Profesorët italianë e gjejnë mes sirtarëve të “pluhurosur”
Vetëm ky 100-vjetor mund të qëllonte ogurmirë në zbulimin e një “perle”, që shdërrin në gjerdanin artistiko-kultoror të identitetit shqiptar. Diku, mes rafteve të pluhurosura të departamentit të Letërsisë e Filozofisë në Palermo profesorët gjetën arkivin personal të një prej arbëreshëve më të shquar ndër kohëra. Bëhet fjalë për poetin Gavril Dara i Riu, ku “Kënga e Sprapsme e Balës” cilësohet kryevepra e tij, mbase edhe për faktin se kjo është vepra e vetme e tij në shqip. Tashmë është vendosur që kërkuesit e “zjarrtë” të këtij dokumenti tepër të vlefshëm, do të kenë mundësinë të prekin ëndrrën e të “zhyten” në botën personale të Darës. Pedagogët tanë të Fakultetit të Histori-Filologjisë, të cilët nuk i kanë shkëputur kontaktet me familjet arbëreshe apo fakulteteve italiane, kësaj radhe do të kenë fatin të eksplorojnë gërmën në bojë të Darës e të hulumtojë në mesazhet përcjellëse të idesë së tij, ku mbizotëronte kushtrimi i hedhur ndër shqiptarët që ndodhedhin nën shumë zgjedha fqinjësore. Fjala fat për profesorët shqiptarë vlen realisht, sepse homologët e tyre siçilianë as që e kanë ditur fare se ekzistonte ky arkiv personal i poetit. Burimi i këtij informacioni, artikulli i gazetares Epifania Lo Presti, publikuar në sitit http://www.magaze.it, nuk përmend detaje rreth përmbajtjes së këtij arkivi personal, pasi duket se profesorët italianë preferojnë që këtë ekspertizë t’ua lenë në dorë studiuesve të mirëfilltë të traditave, zakoneve dhe gjuhës së arbëreshëve. Në shkrim përmendet Matteo Mandala, pedagog në Universitetin e Letërsisë e Filozofisë në Palermo, një njohës prej vitesh i shkëlqyer në studime rreth arbëreshëve. Vetë docenti ia ka dorëzuar këtë dokument “letraro-strategjik” delegacionit të profesorëve shqiptarë. Gazetarja “Lo Presti” citon në shkrimin e saj se “Arkivi i zverdhur, i gjetur kohët e fundit, sipas prof. Mandala, mund të përmbajë aspekte që deri tanë kanë qenë të fshehura në skutat më të errëta të bilbiotekës. Ai mund të jetë burim për stolira të reja, në gjendje të rindërtojnë mozaikun e një idetentiteti kaq kompleks sa ai i popullit arbëresh”. Tashmë, shqiptarëve u mbetet të shpresojnë për të gjetur ndonjë vepër letrare në atë arkiv, pamflet a botim të tij, pikëpamje personale rreth zhvillimeve politike, kulturore, etj. Për shkak se Gavril Dara i Riu, si “rival” i De Darës, ishte një prej patriotëve më të thekur, rilindas aktiv në aktivitetet e aktualitetit dhe mbrojtës i kauzës shqiptare për liri, pritet që të ketë shkruar vargje a mendime të çmuara që do t’u shkonin për shtat festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë. Muaji nëntor duket se do të mbushet me ato që docenti italian i quajti si “stoli”, e kësisoj nga çdo “cep” Dara i Riut do të “festonte” me shqiptarët ëndrrën e realizuar së pavarësisë së përjetshme.
Cili është
Gavril Dara i Riu
Ai lindi më 1826 në Palazzo Adriano të Sicilisë në një familje të trashëguar bujarësh shqiptarë, që kishin kaluar përtej Adriatikut pas vdekjes së Skënderbeut. Po kështu Dara i Riu bëhet poeti trashëgimtar, pra brezi i tretë i një familjeje me kulturë kombëtare, ku kishin bërë emër gjyshi i tij Gavril Dara – Plaku, dhe i ati Andrea, veçanërisht në mbledhjen e folklorit arbëresh. Kjo trashëgimi kulturore familjare, ashtu dhe talenti i tij do të përbëjnë shtratin krijues që prodhoi poezinë e tij të madhe. Mbaroi seminarin italo-arbëresh të Palermos dhe kreu studimet për drejtësi dhe punoi si avokat. Si njeri i zoti në fjalë e në veprime, mori pozita administrative në disa qytete. Botoi një fletore letrare me emër Paligenesi, që merrej me letërsi italiane. Në Romë, në vitet 1871-1874, drejtoi të përkohshmen “La riforma”. Fundin e jetës e kaloi në qytetin Xhirxhenti, në të cilin vdiq më1885. Dara u mor me drejtësi, gazetari e poezi, duke pasur interes të veçantë për filozofi e arkeologji. Ai u mor me jetën e me kulturën italiane. Po si trashëgimtar i brezave të kulturuar të familjes, ai u mor me folklor dhe letërsi shqipe. Veprat i mbetën në dorëshkrim. Në dorëshkrim mbeti edhe kryevepra “Kënga e sprasme e Balës”, që u botua e plotë më 1906 në Katancaro. Më parë Zef Skiroi kishte nisur botimin e poemës më 1887, mirëpo një botim në vazhdime u bë në La Nazione Albanese gjatë viteve 1900-1902. Dara kishte shkruar edhe Alcune Poesie (1848) dhe I nostri mali (1870). Kënga e sprasme e Balës është pandan i Milosaos të De Radës: ka figurën poetike të freskët si ajo, por ka një strukturë artistike më të lidhur. Është një kryevepër e poezisë romantike shqipe.
Përshtati: Mariglen Mulla
Home »
» Itali, zbulohet arkivi privat i arbëreshit Gavril Dara i Riu