Për kontakt dhe reagime: letrat1@yahoo.com FENIKS I FJETUR I ZEMRËS Buzëqesh sonte, rri me mua pak xixash mjaftojnë për prushëzimin, sepse e di, ata trumcakët e mallit do të cicërojnë rishtas me zjarrin - tani diç në dukje sikur e fjetur ndoshta e djegur, e shuar, e tretur në furrat e Diellit, cikël termik i ndalur, mbyllur në bodrumet e vetë kohës, në heshtje me shekuj, frymë e ikur prapa akrepave të orës gjigante, Big Ben i shurdhër në Heliopolis, i mëndafshtë, i zënë në mugëtirë, me fije merimangash mbështjellur gjithë ata mekanizma të ndryshkur, bllokuar nga pluhnajë e përhirtë... por sonte dhe vetëm një buzëqeshje mund ta rinisë tik-takun e kohës - ngjallu ti feniks gjumash i zemrës, ku është ajo magjia jote tani, si qulloset hiri i yjeve, si brumoset hidraulika e krahëve të tu, e sheh që asnjë lot i saj nuk është tretur, gjurmëbardha lotësh gjithandej kanë mbetur, ja shih si janë oksiduar grilat e retinës, mund dhe ta ndiesh atë vrullin e dikurshëm të vërshimit, zig-zagun e atomeve, ngjeshjen, tendosjen në hidrosferen e lotit, rrokullisjen e valë në të jashtmen e dhimbjes - ku sonte mungon prapë puthja ime, vula e mallit përvëlues. KURORË GJEMBASH Padyshim duhet të jetë çmenduri ta ndjekësh vetë hijen, mbyllur në xhama të provosh ta puthësh Mona Lizën, t'i quash sytë e saj burim rrezesh, spektroskopi infra-e kuqe, prej drite shufra blinduese, masë sigurie për "trezorin" hyjnor artistik, roje për buzëqeshjen enigmatike, prandaj gjykimin ta peshosh në mustakun e Duchamp, dhe ngutshëm ta sjellësh konkludimin: s'ka kush, s'ka hajn të botës që mund ta vjedh zemrën e saj... në Louvre. Pa brus ndjenjash ta kaptosh estetiken e secilit trëndafil, të secilës petale, çdo mimozë regjionale, secilën lule të botës si herbalist romantik pa e këputur ta kornizosh, me puthje ta varësh në breg të Venerës, pa shtytës, pa fibra emocionale, pa dridhje, pa timbra... ta quash "xigëlushe", epiqendër të ndjenjës, rënkimet t'i përthithësh - artistikisht ta zbukurosh, t'i falesh orgazma vetë idesë së ekstazes, të "bukuren" e korbave në sy mjellmash ta bësh aq tërheqëse, si sekreti i buzëve të ML, natyrale si pafajsia, si virgjëria - e vetë të klithësh, të rënkosh, të përjetosh shkrirje në të kuqen deri në përgjakje, si luleshtrydhet ballit të kullosh, gjemba germatik, kurorë e marrëzisë, padyshim profet... vetëflijim, pseudo-kritik arti në vertikalen e "fajit" të Kalvarit. YJET BUZËQESHIN NË VETMI (ndonjëherë duhet që të shohim lart në qiell, yjet janë zemra të vetmuara që buzëqeshin) Shembuni ju zgafella të zemrës tani, këputuni ju stalaktite të bardha, pse duhet të pikojë pandalë ai loti juaj i ftohtë, gjoja për t'u rritur nga qielli, pingul, sikur as kokë as bisht nuk është rritja juaj... kokëposhtë - më mirë ma thuani si fosilizohet një imazh në kristale, si ruhet me shekuj një buzëqeshje e gjetur, mos duhet konservuar ato në të ftohten e lotëve, të zhyten në kanaqet me tretësirën e purpurt... sepse të padukshme do doja të mbesin për pjesën e ngrohtë të syve të botës - dua të ik pastaj qiellit të vetmisë, të kërkoj strehë në bujtinat e yjeve, në sarajet e tyre, shih sa të vetmuar janë dhe nuk qajnë, askush më i vetmuar se yjet, tërë jetën buzëqeshin pandalë vetëm që t'na e thonë se aty janë akoma të gjallë, me sinjalet e dritës sikur na e përkujtojnë se aq shumë frikë kanë nga harrimi - ëndrrat e vakumosura të zemrës do mbarsen, kujtimet janë ligjet e rrotullimit të unazave, ai tundimi kinetik i grimcave rreth Saturnit, ku i dihet, një ditë mbase mund të rilindet, zemra mund të jetë rishtas bërthamë e një supernove prej bebesh, e zjarrtë, e çiltër, lozonjare. PUTHADORI FISNIK Fjalët e saj janë si trëndafilat në kopsht, kanë të njëjtën aromë, më dehin me të gjitha shqisat, ajo më flet si zemra me fjalë të kuqe, aq të ngrohta janë... o zot më ngrohin si një farfanjak dimër e verë, kur më flet e kuqja përndizet gjithandej, e edhe në faqet e saj - i ngrati unë, ku ta dija se është ashtu faqekuqe si burbuqe, në ëndërr madje tentoja ta puth jofisnikërisht. Faqet e kuqe fisnike meritojnë vetëm puthjesh fisnike, fisnik jam unë padyshim, dhe fisnikë të tjerë ka plot, vetëm kam pakëz frikë, ndoshta nuk di ta fal një puthje aq fisnikërisht, pa e cenuar të kuqen, ëmbëlsinë, dëlirësinë e ngjyrave. Mbase është njëjtë si me erëmarrjen, molekulat aromatike në ajri na ngopin, mund ta bëjmë symbullur, petalet pa i prekur një lule s'duhet këputur patjetër, aq e thjeshtë duhet të jetë - pra, s'është e koklavitur shkenca e luleve, por tani për tani jam vetëm ai puthadori fisnik, dje në mëngjes si "gentleman" i vërtetë kam puthur dorën e trëndafilit. SFINGA ËSHTË KORRUPTUAR... Pandora nuk ishte femra e parë prej argjile, por le të jetë sepse për Zotat është - si dikur prapë Pegasi hingëllin lëndinave mbi retë, paganizmi antik është djep i kontinenteve, vetë brumi dhe tharmi artistik, prapë Europa në qafë të Zeusit derdh një det lotësh të valë, Poseidoni lahet paturpshëm në sytë e saj, tutje Sfinga kërcen nëpër kolanat paganistik, shpirtshitur, në heshtje... prandaj dhe Apolloni fare s'ia var, i dehur vallëzon me nëntë statuja të mermerta, i quan Muza - buzëbardha Safo e puth, Kanova zgjohet si zombi, kërkon daltat me maja diamanti, gojën e një mijëvjeçari e përthekon furishëm me buzët në një "Puthje" të gurtë, i përjetshëm ai afsh kristalesh por puthja më e ftohtë që njeh njeriu - Hirst mburret me paganizmin modern, as me diamante mbjellur "kafka" ime nuk ka vlerë sa "koka"* e dashurisë, tridhjetë cm gjatësi për hir të Zotit, sepse Mikolango i pati hyr në hak Davidit, i turpëruar Davidi i pëshpërit Venerës: ndjehem si bebe "artistike" e konvertuar, dhe ia krisë siç bebet pagane