Nga Amanda Paul ("Zaman")
Sipas FMN-së, Irani ka ende rezerva të mjaftueshme për të vazhduar importet thelbësore (ushqime dhe mallra të tjera konsumi) për dy deri në tre vjet, dhe me shumë gjasa vendi do arrijë ta mposhtë inflacionin e tij të lartë (rreth 30 për qind) dhe t’i rikthehet rritjes vitin tjetër, pavarësisht sanksioneve, sikundër edhe të menaxhojë tepricën e vogël nga tregtia e këtij viti dhe vitit të ardhshëm
Në fillim të javës BE-ja vendosi sanksione të reja kundër Iranit, përfshirë shënjestrimin e sektorit bankar, detar dhe industrial të vendit, me shpresën se Teherani më në fund do të thyhet si pasojë e presionit dhe do të fillojë negociata serioze lidhur me programin bërthamor. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Baronesha Katherine Ashton, e cila kryeson përpjekjet ndërkombëtare me iranianët, deklaroi se shpresonte që rritja e trysnisë do ta bindë Teheranin të bëjë lëshime dhe se negociatat mund të rifillojnë “shumë shpejt”. Mirëpo, duke shikuar sjelljet e Iranit, nuk pres diçka të tillë. Irani një herë e një kohë ishte eksportuesi numër një i naftës në botë. Sot, si pasojë e sanksioneve, ai mezi zë vend në listën e 20 shteteve që eksportojnë më shumë naftë në botë. Bojkoti i naftës iraniane nga BE-ja këtë verë erdhi si goditje veçanërisht e vështirë pasi vetëm kjo po i kushton Iranit të paktën 5 miliardë paundë, të ardhura të humbura, çdo tre muaj. Në të vërtetë, Irani po vuan nga një situatë gjithnjë e më vështirë, me shifrat e eksportit të naftës që kanë cekur nivelet më të ulëta në më shumë se 23 vite. Shifrat tregojnë rënie të eksporteve me më shumë se një milionë fuçi në ditë.
Megjithëse Irani po eksporton rreth 1.2 milion fuçi në ditë, kjo shifër përfaqëson rënie të konsiderueshme. Si rrjedhojë, Irani është rrekur të rrisë sasinë e naftës që shet në Azi, por kjo ka qenë problematike. Së pari sepse sanksionet Kirk – Menendez izolojnë Iranin nga sistemi ndërkombëtar i pagesave dhe së dyti për shkak të presionit të Shteteve të Bashkuara ndaj një sërë blerësish të Iranit, për shembull, Indisë. Deri së fundmi, Irani ishte furnizuesi i dytë më i madh me naftë i Indisë, pas Arabisë Saudite, porse tashmë është zhvendosur në vendin e katërt edhe pas Irakut dhe Kuvajtit.
Goditja e fundit ishte kolapsi i rialit iranian, për të cilin Presidenti Mahmoud Ahmadinejad fajësoi “luftën psikologjike” të zhvilluar nga “armiqtë” vendas dhe të huaj të Iranit. Ky kolaps solli mijëra protestues në rrugë, duke demonstruar humbjen absolute të besimit tek Ahmadinexhadi dhe aftësinë e tij për t’u marrë me ekonominë. I njëjti zhvillim ndërkohë thelloi gjithashtu përplasjen midis Ahmadinejad dhe kundërshtarëve të tij të brendshëm. Kryetari i parlamentit dhe konkurrenti i mundshëm që mund të ketë sukses karshi Ahmadinexhadit në zgjedhjet presidenciale të 14 qershorit 2013, Ali Larijani, po përfiton më së shumti nga situata në vështirësim e sipër për të rritur mbështetjen për veten e tij dhe për të minuar Presidentin.
Me këto zhvillime negative, ndonjë mund të besojë me lehtësi se vendi shumë shpejt mund të futet në një krizë të thellë ekonomike. Mirëpo, sipas një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), kolapsi ekonomik i vendit nuk ngjan i afërt. Sipas FMN-së, Irani ka ende rezerva të mjaftueshme për të vazhduar importet thelbësore (ushqime dhe mallra të tjera konsumi) për dy deri në tre vjet, dhe me shumë gjasa vendi do arrijë ta mposhtë inflacionin e tij të lartë (rreth 30 për qind) dhe t’i rikthehet rritjes vitin tjetër, pavarësisht sanksioneve, sikundër edhe të menaxhojë tepricën e vogël nga tregtia e këtij viti dhe vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se megjithëse sanksionet po e dëmtojnë Iranin duke i zvogëluar eksportet e naftës, ato ende nuk janë aq të gjëra dhe të thella sa të shembin ekonominë e këtij shteti. Për më tepër, Irani vijon të shikojë lart e poshtë për mundësi të tjera biznesi në vende të tilla si Kina, Turqia apo India, shtete të cilat vazhdojnë të kenë marrëdhënie të forta tregtare me Teheranin. Një sërë ministrash iranianë zhvilluan së fundmi një vizitë në Indi në përpjekje për të fituar nga ky shtet më shumë investime dhe shkëmbime tregtare. Në të vërtetë, ka mundësi të mira biznesi në sektorin privat të Iranit, i cili vijon të mbetet në pjesën më të madhe i pandikuar nga sanksionet, përfshirë sektorin e energjisë së rinovueshme, farmaceutikën, agrikulturën dhe atë të përpunimit të ushqimit.
Nëse Irani vazhdon të bëjë kokën e tij, me shumë gjasa do të goditet nga sanksione të tjera perëndimore. Mirëpo, teksa Komuniteti Ndërkombëtar kërkon që Irani të ndalojë programin e tij bërthamor, qëllimi përfundimtar pa më të voglin dyshim mbetet ndryshimi i regjimit në këtë vend. Ekziston një besim se rritja e numrit të sanksioneve më në fund do ta acarojë popullin dhe ta ngrejë në një revolucion që do të rrëzonte mullahët dhe të sillte një lidership të ri - një lidership që nuk mbështet organizatat terroriste apo që nuk flet për zhdukjen e Izraelit nga faqja e dheut. Për më tepër, ky Iran do të ishte i mirëpritur të rikthehej në komunitetin ndërkombëtar për të luajtur një rol konstruktiv rajonal çka do të mundësonte që nafta dhe gazi i tij të rridhte lirshëm në tregjet ndërkombëtare. Mirëpo, siç dimë mirë nga e kaluara e afërt, rrëzimi i këtij regjimi nuk do të jetë aspak një mision i lehtë pasi ata e kanë vërtetuar se janë “me shtatë shpirtra” për gjatë viteve, përfshirë edhe tejkalimin e protestave masive pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2009, për të cilat shumë iranianë besonin se ishin manipuluar. Por për sa kohë nuk do të lëkundet ky regjim, me zemërimin popullor në rritje dhe me Larijanin që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet, ngelet për t’u parë.







