Kur moshataret e saj josheshin nga dritat e diskotekave apo “verbime” të argëtimeve të tjera, për Olta Bellon ndriçimi vinte nga tjetërkund; tradita shqiptare. Vetëm 15 vjeç ajo nisi të rrëmonte në të kaluarën e vendit të origjinës së familjes, Gjirokastrën, si dhe në tregimet e më të moçmëve të zonës. Krahas mësimeve në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë, Olta nisi të mbante shënime nëpër copa letre, gjithçka kishte të bënte me vendlindjen e prindërve të saj, pa e ditur se një ditë do të botonte një libër. “Për 10 vite kam mbledhur dëshmi për Gjirokastrën dhe kam lexuar punë studimore. Të shkruarit për këtë qytet m’u kthye në pasion, ishte më e fortë se unë”, thotë Olta Bello, teksa flet për gazetën “Tirana Observer”. Pas Liceut, mbaroi Akademinë e Arteve, por tashmë copat e letrave ishin shtuar dhe ajo po mendonte alternativat se çfarë mund të bënte me to: “Mund t’i flakja, por më dukej sikur do të hidhja copëza të shpirtit tim. Mund t’i lija diku në ndonjë sirtar, por ishte sikur t’i vrisja në heshtje kujtimet, të kaluarën e familjes sime. Ose t’i botoja, që kërkonte guxim dhe unë nuk kisha aspak eksperiencë”. Pas dilemash ndër vite, aktualisht 25 vjeç, Olta Bello zgjodhi alternativën e tretë. Ajo sapo ka nxjerrë botimin e saj të parë, një libër folkloristik për Gjirokastrën…
![]() |
| Olta Bello |
Zakonisht me mbledhjen e folklorit apo studimin e traditave të hershme merren mosha më të mëdha. A nuk ju duket sikur keni “ngatërruar” paksa sektor duke u marrë me studime të tilla, në vend që të argëtoheshit si moshatarët tuaj, duke marrë parasysh se fillesat i patët që 15 vjeç?
Jo, aspak. Tradita është ajo çfarë kam dashur dhe dua. Tradita nuk ka moshë. Mund të jem moderne dhe tradicionale njëkohësisht. Unë nuk jam një fanatike që në librin tim propagandoj se si të jetojmë me ritet dhe zakonet e shekujve të kaluar, por si t’i njohim dhe respektojmë ato vlera. Duke njohur të kaluarën, mund të njohim më mirë edhe vetveten. Të tashmen dhe të ardhmen. Nuk mendoj se kam humbur ndonjë gjë nga dëfrimet e moshës. Jam argëtuar deri në masën që kam dashur, por edhe kam studiuar. Mbledhja e elementëve folklorikë në Shqipëri është kthyer sikur është “punë pleqsh”, kur në fakt është shumë çlodhëse dhe pasionante. Është si një lloj investigimi për të shkuarën, por që sjell adrenalinë pas çdo rrëfimi, pas çdo gjetjeje.
Çfarë materialesh studimore keni përdorur, përveç dëshmive që keni marrë vetë?
Kam shumë materiale rreth Gjirokastrës, dëshmi gojore nga më të moçmit e zonës dhe fakte të dokumentuara rreth riteve, zakoneve, traditave, por edhe historisë së këtij qyteti. Nuk i kam mbledhur nga nevoja, por nga pasioni. Materialet studimore që kam përdorur në libër janë shumë serioze, si ato të Mysine Kokalari te vepra “Sa u tunt jeta”, të Tasim Gjokutaj tek “Lirika e dasmës tradicionale Gjirokastrite”, si dhe nga Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO).
Ju keni botuar një libër jo voluminoz, ndërkohë që pretendoni se keni shumë materiale?
