit tim”, vuri në dukje kryeministri.
Apeli
Gjithashtu kryeministri tha se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përtej mbrojtjes së të drejtave të njeriut duket si një betejë e përjetshme, por po aq e veçantë dhe e rëndësishme. “Angazhimi i autoriteteve qendrore dhe lokale, si dhe forcimi i institucioneve, që punojnë për t’i mbrojtur fëmijët është shumë i rëndësishëm, për një qasje jetike ndaj fëmijëve,” theksoi Berisha. Shqipëria është pranuar në Konventën e OKB-së për të drejtat e njeriut, ka miratuar një ligj dhe ka hartuar një strategji për sa i përket mbrojtjes së fëmijëve.
Avokati i Popullit
Edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani tha se mbetet thelbësore garantimi dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në vend. “Për mua sot është një privilegj i madh, që të pres, në jubileun e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ombudsmanë dhe Mediatorë të më shumë se 40 vendeve frankofone. Organizata e Ombudsmanëve dhe Mediatorëvë të vendeve Frankofone, gjatë gjithë periudhës së funksionimit, ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe në përcjelljen e vlerave dhe standardeve ndërkombëtare të lidhura me to”, u shpreh Totozani. Gjithashtu në konferencën e Ombudsmanëve të rajonit, ishte edhe Avokati i Popullit të Francës, Serinj Diop i cili ofroi mbështetje ndaj Institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri.
Shoqatat
Studimet më të fundit tregojnë se brenda një viti trafikohen rreth 700 fëmijë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Kjo do të thotë se këta vogëlushë shfrytëzohen për punë të rënda, lypje, prostitucion apo edhe transplant organesh. Situata konsiderohet alarmante nga shoqatat në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, të cilat i bëjnë apel Qeverisë që të marrin masa parandaluese.





