PSG në formë, vazhdon me fitore

Gjiganti francez, Paris-Saint Germain, ka shënuar fitore të thellë në udhëtim te Bastia me rezultat 4-0, duke u konfirmuar si kandidat për titull me fitoren e tretë radhazi në Ligue 1.

PSG e shkatërroi Dinamo Kievin në mesjavë, ndërsa formën shkatërrimtare francezët me në krye Ancelottin e vazhduan edhe në Ligue 1.
Me të filluar takimi, Jeremy Menez kaloi në epërsi mysafirët (6’), pas një asistimi të Ibrahimovic.
Loja dominante e PSG-së vazhdoi, ndërsa epërsia u kristalizua nga Zlatan Ibrahimovic, i cili shënoi me ndihmën e super talentit Marco Veratti (40’).
Në pjesën e dytë u vulos fitorja nga Blaise Matuidi, i cili realizoi për 3-0 (72’), para se në minutën e fundit Ibrahimovic të realizonte golin e dytë në takim për 4-0.
Me këtë fitore PSG pas gjashtë ndeshjeve ka 12 pikë në pozitën e tretë dhe është ende pa humbje këtë edicion.