Kryeministri kinez, një komunist miliarder

Familja e tij zotëron asete me vlerë 2.7 miliardë dollarë, raporton “The New York Times”



Nëna e Kryeministrit aktual të Kinës ishte një mësuese shkolle në Kinën veriore. I ati u urdhërua të kujdeset për derrat në një nga fushatat politike të Maos. Dhe gjatë fëmijërisë “familja ime ishte shumë e varfër”, ka deklaruar Kryeministri i Kinës, Wen Jiabao në një fjalim vitin e kaluar.
Por në moshën 90-vjeçare, nëna e Kryeministrit Yang Zhiyun, jo vetëm që ka lënë pas krahëve varfërinë, por është bërë shumë e pasur, së paku sipas dokumenteve të korporatave dhe autoriteteve. Vetëm një nga investimet nën emrin e saj në një kompani të madhe financiare të Kinës, vlerësohej në 120 milionë dollarë pesë vjet më parë. Detajet se si zonja Yang, një vejushë, akumuloi kaq shumë pasuri, janë të panjohura dhe nuk dihet as nëse ajo është e vetëdijshme se ka pasuri të tilla nën emrin e vet. Por është e sigurt që pasuria u krijua pasi i biri hyri në pushtet si zëvendëskryeministër më 1998-n, si dhe kur u bë Kryeministër më 2003-shin.
Shumë familjarë dhe kushërinj të Wen Jiabaos, duke përfshirë të birin, vajzën dhe vëllain më të ri, si dhe kunatin, janë bërë mjaft të pasur gjatë qeverisjes së tij, zbulon një hetim i kryer nga “The New York Times”. Analizimi i dokumenteve publike tregon se të afërmit e Kryeministrit, disa prej të cilëve, si p.sh. bashkëshortja, janë të njohur për ashpërsi në biznes – kanë nën kontroll asete me vlerë prej së paku 2.7 miliardë dollarë.
Në shumë raste, emrat e të afërmve janë fshehur pas avokatëve apo partnerëve, si dhe përmes mjeteve të investimit të miqve, kolegëve të punës etj. Zbërthimi i zotërimeve të tyre financiare ofron një pamje të pazakontë dhe të detajuar të situatës aktuale në Kinë, ku njerëzit e lidhur politikisht kanë përfituar nga të funksionuarit si pika ndërmjetëse mes qeverisë dhe bizneseve, ndërkohë që pasuria private dhe ndikimi shtetëror shkrihen në një në ekonominë me rritje të shpejtë të këtij vendi.
Ndryshe nga shumica e bizneseve të reja në Kinë, sipërmarrjet e familjes në disa raste kanë fituar mbështetje financiare nga kompanitë nën pronësi shtetërore, përfshirë operatorin celular “China Mobile”. Në raste të tjera, sipërmarrjet fituan mbështetje nga disa prej oligarkëve më të pasur të Azisë. NYT zbuloi se të afërmit e Wen akumuluan aksione në banka, tregti bizhuterish dhe resorte turistike, kompani telekomunikacioni dhe projekte infrastrukture, në disa raste duke përdorur kompani të regjistruara në parajsa fiskale.
Posedimet përfshijnë një projekt ndërtimi vilash në Pekin; një fabrikë gomash në Kinën e veriut; një kompani që ndihmoi në ndërtimin e disa prej objekteve të Lojërave Olimpike, përfshirë edhe stadiumin e mirënjohur “Çerdhja e Zogjve”; në lojë është edhe një nga kompanitë më të mëdha të shërbimeve financiare në botë, “Ping An Insurance”.
Si Kryeministër i një ekonomie që mbetet nën kontroll të fortë të shtetit, Wen ka autoritet të gjerë mbi industritë e mëdha, ku të afërmit e tij bëjnë biznese fitimprurëse. Kompanitë kineze nuk mund të listojnë aksionet e tyre në bursë pa miratim nga agjencitë që mbikëqyren prej Kryeministrit. Ai ka gjithashtu fuqinë të ndikojë në investimet në sektorët strategjikë, si energjia apo telekomunikacionet.
Për shkak se qeveria e Kinës nuk i bën publike diskutimet e veta, nuk është e qartë nëse Wen ka pasur ndonjë rol dhe sa rol ka pasur në shumicën e vendimeve rregullatore. Por në disa raste, të afërmit e tij janë përpjekur të fitojnë para nga vendimet e agjencive nën kontrollin e tij. Vëllai më i ri i Kryeministrit, për shembull, ka një kompani që ka fituar mbi 30 milionë dollarë kontrata dhe subvencione qeveritare për të menaxhuar trajtimin e ujërave të ndotura dhe mbetjeve mjekësore në disa nga qytetet më të mëdha të Kinës. Këto kontrata u realizuan pasi Wen urdhëroi rregullore më të ashpra për shkarkimin e mbetjeve mjekësore në vitin 2003.
Në vitin 2004, Këshilli i Shtetit, një organizëm qeveritar i mbikëqyrur nga Wen, hoqi disa kufizime për “Ping An Insurance” dhe kompani të tjera. “Ping An” doli në bursë për të tërhequr 1.8 miliardë dollarë financime përmes shitjes së aksioneve. Kompanitë e lidhura me familjen e tij, realizuan fitime të stërmëdha, duke investuar te kjo kompani para se ajo të dilte në bursë zyrtarisht.
Në vitin 2007, kur emrat e aksionerëve u bënë publikë për herë të fundit, familjarët e Kryeministrit dispononin aksione me vlerë të përgjithshme prej 2.2 miliardë dollarësh. Vlera tregtare e kësaj kompanie është aktualisht 60 miliardë dollarë.
Wen Jiabao, aktualisht 70 vjeç, pritet të dalë në pension marsin e ardhshëm. Analistët thonë se edhe pasi të dorëzojë postin formalisht, ai pritet të mbetet një politikan aktiv pas skene. Por dokumentet që tregojnë pasurimin e stërmadh të familjarëve të tij mund të zvogëlojnë ndikimin e tij. Mbështetësit e Kryeministrit thonë se ai nuk ka përfituar personalisht nga bizneset e familjarëve të tij dhe ndoshta mund të mos jetë i informuar për shumicën e tyre. Marsin e kaluar, ai sugjeroi se së paku ishte i vetëdijshëm për fjalët që qarkullojnë vazhdimisht mbi të afërmit e tij. Gjatë një konference për shtyp, ai këmbënguli se nuk ka kërkuar kurrë “përfitime personale” gjatë kohës që ka qeverisur.
“Unë kam kurajën të përballem me njerëzit dhe të përballem me historinë”, tha ai në mënyrë shumë emocionale. “Ka njerëz që do ta vlerësojnë se çfarë kam bërë, por ka gjithashtu njerëz që do të më kritikojnë. Në fund, historia do ta ndajë.”