PAK DITË ME SADULLA ZENDELIN, NË KRYEQYTET… (Ose: Si më “zgjoi” mesazhi i Dajës)

Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë


Nga e majta: S.Zendeli e M.Gecaj (Tiranë, shtator 2012)


1.
Këto ditë, unë dhe kolegu im Viron Kona, përmes Internetit, morëm  një mesazh  të ngrohtë nga Sadulla Zendeli, i njohur “Daja” nga të gjithë bashkatadhetarët tanë me banim në Mbrrtërinë e Suedisë. Në të, ai shkruante këto fjalë dashamirëse:
“Të nderuar miqtë e mi, prof. Murat Gecaj dhe prof. Viron Kona!
Ishtë kënaqësi të takohesha me Ju, në Tiranën tonë të dashur. Shumë faleminderit për angazhimin tuaj dhe ndihmën për ta gjetur një shtëpi botuese të përshtatshme, për publikimin e librit të përkthyer shqip, të albanologut suedez e mik i shqiptarëve, z. Ulmar Kvik, “Më shumë heroizma, se sa grurë”. Po kështu, ju më ndihmuat për të gjetur një shtëpi botuese për publikimin e Fjalorit tim, shqip-suedisht, me 35.000 fjalë. Pra, ishte  gëzim për mua, kur prof. Viron Kona e prof.Murat Gecaj më njohën me administratorin e Shtëpisë Botuese “Vest Print”-Tiranë, Eduard Vathi. Po për këtë gjë, më kishte këshilluar edhe atdhetari ynë i palodhur, z.Sokol Demaku. Ne u takuam shumë herë në mjediset e Hotelit “Lidia” e jashtë tij, në Tiranë. Ofertat, që unë mora për botimin e atyre librave, ishte ndihma juaj e pakursyer, prandaj ju falënderoj shumë! 
Tashmë, jam kthyer në Suedi, pas udhëtimit tim në vendlindje, pra në Gostivar. Së shpejti, do ta organizojmë një takim me z. Sokol Demaku e prof.Fatah Bahtirin dhe do të konsultohemi edhe me prof. Baki Ymerin, atdhetar i devotshëm, në kryeqytetin e Rumanisë së lashtë, po kështu sigurisht edhe më autorin e librit, profesorin Ulmar Kvik…”.
Nga leximi i këtij mesazhi, del se Daja i ka “zbuluar” pothuajse të gjitha mendimet e fjalët, që unë mund të shkruaja për takimet tona, të përzemërta dhe, siç e pohon ai vetë, ato ishin “me bereqet”.

