Në 4 vite në Shqipëri kanë ndodhur 1331 krime të rënda

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Qendra për Çështje Europiane dhe të Sigurisë në bashkëpunim me ODA kanë hulumtuar mbi nivelin e krimeve kundër jetës në 4 vitet e fundit. Sipas të dhënave të Policisë s në total gjatë katër viteve janë shënuar njëmijë e treqind e tridhjetë e një krime të tilla. Viti me më shumë krime të rënda kundër jetës në kohën objekt hulumtimi është 2011-ta, ndërsa me pak raste shënohen në vitin 2009. Në vitin 2010 ky indikator e rendit Shqipërinë si vendin më me rrezik për jetën ndër vendet e rajonit me katër vrasje për njëqind mijë banore.

Studimi

Hulumtimi i bazuar në të dhëna të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit synon të thellojë analizën mbi tendencat e kriminalitetit në vend, e më tej të nxisë debat për alternativat e mundshme për përmirësimin e performancës së institucioneve antikrim. Hulumtimi mbi krime të rënda kundër jetës, bazohet në të dhëna për tre grupe veprash kriminale si Vrasje; Vrasje e Mbetur në Tentativë dhe Vrasje nga Pakujdesia. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit në total gjatë katër viteve janë shënuar njëmijë e treqind e tridhjetë e një krime të tilla. Viti me më shumë krime të rënda kundër jetës në kohën objekt hulumtimi është 2011-ta, ndërsa me pak raste shënohen në vitin 2009. Ky grup krimesh shfaq një tendencë të lehtë rritje të mesatares vjetore në dy vitet e fundit. Tremujorët me më shumë kriminalitet sa i takon krimeve kundër jetës janë tremujorët e dytë dhe të tretë të viteve respektive, pra periudha prill-shtator. Pjesa më e madhe e këtij grupi krimesh janë Vrasjet në Tentativë që janë rreth 66.7 % e krimeve të grupit Krime Kundër Jetës.

Vrasjet

Sipas hulumtimit shqetësuese është rritja thuaj se me rreth dyzet për qind e numrit të veprave penale vrasje në dy vitet e fundit 2010 dhe 2011 kundrejt dy viteve pararendëse 2008 dhe 2009. Pikërisht në këto vite është rritur edhe numri i vrasjeve për njëqind mijë banorë. Ky tregues për vitin 2008 dhe 2009 respektivisht shënon 2,9 dhe 2,7 vrasje për njëqindmijë banorë. Ndërsa në vitin 2010 ky indikator e rendit Shqipërinë si vendin më me rrezik për jetën ndër vendet e rajonit me katër vrasje për njëqind mijë banorë.
3880 vjedhje në katër vjet, hajdutët

“zaptojnë” bankat dhe bizneset  

Po sipas këtij studimi të ODA-s tepër problematike janë evidentuar edhe krimet kundër pasurisë, pasi vjedhjet janë në përshkallëzim rritës në katër vitet e fundit. Herë pas herë në kronikat e mediave jo vetëm vendase por edhe ato ndërkombëtare vihet re se grabitësit sidomos gjatë vitit të fundit duket se janë “sunduesit” e heshtur të bizneseve apo bankave. Gjatë këtyre grabitjeve me armë janë të shpeshta edhe rastet ku këto precedentë janë kthyer edhe në tragjedi me pasojë vdekjen. Të ndara në tre nënkategori sipas Policisë së Shtetit, këto krime hulumtohen të grupuara në vjedhje në subjekte tregtare (ambiente) ku përfshihen edhe vjedhjet e bankave; vjedhje të tjera si krime të ndryshme kundër pronës publike apo private dhe vjedhje me dhunë si nënkategori me rrezikshmëri më të lartë për shkak të rrezikshmërisë për jetën dhe formës së kryerjes së veprimit. Konkretisht Vjedhje të Subjekteve Tregtare (ambiente), në katër vite janë shënuar në total tremijë e treqind e tetëdhjetë e një raste. Kjo vepër penale është në përshkallëzim rritës nga viti në vit duke shënuar shumëfishim gjatë viteve objekt hulumtimi. I veçantë në trendin ngjitës–zbritës të numrit të vjedhjeve në ambiente tregtare është fakti se pas çdo kulmi me vlerë të lartë kemi zbritje të ndjeshme, çka tregon vëmendje të përqendruar në kohë të caktuara dhe jo konsistonte në luftën kundër apo parandaluese ndaj krimit të vjedhjes të operatorëve ekonomik.