Autobiografia e Ahmet Zogut, rrëfimi: Pse u bëra Mbret dhe i hapa dyert Italisë



Mbreti Zog gjatë një parakalimi para Ushtrisë Shqiptare
Për herë të parë bëhet e njohur autobiografia e Mbretit.
“Shqiptari është në zemër monarkist. Një fron do të thotë autonomi e vërtetë dhe pavarësi”
Nga Mbreti Zog deri në ditët tona na kanë ardhur përgjithësisht kujtime dhe rrëfimeve të të tjerëve. Kësaj here është vetë Mbreti që rrëfehet. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, si përfaqësues i Amerikës, ambasadori Herman Bernstein pati rastin të takohet dhe ta “intervistojë” Mbretin e shqiptarëve, i cili u është përgjigjur pyetjeve të diplomatit mbi jetën e tij dhe karrierën politike. Është një autobiografi në vetë të tretë, e gjetur në  arkivat e YIVO Institute for Jewish Research, në New York, të cilin albanologu Robert Elsie e ofron në faqen e tij on line.  Ndër të tjera, në këtë rrëfim Zogu prek edhe çështje të rëndësishme si marrëveshja me Italinë, koncesionet e naftës, prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë, lëshimi i Shën Naumit, kreditë e marra nga Italia etj.                         a.m
(vijon nga numri i kaluar)
Kryengritja e Dukagjinit i mësoi Zogut se Shqipëria nuk ishte ende mjaft e fortë për të qëndruar vetëm në mes të një rrethi kombesh të huaja, të pangopura dhe koprrace. Prandaj, edhe pse revolta u shtyp kësaj here, ishte e nevojshme të sigurohej se nuk do të kishte trazira të mëtejshme nxitur nga fuqitë e huaja. Për këtë arsye, Zogu vlerësoi të përshtatshme të arrinte një traktat miqësie me një shtet tjetër, për t’i dhënë fund një politike të rrezikshme izolimi. Ai hyri në negociata me qeverinë italiane, dhe, më 27 nëntor 1926, një traktat miqësie për një periudhë 5- vjeçare u lidh në Tiranë.
Ahmet Zogu dhe konti Çiano
Përveç kësaj, ai e konsideronte të nevojshme të lidhte një aleancë mbrojtëse me Italinë, duke ruajtur në të njëjtën kohë të drejtën e sovranitetit kombëtar, duke garantuar edhe një herë pavarësinë e integritetin territorial të Shqipërisë.
Mbi këto baza themelore dhe me të drejtat e detyrimet dypalëshe, më 22 nëntor 1927 u nënshkrua në Tiranë Traktati i Aleancës Mbrojtëse midis Shqipërisë dhe Italisë. Ky traktat u bë shpejt një faktor i rëndësishëm në stabilizimin politik të Shqipërisë dhe i dha kohë popullit shqiptar për t’i treguar botës se ata janë në gjendje të organizojnë një shtet modern. Ditën e nënshkrimit të traktatit nisi një kurs i ri në jetën e shqiptarëve. Ishte një stad që do të karakterizohej nga hapa të mëdhenj përpara në fushat ekonomike, financiare, administrative dhe kulturore.
Shqetësimi i brendshëm më i madh ishte nevoja për fonde për të financuar këtë program modernizimi. Shqipëria ishte shumë mbrapa vendeve të tjera në çështjet e zhvillimit ekonomik dhe nevojitej ndërtimi i veprave publike të të gjitha llojeve. Prandaj, ministri i Financave, Myfit Libohova, hyri në negociata me një grup financiar italian përfaqësuar nga Mario Alberti. U bë një marrëveshje për hapjen e një Banke Kombëtare dhe për një kredi prej 50 milionë frangash ari (afro 10 milionë dollarë ari). Mbi bazën e marrëveshjes, miratuar me modifikime nga Parlamenti në qershor 1925, përfaqësuesi i grupit italian brenda tridhjetë ditëve duhet të formonte Bankën Kombëtare të Shqipërisë, me një kapital nominal prej 12.500.000 frangash ari, e ndarë në 495 aksione të zakonshme me vlerë në 25 franga ari secila dhe 100,000 aksione, ndarë dhe vlerësuar në 1,25 franga ari secili. Zyra kryesore e Bankës do të ishte në Tiranë dhe degë të saj mund të hapeshin kudo. Sipas marrëveshjes, kohëzgjatja ishte pesëdhjetë vjet, por kjo periudhë mund të zgjatej me marrëveshje të ndërsjellë. Banka ndërmori krijimin e Shoqërisë për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë (SVEA).
