Izraeli përkundrejt Amerikës dhe përballë Iranit


 Nga Shlomo Ben-Ami




Vetëm një iniciativë zemërgjerë dhe e vendosur paqësore që do të ringjallte vërtet zgjidhjen me dy shtete, të shoqëruar nga një ngrirje e ndërtimeve dhe e zgjerimit të kolonive në Bregun Perëndimor, do të ndihmonte në rikthimin e vullnetit të mirë të palestinezëve dhe të vëllezërve të tyre në botën arabe. Dhe vetëm një rezultat i tillë mund të sigurojë vullnetin e mirë ndërkombëtar që i duhet si Izraelit ashtu edhe SHBA-së për një qërim hesapesh me Iranin

Shqetësimi i Izraelit rreth spektrit të një Irani bërthamor tani ka degjeneruar në një krizë besimi për sa u përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka nxitur një fushatë për ta detyruar presidentin amerikan, Barack Obama, të përcaktojë një vijë të kuqe, të cilën Irani nuk do të guxonte ta kalonte, ngase përndryshe do të përballej me rrezikun e një përgjigjeje ushtarake amerikane. Kërcënimet e nënkuptuara të një sulmi të njëanshëm izraelit, bashkë me ndikimin e dukshëm në fushatën amerikane për zgjedhjet presidenciale, e kanë komplikuar përpjekjen e Netanyahut për t’ia përdredhur krahun Obamas. Kundërthënia ndërmjet dy aleatëve reflekton pjesërisht afatet e tyre të ndryshme kohore: për Izraelin, vija e kuqe paraqet varrosjen e menjëhershme të fabrikave iraniane të pasurimit të uraniumit thellë nën tokë; për SHBA-në, ky është fillimi i një programi të dedikuar armësh. Mirëpo, njësoj kaq me rëndësi, përçarja nënvizon kundërshtimet e tyre të ndryshme. Për Izraelin, lufta me Iranin nuk ka të bëjë me neutralizimin e një kërcënimi ekzistencial; ka të bëjë me ringjalljen e statusit të tij rajonal. Liderët izraelitë konsiderojnë se pozicioni i shtetit të tyre në rajon po kërcënohet seriozisht nga shfaqja e një regjimi armiqësor islamik në Egjipt; nga mundësia e shfaqjes së një regjimi të ngjashëm krejt në fund edhe në Siri; nga brishtësia e Jordanisë tradicionalisht miqësore dhe nga rritja e rrezikshme e zgjimit të islamizmit rajonal, e cila i ka prodhuar Izraelit armiq të përbetuar, “Hamasin” dhe “Hezbollahun”. Si Netanyahu ashtu edhe ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, prandaj e shohin sulmin mbi Iranin si një veprim madhor strategjik që e synon një Lindje të Mesme më të gjerë, gjë kjo që nënkupton se ata nuk do të hezitonin për një fushatë ushtarake që shkon edhe përtej sulmeve të herëpashershme ajrore. Në të vërtetë, ata mbase parashikojnë sulme tokësore në Iran dhe ndoshta edhe një qërim të vendosur – dhe, për nga perspektiva e tyre, të gjatë - hesapesh me “Hamasin” në Gazë dhe “Hezbollahun” në Liban. Edhe pse të vendosur të shmangin një Iran të pajisur me armë bërthamore, edhe pse për ta arritur këtë nevojitet veprim ushtarak, SHBA-ja i llogarit pasojat e një qërim hesapi ushtarak në kushte tejet të ndryshme. Si një superfuqi që ka merituar vetëm zemërim me përpjekjet e veta të dështuara - qoftë në luftë apo diplomaci rajonale – në Lindjen e Mesme jofunksionale, SHBA-ja përballet me krizën iraniane në mes të një ndryshimi epokal strategjik karshi Azisë dhe Paqësorit. Pasojat e një lufte në Iran do ta ngulisnin SHBA-në në Lindje të Mesme edhe për shumë vite në vijim, duke ia rrezikojnë prioritetet e reja strategjike. Si rezultat i kësaj, SHBA-ja, edhe pse pa dyshim më mirë e pajisur se sa Izraeli për një luftë në mënyrë që të sigurojë që Irani të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga ambiciet e saj bërthamore, mund megjithatë të konstatojë se ky synim është thjesht tepër i kushtueshëm. Raporti i paradokohshëm i “Projektit Iran”, nënshkruesit e të cilit ishin ish-këshilltarët për siguri kombëtare të SHBA-së, Brent Scowcroft dhe Zbigniew Brzezinski, konstatoi se sulmi ushtarak amerikan në Iran mund vetëm të shtyjë