dinë, si Zeusi i pafajshëm kur i menderoste pelenat e kohës, ndoshta "pampers... made in Olimpia" - ndërsa vetë "Poeti", herë i bronztë herë i gurtë, ulur mendon për babain e habitur Rodin, s'arrin ta kuptojë dot absurdin që Roi-Soleil pa e njohur fare "Puthjen", pa e lëvizur vetë as një gisht "artistik"... si mbret bënte pesë herë dashuri në ditë, dhe i pati sallonet më artistike që kishte parë bota ndonjëherë. * Dashuria është dashuri për Bukurinë dhe për të Riprodhuar, për të falur Lindjen në Bukuri - vepër artistike "skandaloze" e Damien Hirst BUZËT TONA PËR DIELLIN Më shtrëngo, mos më lësho, më duaj, më mbaj, me gjithë zemrën tënde dhe ngrohtësinë e saj, më puth si engjëll, madje dhe me sytë përvëlues, jo vetëm në buzët, nëse ndjen dhe në sytë sa herë të të rrah zemra... me ato buzë të "maskuara" që nga mëngjesi yt - tani kur u takuam, përqafuar mos mendo akoma për vijat perfekte të lapsit, për kontura buzësh, e kuqja le të shprishet nga afshi, trembe trend-in e ditës tani, flaki shtojcat artifiça, mos mendo në shkëlqimin magjik të Channel, në "artistikat" e ndonjë fabrikanti, në gjepurat e asnjë predikanti, gjoja... për modën e "buzëve moderne" - beso në diellin lakuriq të ditës sonë, siç i lanë ato praruar pa rite e tualete, çiltër dhe pastër me rrezet më sublime, tek i ngrohë buzëqeshjet e bebëzat, beso në frymën, në aromën e lulishtes së zemrës, beso në zjarrin e buzëvalës tënde. Ashtu me buzë të zhveshura preke zemrën time, zhyte kureshtjen thellë si në ujvarë të lahet, të freskohet, dëgjo një grimë aty sirenat e mallit si cicërojnë, fol me buzën time të çarë, me natyrshmërinë e saj, në fakt me të dy buzët shkrum, ashtu të thara njomi me ndjenjat, me zjarrin tënd falju freski dhe jetë, dhe do ta ndjesh, do besosh ke puthur buzët e jetës, njëjtë si të puthësh diellin e mëngjesit - ke puthur vetë zemrën. MONOLIT I NDËRGJEGJIES (për Hans-Joachim Lanksch) Ma besoni Zotëri, e humbet peshën fizike pena ime, ajo "realja" e imagjinatës për Braunshvajgun zhduket, asgjësohet tendenca, neutralizohet vetë pesha e fjalës si kuptimësi, çfarë i duhet farkëtarit çekani i tij kur hovi dhe vrulli shtangosen në ajri - kur pezullon transcendenca e frymimit, të gjitha kudhrat e fjalës zbuten, si masë e kulluar shkapërderdhen sepse, si për ironi, s'mund të ketë ngurtësi, ndoshta as dhe vetëm ngjizje, për një trup tek buzëqeshë ëmbël, i pastër si monolit, kolos i florinjtë në sheshin "Skënderbej" të zemrës, aty ku në një "tëk" të vetëm kthehet çdo drithërimë, çdo feksim i mendjes, ku nyjëzohen të gjitha rrugët e dritës, ku fosilizohen ëndrrat thellë damarëve të shkëmbit Dajt, kurth i dialektikës ideore të artistit, si jehonë e çdo troku metafizik, mbase... në kokën e skulptorit Paskal, goditje thundrash të kalit të bronztë, si buzëqeshjet dhe klithmat e Heroit, që nga qumështbuza e tij deri sot, si brus nderi i çdo dueli... Zotëri, u bëtë damar i vetë trupit historik të kombit tim, ju lidhi fjala dhe Zoti, e Ju mbetët flakë pertej ecejakeve të mikut të fjalës - grahmave të poetit ia ruani dritën, prore bëheni dritë në zemrën e tij të amshimit, në të gjitha zemrat - me zemrën e bardhë të një populli të tërë... në pëllëmbë. MOS HARRO BUZËQESHJEN (në jetën time kam parë aq shumë fytyra të ndryshme, por asnjë buzëqeshje të shëmtuar - pasqyra, nëse ajo të fliste...) Tani ke qetësinë, shkrepsen e kujtimeve, vetminë e një jete të tërë dhe dy shenja, plaga e njomë e fundkurrizit, vazhga e gjoksit të majtë u stampuan në buzët, do ruhen thellë brenda teje, përthithur lëkurës së bardhë me puthjet do i kesh si "kopje", si print në faqen më të pastër të ditarit të zemrës. *** Tani ke dhe kohën e gjithë botës, lexo në qetësi, shfleto librin e vetmisë derisa fletët të zverdhen, derisa të fshihen të gjitha germat e ëndrrës, trëndafila të vyshkur s'do ketë, ndonjë lule të tharë, herbarium të rrallë, asgjë... por kaq ishte çfarë e pikturove si ëndërr - ndoshta një plagë e vetme i merr të gjitha brenda vetes, hape rishtas, butësisht ashtu me buzët fshihe në palcën e saj kurrizore ëndrrën tënde të jetës, vetë ëndrrën, gjithçka çfarë deshe të ketë aty i gjete në të pafajshmen e syve - ti e di, aroma e kurmit mes faqesh do ngelet, dhe ai herpesi në skajin e buzëve, buzëvala e njomur, "epiqendra e buzëqeshjes" për të cilën ti do vdisje - pse jo, vdis pra tani i qetë, brenda buzëqeshjes së saj struku për një jetë, buzëqesh... sepse më i bukur do jesh dhe mbylli sytë, përgjithmonë. KEQKUPTIM I PAEVITUESHËM Sipas teje kërkohet "organizim perfekt" i yjeve të Universit, ata duhet të kthehen në eshalone, sipas gradës, rangut në bataljone si ushtarë të dritës, me komandant... ndoshta vetë Zotin, kush tjetër mund t'i komandojë yjet. Macja jote loz me lëmshin e logjikës, pa e gërvishtur, art dhe delikatesë si Ronaldo në Marakana, topthi im logjik po, por poezia nuk është lëmsh - thua, ajo është brigadë e përkryer germash, është ajo çfarë ty të kanë mësuar, çfarë ti do dhe çfarë ti sheh në letër... Si lexues i përkryer i drejtohesh "poetit kaotik" - hej ti, Mister Poe, kokrrat e rrushit tënd "kalavesh" duhet të renditen në pakon time të praruar çokolatash "Merci" - trakat e zebrave duhet të jenë perfekte si "zebrat" në asfalt. PRAPA VETË ËNDRRËS Tani do jem përherë aty ku ti nuk je, aty ku nuk është as koha, as hapësira, do sorollatem tërë jetën prapa perdes së rëndë të teatrit të ëndrrës, vetëm disa sekonda të gjatë, edhe oniristët insistojnë ëndrrat qenkan si "flash", të gjitha zgjatkan aq pak, qenkan një lloj ikje në fakt, prapa hijes së realitetit - do bëj dhe unë ashtu, njëjtë si vetë ëndrra ime, do ik për të ikur nga vetja, për t'u fshehur nga prania e vetvetes, athua pas shpirtit