Nëse “pasaporta” e librit nuk mbante firmën e tij, as që mendohej se mund ta kalonte kufirin, nga Shtëpia Botuese për në shtypshkronjë. Më e vlefshme firma bëhej pasi bocat e një romani, vëllimi me tregime a poezi, përballeshin me zyrtarët e Komitetit Qendror, të Ministrisë së Arsimit e Kulturës dhe të Gjykatës së Lartë. Pas syrit të tyre vigjilent, jepej “visto” për shpërndarjen e tij në të gjitha libraritë e Shqipërisë, deri në skajin më të largët. Dhe e gjithë kjo peshë binte mbi të...
...Razi Brahimi, kritik e recent, gjithashtu pedagog e dekan në Institutin e Lartë të Arteve, por dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve qysh në krijimin e saj, rrëfen për “Shekullin” ditët e vështira që kaluan shkrimtarët dhe artistët, në vigjilje e pas Plenumit të IV të Komitetit Qendror, plenum ku Enver Hoxha dha sinjalin e qartë se artet, ekonomia dhe ushtria do të përballeshin me një sfidë të madhe. Megjithatë ai shton se ajo që e dëmtoi më shumë Lidhjen e atyre viteve kishte të bënte me ambiciet dhe meskinitetin e shkrimtarëve:
Ishte kohë liberalizmi dhe papritur u zhvillua një Plenum që e ndryshoi situatën. Si e komentoni ju?
Plenumi i 4-t i vitin 1973 nuk ishte rrufe në qiell të pastër. Pati një periudhë të gjatë kohe parapërgatitje që të vinim deri tek ai. Kjo filloi që në vitin 1961 kur Enver Hoxha mori një takim me shkrimtarët dhe artistët, fill pas prishjes përfundimtare me BS, takim në të cilën u shtruan problemet që kishin lidhje me ideologjinë. Në vazhdim do të vinte Plenumin 15 në vitin 1961, ku këtë herë kritikat ishin të drejtpërdrejta për vepra dhe emra autorësh, sidomos në dramaturgji. Në këtë fushatë u rreshtua dhe viti 1966 me fjalimin e Enver Hoxhës për revolucionarizimin e jetës në vend, ku u përmend dhe letërsia e arti. Ndërkohë u përparua në theksimin e luftës klasore për shkak të asaj që cilësohej si “rrethimi revizionist-imperialist i vendit”. Në vitin 1969 u realizua kongresi i II i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku të gjithë shkrimtarët pa përjashtim u solidarizuan me vijën e ndjekur deri atëherë nga Partia e Punës. Referatin kryesor e mbajti Dhimitër Shuteriqi si kryetar, ndërsa Ismail Kadare referoi për temën: “Socialistizimi i plotë i letërsisë e Arteve”, ku mes të tjerash ai tha se veprat e shkrimtarëve duhet të kenë më shumë dramacitet, të paktën aq sa i gjejmë në pusullat e shokut Enver gjatë luftës Nacionalçlirimtare. Kështu mbërritëm në vitin 1973 me Plenumin e 4 të KQ.
A mund të thuhej se kishte një flamurtar të kësaj periudhe liberale?
Todi Lubonja nga natyra ishte liberal, por ai që diktonte ishte Fadil Paçrami që punoi dhe për Festivalin e 11. Mendoj se akoma më lart ishte dhe Ramiz Alia. Pas plenumit 15 të vitit ’65, Fadil Paçrami, që ishte sekretar i propagandës në KP së Tiranës dhe anëtar i KQ, ngriti dy probleme; së pari foli për rrezikshmërinë e konservatorizmit dhe tradicionalizmit dhe së dyti tha: “Të heqim dorë nga pasqyrimi i kontradiktave mes nesh e armiqve dhe të merremi kryesisht me kontradiktat mes nesh”. Kjo frymë erdhi bashkë me spekulime të tjera për revolucionarizimin e jetës në vend. Me drejtimin e Paçramit dhe miratimin e Ramiz Alisë u ndërmor një veprim i diferencuar mes shkrimtarësh e artistësh duke u ndarë në tre kategori. 1-Ata që janë me ne; 2-Ata që duhet të na bien në gjunjë që t’i pranojmë në radhët tona; 3-Ata që duhen zhdukur. Tek grupimi i fundit futesha dhe unë.
Çfarë rreziku sillte ky kategorizim?
