Çmenduria shtrënguese e Evropës


Nëse Gjermania njëmend dëshiron ta shpëtojë euron, duhet ta lejojë Bankën Qendrore Evropiane të bëjë çka është e nevojshme për t’i shpëtuar vendet e zhytura në borxhe - dhe këtë duhet ta bëjë pa kërkuar edhe më shumë vuajtje të pakuptimshme


Nga Paul Krugman
(Nju Jork Tajms)

Paul Krugman
Sa shumë është folur për vetëkënaqësi. Vetëm para pak ditësh, urtësia konvencionale i mëshonte fort qëndrimit se më në fund Evropa i ka punët nën kontroll. Banka Qendrore Evropiane zbuti tregjet, duke premtuar se nëse është e nevojshme do të blinte bondet e qeverive në telashe. Rrëfimi më tej thoshte se të gjitha vendet të zhytura në borxhe, do të duhej të pajtoheshin për më shumë shkurtime, madje shumë të thella - nëse donin të merrnin hua prej Bankës Qendrore - dhe kështu gjithçka do të shkonte fjollë. Por furnizuesit e urtësisë konvencionale harruan se bëhej fjalë për njerëz. Papritur, Spanja dhe Greqia janë zhytur në greva dhe në demonstrata të mëdha. Publiku në këto vende po thotë se po kalohen kufijtë: me papunësi të shkallës së kohës së Depresionit të madh dhe me shtresën e mesme që i është reduktuar paga në shkallë pothuajse për të dalë për të lypur ushqim në deponi, është e tepërt të vazhdohet me shkurtime të reja. Dhe kjo nënkupton se mbi të gjitha nuk do të ketë kurrfarë marrëveshjeje.
Shumica e komenteve sugjerojnë se qytetarët e Spanjës dhe të Greqisë vetëm se po e shtyjnë të pashmangshmen; të protestojnë kundër sakrificave që aty po iu kërkohet patjetër t’i bëjnë. Ama, e vërteta është se protestuesit kanë të drejtë. Shkurtimet e reja nuk i shërbejnë kurrfarë qëllimi të dobishëm; aktorët e njëmendtë irracionalë janë pa dyshim politikanët dhe zyrtarët që mendohet se janë seriozë, e që po kërkojnë shtrëngime të reja financiare. Merrni parasysh zotimet e Spanjës. Cili është problemi i njëmendtë ekonomik? Spanja po vuan rëndë për shkak të një shpërthimi të krizës së patundshmërive, që shkaktoi një bum ekonomik, por edhe një periudhë inflacioni që e bëri ekonominë spanjolle jokonkurrente karshi pjesës tjetër të Evropës. Kur shpërtheu fluska, Spanja u përball me problemin e zorshëm të rimarrjes së vendit të merituar konkurrues, një proces i dhimbshëm që merr disa vjet me radhë. Derisa Spanja nuk e braktis euron - një hap që askush nuk e dëshiron -  është e dënuar të kalojë disa vjet me shkallë të lartë papunësie.
Por kjo vuajtje e pashmangshme po zmadhohet shumë nga shkurtimet e ashpra të kursimeve; dhe këto shkurtime shpenzimesh janë një rast i mirë i shkaktimit të dhimbjes për hatër të shkaktimit të dhimbjes. Para së gjithash, Spanja nuk është përfshirë në telashe pse Qeveria e saj ishte plëngprishëse. Përkundrazi, në prag të krizës, Spanja aktualisht kishte një tepricë buxheti dhe borxh të vogël. Deficitet e mëdha u shfaqën kur ekonomia stagnoi, duke marrë me vete edhe të ardhurat, por edhe në këtë derexhe, Spanja nuk duket se ka një barrë të madhe të borxhit. Është e vërtetë se Spanja po ka telashe të marrë hua për të financuar deficitet e veta. Sidoqoftë, problemi është kryesisht puna e frikës për vështirësitë më të gjera të vendit - e më së paku një trazirë politike përballë shkallës së lartë të papunësisë. Dhe shkurtimi i vogël i shpenzimeve nuk do t’i fashit ato shqetësime. Në fakt, një studim i kryer nga Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeron se shkurtimet e shpenzimeve në ekonomitë e thelluara në depresion, mund të reduktojnë besueshmërinë për investime, sepse rrisin shpejtësinë e rënies ekonomike. Më fjalë të tjera, gjendja e tanishme ekonomike sugjeron se Spanja nuk ka nevojë për më tepër shkurtime. Dhe tani nuk është koha që të rëndohet barra ndaj qytetarëve që të mbrohet një periudhë e vështirë. Shkurtimet e shpenzimeve do të ndikojnë në shërbime publike, dhe kështu do të dëmtojnë edhe prospektet për ekonomi të suksesshme për shkak të mungesës së të nevojshmes.
Pse, atëherë, dalin këto kërkesa për më shumë vuajtje? Pjesë e shpjegimit është se në Evropë, sikur se edhe në Amerikë, shumë më shumë “njerëz shumë seriozë” janë rrëmbyer nga kulti i shkurtimeve, duke besuar se deficitet buxhetore, e jo papunësia masive, janë rrezik aktual, dhe se reduktimi i deficitit disi do të zgjidhë një problem të sjellë nga zgjerimi i sektorit privat. Përtej kësaj, një pjesë e rëndësishme e opinionit publik në bërthamën e Evropës - e mbi të gjitha në Gjermani - është thellësisht i përkushtuar ndaj një qasjeje të rrejshme karshi gjendjes. Flisni me zyrtarët gjermanë dhe ata do ta portretizojnë krizën e euros si një shfaqje morali, një tregim i vendeve që nuk ia prishën vetes qejfin dhe që tani po përballen me krizën e madhe. Ata kurrë nuk i kushtojnë vëmendje asaj sepse nuk është se gjithçka që ka ndodhur, ishte rezultat i atyre zhvillimeve - dhe as që përmendin faktin se po aq fajtore janë edhe bankat gjermane që patën një rol të madh në inflacionin e flluskës së patundshmërive të Spanjës. Mëkati dhe pasojat e tij janë ato që nuk i heqin prej goje, dhe po vazhdojnë t’i mëshojnë fort këtij qëndrimi. Për më keq, kjo është gjithashtu ajo çfarë besojnë shumë votues gjermanë, kryesisht për shkak të asaj çfarë u thonë politikanët e tyre. Dhe kjo frikë bën që ata të kërkojnë së pari ndëshkim të shteteve jugore të Evropës, kinse ata, pa të drejtë, po vuajnë si pasojë e papërgjegjësisë së tyre. Kështu dhënia e huave këtyre vendeve, kushtëzohet me zbatim të shkurtimeve të shpenzimeve. Afërmendsh, kjo nuk është mënyra sesi duhet portretizuar këto kërkesa. Po, kjo është ajo çfarë po shihet. Dhe duket se jemi larg prej një fundi të këtij zhvillimi të pakuptimtë dhe të ashpër. Nëse Gjermania njëmend dëshiron ta shpëtojë euron, duhet ta lejojë Bankën Qendrore Evropiane të bëjë atë çka është e nevojshme për t’i shpëtuar vendet e rrasura në borxh - dhe këtë duhet ta bëjë pa kërkuar edhe më shumë vuajtje të pakuptimshme.