ka një hije, nëse po, do fshihem dhe nga hija ime, do rri prapa saj, vallë mund të sheh prapa vetes çfarë ndodhë, mbase nuk shikon nga pas asnjë hije, asnjë ëndërr, nuk dhemb asnjë dhimbje prapa hijes së vetvetes, athua prapa Diellit po ashtu fshihet hija e tij. CIKLI SOLARIS I BUZËQESHJES (buzëqeshja jote është vetë dita... një ditë e kaluar pa buzëqeshje është një ditë e humbur - thënie) Nga buzëqeshja jote - fluturojnë flutura me krahët e dritës, venë e vijnë në dukje kuturu, sikur e humbin rrugën, domethënien e misionit, çdo trajektore imagjinare të fluturimit, por assesi jo, kurrë mos u lajthit, ato përcjellin sekretin e Diellit, me secilën drithërimë zemrash, me çdo dridhje molekulash, me çdo lëvizje të gjethit, valë shtytëse janë rrahje krahëfluturash, pandalë nje velo të padukshëm e shtriqin, ndoshta aty luhaten djepa të panumërt kupidonësh, foshnje të lidhura flenë, me miliona engjëj të bardhë, secilin çast mund të zgjohen, klithmat e tyre nuk janë peng por thjesht në pritje, afërsinë tënde presin, zgjohen atëherë kur aura e ndriçon siluetën e qenies, si tufë xixëllonjash në bebëzat e nimfave, fanari i syrit tënd është sinjali i turnit, është dhe fundi i konvertimit të sekretit solaris në uzinën e paskajshme "Flora" - mos ik pra asnjë çast, rri me fluturat, mos shko, kurrë mos i braktis ata engjuj ndjenjash, për vetë zemrën çdo ditë thur një kurorë lulesh, mos harro ëmbëlsinë e erëmarrjes, secilën herë që ti u merr erë petaleve, akti yt është paga, falënderimi për fluturat, që të gjitha, nga më laroshet e bukuroshet, madje dhe vetë fluturzezat... dhe ato çapkënëzat e pafajshme të dritës, ëndrrat tona i stisin pastaj - nga buzëqeshjet tua. PUTHJA E FITORES Qëllimi i saj nuk ishte ta pushtonte Everestin, ajo madje do t'më linte "vetem" atje, po t'më mbushej mendja të kërceja nga akulli më i lartë, me justifikimin e thjeshtë të engjëllusheve; nuk dinte të fluturonte, s'kishte përvojë me balonat, parashutat, paraglidat... *** As maja e Erës bukuroshe, 2461 m sot nuk është maja e suksesit të saj, nuk hyn as afër rekordeve alpiniste, ndonëse ajo e ka idenë e lartësive, shumë mirë i njeh majat e majave, nuk ka dëshirë të fluturojë ulët, në fakt vetë inspirimi i shqiponjave lexohet në sytë e saj (të gjelbërt) - ndërsa qëllimi im, po aq ambicioz, ishte ta pushtoja lartësinë e zemrës, të zbrisja pastaj nga rrafshnalta marramendëse, reliefit të buzëqeshjes, nuk ia dola fare, sepse u mor vesh i vetmi shteg të jetë i zënë nga tekat e natyrës - sidoqoftë nga diku lart atje, nga maja e Erës fitova puthjen e saj të fitores, madje dhe më shumë, mësova se e gjithë ngjitja sot më dedikohej mua - kjo më ngushëllon, ma zvogëlon dhimbjen e dështimit tim, s'është aq pak ndoshta kur ta thonë se dhe për ty ka vend në një zemër. AQ AFËR ME TY Jam unë, po aq sa ti vetë afër shpirtit, ndjenja jote që sheh para bebzës, akoma pa u zgjuar mendja, si xixëllonjë e vockël atomike, e pashterrshme, me sytë e mi do njohësh universin, ëndrrat do trasohen për ty, përherë do fluturoj po deshe ca hapa para teje, dhe anash mund të rri, në cilindo krah të duash ti, si shpresa e zogjve të arsyes, cicërimat, klithmat, universalja e çerdhes, ndërgjegjia që ushqen dritën - do jemë për ty secila dritë që njeh ti, çdo rreze dielli, çdo feksim, ajo më e imëta xixë jete, "elektrikat" në fund të detit, në humnerat më të errëta, njësia kuantike e shpirtit, llamba për hartat e kapitenit, shtigjet e paskajshme yjore në humbëtirat e zemrës, flatrat e vetë dritës, timoni, kompasi, navigacioni i çdo fotoni, besomë, më ndiq pa frikë, nëse ndalem do ndalesh dhe ti, por mos u largo, mos ik kurrë nga drita, jam unë. NË SYTË E TU, NË SYTË E MI Në ballin e muzeut, aty mu në qendër, në gurëzit e mozaikut sikur është stampuar pigmenti ynë, anomalia gjenetike e ngjyrave moderne, nga ajo përspektivë dhe vetë largpamësia sikur flet për faktin e shkurtpamësisë artistike, ngjyrat vetëm energji e burgosur janë, në thelb një fenomen çuditërisht i ftohtë - i vetëdijshëm sot për "leksionin artistik", mozaiku e përcjell mesazhin historik, pandalë na flet, nuk pushon, sigurisht nuk do ndalet kurrë, dhe brenda nëse e fusin, ta ngujojnë në ndonjë bodrum, gjithmonë do na drejtohet si një kritik - Ty: qielli yt është lumturisht i kaltër dhe fare qiellor, ndërsa Mua: - yti i kuq, spektër mendor-holistik i përmbysur, konflikt poetencial brushash, "qualia state" e qenies - Sipas tij, që nga ngjizja e mozaikut të frymimit tonë, Unë dhe Ti u rritëm tmerrësisht njësoj, analogji cullake, por realisht në dhoma të ndryshme gjumi, e jotja me gjithçka e kuqe, mbushur lodrash "rozë", ngrohtësi puthjesh, frymëmarrja jote më e pastra, ai "aircondition" virtual atëherë shumë natyral (për ty më efikas se gjithë kondicionerët së bashku sot, nëpër façadat laramane të Tiranës), ishte kondicioner fryme i pagandës njëngjyrëshe për të vërtetën e ngjyrave të ylberit - ndërsa imja... mos pyet, kaltërsisht e ftohtë, sikur ndonjë dhomë çunash, me mure të kaltra, lodrash kaltroshe, dhe njësoj reprezentativisht e pastër, si dhomë kristalesh zhytur në blunë e Jonit - mirëpo kot, ngjyrat po ashtu vetëm iluzion janë, mozaiku e di, sytë e Tu, sytë e Mi, gjithë sytë e botës dritën e përthithin njësoj, si për inat njësoj, në pikë të ditës ia vjedhin verbërinë Diellit, prandaj ky spektër i përmbysur "celare", kryeneçësi aspak artistike në trurin tonë, funksionalizmi versus ylberit të gjallimit, hipokrizia kundër ngjyrës së vërtetë të qiellit. NUK ËSHTË "RELIGJION" Të gjitha zemrat në errësirë rrahin burgosur përjetshëm, në vetmi por në vetvete fanarë dritësie janë, si xixëllonjat e qiellit - dhe Dielli jep shumë dritë, përmasat pakëz "problematike", por