Obama-Romney, presidenti rrëzon në tapet sfidantin, batutat dhe replikat më pikante


Libia, Irani, Afganistani. Kuaj dhe bajoneta, shkurtimet në fushën e mbrojtjes. Ironik, tallës dhe agresiv, në duelin e tretë televiziv në Florida, presidenti fiton mbi sfidantin e tij. Ja cila ishte goditja vdekjeprurëse e Obamës dhe super gafa e moderatorit.


Nga Ilaria Molinari


Këtë e radhë e hodhi në tapet. Ylli i Obamës ka ndriçuar shumë në skenën e Boca Raton në Florida. Këtë herë debati ishte mbi politikën e jashtme, një temë e rëndësishme që duhej debatuar ballë për ballë. Por në këtë temë Obama ishte i jashtëzakonshëm, dhe këtë herë ai fitoi bindshëm.
Me një dozë të fortë agresiviteti, me një ironi elegante, kurajo dhe siguri, Obama duket se është nisur drejt një mandati të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Barack Obama doli fituesi i vetëm i 90 minutave në debatin me sfidantin e tij Mitt Romney. Dhe një sondazh Cbs e jep fitues 53% të votave.
Obama hyn në skenë si një nga burrat më elegantë të planetit, duke u prezantuar në skenën e Lynn University me një kostum të errët, këmishë të bardhë dhe më një kollare blu si ngjyrat e partisë së tij. Përkundrazi, sfidanti ishte i veshur me kostumin e ngjyrave të tij zakonshme kuq e blu.
Obama e nis direkt në sulm. “Në katër vite kemi dalë nga ato politika që na çonin vetëm në luftëra, dhe nga një borxh i madh ekonomi. Guvernatori Romney do që të na çojë sërish prapa në politika e luftës: ju takon ju të vendosni”, deklaroi Obama duke iu drejtuar publikut.
Dhe më pas rrit dozat mbi Romenyn që ka ndryshuar shpesh strategji. “Deri pak muaj më parë thoshte se është Rusia armiku ynë kryesor. Lufta e Ftohtë ka mbaruar, por ai ende nuk e kishte kuptuar.

Buzëqeshje

Dhe sërish: “Tani Romney thekson se armiku numër një është Al Kaeda. Pozicionet e tij janë të gabuara dhe konfuze, ne kemi nevojë për një lidership të fortë dhe të qëndrueshëm”. Dhe i drejtohet sfidantit: “Ti dëshiron të aplikosh një politikë të jashtme si në vitet ’80, politika sociale si të viteve ’50 dhe politika ekonomike si në vitet ‘20”.

Gafa

Komplet ndryshe toni i Mitt Romney, më pak ofensiv, me raste edhe paqësor në tentativat e tij për të rrëzuar Obamën.

Ndërsa Bob Schieffer, moderatori Cbs, bën një super gafë duke folur për “kapjen e Obama bin Laden” duke ngatërruar emrin e presidentit të Shteteve të Bashkuara me kreun e Al Kaedës, për të cilin për 12 herë rresht kandidati republikan e komplimenton Obamën. Mes motiveve, pikërisht vrasja e terroristit.
Por menjëherë akuzon Obamën që nuk ka mundur të mbrojë interesat amerikane, në radhë të parë në Libi ku u vra ambasadori amerikan. Në tentativë për të mos u dukur si President që do luftë Romney ripërsëriti se lidhur me Iranin “lufta është mjeti i fundit”. “Është e rëndësishme që bota myslimane ta refuzojë ekstremizmin -, ka argumentuar Romney – nuk dua një tjetër Irak dhe as një tjetër Afganistan”.

Libia dhe vrasja e ambasadorit

Ish guvernatori Romney e kritikoi mbrëmë Obamën se nuk ka një strategji të qartë për ndalimin e dhunës në Lindjen e Mesme.

“Unë e përgëzoj presidentin Obama për vrasjen e Osama bin Ladenit dhe ndjekjen që po i bën udhëheqjes së al-Kaidës, por ne nuk mund të humbasim rrugën tonë nga kjo rrëmujë. Ne duhet të kemi një strategji shumë të plotë dhe të fuqishme për të ndihmuar botën Islame dhe pjesë të tjera të botës që kundërshtojnë ekstremizmin e dhunshëm radikal që sigurisht nuk është shuar.”

