Nga Gareth Evans
![]() |
Gareth Evans |
Nuk është naive të besohet se përmbajtja bërthamore është e brishtë si në aspektin operacional ashtu edhe në shërbim të dyshimtë të ruajtjes së paqes. Po ashtu nuk është naive të besohet se edhe nëse armët bërthamore nuk mund të zhbëhen, ato në fund të fundit mund të bëhen të paligjshme. Obama mund të fajësohet se provoi. Edhe balonat e shpërthyer ndonjëherë janë më të mirë se sa një planet i shkatërruar
Peizazhi i politikave të Jashtme të presidentit amerikan, Barack Obama, është ndotur me balona të shpërthyer. Fjalimet spektakolare, shpresat e larta dhe pritjet e jashtëzakonshme kanë prodhuar kthime minimale. Përgjatë botës islamike – prej Afrikës Veriore në Irak, Afganistan dhe Pakistan – shohim marrëdhënie të brishta, transicione të palumtura, konflikte të pazgjidhura dhe sulme urryese mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkundër zotimit të Obamas për një fillim të ri të artikuluar në fjalimin e tij të qershorit të vitit 2009 në Kajro. Izraeli, i shurdhër karshi thirrje të Obamas, është edhe më larg pajtimit me Palestinën dhe më afër një lufte me Iranin, se sa ka qenë ndonjëherë. Gjithashtu, me gjithë përpjekjet e bëra për përmirësimin e marrëdhënieve më të rëndësishme bilaterale të Amerikës – ato me Kinën dhe Rusinë – lidhjet me të dyja këto shtete janë bërë edhe më të tensionuara, falë intransigjencës së fundmi të Kremlinit rreth Sirisë dhe sjelljes tashmë zyrtare kineze në Detin e Kinës Jugore. Mirëpo balona më e shpërthyer nga të gjithë mund të jetë ai që Obama e lëshoi në fluturim në Pragë, gushtin e vitit 2009, kur kërkoi lëvizje të shpejtë dhe serioze drejt një bote pa armë bërthamore. Një fillim i mirë ishte bërë me traktatin “START” ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë për kufizimin e vendosjes së armëve të rëndësishme strategjike, konferenca kryesisht e suksesshme e rishikimit të Traktatit të Moszgjerimit Bërthamor (NPT) dhe samitit produktiv të sigurisë bërthamore, nikoqir i të cilit ishte SHBA-ja. Mirëpo, gjatë vitit të fundit, shpirti i optimizmit që i kaploi këto zhvillime, fatkeqësisht, është zhdukur. Gjatë këtij muaji, një grup i ish-kryeministrave, ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, si dhe liderë ushtarakë, diplomatikë dhe shkencorë nga 14 shtete u takuan në Singapor, në kuadër të një rrjeti të lidershipit Azi-Paqësor për mozgjerim dhe çarmatim bërthamor (APLN). Ata shprehën zhgënjimin e tyre të thellë për atë që e përshkruan si “avullim të vullnetit politik” në glob për përpjekjet e çarmatimit bërthamor. Veçmas nga një tjetër samit tejet produktiv i sigurisë bërthamore në Seul, në mars të vitit 2012, lajmet e frontit të çarmatimit gjatë vitit të fundit kanë qenë qartazi të zbehta. Negociatat e mëtutjeshme SHBA-Rusi për reduktimin e armëve u ndërprenë bukur shumë përpara se të fillonte sezoni i zgjedhjeve presidenciale amerikane. Ndërkohë, asnjë shtet tjetër i pajisur me armë bërthamore nuk ka shprehur as më të voglin interesim apo ka zhvilluar negociata shumëpalëshe reduktimi derisa dy fuqitë më të mëdha, të cilat aktualisht posedojnë 95-përqindëshin e rezervave botërore, nuk bëjnë shkurtime të mëdha të mëtutjeshme. Veprimet e matura fillestare nga SHBA-ja për ta modifikuar doktrinën bërthamore – drejt pranimit se “qëllimi i vetëm” i armëve bërthamore është t’u përgjigjet kërcënimeve bërthamore dhe jo të atyre të llojit tjetër – ka çuar asgjëkundi. Negociatat për të “deaktivizuar” rreth 2.000 armë bërthamore të kohës së Luftës së Ftohtë që mbesin në gjendje gatishmërie tejet të rrezikshme kurrë nuk kanë filluar në të vërtetë.