megjithatë ligj i natyrës, diversitet frutash, larushi rruazash dimensionesh, s'është rastësi, disa zemra janë të vogla... si gogla, fare "mini", ndoshta sa një lajthi. Nuk besoj kësaj radhe në kriteret, në ndihmën e shkencës - me rreze Rentgen t'i masim, apo me pompë t'i fryjmë, si maskota, tullumbace Diznilendi, dikush tjetër mbase beson në zemra "vakum" si poç i Edisonit - nuk di, ndoshta thjesht t'iu flasim, absolutisht, çdo rrahje ta miratojmë, çdo impuls ta ndiejmë, t'iu besojmë sikur zemra të ishte vetë Zoti - u bu bu gjithë ato zemra të botës, konfuze, por nëse secila zemër xixëllon për të tjerët, pandalshëm si Diell ndoshta dhe është një portë jona e dritës, një shpresë. Ndonëse nuk është "religjion", siduket prapë s'na mbetet aq shumë: vetëm lutja - luteni pra o njerëz të botës, çdo ditë zemrën tuaj të rritet - ku i dihet, ashtu së paku mund të jemi një ditë si Dielli më afër Zotit. DA VINÇI NË OLIMPIADË Miku im i "mbathi" nallanet e veta, në fakt u hipi lundërzave të drunjëta, si pandofla të çuditshme... shpikur nga ai vetë - punoi gjatë, pa pushim shkriu mend, panumër skicash e faqesh në Codex Atlanticus - dhe vrapon si i marrë mbi syprinën e detit, fillimisht e humbi orientimin, u nis gabim andej kah Bosfori, por u këndell, shpejtë e ndërroi kursin... tani ndodhet diku afër ngushticës së Gjibraltarit - ka vendosur të jetë garues zyrtar në Olimpiadën e Londrës. Sot e humbëm kontaktin, iPhone i vet mund t'i ketë rënë në ujë, por në emailin e fundit më shkruante: pse ti s'merr pjesë në festivale kurrë, as në gara, as olimpiada... nisu pra, mbath ca aso të drunjëta holandeze, bjeri i qetë La Manshit, dil andej dhe më prit, mos ki frikë, në një kanal aq të ngushtë nuk mbytesh dot, as si delfin, as zbathur, as me not... pa le që "klompet" janë të njohura në gjithë botën, ndoshta ia del, triumfon, bëhesh "i parë", kampion i ecjes mbi ujë, por dhe pas meje nëse ngelesh, një medaljon i fildishtë, o çfarëdo qoftë, padyshim të takon. PEZULLIM I FJETUR I FRYMËMARRJES (përse vallë zemrat nuk flenë kurrë!?) Ke të drejtë, ndoshta çdo gjë është "wireless", prandaj mund të flas me ty, kudo që të jesh - të shoh tani... si Oreadë e zhveshur dridhesh në afshin e valë, ajo pasqyrë vrastare e Diellit si lupë gjigante rrezikon të shkrihet, e nxehur tej mase e çoroditë pasditen tënde, aty në sfond i petëzuar luhatet imazhi yt, rutinë vajtje-ardhjeje në një ditë vere, ecejaket flasin së prapthi me dëshirat efemere, ngadalë zemra qelqoset nën trysninë e masës, në një trumcak të kristaltë kthehet, kalamendet në shtyllën qendrore të qenies, për një çast më bëhet sikur hapat pezullojnë, sikur lehtas ngjiten shkallëve të ajrit - por jo, ato shtylla anësh rrugës si këmbët e tua janë, shtylla stoike të shpresës, ja përse gjithë ato mesazhe të zemrës përcjellur, në ato miliona fibrash të ngrohta, telëzuar, përçuese ndjenjash, si dikur telat ambicioz të Graham Bel, ndoshta akoma pushojnë zogj të fjetur, vargëzuar pandalë brumosen shpresa që tek duhet të lindin, shih pra... ndër gjithë ato zemrash të vockla, plot cicërima të përgjumura fushave të pafund, ëndrra që dremiten përgjatë auto-udhëve të jetës, mes ajrit dhe ndjenjave forca të panjohura, e megjithatë kot, zemrat zgjuar rrinë, syhapur, vigjilente, prore balansohen në horizontalen e telave, mbahen si foshnjat kur gishtin e nënës shtrëngojnë, kapen në buzëqeshjen, në dashurinë e saj... ngjyrat e jetës kalibrohen - i përsosur vërtet, apo jo, ky ekuilibër i frymëmarrjes në gjumë. NJËBRIRËSH TRASHALUÇ (Poetët kanë një ilaç të fshehtë, një anestezi sekrete, për dhimbjet!) Nëse më thërret ditë-gjykimi im një ditë, atëherë kur të jem si Zeus në qiell, padyshim do t’shtirem kureshtar si kollitet një mëngjes në Perandorinë e vetë Dritës, sa rrathë i ka në agullimë Dielli, si djersitet? I verdhë, i kuq, ndoshta i bardhë – qumësht i homogjenizuar, helium-vitaminash, si bukëvalë, për mua përherë të uriturin, i pangopur – njëbrirësh galaktikash? Për mëkatet... palosur si fluturat lulishteve të fajit, mund të lutem pa zë, fjalët sa një bisht kometash t’i zgjas, si Dalai Lama të flas, si Xhingis Khan të bërtas: assesi, njohja me shpirtin tim s'ishte "dating", as këshillë e Nënë Terezes – anipse yjet do t’shkriheshin së qeshuri dhe vetja do t’më dukej si gjilpërë eskimezësh, apo si një hiç buzë humnerës – vrimë rrumbullake në akullsinë e vrimëzezës. Ndoshta, si hokatar i pafalshëm që jam, mund ta akuzoj Diellin që s’ia doli kurrë të jetë më i dielltë se vetvetja, mund ta tradhtoj; të shpif se më provokonte, më nxiste - duaje me zjarrin, më thoshte nëse je i zjarrtë, cili mundet më zjarrtë? Më dhimbsej; s'ishte duel por shtyhej me mua, si gjithmonë, kotej hemisferave në Kardasia, e unë, me flatrat e xixëllonjave të qiellit, ëndrrat ia freskoja nga atje, në Antarktida. Por nuk duroj dot asfarë shtrembërimesh, maskash të ulëta, kamuflazhe harrestarësh, patjetër do të klith: dëgjoni, e vërtetë është, dy poezi janë këtu në zemër, dhuratë si medaljonë të praruar shpirtëror... (prandaj dukem pakëz trashaluç), dhe natyrisht s’jam harrestar, si Dielli krenar jam që nuk shuhen dritëvarat diellore, kurrë! D-DAY PËR ZEMRËN Nëntëdhjetë e nëntë gjeneralë putharaçësh e ulën kokën, plani nuk ishte aspak strategjik, ata nuk e dinin as nga ku vjen kësaj radhe buzëqeshja e saj, nga Kepi i Rodonit, nga Gruijer, "Zotat e Gjallë" të Katmandu, ndoshta thjesht nga pranë Lanës, ashtu si vizore përmes Tiranës, ose nga Lugu i Butë, me një qengj në krah - kjo hundë e akulltë disa herë më delikate duket sot, kristalet e bëjnë dhe më të bukur, por përse vallë më gudulisë tani maja e saj në faqe, përse kjo puthje, më magjepsë kjo guacë perlash