Arben Morina “bën” bashkë 40 firmëtarët


Portretet e 40 firmëtarëve do të ekspozohen në prag të 28 Nëntorit. Piktori Arben Morina, nip i një prej atyre që nënshkruan aktin e pavarësisë, Abas Kaninës, është thuajse drejt fundit. Ka në dorë portretin e 34-t dhe së shpejti do të mbarojë edhe 6 të fundit
Oliverta Lila

Arben Morina

Prej disa muajsh Arben Morina qëndron para kavaletës. Ka vendosur që si në vitin 1912, firmëtarët e pavarësisë t’i bëjë edhe njëherë bashkë. Fizikisht e pamundur, por përmes penelit po. Portretet e 40 firmëtarëve do të ekspozohen në prag të 28 nëntorit. Piktori Arben Morina, nip i një prej atyre që nënshkruan aktin e pavarësisë, Abas Kaninës, është thuajse drejt fundit. Ka në dorë portretin e 34-t dhe së shpejti do të mbarojë edhe 6 të fundit. Një nismë personale, një detyrim i ndjerë ndaj atyre që shënuan çastin historik. Pse e mori këtë nismë? Si ka punuar? Pse ka sjellë një Isamil Qemali ndryshe? Piktori na tregon për punën e tij me firmëtarët e pavarësisë.

Si lindi ideja për të pikturuar portretet e 40 firmëtarëve të pavarësisë?

Është një nismë individuale të cilën e ndieja se duhet ta bëja. Pavarësia është objekt i bisedës në familjen time duke qenë se një ndër firmëtarët është gjyshi im, Zihni Abas Kanina(Hamzaraj) dhe pesë kushërinj të tjerë. E shkuara, ngjarjet historike, firmëtarët, janë argumente të cilat mbushin ditët tona.

Cili është firmëtari që po pikturoni tani?

Jam në portretin e 34-t dhe është ai i Elmaz Boces. E gjithë kjo kohë ka pasur një ngarkesë shumë të madhe emocionale dhe më janë dashur herë pas here pauza. Nuk është e lehtë të merresh me 40 karaktere ku çdonjëri ka karakterin e tij, por janë të gjithë mendjendritur. Çdo portret më ka imponuar një mënyrë të caktuar pikturimi, mënyre të shprehuri dhe kjo më krijon variacion në krijimtari. 


Ke punuar vetëm mbi materiale fotografike apo të është dashur të shfletosh edhe biografitë e tyre për të hyrë sa më shumë në karakter?

Materiali fotografik ka qenë baza e punës sime. Me ndihmën e miqve dhe familjarëve të firmëtarëve, kam arritur të siguroj fotografitë, jo lehtësisht të gjetshme të gjitha. Ndonëse janë të gjitha bardhë e zi, disa të një cilësie shumë të dobët, unë kam vendosur t’i pikturoj me bojëra vaji, sepse kështu kemi brenda këtyre portreteve edhe të shkuarën, por edhe të ardhmen. Mua besoj se më karakterizon vetia që të depërtoj në portretin e tjetrit edhe nëse nuk e kam takuar apo nuk e kam njohur ndonjëherë, ndaj dhe nuk e kam pasur të vështirë të depërtoj në karakterin e secilit prej këtyre firmëtarëve, për të cilët kam lexuar edhe më parë.

Janë 34 portrete deri më tani. Sa kohë u ke kushtuar secilit prej tyre?

Mua më udhëheq mendimi, ndaj edhe në këtë rast kështu ka ndodhur. Realizimet i kam të shpejta, por për një portret është dashur më shumë kohë e për një tjetër më pak.

Ka një qasje ndryshe ndaj figurës së Ismail Qemalit. Jeni ndalur vetëm te portreti ndërsa trupi është i gjithë i përfshirë në një sfond të kuq. Pse kjo zgjedhje?

Figura e Ismail Qemalit është e pandarë nga flamuri, por në këtë rast mendova që të mos e banalizoja duke e pikturuar të tillë, ndaj zgjodha ta përdorja si simbol duke e bërë pjesë të veshjes dhe të sfondit të të gjithë pikturës. I kam dhënë dritë vetëm portretit të tij, duke harmonizuar gjithë pjesën tjetër me nuancat e së kuqes.  

Ti ende nuk ke një sallë për t’i ekspozuar. A ke kërkuar mbështetje në këtë pikë?

Unë kam biseduar me drejtues të institucioneve të rëndësishme dhe besoj se u takon atyre që t’i japin vëmendjen e merituar portreteve të këtyre firmëtarëve, të bërë për herë të parë bashkë. Unë mendoj se meriton të hapet në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku të kenë mundësi të gjithë të shkojnë ta vizitojnë. Në konceptin tim, kjo duhet të jetë një ekspozitë lëvizëse jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në trevat shqipfolëse, për të dhënë mesazhin e bashkimit.

Cili është perceptimi yt si artist për kremtimin e këtij 100-vjetori?

Mendoj që përpjekjet po bëhen, por teksa shoh historianë, politikanë, e të tjerë të flasin vazhdimisht për këtë përvjetor, mendoj se sa pak janë të pranishëm familjarët apo trashëgimtarët e atyre që firmosën më 1912 aktin e pavarësisë. Nëna ime është e bija e një prej firmëtarëve, është në moshë të thyer e besoj se një fjalë i duhej dëgjuar, djali i Mustafa Krujës, Fatosi, është po ashtu mbi 90 vjeç. Ata ruajnë kujtime e dëshmi që nesër nuk do të mund të thonë më, kanë fotografi të bukura, dikush ka ndonjë objekt, dikush dokumente. Ata janë një arkiv i tërë që duhen gërmuar.