Në fundvitet ’60 dhe fillimin e viteve ’70, Paçrami mblodhi rreth vetes dy kategori njerëzish, të parët që t’i përdorte për kapital, për shkak të vlerave që kishin e ku futej Kadare e Shuteriqi, si dhe një kategori tjetër servilësh ku futej kryeredaktori i “Drita”-s dhe Drejtori i Teatrit Operës e Baletit. Në këtë mënyrë u krijua një atmosferë acaruese. Në një plenum të Komitetit Drejtues unë thashë shprehjen: “Po kalohet nga persekutimi moral në persekutim politik”. Situata avancoi me amplifikimin e kritikave që u bënë për Minush Jeron me dramën “Njollat e murme”, romanin “Tuneli” të Dhimitër Xhuvanit apo dhe diskriminimit që ju bë në një fushatë publicitare romanit “Juga e bardhë” e Jakov Xoxes. Kur “Njollat e murme” mori flamurin e Festivalit unë isha anëtar i jurisë dhe atëherë dhashë mendimin që të mos jepej asnjë çmim pasi asnjë nga dramat nuk e meritonte. Por këtë ma cilësuan si gabim politik, duke më thënë se nuk mundej një festival të mos kishte mbajtës të flamurit. Veprën në fjalë e pëlqeu shumë dhe Mehmet Shehu. Por një ditë erdhi për ta parë në skenë dhe Enver Hoxha. Në një mbledhje Enveri bëri nja dy vërejtje dhe disa sugjerime miqësore për dramën. Por jo më shumë se kaq. Mirëpo kjo u amplifikua nga të tjerët që ishin më poshtë. Gjithsesi vepra nuk u dënua për momentin dhe autorët e saj, dramaturgu e regjisori, vazhduan punën.
Paçrami e Lubonja e adhuronin shkrimtarin
Ambiciet dhe meskiniteti i shkrimtarëve amplifikoi atmosferën pas Plenumit të IV të KQ
“Pas Plenumit IV, kur u dënuan shumë artistë dhe shkrimtarë, Ismail Kadare thuajse nuk u prek fare. Ndërkohë Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja e adhuronin Ismail Kadarenë dhe e përkrahnin shumë atë. Kështu ata bënin çmos në mos për t’i eliminuar, të paktën për t’i frenuar kritikat ndaj tij. Ishte Paçrami që kishte nevojë për talentin e Kadaresë dhe jo ky i fundit për të. Mes viteve 1965-1973 njiheshin lidhjet miqësore mes Kadaresë e Paçramit. Për këtë arsye Kadare nuk duhet të mbante qëndrim negativ ndaj tij pasi ai ra nga “fiku” aq sa ta nxirrte atë antikombëtar duke shkruar se “Paçrami dridhej para monumentit të Skënderbeut më keq se pashai turk” Por Kadare mbrohej nga të gjithë titullarët kryesorë nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia. Pavarësisht historive politike, Kadare ishte i mbrojtur personalisht nga Enver Hoxha. Ndoshta ishte një ndjesi krahinore si gjirokastrite që ishin. Kjo marrëdhënie ishte vendosur përpara se të shkruhej “Dimri i madh”. Pas botimit të poemës, “Përse mendohen këto male”, Enver Hoxha e ka marrë vetë në telefon në redaksinë e gazetës “Drita”, ku e ka uruar. Edhe Dhimitër Shuteriqi shkroi një shkrim pas kësaj”.