të bardha plot tinguj, ndersa ankthi më tmerron qysh tani për të madhen ditë, D-Day - e ëmbël të valojnë flamuj të fitores, kënaqësi kur kullat rrënohen, kur gjithë bedenat pushtohen, dhe kur shumçka të jetë falur, të tjerat kur dorëzohen, por zemra nuk bie në gjunj, nuk kapitullon kurrë me këso putharaçë të molisur - sikur t’mos ishte aq e zjarrtë kjo peshë në krahërorin tim të valë, thjesht do thosha ka një copë akulli aty në zemrën e saj, fortesë. KTHEHU NË MUA Eja, kthehu në mua, nuk jam Statujë e Lirisë me dritën dhe urtësinë në duart, me një univers boshësie që nuk e njohim as unë dhe as ti - Liberty e pafajshme, çdo gjë e mozaikut përjashta na përket neve, ka diç që pulson brenda nesh... shtytja, inercioni i gjakut, dhe ti e di, vetë jemi krijuesit e së jashtmes, vetë i kemi shpikur statujat, simbolet, reliktet, kishim për qëllim t'ia kujtojmë vetvetes së paku të jashtmen e Lirisë, por vallë kush e "krijon" besimin, si ta dimë vallë që vetë jemi gjallë, kush e plotëson brendësinë e botëve, me çfarë ta mbushim një boshllëk të Piramidës, vallë me rërë germash dhe kurthe, roje për pavdeksinë e Diellit - eja, kthehu në mua tani, njësohu me grahmat e flakës, kurrë s'do kesh frikë pastaj nga treqind kalorësit e ndërgjegjes, t'i godasin portat, bedenat tek goditen, rrënohen me vetë gurët e vet, katapultet e ngjeshur me të njëjtit gurë, s'do kesh frikë as nga kapuçonët netëve me stuhi, të mistershëm si vdekja, si nata me pelerinën e zezë që mbështjell boshësinë, të padukshmen e trishtë... tek trokasin në portat e kalbura të pallatit tënd të ëndrrave. MEDIUM DHE FLUTURA Sot do dalësh të lodrosh pas fluturave t'i burgosësh qysh në ajri me rrjetin tënd - dhe ndjehesh bukur ndoshta një ndjenjë, një flutur - si një sorkadhe do rendësh lëndinës, lulishtes tërë ditën, derisa të gjitha t'i trembësh, të mos ketë as dhe një ndër lulet, as mbi kokë, as në qiell. Pastaj do ulesh t'i burgosësh prapë, me germat në "letër" do thurësh, një pëlhurë të butë do endësh me veglat "stilistike", do vizatosh ca lule germatike në njërin kënd do vësh një zemër, pak më tej një Kupidon krahëpalosur, me shigjetat përtokë se si qan - por do ta lësh të qetë, nuk do i thuash "hesht". Në fund, e kënaqur do klikosh "Send", ta ngacmosh xhanin tënd për inat - siduket... ti megjithatë e di, poezia është "kontakti i parë" me fluturat, me ndjenjat, nuk është gërvishtje e penës sate, letër e rrahur nga makina e shkrimit, nuk është "zanat", ndonjë mjeshtëri e vjershërimit, as hieroglife digjitale në "screen". PËRTEJ PRAGUT TË DHIMBJES (gjithkush ka kohën e vet të gurtë a të akulltë) Unë ha me një lugë të gurtë dhe pushoj në një shtrat të gurtë pse jo, qysh tash madje dhe arkivolin e dua të gurtë si princeps senatus nuk kushton më shumë se jeta por kjo nuk më thotë asgjë edhe - njeriu më i fortë se guri edhe - guri më i fortë se njeriu më lënë të ftohtë. Zemër anemike, spazmosur mos më tradhto dhe ti së paku jo ti tash, nuk është koha më mbaj në këtë gëzhojë të gurtë tempull - pontifex maximus ngrohur me buzëqeshjen ma fal ngapak kuptim e mirësi tinëz botës së çoroditur të mbijetoj i fortë, denjësisht siç ia bëjnë gurët. Hm... sa bukur tingëlluaka, paleolitika e qenies, neolitika e hershme e zemrës, "epoka e gurit" të gurëve, herëdokur, nëse koha ime të jetë të ik përtej pragut të dhimbjes i gjithi prej guri, mbyllur në gur si një gur që buzëqeshë. ROMANCË KALEIDOSKOPIKE E bukura është diç e pangjyrë në syrin tënd, ndoshta si pangjyrësia e ujit, heshturake fshihet prapa cipës shkëlqimtare, mund të jetë e syrit por jo medoemos, ndoshta lulet aty vetëm refleksion janë, pastaj gjethnaja, vetë gjelbërsia - ti i mbyll sytë - njëjtë dhe me lulet, thua, ato mund të jenë të pranverës por jo patjetër pranverore, në syrin tim mund të jenë gjethe palmash tropike, peizazhe idilike, thjesht imazhe, copëza ëndrrash romantike, vizatime optike me brushat mikroskopike, romancë e ngrohtë kaleidoskopike, vallëzim ngjyrash, fatamorganë organike, joshje, kurth për dritën... enkas për ty lojë artistike - bukuria e luleve kaplon vëmendjen por mbase aroma e tyre pushton zemrën - hm, unë qenkam i kurthuar në një zemër-lulishte, sipas kësaj teorie njëjtë dhe ty pra të mashtroi zemra ime aromatike, le të jetë, kështu nuk të humbas kurrë, sa të ketë një botë me lule, madje tash më magjepsë dhe vetë teoria jote, metafora e dy lulishteve prej zemrash. ULTRASONOGRAFI E QENIES Si pikënisje, thellë nga brendia jote përjashta nisu, dil nga trupi dhe kthehu si torpedo fotonike, si grusht i fortë drite, godit muret, pushto vetveten, un-in tënd - brenda krizalidës shkapurit strofullën dhe prushin e valë, puth larvën tënde të frymimit, digju, shkrumohu i gjithi flakëve të arsyes, prek natyrën dualiste të universit dhe vetë dualizmin e qenies, lufto për frymën në anën e drites, fluksohu, i gjithi në dritë ktheu, me dashuri përvëlohu, prore hidh shkarpa, pandalë, fryji zjarrit guximshëm - kur të tretesh i molisur, kur i fikur të ndjehesh, ngrohu dhe një grimë energji "rezervë" me kujtimin për puthjet, shfleto guidën, doracakun e mbijetimit, me llambën kriptonike të bebzës, me shqisen e gjashtë tendosur si kapiten-komando në xhungël, nën shiun "monsun" të dhimbjes injekto zemrën prapë me gjilpera drite - nëse i mekur, pa zë si balenat nën akullin e oqeanit, errësirës së ftohtë, në qetësinë absolute, si një grahmë me "sonar" dridh lëngun e jetës valë-valë, si pëshpëritje e lutjes së fundit... dhe vdis në paqe me vetveten, me një buzëqeshje sublime - nëse di si vdiset, nëse di si shuhet drita. KTHEHU NË PAFAJSINË TËNDE S'është vetëm një engjëll i bardhë strukur në shtratin e ndjenjave, aty është gjithë universi i saj, e gjithë