programin bërthamor të vendit për më së largu katër vjet. Për të garantuar se Irani nuk do të sigurojë kurrë një bombë bërthamore, SHBA-ja duhet të vazhdojë presionin ushtarak në Iran për disa vite resht. Dhe, nëse detyrohet të imponojë ndryshim regjimi si një zgjidhje përfundimtare për këtë dilemë, raporti supozon se edhe për këtë nevojitet një okupim ushtarak, i cili do të kërkojë një përkushtim të resurseve dhe të personelit edhe më të madh se sa SHBA-ja investoi në luftërat e Irakut dhe Afganistanit bashkërisht. Për më tepër, supozimi konvencional se regjimet sunite arabe të rajonit do të japin aprovimin e nënkuptuar për një sulm ushtarak mbi instilacionet bërthamore të Iranit duhet të rishikohet në valën e “Pranverës arabe” - veçanërisht pas shfaqjes së befasishme të një dhune antiamerikane përgjatë botës myslimane. Paradigma e para “Pranverës arabe” që e përkufizoi Lindjen e Mesme si të ndarë ndërmjet “të moderuarve” dhe “ekstremistëve” tashmë është vjetruar. Qeveritë islamike që janë krijuar pas rënies së regjimeve kukulla të Amerikës nuk janë miq të një perandorie bërthamore të Iranit. Mirëpo, në luftën e tyre për mbijetesë, ato duhet të kanalizojnë antiamerikanizmin popullor. Për presidentin egjiptian, Mohamed Morsi, ky imperativ nënkupton fashitjen e bandave të zemëruara që kohë më parë sulmuan Ambasadën amerikane, në vend të dënimit të fuqishëm të dhunës. Një sulm në Iran, veçanërisht në rast se zhvillohet në një luftë më të gjatë përfshirë edhe autoritetet rajonale, është i prirë të shndërrohet në një nxitës të histerisë masive anti-Izrael dhe anti-SHBA, e cila mund të zhysë regjimet islamike në rajon në një dinamikë të eskalimit. Atëherë do të ishte e pamundur të përjashtohet një luftë rajonale. Problemi kryesor i operacionit ushtarak në Iran është nevoja për ta siguruar legjitimitetin e tij. Kina dhe Rusia kurrë nuk do ta lejonin SHBA-në që ta sigurojë mandatin e Kombeve të Bashkuara për një sulm. Për më tepër, përderisa provokimet iraniane që qartazi zbulojnë synimet e regjimit për të zhvilluar kapacitetin e armëve bërthamore mund të ndihmojë në sigurimin e mbështetjes për një veprim ushtarak amerikan, është larg nga të qenët e sigurt se evropianët, apo të tjerët, do të nxitojnë t’i bashkohen një tjetër “koalicioni të vullnetshëm” të prirë nga SHBA-ja. Trashëgimia e tmerrshme e Irakut dhe Afganistanit peshon rëndë mbi supet e demokracive perëndimore. Pjesa më e trishtueshme e këtij rrëfimi është indiferenca totale e Izraelit ndaj nevojës për të ndërtuar trashëgimi ndërkombëtare për synimin e vet që ta ndalojë programin bërthamor të Iranit. Netanyahu mendon me kushte të guximshme ushtarake, e jo në ato të një strategjie gjeopolitike. Politikat e pakujdesshme për Palestinën e kanë lënë Izraelin me miq të paktë në komunitetin ndërkombëtar, e lëre më me ata arabë në Lindjen e Mesme. Në të vërtetë, shumica e konsiderojnë obsesionin e Netanyahut me Iranin si asgjë më shumë sesa një dredhi të suksesshme për të hequr vëmendjen nga çështja palestineze. Vetëm një iniciativë zemërgjerë dhe e vendosur paqësore që do të ringjallte vërtet zgjidhjen me dy shtete, të shoqëruar nga një ngrirje e ndërtimeve dhe e zgjerimit të kolonive në Bregun Perëndimor, do të ndihmonte në rikthimin e vullnetit të mirë të palestinezëve dhe të vëllezërve të tyre në botën arabe. Dhe vetëm një rezultat i tillë mund të sigurojë vullnetin e mirë ndërkombëtar që i duhet si Izraelit ashtu edhe SHBA-së për një qërim hesapesh me Iranin.

Shlomo Ben-Ami, një ish-ministër i Jashtëm izraelit dhe ministër i Sigurisë së Brendshme, është nënkryetar i Qendrës për paqe me seli në Toledo. Ai është autor i librit “Vragët e luftës, plagët e paqes: Tragjedia izraelo-arabe”. Shkrimi është botuar së pari në “Project Syndicate”