Kazinotë, biznesi që lulëzoi frikshëm në kohën e krizës

Janë 2340 makina elektronike. Vesi prek nga deputetët, ministrat dhe familjet e thjeshta shqiptare

BLEDAR HOTI



Në kulmin e krizës ekonomike, në Shqipëri po lulëzon frikshëm vetëm një biznes: ai i lojërave të fatit. Duke shfrytëzuar mbështetjen e politikës dhe dëshpërimin e njerëzve, pikat e basteve dhe kazinotë po mbijnë si kërpudhat pas shiut. Të dhënat zyrtare flasin për 174 pika lojërash fati dhe rreth 2340 makina elektronike që prodhojnë miliona euro në javë. Në këtë lukuni jo të gjithë janë të ligjshëm. Biznesi ilegal mendohet se kontrollohet nga njerëzit më të afërt të qeverisë. Nga ky ves duket se nuk janë shmangur as politikanët. Jo të paktë janë deputetët e Parlamentit apo ministrat frekuentues të rregullt të kazinove dhe pikave të basteve. Këta parlamentarë janë parë rregullisht në kazinotë e kryeqytetit, por edhe në ato jashtë vendit. Makinat qeveritare me targën e famshme “Z” parkojnë lirshëm para kazinove dhe pikave të basteve. Berisha, në një debat parlamentar, në kohën kur ishte lideri i opozitës, akuzonte Kryeministrin e asaj kohe për hapjen e një kazinoje në qendër të Tiranës, e në të njëjtën kohë premtonte se kur të ishte ai në pushtet do t’i nxirrte ato në periferi të kryeqytetit. Por me ardhjen e tij, ato lulëzuan frikshëm, saqë në metropolin shqiptar të duket se ka më shumë kazino, sesa furra buke.
VARFËRIA
Rritja e varfërisë ka sjellë në mënyrë progresive rritjen e numrit të pikave të basteve dhe kazinove në të gjithë Shqipërinë. Sociologët e lidhin këtë fenomen me dëshpërimin dhe pamjaftueshmërinë për të pasur një jetë normale dhe në këtë pikë njerëzit i drejtohen “fatit”. Lojtarët shkojnë në lojërat e fatit me shpresën se do të rrisin shumën e parave që kanë në xhep. Dikush luan se nuk i mjaftojnë paratë për të siguruar jetesën e familjes, dikush tjetër për të dyfishuar paratë. Kështu dalë nga dalë lojtari hyn në një rreth vicioz. Ditën e parë ka humbur 10 mijë lekë dhe ditën e dytë kthehet sërish për të rimarrë paratë e humbura e për të fituar diçka më shumë. Pasi ka lënë 20 mijë lekë, lojtari kërkon të kthehet sërish, por këtë herë jo për të fituar, por për të nxjerrë paratë e tij. Pa e kuptuar lojtari e gjen veten të zhytur çdo ditë e më shumë në një lojë që i kthehet në makth. Pikërisht lojtarë të tillë janë ata që gjenden rëndom në kazinotë shqiptare. Peshat e rënda, sfera e lartë ku bëjnë pjesë dhe politikanët dhe ministrat, duket sikur janë larguar dhe luajnë vetëm në disa salla ku “të dëshpëruarit” nuk hyjnë dot.
Rritja e frikshme
Shtimi i kazinove ka nisur gjatë dy 2009 dhe 2010, periudhë e cila është karakterizuar nga një sërë ndërhyrjesh në ligjet që rregullojnë këtë treg, me qëllim rritjen e kontrollit dhe shtimin e detyrimeve që duhet të paguajnë kompanitë. Duket sikur kjo situatë do të vazhdojë gjatë dhe kumari do të jetë një nga fenomenet që do të shoqërojë fukarallëkun shqiptar. Pa para në xhep dhe të dëshpëruar shqiptarët po shesin edhe shtëpitë për të larë borxhet e krijuara nga kumari teksa dhjetëra familje shkatërrohen nga ky ves. Bashkia e Tiranës ka marrë një vendim për zhvendosjen e “pikave të mjerimit” në periferi të kryeqytetit. Një vendim që hyn në fuqi në qershor të 2013-s, masë që duket se do ndikohet nga moszbatimi dhe nga zgjedhjet e pritshme kuvendore.
Abuzimet