jeta dhe e jashtmja vrastare! Engjëllushe krahëplagosur të vranë gjithë jetën kodikët e absurdit, lidhur në shtyllat e heshtura të turpit, njëmijë e një gurë të keqkuptimit të qëlluan, e njollosën velon e bardhë të pafajsisë, engjëll i thyer të shkelën, të shtypën me thundrat e zeza kalorësit e ligësisë së natës, ende pa e ditur ç'është jeta, pa e kuptuar si kaliten ndjenjat, ta vodhën gjithë freskinë, pafajsinë e ëndrrave - tani kujton drita s'është për ty, as Enigma nuk ndihmon, "return to innocence", shpresa e nëntë muzave, as buzëqeshja, mendon njëmijë e një ëndrra të jetës u konsumuan, por beso gjithmonë, njëmijë e një lotët e pastër si shpirti janë kristale në sytë e Shehrezades - e buzëqeshur më shih në sy, harro lulet e së keqes, trëndafilat e dhimbjes, pse prapë ata sy të butë u njomën, vallë kur avullohen pikat e fundit thellë në kanjonet, ku as zemra nuk ngrohet, asnjë Diell s'ka qasje me rrezet... lart si një tokë e shkrumuar, asnjë lule, asnjë klithmë, asnjë frymë jete në djerrinën e përvëluar të zemrës, asnjë besim, vetëm lotësh të thellësisë, ma thuaj cili është shkaku i vërtetë i syve të pafajsisë - vallë sytë e engjëjve të vrarë nuk shterrojnë kurrë! SHQIPËRI, NJË PËRQAFIM Zemrat si bova të bardha luhaten hapësirës së lëngshme të Jonit, nga dritarja një zemër do të ik, e unë vetë i ngujuar brenda zemrës, në një kafaz prej zogu metalik - si ta ndal, o ju brigje të diellosura, si t'ia sqaroj tash atë pamundësinë e rendjes... si fëmijë në përqafim të nënës, po vetë rendjen, atë domethënien e fluturimit pa krahë, kur zemra veç graviton rreth Diellit, tash kur mbetet vetëm llogaritja e çasteve, ato matematikat e orbitës, sa mund t'i rezistojë zjarrit ajo sigla e fërkimit, kur përflaket qenia, vetë përkrenarja e krenarisë - pse, si shpjegohet, çfarë mund të jetë fluturimi i zemrave me "taxi", pos zhvendosje në hapësirat e mallit - atje poshtë syprina e mëndafshtë shkëlqen, ajo përkëdhelje rrezesh, o mrekulli, o dritë e vetë zemres, ju gjyshet ilirike me furkat tuaja, çfarë huazuat nga retë e bardha, cilin sekret të qiellit, kur kaq bukur e lëmuat atë push madhështie, kush duhet tash ta fshijë pluhurin mbi artistiken e perlave - ngutu pra mëmëdhe, bëhu ngutulushe, nxito si një Hederë aromatike, buzëqesh vallëzo, fluturo, ngrohu me Diellin, shpalose për botën gjithë bukurinë, sa portat e Jonit atje në Mesdhe hape zemrën, më prit dhe mua tash si një Narcis pa zemër - me zemrën në ajri, pa flatra jashtë krahërorit, zemër akrobatike, me lotët e valë dhe njëkohësisht të freskët në sytë, si vetë deti në syrin tënd kaltërosh - Narcis dhe Hedera në një përqafim. VULLKAN I PAFAJSHËM (nuk akuzohet një vullkan, është absurde - pupla erotike të jastëkut tënd harrestar me një zemër të kuqe në mes...) Mund të zvarritem tatpjetës, puthitur shtyllës kurrizore, si pikë uji të shkas "vërtebrores" marramendëse, si një mace, cilado mace dhe maçok nga familja në Serengeti, ecje kokëposhtë "pemës së jetës", t'i thithë molekulat e lëkurës tendosur aty mbi asht, si ndonjë fshesë moderne, aso vakumore "Dyson" pa kabllo, zhurmë as ngulfatje - dhe derisa ti pret në horizont të shfaqem, pas kodrave me Diellin në sfond, siluetë hutaçe qiellit të bronztë, tek qelizat vdesin syprinës së epidermes, ndërsa fibrat retikulare t'i burgosin vibracionet si bari i pafund puhizat e savanës, atëherë kur shqisat luhaten, kur nisin të kalamenden, si vullkan mund të shpërthej në anën fare të kundërt, t'i bëjë lëmsh koordinatat, andej në qendër të qendrës, mu në mes të kërthizës, si vetë gjeneza jote, si prush nga zemra e Tokës ta pushtoj relievin e pafajsisë, çdo shteg dhe pore të qenies, ta dridhë vetë epiqendrën, e ti të përpëlitesh rrëshqitjes... e skuqur, e nxehur, të avullosh si llavë e pafajshme, e përhumbur, derisa në oqean të shuhesh - ndonëse, pak çaste më vonë prapë do t'më akuzosh për "thyerje të rruges, papritmas". (nuk akuzohet një poet, është absurde - eh, sikur ajo zemër të ishte e gjallë, të kishte jetë e drithërima... aq sa ka histori) ARTEMIS DHE ENGJËLLI BEZDISËS Të shtrenjtat muza, si duket dikur paskam vrarë një engjëll (ja atë atje, atë të mërrolurin, atë kaçurrelin), jo se desha ta vrisja por sepse nuk ndjeva, nuk e desha, nuk e përfilla fare, tash më vret mua çdo ditë, më ndjek hap pas hapi, s'më le të qetë as në gjueti, çdo gjë e tremb me shigjetat e tij, vallë ka të drejtë, paçka se ai s'kërkonte dhe shumë, thjesht vetëm që ta doja - unë e dija kështu: natyrisht, ndjenjë e bukur është, por nëse nuk ndiejmë prapë asgjë, po aq legjitime duhet të jetë, aq e natyrshme të gjykojë vetë zemra, t'mos e duash një engjëll, kujtoja fare njëjtë e natyrshme sikur dhe e kundërta, mendoja se ndjenjat jokushtimisht zgjohen, s'mund të imponohet dashuria, ju vetë insistoni: madje as poezia, duhet tash ta duam patjetër një engjëll vetëm sepse na qenka engjëll - unë apo ai kemi të drejtë këtu, sipas tij, doli që s'paskam ditur gjë. VUAJTJE NARCISOIDE Ti qëndro përballë meje, unë thjesht përballë teje – sepse na duhet simpati për pasqyrën brenda nesh, joshje e vetvetes, pëlqim i kontrolluar, admirim, ngadalë simpatinë narcisoide ta kthejmë në dashuri të denjë ngjashëm si Dior për "j'Adore", t'i fryjmë vetes me ngrohtësi, buzët me afsh t'i vizatojmë në qelq t'i puthitim vrullshëm të njëjtat buzë që nuk i kemi, puthje të frymës ta quajmë po deshe dhe "puthje franceze", madje sa më përket mua tash dhe vetveten ta tradhtojmë nuk është thyerje e rregullave, sepse ne i besojmë pasqyrës dhe imazhit... që vetë ne jemi. LUFTË E FTOHTË (POLITIKE) Pas "gjumit dimëror", në buzë ngelet dehja, dembelia e zgjimit, arushbardhat përgjumur në horizontin e qepallave ëndërrojnë ëmbëlsira