Nga e majta: Eduardi, Daja, Vironi e Murati


2.
Nuk ishte hera e parë, që ne takoheshim me Sadulla Zendelin. Në nëntor të vitit të kaluar, u njoha me atë në mjediset e Panairit të Librit, në Tiranë dhe shkëmbyem botime tonat. Ndërsa në prill 2012, së bashku me Vironin, ishim të ftuar dhe me kanaqësi morëm pjesë në veprimatritë e bukura dhe mbrësëlënëse të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, me rastin e 5-vjetorit të krijimit, në qytetin Boras të Suedisë. Ndër të parët, që takuam aty, ishte pikërisht kolegu e miku ynë i mirë, dashamiri e gjithnjë buzagazi, me “emrin” aq të bukur, domethënës e plot respekt për të gjithë emigrantët atje, Daja.  Tashmë, së bashku kemi bërë mjaft fotografi dhe i kemi kujtim të paharruar.
Nuk kam ndërmend të tregoj jetëshkrimin e këtij bashkatdhetari, i cili u bë mbështetje kryesore për sa e sa shqiptarë të larguar nga vendlindja, sidomos nga Kosova, këtu e disa dhjetëvjeçarë të kaluar. Por ai ishte edhe mësimdhënësi i parë i shkollës shqipe, çelur pej tij, për fëmijët e emigrantavë shqiptarë. Duke shprehur mallin e pashuar për trojet shqiptare, atje në brigjet e Skandinavisë së largët, Daja iu përkushtua edhe hartimit të librave të ndryshëm. Ndër ta, ishin edhe mjaft poezi shpërthyese e plot mallëngjim për trojet amtare, të cilat në atë kohë lëngonin nën sundimin e  huaj. Mjaft i vlefshëm ishte dhe Fjalori i tij i ilustruar e katërgjuhësh (shqip-anglisht-italisht-suedisht), me një mijë zëra e njëmijë figura përkatëse e të bukura.
 Me vullnet të çeliktë e plot këmbëngulje, megjithëse i ka kaluar 75 vjetët, ai nuk e ndërpreu punën e nisur me fjalorët. Pas hartimit dhe publikimit të Fjalorit volunimoz, suedisht-shqip, e ka përfunduar edhe Fjalorin tjetër, shqip-suedisht. Vetëm ata njerëz, që merren me veprimtari të tilla kërkimore e studimore, e dinë se sa lodhje, punë e pagjumësi kërkohen të hartosh fjalorë, me madhësi të tilla. Por, tashmë, ai i gëzohet fryteve të punëve të tij dhe përkushtimeve të shumanshme.
Kështu, besoj, është e qartë të kuptohet mirë edhe “misioni” i kohëve të fundit të Dajës në Tiranë. Ai nuk e kishte merak vetëm botimin e Fjalorit të tij të dytë, pra shqip-suedisht, por dhe të librit të mikut e albanologut suedez, Ulmar Kvik. Siç është pohuar dhe në shkrime tjerë, ndër ta dhe të kolegut publicist Viron Kona, me anën e atij libri ai dëshmon ndjenjat e tij dhe të popullit suedez për shqiptarët, kudo që ata ndodhen, në trojet e tyre stërgjyshore.
3.
Por Daja ka edhe cilësi tjera të dallueshme, si  dashamirësinë e shpirtgjerësinë etj., ndaj kolegëve, miqëve e të njohurve. “Pata dëgjuar se kolegu shkrimtar e miku ynë i mirë, Skënder Hasko kishte përjetuar një fatkeqësi shumë të madhe,-na u shpreh ai, me fytyrë të pikëlluar.-Por nuk mundja t’i dërgoja një mesazh ngushëllimi nga larg, për humbjan e  bashkëshortes së tij të dashur. Prandaj, ja erdha këtu në Tiranë e dua që t’i bëj një vizitë atij në shtëpi…”. 

Në familjen e shkrimtarit S.Hasko. Nga e djathta: B.Xhama, Daja, Skënderi dhe e bija

E lajmëruam më parë Skënderin, pasi edhe ai vetë nuk  është mirë me shëndet. Pastaj, së bashku me Dajën dhe shkrimtarin e njohur Bardhyl Xhama, shkuam në shtëpinë e tij. Si zakonisht, na priti me buzagaz Skënderi, por  në pamjen e fytyrës së tij ende ishte e qartë dhimbja e madhe. Këtë gjë ai e kishte shprehur edhe në librin me poezi, kushtuar të shoqes, “Më iku gysma ime…-Shanes-”. Këtë libër, ai ia dhuroi Dajës, me një shënim të tij.
Në shtëpinë e Skënderit biseduam për atë ngjarje të trishtueshme, por dhe  për librat. Daja i foli për punët, që kishte nëpër duar, ndërsa ai tregoi se pothuajse e ka gati për botim librin voluminoz dhe për të cilin ka disa vite që po punon, “Fjalori i autorëve shqiptarë”. Të dy këta krijues e miq u ndanë me përzemërsi, duke shpresuar për një ritakim të afërm me njëri-tjetrin.
Po, sipas bisedave dhe premtimeve të bëra prej tij, përsëri do ta takojmë Sadulla Zendelin-Dajën, në kryeqytetin tonë. Atij nuk i rrihet pa ardhur, si vitet e maparshme, në Panairin e Librit të Tiranës edhe sivjet. Por dëshiron shumë dhe që të shohë nga afër manifestrime të bukura dhe të jashtëzakonshme, që do të organizohen këtu, me rastin e 100-vjetorit të lavdishëm të ngritjes në Vlorën e Ismail Qemalit, të Flamurit Kombëtar Shqiptar, më 28 Nëntor                                                                                                                                                                                         1912.
Në mbyllje të këtij shkrimi modest, nuk më mbetet gjë tjetër, veçse ta përshëndesim me përzemërsi nga larg, mikun e kolegun tonë të dashur, Sadulla Zendeli-Daja dhe t’i urojmë mirëseardhjen tjetër në Shqipëri! Me masazhin e tij, që e shënova më lart, ai sikur më “zgjoi nga gjumi” dhe më kujtoi për t’i shkuar këto pak radhë, të cilat janë nderim e respekt i veçantë për të.

Tiranë, 17 tetor 2012