Sipas marrëveshjes, kredia e SVEA-s nuk do të paguhej kurrë, sepse shumica e fondeve janë përdorur në vepra të përbashkëta, të tilla si ndërtimi i Portit Durrës dhe shumë rrugëve dhe urave, me karakter thjesht strategjik, për të cilat qeveria italiane kishte më shumë nevojë se vetë shqiptarët.
Që nga viti 1923, si kompania amerikane “Standard Oil’ dhe ajo anglo-perse “Oil Company” kishin kërkuar koncesionin e naftës së Shqipërisë nga qeveria. Antagonizmi i fortë dhe konkurrenca mes dy kompanive e bëri të domosdoshme për qeverinë ta shtyjë vendimin e saj për disa kohë, derisa kushtet e paraqitura të ishin studiuar me kujdes.
Së fundi, pas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit në 1925-n, Parlamenti miratoi kontratën anglo-perse për shfrytëzimin e zonave naftëmbajtëse në Patos. Më vonë koncesione të ngjashme janë dhënë për kompaninë “Standard Oil”, “Ferrovia dello Stato” dhe kompani të tjera. Në kohën e sotshme, kompania anglo-perse në rajonin e Patosit ka shpuar puse të shumta dhe ka gjetur një rezervë të bollshëm nafte, siç ka bërë gjithashtu edhe “Ferrovia dello Stato” në zonën e Vlorës.
Shpallja e Mbretërisë
Për shqiptarët, shpallja e Republikës së Shqipërisë në vitin 1925 nuk dukej si arritja më e madhe e qeverisë. Traditat e tyre, mentaliteti i tyre ishte i tillë që nuk i lejonte të kuptonin plotësisht idealet e një shteti republikan. Për ta, patriotizmi dhe dashuria e vendit mund të mos thotë asgjë po të mos jenë ca njerëz të gjallë që ta personifikojnë atë. Shqiptari i vërtetë është në zemër monarkist. Për njerëzit gjithashtu, një fron shqiptar do të thotë një autonomi reale dhe pavarësi, sepse ata kujtojnë historinë e vendit të tyre, kur Skënderbeu ishte Mbreti. Kjo ishte arsyeja që në vitin 1924 Asambleja Kushtetuese u nda në dy kampe të forta: monarkistët dhe republikanët.
Në fund, monarkistët triumfuan dhe Asambleja Kushtetuese, duke përfaqësuar vullnetin e popullit, ra dakord. Të shtunën, më 1 shtator 1928, Shqipëria u shpall mbretëri, mes aklamacionit të pashembullt dhe gëzimit. Zogu u kurorëzua kështu si Mbret i shqiptarëve, nën emrin e Zogut I, dhe tha fjalët e mëposhtme në Kuvend: “Sot, në momentin kur unë jam ngarkuar nga vullneti i popullit, të shprehur përmes jush dhe ndërgjegjes suaj, me detyrën e vështirë dhe të lartë për të udhëhequr shtetin, unë premtoj se do të kem gjithnjë parasysh përgjegjësinë time morale ndaj popullit shqiptar, që herët a vonë do të ngrihet me energji të pakufizuara për lartësimin e një kombi në mesin e kombeve”.
Vjena dhe atentati ndaj Mbretit Zog
Nga rrënojat e një populli të lashtë filloi të rritet Shqipëria e re. Puna e organizimit dhe konsolidimit të shtetit ishte shumë e madhe. Gjatë muajve të parë të 1930-s Mbreti punonte tetëmbëdhjetë orë në ditë rregullisht. Së fundi, kjo punë pandërprerë filloi ta lodhë dhe ta dobësojë atë, kështu që u këshillua nga familja dhe miqtë e tij për të shkuar jashtë vendit për një kohë të shkurtër trajtimi.
Prandaj Zogu la qeverinë në duart e Këshillit të Shtetit në shkurt 1931 dhe u largua për në Vjenë, duke kaluar Adriatikun me luftanijen italiane “Quarto”.
Në Vjenë jetonte një numër i madh njerëzish që kishin shkaktuar atentatin ndaj tij në vitin 1924. Pasi revolucioni i tyre kishte dështuar, ata u larguan nga vendi, dhe tani ishin duke jetuar një jetë aventureske dhe luksoze në kryeqytetin austriak, të mbështetur nga fuqi të ndryshme të huaja.
Këta ish-kundërshtarët e tij, nxitur nga vendi që i kishte paguar, vendosën t’i japin fund jetës së Mbretit Zog. Për këtë qëllim, më 20 shkurt 1931, ish-oficerët e xhandarmërisë Nok, Gjeloshi dhe Aziz Cami, u akuzuan si autorët e atentatit. Prandaj, kur Mbreti ishte duke u larguar nga Opera e Vjenës me ndihmësit e tij, ata qëlluan mbi të shumë herë. Mrekullisht ai shpëtoi. Por adjutanti i tij, major Llesh Topollaj, besnik dhe i drejtë deri në fund, u vra dhe ministri i Oborrit, Ekrem Libohova, u plagos në një përpjekje heroike për të mbrojtur Mbretin.
