Kush e fitoi debatin e zëvendësve?


Pas debatit mes zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden (demokrat) dhe kandidatit për zëvendëspresident, Paul Ryan (republikan), BBC sjell këtë analizë të shkurtër


Nga Mark Mardell

Ky ishte një debat serioz dhe substancial mes dy burrave, të cilët ishin të mirinformuar.
Po ashtu debati kishte një moderatore të shkëlqyer, Martha Raddatz, e cila mbajti mirë lojën për një debat me çështje që nisnin nga tatimet deri tek Irani, nga aborti deri tek Afganistani.
Shumica e njerëzve të angazhuar politikisht do të pretendojnë se njeriu i tyre fitoi dhe argumentet nuk do mungojnë nga të dyja palët.
Zoti Biden ndoshta fitoi me pikë, por sjellja e tij mund të ketë stepur disa votues të pavendosur.
Ai ishte më i fortë, më agresiv dhe më i sigurt në pozicionin e tij- por qeshte, buzëqeshte, ngërdheshej me kundërshtarin e tij, në një mënyrë që ishte mospërfillëse, por që disa mund ta quajnë irrituese.

Topi në fushën e Obamës

Paul Ryan, për dikë pa shumë përvojë në politikën e jashtme, bëri një shfaqje të mirë, por nuk ishte në gjendje të përgjigjej për disa pyetje të vështira, veçanërisht për Afganistanin dhe Sirinë.
Dobësia e tij u shkaktua drejtpërdrejt nga një dëshirë ideologjike për të sulmuar presidentin Obama si të dobët, pa qenë i qartë se çfarë është një politikë e fortë.
Ai nuk ishte në gjendje të thoshte se çfarë do bënin ndryshe në Siri, çfarë do bënte që trupat të qëndronin më shumë në Afganistan ose çfarë gropash tatimore do të mbyllnin.
Debati për papunësinë dhe taksat në fakt ishte më i qetë dhe më i matur. Zoti Ryan është portretizuar nga demokratët si gogol, por në fakt ai doli përgjithësisht si serioz dhe i këndshëm.
Ndoshta disa do e shohin Biden si një kloun. Ndoshta ka qeshur shumë, por njeriu në skenë nuk ishte budalla.
Debati ndoshta nuk do të ndryshojë shumë- topi është akoma shumë në fushën e Obama-s për javën që vjen.