E vërtetë, por i kam ndarë në disa pjesë. Fillimisht kam zgjedhur pjesën e folklorit për botim, në një libër modest. Për dy arsye; e para se kostoja për libra voluminozë është e madhe për momentin në buxhetin tim. Dhe e dyta, sepse lexuesi shqiptar lodhet shpejt nga veprat me volum. Kështu që ia nisa me Folklorin, duke folur për “Ritet”. Kam përshkruar elementët e parë të teatrit në dasmën gjirokastrite. Është një libër me rreth 100 faqe, e botuar nga shtëpia botuese “Graphic Line 01”. Për paraqitjen grafike më ka ndihmuar Manjola Ereqi, ndërsa për redaktimin Vlasov Sulaj. Sakaq, disa faqe i kam përkthyer në anglisht, pasi do të doja që ky libër, sado modest, të kthehet në një lloj guide edhe për të huajt. Një tip pike referimi për studimet e huaja, nëse ndokush do të dëshirojë. Për përkthimin falënderoj Dritan Tole.
Thatë që në libër keni përshkruar elementët e parë të teatrit në dasmën gjirokastrite. Si janë ato?
Element të para teatrit në dasmën gjirokastrite janë: Fejesa, Dita e brumit (dita e hollimit të bakllavave), Dita e vetullave (dita e vetullave dhe dita e shënimit), Nata e brumit, Dita e kënase, Nata e kënase, Dita e nuses, Riti i berberit (riti i qethjes së dhëndrrit dhe veshja e dhëndrit), Mbëritja e nuses (mbërritja e nuses në shtëpinë e dhëndrit), Nat` e dhëndërrit, Paja (është momenti i hapjes së sepetit me pajën e nuses), E pesta (dita e kthimit të nuses në shtëpin e babait), E gjashta (dita kur në shtëpinë e dhëndrit vijnë prindërit e nuses). Që të gjitha këto pastaj, i shtjelloj me detaje në libër.
Nga këto tradita, cilat prej tyre janë në zhdukje?
Në fakt, të gjitha këto elementë janë drejt zhdukjes. Edhe ato familje që i përdorin, i rikthejnë për nostalgji. Më tepër si teatër, për argëtim ndryshe, se sa një traditë që duhet zbatuar patjetër.
T’ju bëjmë një provë të vogël studimi. Nga e ka prejardhjen emri i qytetit “Gjirokastër”?
Prejardhja e emrit të Gjirokastrës ka një shpjegim mitik dhe dy të tjerë me natyrë më historike. Sipas legjendës, gjatë rrethimit përfundimtar të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj për të mos rënë e gjallë në duart e armikut. Që këtu rrodhi edhe emri “kalaja e Argjirosë”.
Emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman. A nuk ju duket shpjegimi si i pamundur?
Është një shpjegim-legjendë. Sipas një shpjegimi tjetër më pak poetik, qyteti e ka marrë emrin sipas fjalës greke argjend, “argyrokastron”, që lidhet me ngjyrën e përhime të mureve, rrugëve dhe çative prej guri, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu. Një shpjegim tjetër lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët.
Si është e ndërtuar Gjirokastra?
Qyteti i sotëm i Gjirokastrës përfshin Qytetin e Vjetër, me kalanë (bërthama e parë e vendbanimit) dhe lagjet e tipit osman, ndërtuar mbi kreshta, që vijnë duke u larguar nga kalaja deri në tabanin e luginës, ku ndodhen ndërtimet bashkëkohore dhe kompleksi universitar. Lagjet tradicionale shtrihen në formë rrezesh rreth kalasë me emrat: Cfakë, Dunavat, Manalat, Palorto, Varosh, Meçite, Hazmurat, Pazari i Vjetër.
Cili është vendbanimi më i hershëm?
