Shtete të mëdha, luftëra të vogla


 Nga Robert Skidelsky


Robert Skidelsky

Dëshmitë janë të qarta: shtetet e mëdha mund të humbin luftëra të vogla. Kështu, po qe se dështon përdorimi masiv i forcës, si mundet që një shtet i madh, që beson se interesat e saj apo obligimet morale e detyrojnë të ndërhyjë në punët e tjetrit, ta bëjë këtë në mënyrë të suksesshme

Presidenti amerikan, Barack Obama, është zotuar që të hakmerret për vrasjen e Christopher Stevens, ish-ambasadorit amerikan në Libi. Se si propozon ai ta bëjë këtë është e paqartë – precedani historik nuk mund të na hyjë edhe shumë në dobi. Më 1864, perandori i Abyssinias mori peng konsullin britanik, së bashku me disa misionarë, në kryeqytetin e atëhershëm, Magdalan. Tre vjet më vonë, pasi që perandori Tewodros vazhdonte të refuzonte që t’i lironte, britanikët dërguan një ekspeditë prej 13.000 forcash, 26.000 përcjellësish dhe 44 elefantësh. Në librin e tij, “The Blue Nile”, Alan Moorehead e ka përshkruar në këtë mënyrë ekspeditën. “Gjithçka filloi me shkëlqimin dhe pashmangshmërinë e madhe të një banketi shtetëror viktorian, së bashku me fjalimet”. Megjithatë, ishte një ndërmarrje e rrezikshme. Pas një rrugëtimi tremujor nëpër male, britanikët mbërritën në Magdala, liruan pengjet dhe e bënë kryeqytetin shkrumb e hi. Perandori Tewodros bëri vetëvrasje, britanikët u tërhoqën dhe komandanti i tyre, gjenerallejtënanti Sir Robert Napier u bë baroni Napier i Magdalas. Fuqitë e mëdha të sotme janë mbështetur në metoda të ngjashme, po ashtu me retorikë të ashpër, por me shumë pak rezultate bindëse. SHBA-ja i kishte angazhuar 500 mijë ushtarë në Vietnam në vitet gjashtëdhjetë, por u tërhoq para se Vietnami Verior ta merrte Jugun, më 1975. Rusët filluan të tërheqin 100 mijë ushtarët e tyre nga Afganistani më 1987, pas nëntë vjet luftimesh, gjatë të cilave shteti nuk u mposht. Tani, 25 vjet dhe 500 miliardë dollarë më vonë, afërsisht 100.000 ushtarë të NATO-s, kryesisht amerikanë, pritet që të largohen nga Afganistani, derisa Talebani vazhdon të kontrollojë pjesën më të madhe të tij. Ndërkohë, SHBA-ja ka tërhequr 150 mijë ushtarë nga Iraku, pas zemërimit nëntëvjeçar. Dëshmitë janë të qarta: shtetet e mëdha mund të humbin luftëra të vogla. Kështu, po qe se dështon përdorimi masiv i forcës, si mundet që një shtet i madh, që beson se interesat e saj apo obligimet morale e detyrojnë të ndërhyjë në punët e tjetrit, ta bëjë këtë në mënyrë të suksesshme? Filmi brilant i Gillo Pontecorvos më 1966, “Battle of Algiers” e paraqet mirë dilemën për fuqinë okupuese kolonialiste. Kryengritja e Frontit Nacional Çlirimtar (FLN)  kundër sundimit francez në Algjeri kishte filluar më 1954, me vrasjet e policëve. Francezët fillimisht ishin përgjigjur në mënyrë standarde – më shumë policë, orë policore, shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme – por kryengritja u përhap, derisa rëndoheshin krimet nga të dyja palët. Më 1957, francezët dërguan njësitet speciale. Komandanti në film, koloneli Mathieu (bazuar në gjeneralin Jacques Massu), e sqaroi logjikën e gjendjes nga pikëvështrimi francez. Mënyra për ta luftuar kryengritjen nuk ishte armiqësimi i popullit me masa represive, por “të padobishme”; ishte eliminimi i strukturës komanduese të FLN-së. Po të eliminohej ajo, rezultati do të ishte një masë pa udhëheqësi. Për një gjë të tillë parashihej përdorimi i torturës, për identifikimin dhe gjetjen e liderëve, e pasuar nga kapja apo vrasja e tyre. Tortura ishte e paligjshme, por, si sqaroi koloneli “po qe se