Në nëntor 1931, Traktati i Miqësisë i lidhur me Italinë në nëntor 1926 skadoi. Qeveria italiane kërkoi një rinovim, por Mbreti mendoi se kjo nuk ishte e nevojshme, pasi:
a) Meqenëse Traktati i Aleancës ishte në fuqi me të drejtat dhe obligimet e tij të dyanshme, një traktat i veçantë miqësie do të ishte thjesht një përsëritje e panevojshme.
b) Traktati i Miqësisë këtu dhe jashtë vendit ishte kritikuar aq shumë dhe kishte rezultuar i dëmshëm për reputacionin e Shqipërisë kështu që, në kuadër të kësaj propagande djallëzore dhe në mënyrë që të tejkalohet përshtypja e keqe, do të ishte me mend që të mos rinovohej më.
c) Traktati i Miqësisë, në nenin e tij të parë në lidhje me “statuskuonë politike dhe juridike”, ishte kuptuar nga populli shqiptar me synimin për të mbajtur regjimin në këmbë, dhe jo shtet sovran. Duke mos e rinovuar atë, do të kuptohet se të gjitha traktatet e lidhura gjatë mbretërimit të Zogut kanë në themel të tyrin shtetin dhe jo regjimin aktual dhe personin;
d) Në çdo rast, rinovimi i traktatit do të jetë i pakuptimtë, për shkak të politikës së sinqertë dhe të hapur të dy qeverive.
Për këto arsye, Mbreti refuzoi të rinovojë Traktatin e Miqësisë me Italinë.
Dhjetë kreditë italiane
Zhvillimi ekonomik i vendit nuk tregoi përparim të mjaftueshëm në vitin 1931 për t’i lejuar Shqipërisë rritjen e vazhdueshme, të nevojshme për interesat e saj jetike. Në drejtim të shpenzimeve të rënda për administratën ushtarake, mbreti kërkoi nga qeveria italiane, nëpërmjet ministrit të saj në Tiranë, Antonio Meli Lupi di Soragna, një kredi me qëllim që të lehtësojë programin konstruktiv dhe progresiv të qeverisë së tij.
Qeveria italiane, si një mik, aleat, fqinj dhe një shtet në Adriatik, pranoi që ta japë këtë kredi. Bëhej fjalë për një shumë maksimale prej 10.000.000 frangash ari, duke filluar me vitin fiskal 1931-1932, dhe që do të përsëritej për nëntë vjet rresht. Këto kredi do të ishin pa interes, dhe shlyerja e tyre i lihej nismës së qeverisë shqiptare, e cila mund ta bënte pagesën, kurdo që ajo e shihte të mundshme, pa lënduar situatën ekonomike financiare të vendit. Por në çdo rast, nuk do të bëhej asnjë shlyerje, përpara se hyrjet buxhetore të shtetit shqiptar të kishin arritur shumën vjetore prej 50.000.000 frangash ari.
Këto kredi vjetore duhet të zvogëloheshin në mënyrë proporcionale me rritjen e të ardhurave ose zvogëlimin e shpenzimeve të Thesarit shqiptar. Së fundi, kreditë duhet të përdoreshin kryesisht për zhvillimin e punëve publike, ekonominë kombëtare dhe arsimin kombëtar.
Mbi këtë bazë, më 30 qershor 1931 u miratua një ligj i veçantë, për miratimin dhe ratifikimin e kredive kontraktuara ndërmjet qeverisë shqiptare dhe italiane. Rregullore të veçanta, dekretuar nga Mbreti Zog, përshkruanin detyrat dhe kompetencat e një komisioni për përdorimin dhe shpërndarjen e kredive. Komisioni ishte i përbërë nga dy shqiptarë dhe dy italianë, emëruar me dekret mbretëror.
Në fuqinë e këtyre kredive vjetore, qeveria shqiptare përgatiti një listë të punëve të ndryshme për t’u ekzekutuar dhe për caktimin e ndarjeve buxhetore për punët publike, ekonominë kombëtare dhe arsimin kombëtar. Komisioni i Kredisë vazhdoi punën e tij për një farë kohe, por më vonë mosmarrëveshjet ende të pazgjidhura mes qeverisë shqiptare dhe italiane pezulluan operacionet e tij. Deri në atë kohë kreditë nuk ishin akorduar plotësisht. Kjo e detyroi Mbretin Zog të reduktonte shpenzimet e shtetit nga 30.000.000 franga ari në 18.500.000, në mënyrë që të kalonte situatën e krijuar, dhe të siguronte për Mbretërinë e tij një buxhet realist në përputhshmëri me fuqinë e saj financiare.