me "ingredientet" mjaltosur, ndërsa pinguinët e ngratë akoma në "trans" symbyllur, për t'u zgjuar me zgjuarsi nisin këmishat t'i ndërrojnë pa hequr sakon, t'i lidhin kravatat fosforike, sipërfaqësisht duket e pamundur, sikur dhe dehja nga mjalti, fare njëjtë çmenduri është t'i mbash vezët të ngrohta mes këmbësh mbi kalldërmin prej akulli, pa zënka dhe as ndërskamca, ta "inkubosh" zanafillën, gjithë të verdhën filozofike, apo dhe pemën filogjenetike, absurditet - të gjorët, nuk e ëndërrojnë stilin dolce & gabbana, nuk krekosen kurrë se e kanë zemrën të fiskulturuar, të ëmbëlsuar, ndonëse as këta nuk shtiren se janë perfektë kthehen dhe e hanë mjaltin e vet, pa pështirosje aty në qendër të sheshit, si glasë laramane, të nxehtë - arushbardhat ia krisin vrapit për t'i paditur për korrupsion, për abuzim për grykësi - ndërsa mediatikët të ekzaltuar, në "akullvizor" flasin për ngrohjen e planetit, për rrezikun e shkrirjes të çdo "icesphere", të çdo akullnaje, të vetë kristaleve të zemrës. BUZËQESHJE E PRANGOSUR | - - - - - vazhdim - - - - - - - Endrra të flashkëta ngjalluni, frymoni, me pilulat e pashpikura të rinimit më rinoni, mbamëni të virgjër këtë natë, mua dhe çdo yll të yllësive lart, një tabllo sa gjysma e qiellit ma falni, si aurorë-faculetë yjore të Afërditës, pëlhurë të gatshme plazmatike, t'i vizatoj vetëm buzët, një puthje germash vezulluese të zjarrtë si puthje yjesh, ta ndiej afshin, ngrohtësinë, përvëlimin... me këto buzë germatike - qoftë dhe vetëm njërën buzëvalë, cilëndo nga buzët e saj, së paku njërën anë të buzëqeshjes - dhe ta kornizoj, ta mbyll në xhamat e trashë të muzeut të qenies, hermetikisht... me çdo të metë artistike, si rojtar në Louvre të endem qiellit, të fluturoj skajeve të tabllosë me shpejtësinë e dritës ta shpoj mezosferën e yjeve të bie, të digjem, të shuhem, nga thundrat e Pegasit të shtypem, prush të skuqem nga qortimi i Kasiopesë, Perseun ta gënjej për gjithçka, nëse e nevojshme dhe për strofullën e Meduzës, si një kometë-dhelpër kozmike, me bishtin dinak ta mashtroj, shtigjeve t'i fsheh gjurmët pafundësisht t'i çorodis pluhnajat, kohën "nyje" ta lidhë, dhe ndodhitë kaotike larg t'i hedh si toptha, si lëmshat e gjysheve të kotura përflakur "horizontit të ndodhive", me çdo kusht mos ta lë të vdesë, ta mbaj gjallë deri në mëngjes, ndoshta si vetë Andromedën - buzëqeshje gjysmake... vertetë, por pikturë e imja, fare autentike, brusha më e çiltër, pastërti e dritës, vula e shpirtit - kërthizë galaktike dhe e qiellit "Zonjë e prangosur" në Pasqyrën e Uranisë... për Ty. KOLIBRI I PËRHUMBUR Kush ta ndalon, nëse ia del pse jo, çmendu me cicërimat, deri në marrëzi fluturo dhe një pyll të tërë çmende, por si do ta arrish këtë, si dikur pterosauros pandeh, sa qesharak - aq qëllimisht me aq shumë pafajsi, rrahje të lehta flatrash, të padukshme në askundësi, dridhje të pakapshme... (pothuaj mentalitet fluturash) - ndërsa çfarë na qenka kjo mrekulli sipas teje, ç'është "çmenduria" për ty? Oh jo, të dashurohesh marrëzisht, t'ia falësh zemrën një dordoleci fushe, (çudi, si të shkrepi tash një ide aq e çmendur!) - jo pra, nuk është! Të besosh se ai ka zemër, qëllimisht në supin e tij të pushosh, rrëzë veshit t'i pëshpërisësh butësisht me ariet magjike ta ëmbëlsosh, me notat më të ëmbëlsuara kolibri-ke, paçka se ndryshe nga ato të laraskave, eh jooo, megjithatë nuk është! Thirri mendjes ti fluturosh, kthjelltësohu më mirë vërtitu në ajri, çmendu ndryshe çdo ditë ngapak, vri veten mes bukurisë së luleve pa mëshirë në vetmi, mos humb kohën me zemra prej akulli të bardhoshëve shkëlqimtar të lagjes... as aso prej leckash dhe kashte - në fakt sa i marrë që je, sa shumë besim ke, ata janë aty për të të trembur dhe ty! KALI I NILIT DHE ZOGJTË Hippopotamus, të gjithë e dinë pse ke turp ti "qos" natyre, s'ke gëzof, far' leshi burrash as qime, gjithmonë i "parruar" a la natura, në turbullirë fshihesh, si shtyllak ngulesh nga turpi në vend, gjoja mediton... s'mund të përdridhesh si Anakondat... e prapë si një gjarpër i trashë tmerron, vetëm verbërinë dhe sytë mbi ujë mbanë, mos mendo keq Horus dhe Sethi nuk të shajnë, jo kurrë s'të përqeshin - ata të duan! Hippopotamus, si nuk e sheh ti mizor deltash... moçalesh e kënetash si nuk e ndjen këtë pafajsi natyre, gjithë ata zogj naivë tek cicërojnë çiltër mbi ty, ngrohtësisht si rrezet, butësisht dhe freskët si puhia e bjeshkëve... si kthjelltësia e qiellit, prapë të besojnë, tek ty fluturojnë, ndër dhëmbët e tu monstruoz... ndalojnë, dhe t'i pastrojnë aq natyrshëm - ata të duan! Hippopotamus, ti i vret madje dhe këlyshët e tu mizorisht, nuk "ndjen" as më të egrin, më të frikshmin anima-instikt, sa shumë egërsisht egërsohesh për zonën tënde të influencës, për "ekosistemin" e grykësisë, mos ti shpirt demoni, më parë dëgjo klithmat, thirravajet, mos i vrit fëmijët e tu, të natyrës - ata të duan! Hippopotamus, turp të kesh nga paturpësia jote e natyrshme - mos harro njëjtë si zogjtë, si fëmijët e tu... dhe natyra të fal natyrshëm, falë pavetëdijes tënde për egërsinë - natyra të do, Hippopotamus! TË BESOSH SI NJË FËMIJË Të jesh poet, vetëm të pretendosh... duhet aq shumë çmenduri sa të besosh se mund të ecësh zbathur, sylidhur tehurinës, majave të shpatave kuantike - sot, madje dhe më shumë të përbirohesh si rreze mirësie të jesh akrobat, ta ruash drejtpeshimin në fotosferën e Diellit, të luhatesh si vetë një demon cirkusi, "undercover" i Apollonit të zhdukesh, krahëpërkrah me nëntë muzat ndër dhëmbë të të gjithë demonëve të vallëzosh, të dehesh, të urinosh në orbitë elektronesh, dhe kur i lodhur të jesh, prehje të kërkosh, natën ta kalosh, shpëtim të gjesh në grahmat e Zotit në mëngjes kur ikën