Dëshmia
Fatos Arapi tërhiqet para Ismailit
Gjatë rrëfimit të tij Razi Brahimi thotë: “Në një rast Ramiz Alia kritikoi Kadarenë, duke thënë se merrej shumë me legjendat e të kaluarën dhe jo me temat aktuale. Unë nga ana ime shkrova një artikull ku thashë se Kadare po ndërton një histori të Shqipërisë që fillon nga e kaluara për të ardhur tek ndërtimi socialist i vendit. Për habinë time, në një Plenum të komitetit drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve, u sulmova pikërisht për këtë gjë dhe u tha shprehimisht se Ismail Kadareja as e pretendon dhe as e pranon këtë gjë. Edhe sot mendoj se ky ishte një kompromis: Është më mirë pranoj një vërejtje të Ramiz Alisë dhe të prishem me Razi Brahimin. Gjithsesi, në këtë kohë gazeta “Zëri i Rinisë” e sulmoi Kadarenë për liberalizëm. U bë një fushatë për ta goditur si një nga përfaqësuesit e modernizimit. Ndërsa kur “Dimri i madh” do të botohej në frëngjisht u porosita nga KQ që të shkruaja një shkrim të shkurtër për romanin, që si pararendëse do ta botonte ATSH edhe në frëngjisht. Ai mbrohej fort nga Ramiz Alia aq sa të tjerët trembeshin e tërhiqeshin nga debatet me të. Në një rast Kadare u përfshi në debat me Fatos Arapin pasi e akuzoi atë se në një novelë të tij “Dikush më buzëqesh” e kishte trajtuar si një personazh negativ të veprës. Ndërkohë që edhe Arapi pretendonte se një personazh i romanit “Kronikë në gur” presupozonte atë vetë. Fill pas kësaj Hamit Beqja që punonte në KQ në atë kohë, bën një artikull në mbrojtje të Kadaresë. Por nuk pati reagime për insinuatat që Kadareja bënte me të tjerët. Presioni ishte aq i madh sa Fatos Arapi bëri autokritikë në Lidhje dhe u detyrua t’i kërkojë të falur Kadaresë. Kështu unë them se Kadare mbrohej nga lart aq sa mund të përmend shprehjen: “Ishte monument kulture dhe mbrohej nga shteti”.
Telefonata e Ramizit: Jo arrogancë me Kadarenë
Ismail Kadare mbrohej fort nga Ramiz Alia aq sa të tjerët trembeshin e tërhiqeshin nga debatet me të
Thotë se kanë qenë miq, por kanë pasur edhe mosmarrëveshje për shkak të mosbotimit të një vëllimi me tregime. Razi Brahimi tregon: “Isha zv/kryeredaktor i revistës “Nëntori” kur Ismaili botoi vëllimin me poezi “Shekulli im”. Në atë kohë pati shumë shkrimtarë e kritikë që u sulën për ta kritikuar. Në një nga mbledhjet e Lidhjes, për librin e tij, përdora shprehjen: “Në letërsinë shqipe, Ismail Kadareja po vjen si dash me këmborë të madhe”. Më pas, kur punoja në ShB “Naim Frashëri” ai sjell një vëllim me tregime. Në këtë vëllim ishte përfshirë si tregim ai që sot njihet me emrin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Pasi e lexova i thashë: “Ke një tregim që të jep mundësi të shkruash një roman, të sugjeroj të merresh me të”. Ismaili e tërhoqi vëllimin dhe pas ca kohësh më dorëzoi romanin “Gjenerali...”. Pas botimit të tij, në vitin 1964, e solli përsëri vëllimin ku kishte një tregim të gjatë nja 60 faqe me titullin “Djemtë e Rrugës së Dibrës”. Për mua si tregim kishte probleme dhe e ktheva. Pjesë të këtij tregimi Ismaili i ka përfshirë te romani “Dimri i vetmisë së madhe”. Në përvjetorin e çlirimit ai u paraqit me poemën “Përse mendohen këto male”. Pas vëllimit me poezi, Ismaili sjell sërish librin me tregime. Sërish e lexova dhe kisha vërejtje të cilat ia paraqita Ismailit. Por ai pa pritur një përgjigje zyrtare nga shtëpia botuese, e kaloi çështjen në KQ. Shtëpia botuese kishte varësi dyfishe nga Drejtoria e Propagandës si shtyp e nga Drejtoria e Kulturës pranë KQ, si krijimtari letrare. Pasi u lexua atje më thërrasin dhe u takova me Fadil Paçramin e Nexhmije Hoxhën. Nxorën tekstin e përgjigjes sime dhe konkluzionin: “Je treguar tolerant, prandaj të metat t’i thuhen hapur e me gjuhë më të ashpër”. Unë gjeta një zgjidhje tjetër. Meqë Ismaili e kishte kanalizuar çështjen në këtë rrugë, mendova që përgjigjen