dëshironi që Franca të mbetet, atëherë duhet t’i pranoni pasojat”. Koloneli Mathieu është heroi i palënduar i metodave aktuale kundër-kryengritëse, që parashohin prani minimale ushtarake në shtetin e shënjuar, kryesisht të agjencive të inteligjencës, si CIA apo “forcat speciale”. Përmes marrjes në pyetje, një i dyshimtë mund t’i dorëzohet një qeverie miqësore për torturim dhe, bazuar në informatat e mbledhura në atë mënyrë, “listat e vrasjes” mund të përpilohen. Për vrasjen e Osama Bin Ladenit vitin e kaluar u desh një skuadër vrasëse, në mënyrë që të garantohet suksesi i saj, por vrasjet zakonisht mund t’u lihen fluturakeve pa pilot. Nuk është befasi se SHBA-ja është prodhuesi dhe përdoruesi numër një i tyre, me një flotë prej 7.500 sish. Vlerësohet se rreth 3.000 vrasje me fluturake janë ndërmarrë, kryesisht në Pakistan, por edhe në Jemen dhe Somali. Pjesa tjetër e strategjisë kundërkryengritëse është që të fitohen “zemrat dhe mendjet” e qytetarëve, të cilët janë bërë pre e propagandës terroriste. Amerikanët e bënë këtë në Vietnam, duke shpërndarë mallra konsumi dhe duke ndërtuar infrastrukturën. Të njëjtën po e bëjnë edhe në Irak dhe Afganistan. Është e pranuar se pjesa civile e “shtetndërtimit”, do të jetë më e lehtë po qe se nuk ka prani të madhe ushtarake të huaj. Përpjekja për të fituar zemrat dhe mendjet natyrisht se paraqet një përmirësim, po qe se krahasohet me bombardimin apo vrasjen e popullatës lokale. Por mënyra e kryerjes së “luftës asimetrike” ngrit çështje të pakëndshme etike dhe ligjore. Konventa e OKB-së për Tortura ndalon në mënyrë eksplicite “trajtimin e ashpër, jonjerëzor apo degradues, ashtu si edhe ndëshkimin”. Po ashtu, vrasja nga fluturaket shkakton në mënyrë të pashmangshme vrasje të civilëve të pafajshëm – pikërisht ai krim që definon terrorizmin. Madje edhe nëse lëmë anash çështjet morale dhe ligjore – gjë kjo e cila nuk duhet të bëhet – ka dyshime të mëdha nëse strategjia e torturës dhe e vrasjes mund të arrijë qëllimin e vet për arritjen e paqes. Ajo e përsërit gabimin e bërë më 1957 nga Massu, që supozoi se përballej me një organizatë kohezive, me një strukturë të vetme komanduese. Qetësia relative u kthye në Algjer për disa vjet pas arritjes së tij, por më pas kryengritja shpërtheu sërish me fuqi të dyfishtë dhe francezëve iu desh të largohen nga shteti më 1962.
Sot, bashkësia ndërkombëtare ngjashëm keqkupton natyrën e “luftës”, të cilën është duke e luftuar. Nuk ka një organizatë të vetme botërore terroriste me një udhëheqësi të vetme. Duke qenë se “Al-Qaeda” vazhdon të ekzistojë, ajo paraqet një Hidra të cilës i dalin kokat e reja, posa që t’i këputet e vjetra. Përpjekja për të fituar “zemrat dhe mendjet” me mallra nga Perëndimi vetëm mund të korruptojë, rrjedhimisht edhe të diskreditojë, qeveritë e vendosura nga ata që ndërhyjnë. Kjo gjë ndodhi në Vietnam dhe tani po ndodh edhe në Irak dhe Afganistan. Ngadalë jemi duke e kuptuar se njerëzit, me të cilët po luftojnë, do të trashëgojnë në njëfarë shkalle shtetet e shkatërruara, të cilat po u lëmë pas. Ata po luftojmë, mbi të gjitha, për të drejtën e popullit të tyre për (keq)menaxhim në mënyrën si duan vetë. Fajësoni revolucionin francez që na mësoi me idenë se vetëqeverisja është gjithnjë më e mirë, sesa qeverisja e mirë.

Autori, profesor emeritus i Ekonomisë Politike në Universitetin Warwick dhe ligjërues në Akademinë Britanike për histori dhe ekonomi, është anëtar i Dhomës Britanike të Lordëve. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë “Project Sindycate”