Zjarri në BKUK nuk preku librat

Të enjten BKUK-ja ka qenë e mbyllur. E rrethuar me shirit të verdhë, gjatë gjithë ditës aty kanë kryer hetime ekspertë të forenzikës dhe energjetikës. Megjithatë, as në fund të ditës nuk është dhënë përgjigje definitive për shkakun e zjarrit, që në orët e para të së enjtes përfshiu hapësirën 120 metrash katrorë në bodrumin e këtij institucioni. 
 
Përderisa eksperti i energjetikës, Ruzhdi Sefa, thotë se dëmi i shkaktuar si pasojë e zjarrit kap shumën prej rreth 40 mijë eurosh, drejtori i BKUK-së thotë se nuk ka dëm më shumë se 3 mijë euro. Ai garanton se nuk është djegur asnjë libër, megjithëse gazetarëve nuk u është lejuar hyrja brenda objektit. 

“Janë djegur pjesërisht dy frigoriferë dhe një kabllo e madhe e rrymës. Si duket ka qenë rryma e fortë dhe instalimi nuk e ka përballuar”, ka thënë Sali Bashota, drejtor i BKUK-së.