Botime të reja
Ahmet Selmani: “Poezia e shprishur”, studim letrar, Shkup, 2012
Gjatë këtyre ditëve doli nga shtypi libri me titull “Poezia e shprishur” i autorit Ahmet Selmani. Fjala është për një studim të veçantë letrar që i kushtohet çështjes së poezisë bashkëkohore arbëreshe.
Duke e parë këtë si një letërsi gati të harruar për shkak të rrethanave historike, shoqërore dhe politike, me sa duket synimi i tij është që këtë pjesë të ndarë ta bashkangjesë në kuadër të tërësisë letrare kombëtare, pra për ta trajtuar si një pjesë integrale e cila e plotëson zbrazëtirën që ekziston prej kohësh në mozaikun e përgjithshëm shqiptar. Kështu arrijmë të kuptojmë akoma më qartë se problematikën e këtillë e vështron në aspektin historik dhe poetik, për ta vendosur në kontekstin real dhe bashkëkohor si një realitet të pakontestueshëm artistik.
Përveç përcaktimit të vazhdimësisë historike të kësaj pjese të letërsisë, ky autor njëkohësisht bën edhe determinim teorik dhe formal të saj, në radhë të parë duke e shpjeguar nocionin bashkëkohor, vetëdijen poetike, çështjen e zhanrit, realitetin dygjuhësor, prirjen konvergjente të saj etj. Ndërkaq, vëmendjen kryesore e përqëndron në makrostrukturën dhe mikrostrukturën e kësaj poezie, përkatësisht në përmasat substanciale të saj të cilat përthekohen në disa pika dalluese, siç është çështja e atdheut si një projekt virtual dhe real, e gjuhës si një arketip i krenarisë dhe kushtrimit, e njeriut si një kontrast jetësor dhe ekzistencial, e dashurisë si një filozofi e zbulimit dhe përjetimit, e vetmisë si një monolog i mbylljes dhe tjetërsimit.
Po ashtu, brenda studimit në fjalë ndalet edhe në strukturën tipologjike dhe kompozicionale, me çka na shpie drejt statusit konceptual të poezisë, metafizikës krijuese, karakterit diskursiv, ndikimit popullor, mozaikut figurativ, identitetit gjuhësor, subjektivitetit lirik, aventurës eksperimentale etj. Në gjithë këtë shtrirje të brendshme dhe të jashtme, në fund autori bën edhe një perceptim testamental të kësaj poezie, duke e parë ekzistencën e saj si një akt të mbijetesës, si tekst dhe si kontekst, si aksiomë pragmatike, si përkatësi letrare dhe si vizion modern.
E rëndësishme në këtë libër studimor është edhe pjesa e emërtuar si miniantologji, ku janë përfshirë nga një autor dhe nga një poezi, të cilët paraprihen me nga një koment kritik. Në fund është përfshirë edhe një rezyme në gjuhën angleze, , referencat, literatura, si dhe treguesi i emrave.
Lirim Alija