Historia e hershme e qytetit është relativisht e panjohur. Për shkak të afërsisë me qendrat klasike dhe helenistike: Jerma (Antigonea) dhe qyteti romak Adrianopolis pranë fshatit Sofratikë, është menduar shpesh që vendbanimi më i hershëm në Gjirokastër është kalaja mesjetare. Por mbi këtë tezë janë hedhur dyshime pasi zbulimet brenda në kala kanë nxjerrë në dritë qeramikë në 4 faza të ndryshme banimi përpara periudhës osmane: në shekujt V – II p.e.s., shekujt V – VII e.j., shekujt IX-X dhe shekujt XII – XIII. Më e hershmja nga këto faza solli gjurmë të një muri të konsiderueshëm ndërtuar me blloqe, gjë që bën të mendosh që ka pasur një fortifikim të rëndësishëm të periudhës para romake në këtë anë të luginës së lumit Drino (para vitit 168 p.e.s). Për herë të parë burimet historike e përmendin qytetin me 1336, kur kronisti bizantin Johan Kantakuzeni shkruan për Argyrókastron. Nën Despotatin e Epirit, qyteti dhe rrethinat ishin nën sundimin e familjes feudale Zenebishi. Ndërsa Perandoria Osmane zgjerohej në Europë në fundin e shekullit të XIV, Gjirokastra ra nën ndikimin e sulltanëve dhe sundimtarët e saj u bënë vasalë të tij. Një nga Zenebishët përmendet se udhëhoqi një grup burrash nën komandën e Sulltan Bajazidit I (1389-1402), kur ky u mund nga Timurlengu i mongolëve në betejën e Ankarasë, më 1402. Më 1419 qyteti ra nën sundimin e plotë të Turqisë, ndërkohë që sipas regjistrave te taksave më 1431-32, ai kishte 163 shtëpi.
Kalaja e Gjirokastrës ka patur funksion strehues për familje, depozitash, ushtarak, apo…çfarë?
Kalaja ka pasur gjithnjë para së gjithash funksion ushtarak. Megjithëse kishte banesa brenda mureve, ato ishin të paracaktuara për garnizonin dhe dinjitarët e rëndësishëm. Ndërkohë gjatë Mesjetës, qyteti u zhvillua jashtë mureve të saj. Zbulime për banime të hershme në qytet nuk ka, megjithëse, në një rezidencë episkopale që ndodhej nën përkujtimoren e dikurshme, sot të zhdukur të Enver Hoxhës, është gjendur një kapitel i gdhendur bukur i shekullit të XIII. Në shekujt XVI dhe XVII qyteti, si qendër kryesore e Sanxhakut të Shqipërisë (Sanxhak quheshin njësitë kryesore administrative turke në periudhën e hershme të Perandorisë Osmane) qyteti lulëzoi dhe, si rezultat, lagjet e tij u zgjeruan me 434 shtëpi më 1583, që shënon pothuaj dyfishim brenda një shekulli. Kjo ndodhi në radhë të parë për shkak të një lëvizje të përgjithshme të popullsisë nga fshati në qytet. Rritja vazhdoi edhe kur qendra rajonale administrative kaloi në Delvinë, në kohën e Sulltan Sulejmanit të Shkëlqyerit (1520-1566). Gjirokastra mbeti një qendër administrative si seli e kadiut (gjykatës) dhe shumë banesa e xhami që mbijetuan deri në ditët tona datojnë në këtë periudhë. Popullsia e qytetit duket të ketë mbetur e njëjtë në shekujt XVIII dhe XIX. Më 1811, qyteti ra në duart e Ali Pashë Tepelenës. Ai u kujdes që të kryheshin punime të reja fortifikuese në kala, si dhe të ndërtohej një ujësjellës 12 km i gjatë, që merrte ujë në malin e Sopotit. Ujësjellësi prej guri u vizatua nga piktori i famshëm britanik Eduard Lear (shih foton), i cili udhëtoi mjaft nëpër këtë krahinë. Ujësjellësi u shemb më 1932, por mbi lagjen “Dunavat” ka mbetur ende një hark i tij, që njihet me emrin “Ura e Ali Pashës”. Pasi Ali Pasha u vra nga forcat e Portës së Lartë (kështu quhej oborri i sulltanit në Stamboll), qyteti vazhdoi të funksiononte si qendër administrative, qendër tregtimi e bagëtive, leshit, shajakut, prodhimeve blegtorale, të mëndafshit dhe qëndistarisë.
Po në shekullin XX, ç’mund të themi për Gjirokastrën?
Gjirokastra ka qenë gjithnjë vatër patriotizmi duke qëndruar në vijën e parë të përpjekjeve për identitet kombëtar shqiptar në shekullin XIX. Më 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbështeti aktivisht kauzën e vetëvendosjes dhe rezistencës ndaj sundimit otoman. Më 1908, u hap shkolla e parë shqipe në qytet me emrin “Iliria” dhe më pas u krijuan një sërë shoqatash e klubesh patriotike.
