SA SHUMË SHQIPTARE, E KANË QËNDISUR FLAMURIN TONË KOMBËTAR!... -Skicë-

Drejt 100-vjetorit të Pavarësisë




Nga: MURAT GECAJ


M.Gecaj, pranë Flamurit tonë…

1.
Ditët rrjedhin njëra pas tjetrës, si ujët e rrëmbyer dhe të kulluar të lumenjëve malorë. Në mendjen dhe zemrën e secilit shqiptar është ngulitur fort një datë e shënuar historike, e cila bëri kthesën më madhore në jetën e Atdheut tonë, që shekuj me radhë përjetoi robëri e moszhvillim. Atë e sollën në skenën kombëtare shqiptare dhe në atë ndërkombëtare, betejat e njëpasnjëshme dhe të furishme të popullit tonë të armatosur, sidomos ato të viteve 1910-1912 dhe me ndjenjat liridashëse në gji, në të gjitha trojet tona amtare…
Ishte një fund-muaji  i paharruar, i vitit gjëmim-madh1912 dhe pikërisht shënohej data 28 Nëntor. Qindravjeçarë më parë, ajo datë ishte skalitur në kujtesën e shqiptarëve,  me betejat legjendare e fitimtare skënderbejane dhe me ngjarjen po aq madhore, e cila në histori njihet me emrin Kuvendi i Lezhës. Pastaj do të shënohej në data të tjera të madha, si në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, më 1878…Dhe ja, përsëri ai fund-nëntori do të fiksonte një ngjarje të paharruar kurrë në jetën e brezave të shqiptarëve. U vijuan me vendosmëri përpjekjet e pandërprera edhe në Shkupin ”e thinjur” në betejat për liri e pavarësi. Atdhetarët tanë, aty shkruan një manifest të fuqishëm, drejtuar Fuqive të Mëdha, duke theksuar se ishin të lodhur nga pushtimi otoman dhe se ishin të vendosur të luftonin, deri në pikën e fundit të gjakut. Synimi i tyre i palëkundur ishte të fitonim njëherë e përgjithmonë pavarësinë e lirinë, si gjithë popujt e qytetëruar të Europës.
Krismat e pushkëve të luftëtarëve shqiptarë shpërthyen të furishme, në të katër anët e tokës arbërore. Betimi solemn i të gjithëve, nga 7 e në 70 vjeç, ishte: “Ja Liri, ja vdekje!” Pushtuesit shekullorë e panë keq, pasi u përballën si asnjëherë me zemërimin e papërmbajtur të popullit shqiptar. Prandaj, nga  kishin ardhur, ata ikën të turpëruar për në strofkat e tyre. Ja, tani kujtoj edhe këtë fakt domethënës: Një general gjakatar u priu taborreve të tij edhe në bjeshkët e Veriut të Shqipërisë, se donte t’i gjunjëzonte malësorët trima e liridashës. Por kënga është dëshmitare, që në Kodrën e Palçit, të Nikaj-Mërturit: “Turgt Pasha u kthye mbrapa!...”.
Me flamujt e betejave të furishme të viteve 1910-1012  ndër duar, shqiptarët u ngjitën në kështjellat më të larta dhe nisën t’i valëvitnin ata me gëzim të paparmbajtur dhe krenari të ligjëshme. Kështu, simbolet tona kombëtare, pra flamujt e pavarësisë dhe të lirisë së shumëpritur, do të valëviteshin, njëri pas tjetrit: në Elbasan (25 nëntor 1912), Tiranë (26 nëntor 1912), Lushnjë (27 nëntor 1912)…
 Ndërsa Vlora ishte në ankthin e një ngjarjeje  të panjohur në histori. Drejt saj po shkonin me furi delegatë të zgjedhur nga populli shqiptar, që nga Kosova, Dibra, Çamëria e trojet tjera amtare shqiptare. Në mbështetje të tyre, me 300 luftëtarë trima përkrah,  vërshonte i papërmbajtur “gjenerali popullor”, Isë Boletini i Kosovës martire. Të thirrur nga plaku i urtë e atdhetar Ismail Qemali, tani “Hero i Popullit”, delegatët do të mblidheshin në një Kuvend Mbarëkombëtar. Më në fund, ata e njoftuan Europën e gjithë botën se, që nga ajo ditë, pra 28 Nëntori 1912, Shqipëria shpallej shtet i lirë dhe i pavarur, me një qeveri të përkohshme në krye. Në atë fletë të thjeshtë, janë emra delegatësh atdhetarë, me firmat e tyre “flakë e zjarr”, që i bëjnë nder, brez pas brezi, historisë mbarëkombëtare shqiptare.
Ngritja e Flamurit tonë Kombëtar, në Vlorë…