të mos ia jepte redaksia, por vëllimin ta lexonin anëtarët e kolegjiumit të shtëpisë botuese, për t’i thënë secili mendimin e vet. Kështu ndodhi. Unë fola shumë pak dhe në fund i them: “Ismail, po të hyn në punë merr edhe përgjigjen me shkrim”. Kam pasur gjithmonë kujdes të mos bëja shënime në tekst, sepse ato e nervozojnë autorin. Po në çaste të caktuara më kap një lloj nervi. Më kujtohet një hollësi: kisha shënuar në një faqe “kjo është cinike”. Ismaili në vend të merrte mendimet që u dhanë në kolegjium, apo përgjigjen me shkrim që i dhashë unë, kapi disa nga këto shënime dhe dërgon një letër lart. Atëherë me merr në telefon Ramiz Alia e më thotë: “Ç’është kjo arrogancë që tregon me shkrimtarët?” Kur u kritikua për poezinë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” mbajta një kumtesës në mbrojtje të Kadaresë. Mbaj mend që Ismaili dhe Helena më prisnin te shkallët e Akademisë së Shkencave. Kur po ecnim në shëtitoren përpara godinës, ndaloi një veturë dhe prej saj zbriti Fiqrete Shehu. Ajo më tha: Razi, urime për kumtesën! Pasi u largua, i them Ismailit: Urimet ishin për ty jo për mua. Ai natyrisht e kishte kuptuar”
Agolli zëvendëson Shuteriqin
“Para Plenumit IV u bë një kontroll në Lidhje ku kryesorët e ekipit ishin Alfred Uçi dhe Dritëro Agolli. Pas kontrollit ata arritën në konkluzionin që sidomos gazeta “Drita” organ i Lidhjes kishte rënë në liberalizëm. Relacioni shkoi në KQ. Pas kësaj Dritëro Agolli u caktua sekretar i Lidhjes për letërsinë. Në kongresin e III të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ai u zgjodh kryetar. Pas Plenumit IV ish-kryetari Dhimitër Shuteriqi shumë i dëshpëruar më tha: “Nuk ma bën zemra të bëj autokritikë sepse njerëz që kanë gabuar më shumë se unë, jo vetëm që s’janë rrezikuar por po ngrihen lart”, rrëfen Razi Brahimi
Enveri: “Dimri” një roman racional
Razi Brahimi tregon: “Pas daljes të romanit “Dimri i vetmisë së madhe” më ftojnë në RTSH për një bisedë me punonjësit. Atje u pyeta se ç’mendime kisha për romanin e Kadaresë. U thashë se romani ishte shumë i mirë, që një shkrimtar ishte treguar shumë i guximshëm që kishte marrë përsipër të trajtonte figurën e udhëheqësit e të shkonte më tej ta shtrinte romanin në marrëdhëniet ndërkombëtare. Natyrisht u thashë se edhe unë kisha vërejtje. Po të njëjtën pyetje ia bënë edhe Enver Hoxhës gjatë një vizitë që ai bëri në Kombinatin Metalurgjik. Po ai tha: “Pse nuk merreni me anën racionale të romanit, por vetëm me dashurinë e Zanës me Besnikun”
Plenumi IV, fillimi i sulmeve në art, ekonomi e ushtri
Razi Brahimi thotë se Plenumi IV në thelb nuk kishte si qëllim goditje e liberalizmit: “Në fakt Plenumi IV nuk u kuptua në thelb. Raporti i Enverit kishte 3 pjesë ku flitej për “Letërsinë dhe artet”, “Ekonominë” dhe “Ushtrinë”. Poshtë kjo u reduktua vetëm në “Letërsinë dhe artet”. Ky segment u ngushtua akoma më shumë, vetëm në luftën kundër liberalizmit. Një gjë e tillë solli pasoja dramatike madje dhe tragjike për shkrimtarë e artistë të veçantë. Si partiakë u dënuan Fadil Paçrami, Todi Lubonja e Thoma Deliana. Nga kjo anë, ku Partia dënon drejtuesit e saj për moszbatim të vijës, ky plenum do të ishte normal. Por u ra në pozita të këqija pasi të gjitha bateritë u lëshuan kundër çdo shfaqje që cilësohej moderniste. Kishte ardhur koha të bëheshin ndryshme në letërsi dhe art, por këtu pati një frenim. U kalua nga kritika letrare e artistike në masa administrative e penale. Ndërkohë nuk u kuptua që raporti i Enver Hoxhës nuk e kishte qëllimin vetëm pjesën më e butë, tek artistët e shkrimtarët, por ajo do të përshkallëzohej tek ekonomia e më pas tek ushtria. Kështu duke dashur që frontin ta largonin nga vetja të gjithë iu vërsulën shkrimtarëve, aq sa një ditë erdhi në Lidhje për të na dhënë një leksion, Hito Çako, drejtori politik i Ushtrisë”.
Leonard Veizi






