Paria, intelektualët dhe shpresa për të ardhmen

GRID RROJI

GRID RROJI
Mendimtari Izaia Berlin e përkufizon teorinë e politikës si “degë e filozofisë morale, e cila fillon me zbulimin apo zbatimin e nocioneve morale në sferën e marrëdhënieve politike” (Dy nocione të  lirisë, 1958). Në çdo shoqëri të zhvilluar, shtresat intelektuale luajnë një rol kryesor jo vetëm në lëvrimin dhe publikimin e së vërtetës, por edhe si përçuese të vlerave morale për shoqërinë. Nga ky pikëvështrim, është me interes analiza e rolit të intelektualëve të tranzicionit postkomunist në Shqipëri.

Siç e kam shprehur edhe në shkrime të mëparshme, teoria e parisë është jo vetëm shteruese për fenomenet shqiptare, por mbetet në dijeninë time e pakundërshtuar si nga qarqe politike, ashtu edhe nga ato akademike. Në studimin e tij “Përrallat e Tranzicionit Shqiptar” (Botimet Princi, 2012) Prof. Shinasi Rama e përkufizon parinë si një shtresë oligarkësh plutokratë të përbërë nga anëtarë të ish-gardës së vjetër të Partisë së Punës, si dhe nga disa pjesëtarë të profesoratit dhe inteligjencies. Ndonëse ka dasi nominale mes grupeve kundërshtare, ata veprojnë politikisht në simbiozë të plotë për të ruajtur monopolin e pushtetit si dhe përdorin shtetin për pasurim vetjak. Së bashku, ky grup kontrollon shtetin, interesat e mëdha ekonomike si dhe paraqitjen mediatike që i bëhet qytetarit për t’i krijuar idenë se sistemi funksionon.

Me gjithë retorikën e përditshme në media, në praktikë dallimi i vetëm mes grupeve të parisë është interesi i klanit që ata përfaqësojnë brendapërbrenda parisë dhe motivi kryesor i veprimit të tyre politik është ruajtja e interesave të veta. Me fjalë të tjera, paria politike shqiptare ka qëllim të vetëm pasurimin dhe lufta mes grupeve me mendësi katundare është një luftë brenda llojit për ndarjen e plaçkës. Ndryshe nga elitat e mirëfillta – të përkufizuara si shtresa drejtuese që synojnë dhe punojnë për të mirën e bashkësisë – paria vepron dhe punon vetëm për të siguruar të mira materiale për vete dhe grupin përkatës, duke cenuar rëndë gjatë këtij procesi interesat kombëtare.

Ndërkohë, në analiza mediatike ka së fundi disa përpjekje për ta përvetësuar e përdorur këtë teori. Disa politologë si Përparim Kabo, Afrim Krasniqi, Dritan Hila e të tjerë kanë përdorur dhe shtjelluar më tej konceptet e oligarkisë, plutokracisë ekonomike dhe bjerrjes morale, të cilat përbëjnë bazamentin empirik të analizës së parisë. Paria mund të ekzistojë politikisht vetëm në kushtet e një kontrolli oligarkik mbi politikën, vendosjen e një dore plutokratike mbi ekonominë dhe tulatjes morale të popullit. Pra, artikujt e sipërcituar nënkuptojnë asimilimin dhe pranimin e konceptit të parisë si pengesë kryesore e zhvillimit demokratik në Shqipëri.

Më tej, përsiatjet e fundme analitike të Artur Zhejit mbi fshatin e madh shqiptar, daljet e Fatos Lubonjës për politikën e kriminalizuar dhe gllabëruese, kritikat e Kiço Blushit për regjimin tribal, disa shkrime dhe intervista të Moikom Zeqos, por edhe shkrime të disa penave më të reja si Blendi Kajsiu, Menita Lljarja, Dorian Koçi dhe Koloreto Cukali, tregojnë se tashmë edhe shumë veta janë ndërgjegjësuar për hullinë katundare ku është shoqëria shqiptare. Ndonëse kjo nuk e justifikon apo shpjegon njëzetvjeçarin e tregtimit të vetvetes të intelektualëve të tranzicionit, mendoj se minimalisht kemi të bëjmë me fillimin e ndërgjegjësimit mbi përgjegjësitë e intelektualit.

