Falë nxjerrjes së 250 mijë fuçive naftë në ditë, Erbil prej tre vjetësh po përjeton një bum të jashtëzakonshëm ekonomik. Ndërsa në Bagdad vazhdojnë atentatet, këtu nuk ka asnjë gjurmë terrorizmi. Ëndrra për ndarjen vazhdon
Parajsa e re e naftës
Nuk ka kontrolle me ushtarë të armatosur deri në dhëmbë me veshje “lufte”, por vetëm policë të paarmatosur që drejtojnë trafikun e makinave japoneze akull të reja. Po ashtu, nuk të zë syri pallate të shkatërruara nga autobombat, as grumbuj me plehra, por vetëm vila të vogla postmoderne, grataçiela gjigante të denja për një emirat arab, pazare të pastra si farmaci, të rrethuara nga shatërvanë dhe lulishte shumë të bukura. Kur nga Bagdadi ulesh në Erbil, kryeqyteti i Kurdistanit irakian, të jepet përshtypja se je në Kaliforni, ku edhe emrat e lagjeve si “Dream City” apo “Empire City” të bëjnë të mendosh se mirëqenia është në nivelet më të larta. Erbili i vjetër, që nën regjimin e Sadam Huseinit ishte viktimë e persekutimeve të tmerrshme raciale e që me rënien e regjimit baathist u përgjak nga terrorizmi i egër, prej tre vjetësh po përjeton një bum të madh ekonomik. Ai që dikur ishte një vend pastorësh dhe të pastrehësh, është shndërruar në metropolin e kufirit të ri të naftës: i pasur, i sigurt, ndërkombëtar. I pasur falë nxjerrjes së 250 mijë fuçive në ditë dhe rezervës së paeksploruar të naftës së vlerësuar në 45 miliardë fuçi. I sigurt, që kur rreth këtij rajoni, peshmerga-t, d.m.th. ish-luftëtarët e pavarur, kanë krijuar një “kordon” postblloqesh të papenetrueshme nga arabët. Ndërkombëtare, për shkak të një numri shumë të madh kompanish të huaja që kanë nisur të “kolonizojnë” këtë Eldorado të re. Dhe të mendosh që je vetëm tri orë larg me makinë nga Bagdadi, ku vetëm në shtator atentatet vranë më shumë se 3500 civilë dhe rreth 80 kilometra larg Mosulit të shndërruar në shpellën e Al-Kaedës. Por këtu nuk ka asnjë gjurmë të terrorizmit. Ato që janë tërhequr më shumë nga Kurdistani irakian janë mbi të gjitha kompanitë e naftës. Mes këtyre kompanive janë edhe ato gjigantet si “Exxon Mobil”, “Chevron” dhe “Total”. Erbil e shet naftën e nxjerrë nga territori i saj në Ankara, duke e eksportuar në bordet e kamionëve për gjatë kufirit verior të vendit pa lejen e Bagdadit. Ashtu siç shpjegon Homer Dizeyee, këshilltar i Presidentit të Irakut, kurdit Jalal Talabani, kjo marrëdhënie e re ekonomike me Turqinë mund të jetë kufiri i një aleance strategjike për të arritur një tjetër objektiv: “ëndrra e çdo kurdi është pavarësia. Tani ëndrrën e Kurdistanit irakian mund ta arrijmë me mbështetjen turke. Po ashtu, mendoj se kurdët e tjerë, d.m.th. ata iranianë, turq dhe sirianë duhet të luftojnë secili për hesapin e vet”, shpjegon Dizeyee. Kurdistani irakian është faktikisht i shkëputur tashmë nga pjesa tjetër e vendit, edhe pse, përveç naftës, ka një ushtri të tijën ashtu edhe një qeveri të tijën. Por sa duhet pritur për ndarjen përfundimtare nga Bagdadi? Në mars, Presidenti i rajonit autonom, Massaud Barzani, thotë se ëndrra e tyre ishte shumë pranë realizimit. Por siç shpjegon Dindar Zebari, përfaqësues i këtij rajoni në Kombet e Bashkuara, mungon ende konsensusi i kombeve fqinje. “Kemi përpara syve shembuj nga popuj që kishin ambicie si këto tonat, nga Kosova te Sudani i Jugut, nga Timori lindor te Tajvani. Jo të gjithë e kanë arritur atë që donin. Prandaj ecim me hapa të ngadaltë. Nuk mund ta deklarojmë veten me dëshirën tonë të shkëputur nga Bagdadi dhe pa asnjë mbështetje ndërkombëtare”. Megjithatë, Kurdistani është duke përgatitur “koreografinë” e nevojshme për të festuar ditën kur do të ndahet nga Bagdadi. Këtë po e bën me restaurimin radikal të qytezës së vogël, në zemër të Erbilit, e banuar prej më shumë se 6000 vjetësh, nga azerët, babilonasit, deri sa pak vite më parë u bë strehëza për të pastrehët e masakrave baathist-e. “Në vitin 2006 nisi një projekt gjigant prej 180 milionë eurosh për t’i dhënë këtij vendi shkëlqimin e dikurshëm. Mbi të gjitha është një projekt politik që do të restaurojë ndërtesa të epokës së vonshme otomane. Pjesa tjetër është e varrosur poshtë gërmadhave të tanishme”, thotë njëri nga arkitektët. Punimet kanë nisur. Hapi tjetër do të jetë shembja e portës së madhe prej gurësh të ndërtuar në kohën e Sadam Huseinit.Skeda
Territori - Kurdistani është një entitet federal dhe autonom në veri të Irakut. Kurdët janë të pranishëm edhe në Siri, Iran, Turqi, por pa pasur autonomi politikeHakmarrja - Autonom nga rënia e Sadamit në 2003-shin, ka një qeveri dhe ushtri të vetën. Nënshkroi marrëveshje për naftë pa lejen e Bagdadit. Qëllimi i vetëm është pavarësiaRezervat - Prodhimi është rreth 250 mijë fuçi në ditë, ndërsa rezervat e paeksploruara shkojnë deri në 45 miliardë fuçi. “Chevron”, “Exxon Mobil” dhe “Total” janë mes kompanive që operojnë atyKliko per me shume video!