Në fillimet e shekullit XX Gjirokastra u bë një çështje e rëndësishme, ndërkohë që përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë së sotme. Për një periudhë që pasoi shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, ajo ishte pjesë e “Republikës Autonome të Epirit” nën gjeneralin Zografos, i cili kërkonte bashkim me Greqinë, por, pas Luftës I Botërore, fuqitë e Antantës (Britania, Franca dhe Rusia) e bindën Greqinë që të tërhiqte pretendimet e saj nga kjo hapësirë me shumicë shqiptare. Kufiri i tanishëm u ratifikua më 1921.
Po me vendosjen e regjimit monarkik në Shqipëri, çfarë pozicioni ka mbajtur Gjirokastra?
Gjatë mbretërimit të mbretit Zog Gjirokastra u bë një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike të vendit. Në këtë periudhë u ndërtua edhe burgu i madh në Kala. Gjatë pushtimit fashist që pasoi, qyteti ishte qendër e rezistencës kundër forcave italiane dhe më pas atyre naziste. Krahinat rrotull Gjirokastrës u çliruan më 1944 nga forcat partizane, duke shërbyer si bazë për çlirimin e gjithë vendit më nëntor 1944.
Meqë dolët shpejt te komunizmi, Gjirokastra dihet që është vendlindja e diktatorit. Sa i privilegjuar shfaqet ky qytet në studimet tuaja?
Unë nuk kam shkruar në këtë këndvështrim, për privilegjet. Jam marrë vetëm me folklorin ndër vite, përfshirë edhe periudhën e diktaturës. Megjithatë, di të them që, vitet e komunizmit shënuan përpjekje për një industrializim në shkallë të gjerë, por edhe përpjekje të mëdha për të mbrojtur trashëgiminë kulturore unikale të qytetit. Ka një seksion të veçantë kushtuar periudhës komuniste.
Po Gjirokastra e “demokracisë”, si është në traditë?
Sapo nisi të dalë ngadalë nga kaosi fillestar pas rënies së komunizmit, Gjirokastra ra më 1997 në një kaos të ri pas rënies së skemave mashtruese piramidale, ku mijëra familje humbën kursimet e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e Pazarit u dogj ose u dëmtua gjatë kësaj kohe, kur qyteti lëngonte në një gjendje rrethimi dhe njerëzit luftonin për mbijetesë në një mjedis të dhunshëm dhe në mungesë të ligjit. Kriza shkaktoi një tjetër emigracion masiv dhe braktisje të ndërtesave historike, që nisën të prishen dhe të rrëzohen. Ditët e Qytetit-muze dukeshin të largëta, në një kohë kur shteti ishte i pazoti të kryente detyrën e vet ligjore për të financuar mirëmbajtjen dhe ruajtjen e ndërtesave historike të Gjirokastrës. Sot, mua më duket se Gjirokastra është duke u ringjallur. Qyteti ka universitet dhe është qendër administrative rajonale. Turizmi po tregon se është një nga shpresat më të mëdha për zhvillimin ekonomik të qytetit, duke u bazuar në trashëgiminë unikale kulturore, historike dhe arkitekturore.
Skeda Olta Bello
Ka lindur në vitin 1987
Ka mbaruar Liceun Artistik “Jordan Misja”, në vitin 2005
Ka mbaruar “Akademinë e arteve”, Dega Skenografi – Kostumografi, në vitin 2009
Pas studimeve, ka punuar si skenografe dhe kostumografe, në disa shfaqje si: Drama “Gjashtë personazhe kërkojnë autorin” (Salla e madhe, Akademia e Arteve), “Të gjithë për një, një për të gjithë (Teatri “Metropol”), “Gratë e atij fshati”, komedi (Black Box), “Testamenti i ri”, komedi (Black box).
Ka fituar disa çmime, si: “Koleksioni i qelqtë”, ku u vlerësua me çmimin si shfaqja më e mirë – dramë, në Teatrin Kombëtar.
Fituese e dy çmimeve të para në konkurs pikture “Couleurs d’Aquitaine”, në Francë, etj.