tinëzisht t'ia "vjedhësh" një të rrahur zemre si bubullimë e butë metagalaktike dhe ai të të fal symbyllur, të të besojë me një buzëqeshje, i mallëngjyer nga marrëzia jote, nga bindja si "infant" se mund të jesh vetë vullneti hyjnor - nga çiltërsia jote e besimit në njeriun. Të jesh poet, vetëm të pretendosh... duhet të besosh marrëzisht se klithmat tua janë arie amadeusësh aq të pafajshme, pafundësisht si klithmat e para të secilës foshnje të justifikuara sa vetë lindja, me vulën hyjnore, të nevojshme si supernovat për balansin e Universit sa ti të vdesësh, si vetë frymëmarrja jote si vetë qenësia, si libri i jetës, kromozomet e gjithë profetëve si gjallimi i qelizave të qenies, çdo gjë që ndodh në galaktikën "zemër", dhe secili event, në secilën ëndërr. Më poshtë... disa poezi nga "Terraforma Poetica - I", 2010 - Ars Poetica LUMINIZIM I ORBITËS TËNDE Më thua “hesht” - nuk do të flas... por përse të hesht vallë a nuk është vetë heshtja zhurmë thua të vazhdoj pandalshëm me purifikimin tënd mendon se ndryshk është, apatik vërtet mendon ti “instalim” është... kjo lojë pashmangshëm mund të jetë çlirim nga ndonjë asfiksi apo është vetëm përndritësim luminizim i orbitës tënde saturnale të gjitha ato grimca, pluhur... duken unaza më shumë rëndojnë inercionin e rrotullimit ndoshta sepse në asnje “frymëmarrje” s'ka domosdoshmëri brenda saj vetëm domosdoshmëria… ne thelb mund të jetë e tillë siç është për arushat në Antares, bardhësia Besoj… këtë ndiej dhe nga këtu vetë unë lëviz në vend – vendlëvizje vendnumërim aksiomatik ndoshta rrotullim “puthje merimange” kurth strategjik... si kur je i vetëm para një ushtrie cajgonësh ti quan orbitë atë që nuk është, lajthitesh harron se lulet s'kanë orbitë për asnjë bletërosh dhe ti heton vetëm freskinë në ajri nga dridhja e flatrave transparente s'jam satelit se kam thyer ligjet tashmë të gjitha ligjet e gravitetit tënd marramendës prandaj mund të jem kudo dy hapa pranë, dy hapa pas… secilin moment secilin tik-tak të zemrës ta dëgjosh mund të ateroj, të zbres butësisht pranë kërthizës tënde; në honin e saj hijebutë të bie në gjumë përjetësisht. APOTEOZË E FJETUR Bota e njeriut është e madhe dhe nuk mund të lidhet si bohçe, me gishtin mbi nyje! Në paskajësi, me gisht të këmbës, vizatim mbi rërën prej galaktikash, buzë detit të Zi Një frymor i shkretë, kërmill i vogël si hiç zvarritet jargosur urës së madhe gjer në dhimbje, mbi Goldën Gejt Disku i diellit matanë edhe në kët'anë Në perëndim, një trilion herë u përskuq Në lindje, një trilion herë u bë limon * Rrugëtimi i takon prapë njëmendësisë e hapat kanë sërish një melodi të virgjër në timpanin e veshit të qenësisë të tjerat... kambanat, piramidat ëndrrat mëkatare, marrëzitë e së tashmes në tehun e hipotenuzës - mprehtësuar disleksi e përkohshme, gala-gënjeshtër në sythet, bisqet e filizat e së ardhmes. * Ti o Diell, panteoni i marrëzisë sime qeshu me mua, nuk kam hapat e tu në mundim, gjakosje, përcëllim si duket skaji yt i urës ende nuk di s'më ndihmon as teorema e Pitagorës, Euklidit të llogaris trilemat e mia të panumërta kur të takohemi, mbase në Big Bang-un tjetër do të njohësh zjarrin tënd në shpirtin tim. AERO-POEZI PËR TITULLIN MISS Ngjesha ca balona të lazdruar nga ditëlindja e djalit lloj-lloj ngjyrash, lara-lara i mbusha me fjalë e vargje i lidha penjtë me një shirit i lash të pezullojnë - pezull në ajri projeksion plazmatik-hermetik drithërime të padukshme instruksione pro-komunikative kod me tendenca dinamike pezullim pendël - pendëlsisht lehtësi e butë artifiça-plastica ngrohur sa mrekulli... le të çmenden "kritikët" pse jo edhe fansat ata me shije të sofistikuara për timen aero-poezi S'vonoi shumë mendja më tha mirë-mirë por jo dhe aq mirë nuk të pëlqejnë balonat prej llastiku të lirë s'janë edhe aq të besueshëm provo njëherë me prezervativë Kisha të drejtë – s'isha kujtuar me kohë t'i fryja ca të tillë 100% të sigurtë... të markës më të mirë të papërshkueshëm, “energy shield” prezervativët s'janë balona ordinerë por... materiale speciale testuar njëmijë herë, “high-pressure” prapëseprapë transparentë masë brenda masës së fryrë ajër thuaj brenda vetë ajrit mund të shihen “accessoires” të vargjeve... o la la, fluiditet telat e kuq a të kaltër si telefonat klasikë prej qelqi dhe njëkohësisht të flesh i qetë HIDRO-POEZI PËR TITULLIN MISS (jo)natyrshmëri estetike E dashura ime s'ka dhëmbë të vërtetë dhëmbët e saj janë mobil (s'janë stabil) artificialitet janë, art i dentistit specialist, manufakturë artizanale e përkryer, si lodër ashti në punëtorinë e Mickey Mouse - çdo natë dalin nga goja... mëngjeseve kthehen prapë, në trajektoren e zakonshme nga gota plot ujë çezme mbi komodinë në gojën e saj plot "aromë peperminti"... aty në gotë bëjnë gjumin sterilizues, relaksim nate - rrugëtim rutinor i përkohshëm për në hidro-laboratorin e mirëmbajtjes një lloj gjumi vullnetar jashtë elementit, ose gjumë i lëngshëm - kjo shpikje moderne hidro-ambient i qëllimshëm për gjumësinë, patjetër dhe prehje analitike për bardhësinë, pastrim kimik deri në atomikën e fjetur, proces i konsoliduar tashmë për bukurinë natyrale, funksional deri në vrasjen mikro-organike, në esencë i padukshëm (veç fluskave), askush nuk sheh çfarë ndodhë më tej brenda kimisë, s'është as nevoja të kërkohet brenda thelbit të natyrshmërisë - dihet çdo gjë do të ndodhë pashmangshëm, cikël në emër të perfeksionizmit denta-material deri në imtësitë e pakapshme strukturale kërkohet thjesht pamje perfekte dentale, bardhësi natyrale, sa më shumë shkëlqim për një dite të re - kur të jetë kthyer prapë ky mekanizëm kyç... aty në vendin e vet! |
Home »
» S. Guraziu - Medium dhe Flutura (Cikël poetik)