Drama sociale e qindra kazinove të shpërndara në çdo rrugë e rrugicë të Shqipërisë vjen si një paketë e plotë së bashku me abuzimet dhe vjedhjen sistematike. Të dhënat jozyrtare të Ministrisë së Financave flasin për rreth gjysmën e kazinove që operojnë pa licencë dhe me mbështetjen e njerëzve të pushtetshëm. Jo të gjitha punojnë në rrugë ligjore. Ato të njerkës paguajnë taksa në shtet dhe i vjedhin njerëzit pak e nga pak. Ato të nënës bëjnë kërdinë. Njerëzit që kontrollojnë tregun përzgjedhin kazinotë me të cilat do punojnë. Në mënyrë ilegale, pronarët e kazinove i paguajnë të njëjtën shumë parash personave që kontrollojnë rrjetin dhe ata përfitojnë mbrojtje pa limit, por edhe mund të tarojnë makinat sa të duan. Në këtë mënyrë ata mund të bëjnë ç’të duan pa u marrë vesh nga askush. Për disa para më shumë ata mund të zhdukin totalisht organet shtetërore nga vendi i tyre. “Gjendja në sallë nuk dihet, kontrollohet me kamera dhe bëhet e vështirë hyrja brenda në mënyrë të rregullt. Duhet ndihma e policisë për ndërhyrjen me forcë në këtë sallë”, thuhet në mënyrë të përsëritur në një prej raporteve për gjendjen e kazinove në kryeqytet. Emri dhe adresa e kazinosë janë hequr nga redaksia, por Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit i di shumë mirë se ku ndodhen.
Shifrat zyrtare
Për sa i takon pjesës tjetër, shifrave zyrtare të vetë NJMLF-së tregojnë se momentalisht janë regjistruar 25 kompani lojërash fati me rreth 180 salla dhe 2342 makineri. Nga këto 333 makineri janë të paregjistruara. Këtij numri duhet t’i shtohet edhe shuma tjetër e makinerive që nuk dihet se ku janë, pasi inspektorët nuk hyjnë dot në sallë. Gjithmonë duke iu referuar shifrave zyrtare, gjatë vitit të shkuar shteti voli 48 milionë dollarë taksa nga aktiviteti i lojërave të fatit në Shqipëri. Edhe pse nuk është shifra reale mjafton një shumë e tillë për të pasqyruar atë çka po ndodh realisht me lojërat e fatit në vend si edhe zgjerimin e aktivitetit të tyre kryesisht gjatë këtyre tre viteve të fundit.
Sallat kanë një numër të konsiderueshëm makinash elektronike, i cili fillon nga 10. Ky është numri minimal i mundshëm për të marrë leje për hapjen e një salle. Në qytete të mëdha si Tirana, Durrës etj., numri mesatar varion nga 30 deri 40 makina në sallë, por ka pika të caktuara, kryesisht në kryeqytet ku numri i makinave arrin deri në 80 të tilla. Burime nga Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit shpjegojnë se një pjesë e mirë e makinave elektronike që funksionojnë në këtë treg nuk janë të regjistruara dhe rrjedhimisht nuk paguajnë taksa, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm vjetor që kalon 20 milionë dollarët. Taksat që duhet të paguajë pronari i një kazinoje nuk janë të pakta. Vetëm për makinat elektronike, ligji parashikon një taksë prej 100 mijë lekësh në muaj.
Bastet sportive
Kazinotë i kalojnë pikat e basteve për nga sasia e parave që qarkullojnë, por jo nga numri. Në të gjithë vendin kanë funksionuar jo pak, por 1800 pika bastesh sportive (skedinat) deri në fund të vitit 2011. Pjesa më e madhe e tyre janë të vendosura në qytetet e mëdha, ndërsa kanë një shtrirje më kapilare sesa kazinotë që gjenden kryesisht nëpër qendra të banuara urbane. Kohët e fundit, krahas qëllimit të tyre fillestar, të vendosjes së skedinave për ndeshje futbolli, gara me kuaj, me qen etj., pikat e basteve kanë marrë edhe një funksion tjetër, duke i hyrë në hise edhe kazinove. Kanë filluar të vendosin edhe ato makina elektronike. E gjithë kjo bëhen nën vëzhgimin e inspektorëve të NJMLF-së. Kushti për të marrë leje për hapjen e një salle kazinoje është që të kesh 10 makina, por pronarët e pikave të basteve nuk bien në këtë kurth. Ata nuk marrin 10 makina, por më pak duke mos kaluar limitin. Në këtë mënyrë, ato funksionojnë edhe si pika bastesh, por edhe si kazino duke i dhënë një dorë tjetër zgjerimit të kumarit në vend.