2.
Natyrshëm, lindë pyetja: Vallë, po cila do të ishte shenja ose simboli i veçantë, që do ta përmblidhte tërë atë përgatitje e punë kolosale, nga ata burra të mençur e trima dhe gëzimin e papërmbajtur gjithëpopullor, me anën e të cilës do të shpallej dhe lartësohej ajo arritje e lavdishme? I pari, ishte Flamuri ynë Kombëtar, me shqiponjën dykrenare në mes. Ai do të valëvitej në ballkonin e asaj shtëpie, deri atëherë të zakonshme, në prani të Ismail Qemalit, me gjithë delegatët e Kuvendit të Vlorës.  Pastaj, njoftimi “do të merrte dhenë”, me anën e një aparati të thjeshtë telegrafik…
Është folur e shkruar shumë, se atë Flamur-“legjendar”, e kishte qëndisur një bijë e thjeshtë korçare, me emrin tashmë mjaft të njohur, Marigo Pozio. Po, vallë, a mjaftonte vetëm ai Flamur, për të shprehur botërisht “mvehtësinë” e Shqipërisë dhe për të përmbledhur gjithë atë gëzim popullor? Sigurisht që jo! Janë shprehur mendime e është shkruar edhe se atë Flamur e sollën nga kolonitë shqiptare, në Bukursht të Rumanisë ose Boston të Amerikës… Nuk e kam të saktë këtë gjë, por arsyeja shkon te fakti, se ishin edhe shumë “marigopozio”, të cilat i qëndisën flamujt e shqiptarëve, që u valëviten ato ditë, kudo krenarë, nëpër qytetet e fshatrat tona.
Nuk është gjë e re, po të shprehm këtu, se një fakt i tillë nuk ka aq shumë rëndësi, pra se kush e qëndisi Flamurin shqiptar, që u ngrit në Vlorë, më 28 Nantor 1912. Vlera më e madhe e tij është që ai Flamur u gatua e u përgatit, u  qëndis dhe u mbajt si shkendi rrezatuese, në zemrat e të gjithë shqiptarëve. Se ai Flamur u ngrit krenar lart edhe në malësitë e Shkodrës, në Tiranë, Elbasan e Durrës, në Prishtinë e Shkup, në Ulqin e Preshevë…Atë e kanë mbajtur simbol të paprekshëm të tyrin, bashkë me portretet e Skënderbeut edhe arbëreshët e Italisë, megjithëse kanë kaluar 5 shekuj nga koha e largimit të detyruar të tyre nga vendlindja, Shqipëria.
Kemi parë në fotografi, dokumetarë e filma, se si atë Flamur e mbajnë në gji e në ballë vëllezërit tanë shqiptarë, në të gjitha gëzimet e tyre. Atë e vendosin edhe në lartësitë e shtëpive të reja, që ndërtojnë me mund e djersë…Para atij Flamuri, janë përbetuar luftëtarët e lirisë dhe me të janë mbuluar të rënët në betejat fitimtare...
Ja, tani në prag-festën e shpalljes së Pavarësisë, flamujt tanë i shohim të valëviten krenarë, që nga Vlora, Tirana dhe qytetet e tjerë të Atdheut tonë. Ai ngazëllen zemrat e bashkatdhetarëve tanë edhe në të gjithë trojet tjera etnike shqiptare: në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Luginë e Preshevës. Por, gjithashtu, ndjen krenari të ligjëshme, kur nëpër faqet e ndryshme të Internetit sheh veprimtaritë e larmishme dhe manifestimet e gëzuara e masive të emigrantëve tanë. Ata e mbajnë gjithnjë në duar të bashkuara  Flamurin Kombëtar Shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, ku jetojnë e punojnë, si: në Nju Jork, Filadelfia e Boston, në Montreal, Suedi, Gjermani, Itali, Angli, Belgjikë e kudo. Se ai është krenaria e ligjëshme e tyre, është simboli aq i bukur i të gjithë neve, kur renditet përkrah famujve të shteteve mike dhe vendeve të ndryshme demokratike të Europës, SHBA-ve dhe më gjerë.
Më mbyllje të kësaj skice të thjeshtë, dëshiroj të përsëris këtu fjalët, që u tha Ismail Qemali delegatëve të atij Kuvendi Historik, para Flamurit tonë, që valëvitej krenar në atë sallë, tashmë kaq të rrallë:
“Ja, pra, ky është Flamuri ynë i kuq dhe me shqiponjën  dykrenare në mes…Pata nderin e fatin, që të jem i pari ta puthi e të bëj të valavitet i lirë Flamuri ynë, në Atdheun tonë të lirë. Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria!”
…Pra, lexues të dashur, a më jepni  të drejtë tani, kur pohoj se Flamurin e ngritur në Vlorë, më 28 Nantor 1912, e qëndisën me duart, mendjet dhe zemrat e tyre, të gjithë shqiptarët?

Tiranë, 23 tetor 2012