Kurse Obama tha se Amerika ka bashkëpunuar ngushtë me aleatët për të sjellë paqen dhe demokracinë në rajon, duke përmendur Libinë si një shembull. “Pa dërguar trupat në terren, me kosto prej më pak se dy javë sesa kemi shpenzuar në Irak, për të çliruar një vend si Libia që ishte nën zgjedhën e diktaturës për 40 vjet, nga një despot që kishte vrarë amerikanë dhe përkundër tragjedisë në konsullatë, ne pamë dhjetra mijëra libianë pas ngjarjeve në Bengazi që marshuan duke thënë, “Amerika është miku ynë. Ne qëndrojmë me ta.”

Goditja vdekjeprurëse

Mbi Iranin, Obama tha se administrata e tij ka treguar “forcën” duke zbatuar sanksione të ashpra, më të dëmshmet ndonjëherë ndaj Republikës Islamike. “Sa të jem president, Irani nuk do të ketë kurrë një armë nukleare”, deklaroi ai fort.
Pastaj ironia. Një Barack Obama agresiv dhe tallës, por me klas përdor asin nën mëngë kur akuzon Romneyn që i ka ngelur ora “në epokën e kuajve dhe bajonetave”. E kjo frazë bëhet menjëherë hit në Twitter.

Në një nga momentet, Romney u gjend në pozitë shumë të vështirë përballë ironisë së pamëshirshme të Obama-s. Kandidati republikan duke bërë një autogol deklaroi se janë bërë hapa prapa përsa i takon marinës luftarake amerikane (The Navy), dhe se “ne kemi më pak anije se në vitin 1916”. Dhe përgjigja e kandidatit demokrat ishte therëse: “Po, i dashur guvernator, është e vërtetë, ne kemi më pak anije luftarake se sa kemi pasur në fillim të shekullit të kaluar. Por ne kemi më pak edhe kuaj e bajoneta”. Dhe me këtë donte t’i thoshte kundërshtarit se aftësia e kapacitetet luftarake sot maten me aeroplanmbajtëse, me nëndetëse bërthamore, etj.
Duke qenë në vështirësi Mitt Romney tentoi ta spostonte debatin mbi krizën ekonomike. Por edhe në fushë humbi. Obama ishte në formë.
Këtë herë fitorja e Obamës ishte vërtet e dukshme, ai përplasi kundërshtarin “tapet”. Takimi tani është më 6 nëntor, Dita e Zgjedhjeve.
Më pak se dy javë, dhe fjala u kalon zgjedhësve. Obama e di. Dhe pak minuta pas fundit të debatit të tretë u dërgon amerikanëve një e-mail: Përshëndetje, tani iu takon juve të më ndihmoni. Është gjithçka në duart e juaj. Bëj një donacion dhe shkojmë të fitojmë së bashku. Faleminderit. Barack”.

Debatet

Obama për Iranin

Në fillim të debatit, presidenti Obama, e sulmoi Romney, duke thënë se ai nuk ka politikë të jashtme të qartë, meqë ai, si biznesmen dhe ish guvernator i Masaçusetsit, i ka ndryshuar qëndrimet e shprehura për çështjet siç janë Siria, Irani, Rusia dhe Kina. Obama tha se sanksionet e intensifikuara ndërkombëtare kundër Iranit, për programin e tij bërthamor, kanë ndikuar në ekonominë e Iranit dhe ka shfaqur përkushtimin se gjatë presidencës së tij Irani kurrë nuk do të jetë në gjendje të prodhojë armatim atomik. Në këtë aspekt, Obama theksoi: “Për çështjen e Iranit… aq gjatë sa unë të jem president i Shteteve të Bashkuara, Irani nuk do të ketë armatim atomik. Këtë e kam bërë të qartë kur e fillova presidencën. Atëherë ne organizuam koalicionin më të fuqishëm dhe sanksionet më të fuqishme kundër Iranit në histori, dhe kjo po e paralizon ekonominë e tyre”. “Monedha e tyre ka rënë për 80%. Prodhimi i tyre i naftës ka shënuar nivelin më të ulët prej se ata luftuan kundër Irakut, para 20 vitesh. Prandaj, ekonomia e tyre është krejtësisht e çrregulluar. Arsyeja përse e bëmë këtë ishte për shkak se Irani bërthamor është kërcënim për sigurinë tonë kombëtare dhe është kërcënim për sigurinë kombëtare të Izraelit”, tha presidenti Barack Obama.

