Kina nxjerr në det aeroplanmbartësen e parë

Ky ka avionë funksionalë, por sakaq konsiderohet një kërcënim në Paqësor



Marina kineze njoftoi se ka vënë në funksion të forcave të veta aeroplanmbartësen e parë të këtij shteti, një prodhim sovietik, të cilin e bleu nga Ukraina pa armatime dhe e modernizoi. Kina bëhet kështu vendi i dhjetë në botë që disponon një armë të këtij lloji. Aeroplanmbajtësja e titulluar Liaoning sipas Ministrisë së Mbrojtjes, do të rrisë fuqinë e përgjithshme të marinës Kineze dhe “do të mbrojë efektivisht sovranitetin, sigurinë dhe interesat zhvillimore.”
Aeroplanmbajtësja pritet të përdoret për stërvitje dhe testime deri sa Kina të hedhë në det aeroplanmbartësen e saj të parë të prodhuar në vend në vitin 2015. Dorëzimi i aeroplanmbartëses te forcat detare u krye me një ceremoni ku morën pjesë presidenti dhe kryeministri i vendit, duke ofruar kështu një spektakël tjetër në kuadër të tensioneve të shfaqura me Japoninë mbi territorialitetin e disa ishujve të pabanuar.
Marrëdhëniet mes Kinës dhe Japonisë u përkeqësuan shumë këtë muaj pasi Japonia bleu ishujt e Detit të Kinës Lindore, të quajtura Senkaku në Japoni dhe Diaoju në Kinë, nga pronarët e tyre privatë, duke shkaktuar protesta antijaponeze në të gjithë Kinën.
“Kina nuk do të tolerojë kurrë çdo aksion të Japonisë që dëmton sovranitetin territorial të Kinës,” deklaroi të martën zëvendësministri i jashtëm Zhang Zhijun ndërsa takohej me homologun e tij japonez në përpjekje për të zbutur tensionin.
“Japonia duhet të heqë dorë nga iluzionet dhe të reflektojë siç duhet, duke vepruar për të zhbërë gabimet e saj dhe të rikthehet te konsensusi e mirëkuptimi i arritur më herët mes dy vendeve,” shtoi ai.
Rreziku u konfrontimit të armatosur mes dy vendeve është i ulët, por frika është që tensioni politik mes dy ekonomive më të mëdha të Azisë mund të krijojë përplasje të paqëllimtë në det. Për marinën kineze, shtimi i aeroplanmbartëseve në flotat e saj ka qenë një prioritet në kuadër të përpjekjeve për të dërguar trupa larg territorit kinez.
Kina paralajmëroi Shtetet e Bashkuara këtë muaj të mos përfshihet në mosmarrëveshjet territoriale dhe të mos mbajë anë. SHBA-të i sugjeruan Kinës dhe fqinjëve të saj të veprojnë me gjakftohtësi.
Ekspertët thonë se aeroplanmbartësja e Kinës nuk mbart teknologji shumë të lartë dhe se për momentin, kjo nuk përbën një ndryshim në balancën e forcave ushtarake të pozicionuara në paqësor. SHBA-të kanë aktualisht 11 aeroplanmbartëse në veprim, të cilat patrullojnë oqeanet e botës. Kina ka një eksperiencë të shkurtër detare e cila është zhvilluar vetëm gjatë dekadave të fundit. Perandoria kineze e ndaloi lundrimin në shekullin e 15 dhe vetëm pak vite më parë, një anije e flotës së saj ushtarake kaloi për herë të parë ngushticën e Malakas për të dalë në Oqeanin Indian. Mes vendeve të tjera perëndimore, Italia dhe Spanja disponojnë nga dy aeroplanmbartëse ndërsa Britania e Franca disponojnë nga një të tillë. Brazili përdor një aeroplanmbartëse të vjetër franceze ndërsa Tailanda dhe India kanë nga një të vjetër britanike.