Home »
» Gjakmarrja, në 20 vite janë vrarë 6 mijë persona
Gjakmarrja, në 20 vite janë vrarë 6 mijë persona
Numri i viktimave të gjakmarrjes në 20 vitet e fundit shkon afërsisht në 6 mijë vetë. Statistikat e frikshme janë publikuar dje në Shkodër gjatë një takimi me temë, gjakmarrjen, ku është përkujtuar edhe dy vjetori i ndarjes nga jeta (për motive gjakmarrje) të Pastorit Dritan Prroni. Familja, shoqëria dhe kisha kanë bërë thirrje për frenimin e fenomenit që ka marrë përmasa shqetësuese dhe ka kapërcyer rregullat e Kanunit. Gjatë konferencës së zhvilluar në Shkodër janë përkujtuar Dritani, Marija 17 vjeçare dhe shumë viktima të tjera të pafajshme të gjakmarrjes, ndërkohë që janë publikuar edhe statistikat e 20 viteve të fundit, ku numri total i viktimave të gjakmarrjes shkon afërsisht në 6 mijë vetë. Elona Prroni, bashkëshortja e pastorit të vrarë, u shpreh se duhet shumë punë për të luftuar dukurinë mesjetare që po rrëmben çdo ditë jetë të pafajshmish. “Ne duhet të kuptojmë se lufta jonë nuk është kundër njerëzve, nuk është kundër atyre që vrasin për shkak të gjakmarrjes, por është kundër mentalitetit që në emër të një fenomeni mesjetar po përpiqet që të marr jetët e njerëzve”, thotë Elona Prroni, bashkëshortja e Dritan Prronit. Duke iu rikthyer dekretit të kishës për gjakmarrjen Arqipeshkvi i Dioqezës së Shkodër-Pult, Mons Angelo Massafra u shpreh se ç’kishërimi ishte e vetmja rrugë që i kishte mbetur Kishës për ruajtjen e jetës. “Ky dekret ka qenë dhe është një thirrje e fortë për jetën. Mos vra! Këtë të drejtë na e jep ligji i kishës. Kërkojmë me këmbëngulje dënimin me burgim të përjetshëm, pa mëshirë”, tha Arqipeshkvi i Dioqezes së Shkodër-Pult, Mons Angelo Massafra. Nga të dhënat e fundit që u publikuan në konferencën e djeshme në Shkodër vetëm në 22 vitet e fundit kanë ndodhur mbi 5200 vrasje, me mbi 5700 viktima. Rreth 1200 persona janë të ngujuar mes të cilëve rreth 130 fëmijë, çka i jep dimensione të rënda dhe jashtë kornizave kanunore fenomenit të gjakmarrjes.