Gjykoj se intelektualët e tranzicionit iu nënshtruan njërit prej tundimeve njerëzore më primordiale, babëzisë materiale. Kësisoj, në vend që të tregonin udhën e duhur (qoftë edhe me alternativa të ndryshme) drejt krijimit të një shoqërie të shëndoshë, intelektualët e tranzicionit ose u kooptuan, ose u bënë vegla në duart e parisë politike për arsye thjesht përfitimi material. Ky nënshtrim pa kushte i futi në një vorbull të teposhtshme, e cila i detyron tashmë jo vetëm të jenë shërbëtorë të palëve përkatëse të parisë, por të kenë humbur për pasojë besueshmërinë në sytë e qytetarit. Siç shprehej Sokrati, “nuk mund të ketë dije e virtyt pa dashuri për vendin dhe drejtësinë”.

Pra, në një kohë kur roli i intelektualit të mirëfilltë është të përdorë dijen në interes të së vërtetës e të popullit të vet, intelektualët shqiptarë ose hynë politikë, ose u përdorën nga ajo për të ruajtur vazhdimësinë e pushtetit të  vjetër me forma të reja.

Ndonëse sot të gjithë gëzojmë lirinë e shprehjes, interesat klanore, përfitimet materiale dhe varësia nga struktura të dukshme e të padukshme e bënë shtresën intelektuale të mos ishte në gjendje të bëhej shpirti kritik i shoqërisë. Shumica e tyre ende sot identifikohen me përkatësitë politike, një pjesë luan elektronin e lirë (i jepet ofertuesit më të mirë sipas rastit), kurse një pjesë tjetër e ka gjetur përfitimin te boshllëku i madh në mjedisin akademik duke rikrijuar dhe ushqyer një minikozmos politik me mendësi katundare nëpër universitete. Më të pazotët ndër ta emigruan në Perëndim, u vunë në shërbim të kujtdo që i ofronte sadopak rilevancë,  dhe tashmë të rreshkur i këndojnë lavdisë së vjetër imagjinare nëpër kafene virtuale duke ripërtypur nostalgjinë hipokrite për Tiranën e viteve ‘80.

Si pasojë, nuk është për t’u çuditur që askush nuk merret me vërtetësinë dhe arritshmërinë (fact checking) e premtimeve e deklaratave të politikanëve. Po ashtu nuk duhet të habitemi se pse në përgjithësi mungojnë studime të thelluara akademike mbi natyrën e qeverisjes, rolin e shtetit, modelet ekonomike, rrugët e përzgjedhura nga paria për t’i përmbushur premtimet apo alternativat që mund të kishin prodhuar zgjedhje të ndryshme.

Edhe ato përpjekje që bëhen për të zhvilluar një debat i nënshtrohen “tregut mediatik” të krijuar nga paria. Kjo i redukton qasjet në opinione gazetash e dalje nëpër kafene televizive, të cilat rrallëherë thellohen përtej retorikës së përciptë. Mirëpo kjo nuk i pengon ta konsiderojnë veten VIP (të rëndësishëm) e të marrin poza ekspertësh në të gjitha fushat e mundshme.

Por ajo që i bën intelektualët e tranzicionit shqiptar lehtësisht të dallueshëm nga homologët e tyre në situata të ngjashme, është urrejtja e madhe që shprehin (me veprime apo me heshtje) për popullin e vet. Vetëm një urryes i popullit të vet – e si pasojë i vetvetes – mund të lejojë që dija e përftuar në vite pune të lodhshme hulumtuese të përdoret si monedhë nga xhambazët ruralë të tregut politik shqiptar.

A ka shpresë Shqipëria në njëqindvjetorin e shtetit të saj, kjo” zonjë e randë” së cilës “burrat e dheut i thirrshin nanë”? Pa asnjë mëdyshje. Shpresa për të ardhmen vjen nga ndërgjegjësimi i intelektualëve të rinj, të cilët nuk bartin komplekset dhe mëkatet e paraardhësve të tyre. Shpresa vjen nga dhjetëra e qindra doktorë shkencash shqiptarë, të cilët sakrifikojnë duke zgjedhur si fushë studimore Shqipërinë, megjithëse kjo ua vështirëson punësimin jashtë Shqipërisë. Shpresa vjen nga të gjithë ata të rinj shqiptarë, të cilët i kanë ndjerë dhe i ndiejnë mbi shpinë pasojat e babëzisë së parisë në formën e bjerrjes së vlerave, mungesës së mundësive ekonomike dhe hapësirave politike. Shqipëria ka shpresë sepse ne shqiptarët besojmë te fryma e vargjeve të “luaneshës së Persisë”, Simin Behbahani: “atdhe, do të të rindërtoj sërish, nëse nevojitet, me tulla nga jeta ime, kockat e mia, nëse nevojitet, do t’i bëj kolona mbështetëse për çatinë tënde”.

Doktorant në Shkencat Politike (CUNY)

Nju Jork, Shtator 2012