Shifra
38 kompani
38 kompani lojërash fati janë licencuar nga shteti shqiptar. Ato kompani kanë qindra salla me makina të regjistruara dhe ilegale

178 salla
Të dhënat zyrtare për 25 kompanitë më të mëdha të lojërave të fatit tregojnë se në emër të tyre janë 178 salla bixhozi ku më e vogla ka 10 makineri dhe më e madhja 45 makina

2343 makina
Në total kompanitë e mëdha kanë 2342 makina kumari. Nga këto 333 makina janë të pacertifikuara. Këtij numri i shtohen edhe shumë të tjera që zyrtarët nuk mund t’i verifikojnë.

22 firma
22 kompani zyrtare bastesh punojnë aktualisht në Shqipëri. Mungojnë të dhënat zyrtare për numrin e sallave të basteve, si dhe për shumat e parave që qarkullojnë përmes tyre.

48 milionë lekë
48 milionë lekë taksa paguan kazinotë, pikat e basteve dhe bingot gjatë vitit të shkuar. Kjo shifër është 25 për qind më e madhe krahasuar me taksat e paguara gjatë vitit të shkuar.


Pastrimi i parave
Bixhozi është parë ndër vite edhe si një mënyrë tepër e mirë për të pastruar paratë. Asnjë nga pikat e basteve apo kazinotë që funksionojnë në Shqipëri nuk të jep faturë që të tregojë se sa lekë ke shpenzuar apo ke fituar. Mund të largohesh nga salloni edhe me miliona lekë me vete dhe nuk mban faturë për to. Nga ana tjetër, paratë e krijuara në mënyra nga më të ndryshmet mund të deklarohen si të fituara në baste apo kumar dhe askush nuk mund të vërë në dyshim vërtetësinë e këtij pohimi.


Taksat për NJMLF-në

Shoqëritë e miratuara dhe të licencuara në fushën e lojërave të fatit derdhin në llogarinë e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit 0,5 për qind të xhiros vjetore, por jo më pak se:
a) 2 000 000 (dy milionë) lekë në vit për shoqëritë e licencuara për kazino dhe lotari kombëtare;
b) 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë në vit për shoqëritë që organizojnë kazino elektronike;
c) 1 000 000 (një milion) lekë në vit për shoqëritë që organizojnë baste sportive dhe baste për gara në pistë;
ç) 300 000 (treqind mijë) lekë në vit për shoqëritë që organizojnë bingo tradicionale e televizive.

Bastet sportive

Taksë fikse
Përveç pagesave të shoqërisë, për çdo pikë basti, duhet të kryhen pagesat në tarifa fikse mujore:
a) për rrethet e kategorisë së parë, 40 000 lekë
b) për rrethet e kategorisë së dytë, 30 000 lekë
c) për rrethet e kategorisë së tretë, 20 000 lekë

Tatim i ndryshueshëm
Organizatori i basteve sportive paguan tatim për lojërat e fatit 25 për qind mbi fitimin
nga loja , por jo më pak se:
a) për 1 deri në 99 pika të hapura, 10 milionë lekë në muaj
b) për 100 deri në 149 pika të hapura, 12 milionë lekë në muaj
c) mbi 150 pika të hapura, 14 milionë lekë në muaj

Kazinotë elektronike

Taksë fikse
Për çdo makinë elektronike me më shumë se një pozicion (ruletë) organizatori paguan një kuotë fikse mujore prej 100 mijë lekësh dhe 300 mijë lekësh në muaj për çdo pozicion
Tatim i ndryshueshëm
Organizatori i lojërave për kazino elektronike paguan tatim mujor mbi lojërat e fatit 4 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve, për por jo më pak se:
a) për rrethet e kategorisë së parë, 400 mijë lekë për çdo sallë dhe 100 mijë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;
b) për rrethet e kategorisë së dytë, 200 mijë lekë për çdo sallë dhe 60 mijë lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;
c) për rrethet e kategorisë së tretë, 100 mijë lekë për çdo sallë dhe 40 mijë lekë për çdo makinë elektronike të tipit slot e videolotari;