Mitt Romney për Pakistanin

I pyetur për Pakistanin, kandidati republikan për president amerikan, Mitt Romney, ka pranuar se me këtë vend ekzistojnë raporte të vështira, por tha se nuk duhet të ketë “shkurorëzim” ndërmjet Uashingtonit dhe Islamabadit, pasi Pakistani, i cili “shpërbëhet” do të ishte një “rrezik i jashtëzakonshëm”. “Pakistani është i rëndësishëm për rajonin, për botën dhe për ne, pasi Pakistani i ka 100 koka bërthamore dhe ata po nguten të prodhojnë edhe më tepër. Ata do të kenë më tepër se Britania e Madhe në një kohë, në një të ardhme relativisht të afërt. Ata po ashtu e kanë rrjetin Haqqani dhe Talibanët, që ekzistojnë në territorin e këtij vendi”. “Prandaj, nëse Pakistani shpërbëhet, shndërrohet në shtet të dështuar, do të jetë rrezik i jashtëzakonshën për Afganistanin dhe për ne. Prandaj, ne duhet të ndihmojmë në inkurajimin që Pakistani të lëvizë drejt një qeverie më stabile”, tha Mitt Romney.

Qëndrimet e kundërta dhe ato të përbashkëta

Obama dhe Romney patën qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me atë se cili është kërcënimi madhor për Shtetet e Bashkuara. Derisa Obama konsideron se ky është terrorizmi, Romney tha se kërcënim madhor është programi bërthamor iranian. Por, ka pasur edhe qëndrime identike për disa çështje. Në këtë kuadër, ata të dy shprehën përkushtim për ta mbrojtur Izraelin dhe për ta parandaluar Iranin nga prodhimi i armatimit atomik. Lidhur me Afganistanin, të dy kandidatët janë pajtuar se tërheqja e forcave të jashtme duhet të bëhet sipas planit deri në fund të vitit 2014.

Më shumë folën për politikën e brendshme

Analistja Stephanie Sanok, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë, se Obama dhe Romney, e shpenzuan një pjesë të caktuar të kohës duke folur, jo për politikë të jashtme, por për çështje të brendshme. “Ajo që ishte goditëse për mua ishte ajo se ishte një rast i madh për të dy kandidatët që të flasin për vizionin e gjerë për udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, por unë këtë nuk e pashë, prandaj ishte baras. Mendoj se asnjëri nuk u largua me fitore të qartë”, tha analistja Sanok.

Replikat

Për vrasjen e Bin Laden

“Urimet e mia për vrasjen e Osama Bin Laden. Por kjo nuk do të mjaftojë për të dalë nga një situatë shumë e komplikuar. Duhet të praktikojmë një politikë me rreze më të gjerë, një strategji të fortë për të mbështetur botën islamike dhe pjesë të tjera të botës në luftën kundër këtij ekstremizmi të dhunshëm dhe radikal” ka thënë Romni.

“Më bëhet qejfi që ju e pranoni se Al Kaeda përbën një kërcënim, sepse disa muaj më parë kur ju pyetën se cili ishte kërcënimi më i madh nga këndvështrimi gjeopolitik për Amerikën, ju u përgjigjët Rusia. Jo Al Kaeda por Rusia,” është kundërpërgjigjur Obama. “Nuk mund ta kthejmë pas në kohë politikën e jashtme në vitet 80 sepse Lufta e Ftohtë tashmë ka mbaruar prej 20 vjetësh. Por duke ju dëgjuar duket se ju dëshironi që të praktikoni politikën e jashtme të viteve 80”, ka vijuar ai.

Lindja e Mesme

“Të më sulmosh mua nuk përbën një axhendë-, është përgjigjur Romni, nuk është se duke më sulmuar mua ju do të fitoni sfidat në Lindjen e Mesme apo do të rregulloni situatën duke i dhënë fund dhunës.

“E kuptoj që ju nuk keni pasur rastin që të merreni drejtpërdrejt me politikë të jashtme, por sa herë keni shprehur një opinion, ka qenë ai i gabuari. Ke thënë se duhet të shkonim në luftë në Irak edhe pse nuk kishte asnjë provë për ekzistencën e armëve të shkatërrimit në masë”, ka vazhduar Obama.

Foto-lajm



Nipi i Romneyt-Obamës: Çfarë ke kundër gjyshit tim?

Pas mbarimit të debatit presidencial presidenti Barack Obama kaloi disa momente me nipin e vogël të kundërshtarit të tij, Mitt Romney. Në bisedë e sipër djali i vogël që kishte ndjekur debatin i thotë Obamës: Çfarë ke kundër gjyshit tim? Kjo pyetje e pafajshme e çliroi tensionin mes dy kampeve, të cilët nisën të qeshnin pa fund.