Mbështetësi Romney zbulon “bombën”: Dokumenta edhe për pasaportën.
Miliarderi: 5 milionë USD nëse tregon të dhënat e kolegjit.
Deklarata e Donald Tramp se ka në dorë një “bombë” që do të tronditë garën e Presidentit Obama, nuk ishte asgjë më shumë sesa një ofertë 5 milionë dollarëshe. Donald Tramp deri vitin e kaluar synonte të ishte vetë kandidat për President në SHBA, por nuk arriti mbështetjen e duhur për të garuar. Dhe iu kthye në krah republikanit Romnej. Duke sulmuar gjithnjë Obamën, Tramp është bërë më parë “pre” e humorit të Presidentit karizmatik amerikan në darka bamirësie dhe ka ikur i skuqur, kur e gjithë vëmendja është përqendruar tek ai nga shakatë e Obamës. Kështu, Tramp e kishte shumë për zemër të shihte Obamën të “rrënohej”. Shumë komentojnë se deklarata e Tramp për një “bombë” elektorale ka qenë më shumë lojë për të nxitur Presidentin të thotë vetë ndonjë të pathënë, përpara se ta “zbulonte” Tramp. “Kam një ofertë për Presidentin, një marrëveshje që nuk besoj se ai mund ta refuzojë dhe shpresoj të mos e refuzojë”, tha Tramp në një video postuar në “YouTube” të mërkurën. Ai tha se do ta shkruajë çekun 5 milionë dollarësh drejt një kompanie bamirësie që do ta zgjedhë Obama, nëse ai “hapet dhe na tregon të dhënat e kolegjit të tij dhe aplikimet e pasaportës”, tha Tramp, i cili e kushtëzoi në kohë ofertën, deri më 31 tetor. “Nëse ai i nxjerr këto të dhëna, u jep fund pikëpyetjeve dhe për më tepër zemërimit të shumë amerikanëve. Ata do të dinë diçka për Presidentin. Presidenti i tyre do të bëhet transparent si çdo president tjetër”, tha Tramp. Të hënën, Tramp u shfaq në “Fox News” dhe deklaroi se: “Kam diçka shumë, shumë të madhe që ka lidhje me Presidentin e Shteteve të Bashkuara”. Ai nuk dha detaje për skupin e tij, duke nxitur supozime të të gjitha llojeve në media. Nisën të qarkullonin zëra se Presidenti Obama mund të ketë shitur kokainë në kolegj. Një tjetër supozim kishte lidhje me çiftin Obama. Sipas kësaj teorie, Tramp kishte planifikuar të tregonte letrat e divorcit që ishin plotësuar e më pas anuluar rreth dy dekada më parë mes Obamës dhe gruas së tij, Mishel.
Zbuloi certifikatën
Tramp, i cili gjithnjë e ka përdorur si mjet sulmi kundër Obamës mungesën e certifikatës së tij të lindjes duke ngritur dyshime se ai nuk kishte lindur në SHBA, por në Kenia, ia ka arritur këtij synimi më parë. “Jam i nderuar që e kam detyruar atë të publikojë certifikatën e tij të lindjes”, ka deklaruar Tramp.