Po ashtu nuk ka as shenja të lëvizjes për futjen në fuqi të Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalesës së Testeve Bërthamore (CTBT). Dhe njëkohësisht është arritur zero progres në thyerjen e bllokadës së negocimit të traktatit të ri për ndalesën e prodhimit të materialit fosil për armë bërthamore; në avancimin e progresit të shpërfillur të arritur në konferencën për të krijuar një zonë të lirë nga armët bërthamore në Lindjen e Mesme (rezultat kryesor i Konferencës së Rishikimit të NPT-së më 2010) dhe në përshpejtimin aktual të programeve për zhvillim të armëve bërthamore në Indi, Pakistan dhe Kinë.
Pra, kush duhet fajësuar? Disa e fajësojnë vetëm administratën Obama se ka dërguar sinjale të përziera ose edhe më keq: SHBA-ja, thonë ata, ka modernizuar vetë arsenalin e vet bërthamor, ka zhvilluar mbrojtje të re me raketa balistike dhe sistemet e armëve konvencionale dhe ka qenë tejet e gatshme që të akomodojë aleatët e vet evropianë dhe të Azisë Verilindore të druajtur rreth kufizimit të dimensionit bërthamor me një ombrellë të zgjeruar përmbajtjeve, nën të cilën ata do të strehohen. Mirëpo është vështirë të injorohen tkurrjet që një ambient tejet partizan dhe politikisht negativ në SHBA ka imponuar. Intransigjenca republikane ka përjashtuar SHBA-në nga ratifikimi i CTBT-së, që do të ishte një e arritur e madhe ndërkombëtare; pothuajse e vrau traktatin e ri “START” që në lindje të tij dhe ka shkaktuar një pengesë për negociatat e mëtutjeshme me Rusinë dhe Kinën. Nuk ekziston as ndonjë shenjë se ndonjë prej këtyre qëndrimeve do të modifikohet në rast se Mitt Romney, sfiduesi republikan i Obamas, bëhet president. Shqetësimet ndërkombëtare janë ndërlikuar – sidomos për liderët e APLN-së – nga deklaratat e pakëndshme të Romneyt për Kinën dhe Tajvanin, si dhe nga identifikimi i jashtëzakonshëm prej anës së tij të Rusisë si “armikun numër një gjeopolitik” të Amerikës. Ka të tillë që do të thoshin se është gjë naive të kërkohet një botë pa armë bërthamore, e aq më naive të mendohet se kjo që mund të arrihet. Mirëpo nuk është naive të jesh i shqetësuar për armët më johumane të shkatërrimit të shpikura ndonjëherë – 23.000 prej të cilave ekzistojnë akoma – me një kapacitet të kombinuar shkatërrimi të 150.000 bombave që u hodhën në Hiroshimë. Dhe nuk është naive të besohet se moszgjerimi dhe çarmatosja janë pazgjidhshmërisht të lidhura: se për aq gjatë sa një shtet siguron armë bërthamore, aq më shumë të tjerat do ta kërkojnë një gjë të tillë. Skajshmërisht naive – apo injoruese – është të besohet se burrështetasit dhe kontrolluesit e pagabueshëm ia kanë pamundësuar botës që të kalojë shtatë dekada pa një katastrofë të shkaktuar nga armët bërthamore. Nuk është naive të besohet se përmbajtja bërthamore është e brishtë si në aspektin operacional ashtu edhe në shërbim të dyshimtë të ruajtjes së paqes. Po ashtu nuk është naive të besohet se edhe nëse armët bërthamore nuk mund të zhbëhen, ato në fund të fundit mund të bëhen të paligjshme. Obama mund të fajësohet se provoi. Edhe balonat e shpërthyer ndonjëherë janë më të mirë se sa një planet i shkatërruar.
Autori ka qenë ministër i Jashtëm i Australisë për tetë vjet dhe president emeritus i GNK-së, aktualisht është rektor i Universitetit Kombëtar të Australisë. Shkrimi është botuar së pari në “Project Syndicate”






