Gazeta Shqip
Imiton skenën e filmit
Babai i kishte marrë leje në shkollë që të dërgonte në shtëpi dashin për Kurban Bajram
Hysen LikdishaNgjarja tragjike ka tronditur jo vetëm rajonin e Bulqizës, por edhe mbarë opinionin, pasi ashtu siç shprehen vetë drejtuesit e policisë lokale, nuk kishin hasur asnjë rast më parë, që një fëmijë të vetëvritet, duke improvizuar skena filmash. Sipas policisë, vetëvarja ka ndodhur rreth orëve të mesditës, në fshatin Koçaj të Komunës Fushë-Bulqizë, kur i mituri është gjendur i pajetë në oborrin e shtëpisë së tij. Sipas dëshmive të marra në shkollën 9-vjeçare “Asllan Keta” në Fushë-Bulqizë, mësohet se 9-vjeçari Viron Shehu, nxënës i klasës së 3 të kësaj shkolle, ka marrë leje nga shkolla për të dërguar në shtëpinë e tij një dash që i ati, Rifati, e kishte blerë në qendër të komunës, për ta bërë kurban me rastin e festës së Kurban Bajramit. “Erdhi i ati, Rifati, dhe i mori leje për ta dërguar në shtëpi. Më tha se kishte për të dërguar një dash që e kishte blerë, pasi nuk kishte njeri tjetër në shtëpi” , thotë Bukurie Lami, drejtoresha e shkollës, duke treguar për fëmijën e larguar me leje nga orët e mësimit. “Ja kjo është banka ku ai mësonte, sipër së cilës tashmë është vënë një tufë me lule”, tregon mësuesja e vogëlushit, Mimoza Hida, e cila me lot në sy përsërit se ka qenë një nxënës shembullor në mësime dhe disiplinë.
Por, pasi ka ikur nga shkolla dhe ka arritur në shtëpinë e tij, e cila ndodhet rreth 500 metra larg, duke qenë i vetëm në shtëpi, pasi e ëma ka qenë duke marrë pjesë në një ceremoni mortore të një të afërmi të familjes, ai ka nisur të luajë në oborrin e shtëpisë me vëllain e tij më të vogël, vetëm 5 vjeç dhe djalin e xhaxhait. Nga dy të miturit e tjerë është mësuar se Vironi po u tregonte për një skenë filmi, që kishte parë në televizion. Sipas policisë, ai ka marrë një litar në kasolle dhe më pas një karrige, që e kishte brenda shtëpisë. Pasi ka hipur mbi karrige, ka hedhur litarin sipër pemës, duke u lidhur në qafë. Në ato momente, ka filluar të imitojë skenën e filmit, por karrigia është rrëzuar, duke i sjellë vdekjen 9-vjeçarit.
Vëllai i tij, Qemali i vogël, ende pa mbushur 5 vjeç, i cili po luante me të, i tmerruar nga skena e kësaj ngjarjeje ka rendur në rrugë, ku ka njoftuar për tmerrin e parë. Të afërmit e familjes kanë prerë litarin për t’i ardhur në ndihmë Viron Shehut, të cilin e kanë dërguar në spitalin e Bulqizës për ndihmë mjekësore. Por, burime nga spitali konfirmuan për “Shqip” se i mituri ka ardhur në spital pa shenja jete. Sipas policisë lokale, mësohet se menjëherë sapo kanë marrë lajmin, forca të policisë kriminale kanë shkuar në vendngjarje ku dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Policia tha se janë dashur disa orë nën drejtimin e dy prokurorëve për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje, duke marrë shkak edhe nga fakti se kishim të bënim me vetëvrasjen e një të mituri. Madje, fillimisht ka pasur dyshime edhe për predikime të ndryshme nga sekte fetare, por pasi janë pyetur në prani të prindërve dy të vegjlit e tjerë, atëherë, është kuptuar qartë se ka qenë imitim i një skene filmi.
Përjetimi
Filmat dhe ndikimet te fëmijët
Rasti i vetëvrasjes së fëmijës në Bulqizë mbetet si më tragjikët në Shqipëri, për faktin sepse e gjithë skena është krijuar mbi filmat që ka parë fëmija, duke sjellë një debat të gjerë mbi filmat dhe ndikimet që kanë te fëmijët, ku ngrihen shumë pyetje. Në çfarë shkallë është lidhshmëria në mes filmit me dhunë dhe sjelljes agresive të të rinjve? Si është mbrojtja dhe kujdesi shpirtëror i shoqërisë? Hulumtuesit e mediave masive luhaten të kundërshtojnë apo të vërtetojnë ekzistimin e një lidhshmërie dhe ndikimi midis filmit me dhunë (ose/dhe lojërave elektronike) dhe sjelljes reale agresive të përditshme. Por, për fat të keq, gjithnjë e më shumë, ekzistojnë shembuj mbi vrasje, të cilat për ditë e më shumë u përngjajnë skenave të përgjakshme të filmit. Sipas studiuesve, që herët është arritur në përfundimin, se leximi i fotografisë, kryhet e kuptohet ndryshe nga fëmijët, dhe ndryshe nga të rriturit. Duke mos minimizuar edhe nivelin edukativo – arsimor në familje do të duhej që prindërit të vendosin kufijtë, jashtë simpatisë dhe dëshirave që kanë për fëmijët e tyre, për mosndjekjen e filmit. Për kufirin e (mos)shikueshmërisë së filmit dhe emisioneve, kanë folur shpeshherë analistët, kritikët e filmit, sociologët, pedagogët dhe psikologët, por duket se zëri nuk kishte shkuar deri në Fushë-Bulqizë, ku u shënua rasti i djeshëm.
I mituri var veten para vëllait 5-vjeçar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip





