Gjetja e çelësit drejt mirëqenies


Nga Jeffrey D. Sachs


Jeffrey D. Sachs

Nëpërmjet një procesi të huazimit institucional dhe përshtatjes kreative, institucionet e suksesshme ekonomike dhe teknologjitë e reja u përhapën nëpër botë, duke i dhënë shtytje të madhe rritjes globale. Edhe sot ka mundësi të mëdha për këtë lloj të “arbitrazhit politik”, po të ishin të gatshme shtetet që t’i japin vetes kohë, për të mësuar prej sukseseve të shteteve të tjera

Në shumicën e reformave më të suksesshme ekonomike në histori, shtetet e mençura kanë mësuar nga sukseset politike të të tjerëve; duke i përshtatur me kushtet lokale. Në historinë e gjatë të zhvillimit ekonomik, Britania e shekullit tetëmbëdhjetë mori mësime nga Holanda; Prusia e fillimshekullit të nëntëmbëdhjetë mësoi nga Britania dhe Franca; Japonia e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë mësoi nga Gjermania; Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore mësoi nga SHBA-ja, derisa Kina e Deng Xiaopingut mësoi nga Japonia. Përmes një procesi të huazimit institucional dhe përshtatjes kreative, institucionet e suksesshme ekonomike dhe teknologjitë e reja u përhapën nëpër botë, duke i dhënë shtytje të madhe rritjes globale. Edhe sot ka mundësi të mëdha për këtë lloj të “arbitrazhit politik”, po të ishin të gatshme shtetet që t’i japin vetes kohë, për të mësuar prej sukseseve të shteteve të tjera. Për shembull, derisa shumë shtete janë duke u përballur me krizën e papunësisë, një pjesë e botës kapitaliste i ka punët mirë: Evropa Veriore, duke e përfshirë Gjermaninë, Holandën dhe Skandinavinë. Norma e papunësisë në Gjermani, këtë verë ishte rreth 5.5 për qind, derisa papunësia tek të rinjtë ishte rreth tetë për qind – tejet e ulët, krahasuar me shumë ekonomi të tjera me të ardhura të larta.
Si janë duke ia dalë evropiano-veriorët? Që të gjithë ata janë duke përdorur politika aktive të tregut të punës, duke e përfshirë punën fleksible, praktikat dhe trajnimet nëpër punë. Ngjashëm në një periudhë të krizash kronike buxhetore, Gjermania, Suedia dhe Zvicra kanë një buxhet pothuajse të balancuar. Që të tria mbështeten në rregulla buxhetore, të cilat bëjnë thirrje për balancë ciklike buxhetore. Që të tria marrin masa mbrojtëse për t’i mbajtur nën kontroll shpenzimet e tyre: moshën e pensionimit prej së paku 65 vjet. Kjo i mban kostot shumë më të ulëta, sesa në Francë dhe Greqi, për shembull, ku mosha e pensionimit është 60 ose edhe më e ulët, duke bërë që shuma për pensione të jetë tejet e madhe. Ekonomitë perëndimore të Bashkimit Evropian dhe Japonia, po ia dalin që shpenzimet e tyre totale për kujdes shëndetësor t’i mbajnë nën 12 për qind të GDP-së, me rezultate të shkëlqyera në këtë aspekt, derisa SHBA-ja shpenzon gati 18 për qind të GDP-së me rezultate mesatare. Dhe Amerika është i vetmi sistem shëndetësor që bazohet tërësisht në përfitime. Një raport i ri i Institutit amerikan të Mjekësisë ka zbuluar se sistemi amerikan për përfitime shpenzon pa nevojë rreth 750 miliardë dollarë për aspektet burokratike. Në një periudhë të kostove të rritura të naftës, shumë pak shtete kanë arritur progres në efikasitetin në fushën e energjisë. Shtetet e OECD-së, mesatarisht, përdorin 160 kilogramë të energjisë së barasvleshme me naftë për çdo 1.000 dollarë të GDP-së. Por në Zvicrën që është efikase në aspektin e energjetikës, përdorimi i energjisë është vetëm 100 kilogramë për 1.000 dollarë të GDP-së, në Danimarkë është vetëm 110 kilogramë, krahasuar më 190 kilogramë në SHBA. Në një periudhë ndryshimesh klimatike, disa shtete janë duke demonstruar se si të kalohet në një ekonomi më pak të varur nga dyoksidi i karbonit. Mesatarisht, shtetet e pasura lirojnë 2.3 kilogramë dyoksid karboni për çdo kilogram të njësitit energjetik të barasvlefshëm me naftën. Por Franca liron vetëm 1.4 kilogramë, si rezultat i suksesit të saj të madh në fushën bërthamore, që nuk kushton shumë. Suedia, me hidrocentralet e veta, ka një nivel edhe më të ulët të lirimit, në 0.9 kilogramë. Dhe derisa Gjermania është duke hequr dorë nga prodhimi i brendshëm i energjisë bërthamore për shkaqe politike, ne duhet të jemi të sigurt se ky shtet do të vazhdojë të importojë rrymë nga termocentralet bërthamore të Francës. Në një periudhë të konkurrencës intensive teknologjike, shtetet që kombinojnë hulumtimet private dhe publike dhe financimin për zhvillim, janë duke ua kaluar të tjerave. SHBA-ja vazhdon të shkëlqejë në këtë aspekt, me arritje të mëdha në eksplorimin e Marsit, ndonëse ai shkëlqim është vënë në rrezik përmes shkurtimeve buxhetore. Ndërkohë, Suedia dhe Koreja e Jugut i kanë mirë punët ekonomikisht mbi bazën e shpenzimeve për zhvillim dhe hulumtim që kap rreth 3.5 për qind të GDP-së, derisa ai i Izraelit qëndron në 4.7 për qind të GDP-së. Në një periudhë të pabarazisë në ngritje, të paktën disa shtete kanë ngushtuar pabarazinë në të ardhura. Brazili ka arritur suksesin më të madh në këtë drejtim, duke rritur shpenzimet për arsimimin publik dhe duke luftuar varfërinë përmes programeve të transferimit. Si rezultat i kësaj, pabarazia në të ardhura në Brazil është duke rënë. Dhe, në një periudhë të pasigurisë së madhe, Butani është duke shtruar pyetje rreth kuptimit dhe natyrës së lumturisë. Në kërkim të një shoqërie më të balancuar që kombinon mirëqenien ekonomike, kohezionin social dhe qëndrueshmërinë, Butani bazohet në lumturinë kombëtare bruto, në vend të produktit të brendshëm bruto. Shumë shtete të tjera – duke përfshirë Britaninë e Madhe, tani janë duke e ndjekur shembullin e Butanit, derisa interesohen për jetën e vetë qytetarëve të tyre. Shtetet që ndodhen në krye të listës sa i përket të qenit të kënaqur me jetën janë: Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia. Megjithatë, ka shpresë edhe për shtetet të tjera që ndodhen më poshtë. Kosta-Rika tropikale po ashtu është e ranguar lart në listën e lumturisë. Ajo që mund të themi është se shtetet më të lumtura e vënë theksin te barazia, solidariteti, llogaridhënia demokratike, qëndrueshmëria dhe institucionet e fuqishme publike.
Pra, ja një ekonomi që do të mund të përdorej si model: politikat gjermane të tregut të punës, pensionet suedeze, politikat franceze të energjetikës, sistemi kanadez i shëndetësisë, efikasiteti suedez në energjetikë, kureshtja shkencore amerikane, programet braziliane kundër varfërisë dhe lumturia tropikale e Kosta-Rikës. Natyrisht, po t’i kthehemi botës reale, shumica e shteteve nuk do të arrijnë një sukses të tillë në të ardhmen e afërt. Por, duke i hapur sytë në drejtim të sukseseve politike jashtë, natyrisht se ne do ta përshpejtojmë rrugën drejt përmirësimeve në botë. 

Autori është profesor i ekonomisë dhe drejtor i institutit “Earth” në Universitetin e Kolumbias